rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Mbi dogmën e “gazetarisë së përgjegjshme apolitike”: një tjetër rast

13048235_10154754014508222_7455333897732529269_oGent Carrabregu

Siç po duket, Qeveria e Rashkës LDK-PDK-Lista Srpska nuk do të zmbrapset nga dërgimi për miratim në Kuvend të marrëveshjes tejet të dëmshme për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Sigurisht, ky zell i saj nuk befason askënd që di diçka për rrethanat dhe projektin e ngjizjes së kësaj qeverie antikombëtare. Nuk befasojnë—ose nuk do të duhej të befasonin—as të ashtuquajturit gazetarë-analistë të masmedias në Prishtinë që këto ditë, si postierë të mirë të qendrave të ndryshme të vendimmarrjes politike, janë aktivizuar në misionin e tyre të përhershëm të mjegullimit të situatës përmes operacionit “mëshoi pak qeverisë, por mos e lër pa i mëshuar fort edhe opozitës, veçanërisht Lëvizjes Vetëvendosje.” Projekti kësaj radhe është përgatitja e publikut për faljen e hiç më pak se 8 mijë hektarëve tokë të Kosovës një shteti fqinj. Sigurisht, këtu po flasim për gazetarë me një çikë cipë që janë të interesuar të ruajnë dukjen e njëfarë asnjanësie, sado e rreme qoftë ajo. Përndryshe, propagandistët e zbuluar qeveritarë as që brengosen fare për këtë lloj operacioni; ata thjesht fillojnë e shpifin brutalisht kundër Lëvizjes dhe aktivistëve të saj. Ngaqë kjo kategoria e dytë është vetdemaskuese, nuk meriton aq shumë shqyrtim. Ajo që meriton vëmendjen e intelektit dogmë-zbërthyes është kategoria e parë e pozuesve asnjanës që e përjeton vetveten në rolin e heroit guximtar të përndritjes apolitike të publikut.

Vetëkundërthëniet fillojnë që nga mënyra sesi e kupton misionin e vet kjo kategori. Si mund të ekzistojë diçka si një agjent i përndritjes apolitike të publikut? Publiku është një entitet thelbësisht politik i organizuar rreth detyrës së vetëqeverisjes. Së këndejmi, çfarëdo që ka të bëjë me publikun është pashmangshmërisht politike; në fakt, nëse publiku nuk është politik, atëherë asgjë nuk është politike. Ndaj, të thuash që je i angazhuar në misionin e përndritjes apolitike të publikut është e barazvlefshme me të pretenduarit e një mësuesi se është i angazhuar në mësimdhënien jopedagogjike të nxënësve. Dikush mund të thotë se jam duke tejthjeshtëzuar qëndrimin e gazetarëve të këtillë sepse ajo për çfarë ata angazhohen në fakt nuk është përndritja apolitike por përndritja jopartiake e publikut. Mjaft mirë deri këtu. Por kjo, ama, ngre menjëherë pyetjen vijuese: nëse partitë dhe lëvizjet politike qenkan që të gjitha gabim mbi një çështje të caktuar (në parim, një gjë shumë e mundshme kjo), çfarë është qëndrimi publik që po mbrojnë këta analistë në lidhje me atë çështje dhe sa i drejtë është ai? Është padyshim detyrë e një gazetari të ndërgjegjshëm që të dalë hapur në mbrojtje të interesit publik edhe atëherë kur kjo nënkupton ballafaqim me interesa të ngushta partiake, apo me interesa të dyshimta të qendrave të tjera të fuqishme vendimmarrëse, qofshin këto shtetërore apo private (p.sh., korporatat e mëdha kapitaliste). Por analistët përndritës rrallëherë ofrojnë ndojë propozim të pavarur që dëshmohet sipëror në mbrojtje të interesit publik. Zakonisht, atëherë kur provojnë të ofrojnë ndonjë propozim të tyrin, del që në fakt janë duke mbrojtur me argumente të reja ose të vjetra por të riformuluara pozicionin e njërës nga palët—rëndom palës me pushtetin më të madh politik dhe ekonomik. Më perversja ndodh atëherë kur ndonëse zbulohet qartë që mbi një çështje publike një organizatë politike ka pasur të drejtë, në emër të doktrinës “jopartiak me çdo kusht” analisti mundohet ta relativizojë të vërtetën duke mbjellur farën e dyshimit. Jo rastësisht, në Kosovë kjo e fundit ndodh zakonisht në raport me Lëvizjen Vetëvendosje. Doktrina dogmatike “jopartiak me çdo kusht” në Kosovë është përkthyer në këtë normë udhëzuese të “gazetarisë së përgjegjshme apolitike”: “Asnjëherë nuk bën të duket sikur Lëvizja Vetëvendosje ka plotësisht të drejtë.”

Së fundmi një rast të ri të zbatimit të kësaj norme dogmatike na e ofroi Adriatik Kelmendi (sigurisht jo për herë të parë), një drejtues shfaqjesh televizive dhe biznesmen që gazetarinë—dikur profesioni i tij kryesor—tani e ushtron si një hobi në funksion të këtyre dy vokacioneve primare të tij. Në një shkrim për Kohën Ditore të titulluar “Dosja e dështimeve H”, kryesisht dedikuar dështimeve të Qeverisë së Kosovës në dialogun Prishtinë-Beograd, Kelmendi nuk e lë pa rezervuar një paragraf kritik edhe ndaj veprimit të fundit të disa prej deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që shkuan tek kufiri i saktë mes Kosovës dhe Malit të Zi për të vendosur aty një tabelë zyrtare të Republikës së Kosovës—nga ato që gjenden edhe në pikat tjera kufitare të Kosovës—dhe një flamur kombëtar shqiptar. Ky paragraf nuk përputhet fare me temën e as rrjedhën kryesore të shkrimit e prandaj shihet qartë që nuk përket fare aty. Por, normalisht, dogmës nuk ka si t’i interesojë arsyeshmëria: për të është e padiskutueshme që një shkrim që kritikon qeverinë të përmbajë patjetër diçka kritike edhe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Ja dhe paragrafi në fjalë:

Opozita çon flamurin shqiptar në kufi me Malin e Zi, në shenjë proteste për demarkacionin dhe bën dy hajgare të hidhura: E para, kontesti për demarkacionin me Malin e Zi nuk është kontest etnik shqiptaro-malazias, por shtetëror Kosovë-Mal i Zi, që i bie se nuk do të shënjonte kufirin deri ku shtrihen shqiptarët, por deri ku shtrihet Kosova. Në këtë rast, për të qenë edhe më e madhe ironia, të banuara me shqiptarë janë edhe vendbanimet në pjesën e Malit të Zi, prapa flamurit, kështu që kjo ndarje nënkupton autogol të panevojshëm. E dyta, kur ta merr mendja se ke të drejtë ta vendosësh një flamur shqiptar diku, duhet të përgatitesh edhe ta mbrosh atë. Një ditë më vonë autoritetet malaziase e hoqën flamurin dhe dërguan notë proteste në Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare. A s’është politikëbërje me huti e hajgare kjo?![1]

Nuk do shumë mend që ky lexim e huq plotësisht si qëllimin ashtu edhe mesazhin e përcjellur nga aksioni simbolik i Lëvizjes Vetëvendosje; ai përvijohet nga gabime të llojllojshme: etike, politike dhe logjike. Në radhë të parë, në rrafshin e një kodi elementar etik, ky lexim s’është aspak i ndershëm sepse dështon të japë të gjitha faktet relevante të asaj që ndodhi; nuk e përmend, për shembull, që përpos flamurit kombëtar deputetët vendosen në kufi edhe tabelën me stemën zyrtare të Republikës së Kosovës. Kjo e bën interpretimin e Kelmendit një lexim tejet selektiv dhe rrjedhimisht të padrejtë. Në rrafshin politik, ai bën një gabim fatkeq që ndeshet shpesh edhe tek të tjerë: e barazon flamurin kombëtar shqiptar me një flamur etnik. Ky barazim është i pasaktë sepse shqiptarët prej 1912-tës e këtej nuk janë më vetëm një etni por edhe një komb politik modern që sot e kësaj dite mëton ta bëjë realitet shtetin e shpallur më 1912 nën flamurin e përbashkët kuq e zi. Siç dihet mirëfilli, shteti i shpallur atë vit përfshinte të gjitha vilajetet e banuara me shumicë shqiptare në Perandorinë Osmane. Siç dihet po ashtu, ndonëse elita politike që sundon sot me shqiptarët në Tiranë, Prishtinë e Shkup e ka braktisur aspiratën e bashkimit politik të shqiptarëve, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të punojë në drejtim të jetësimit të atij projekti rilindas. Ndaj, duke vendosur flamurin kombëtar krahas stemës zyrtare të Republikës së Kosovës deputetët e Lëvizjes ishin plotësisht konsekuent në raport me programin e tyre politik të shpallur botërisht; ata afirmuan me këtë aksion simbolik përkushtimin e tyre për një Republikë me territor të plotë dhe njëmend të pavarur të Kosovës (tabela zyrtare me stemën e Republikës simbolizonte këtë pjesë të përkushtimit të tyre) si një hallkë e rëndësishme kalimtare drejt bashkimit demokratik me Shqipërinë (flamuri shqiptar simbolizonte këtë pjesën tjetër të përkushtimit të tyre). Këtu nuk shoh kurrëfarë autogoli. Përkundrazi: krejt çfarë mund të shoh është një lloj konsekuence që ndeshet rrallëherë në skenën politike shqiptare.

Sa i përket faktit që matanë kufirit Kosovë-Mali i Zi po ashtu banojnë shqiptarë autoktonë, kjo nuk është për faj të Lëvizjes Vetëvendosje. Gjithashtu e rëndësishme të ceket këtu është se Lëvizja nuk angazhohet për një bashkim shoven që mëton të mos lërë asnjë minoritet shqiptar në rajon. Përkundrazi, bashkimi për të cilin angazhohet ajo në radhë të parë është ai demokratik (me referendum) mes territoresh politikisht të mëvetësishme (shtete të pavarura) dhe të banuara me shumicë dërrmuese shqiptare, siç janë për momentin Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës. Për zgjerimin eventual të këtij bashkimi me shqiptarët autoktonë të Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi do të duhej të merrej parasysh vullneti politik i shqiptarëve të këtyre anëve, të drejtat e pakicave joshqiptare, si dhe konventat relevante ndërkombëtare. Natyrisht, në cilindo rast, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të krijonte rrethana më të favorshme jetese edhe për shqiptarët e mbetur jashtë. Pra, as këtu kurrëfarë autogoli!

Vijmë tek pika e dytë e gjoja-kritikës së Kelmendit. Ai i qorton deputetët e Lëvizjes për atë se kur ndanë mendjen për të vendosur flamurin shqiptar tek kufiri me Malin e Zi, nuk u siguruan që e kanë edhe guximin për ta mbrojtur atë; kjo sepse një ditë më pas autoritetet malazeze ndërhynë për ta hequr prej aty si flamurin ashtu edhe tabelën me stemën shtetërore dhe deputetët nuk ndërmorën asgjë. Është mjaft dëftuese se si prej të gjitha qortimeve shumë më të arsyeshme që mund të bënte pas ndërhyrjes së jashtëligjshme të autoriteteve malazeze, ai zgjedh ta bëjë pikërisht këtë. Këtu e kuptojmë plotësisht se pse në paraqitjen e fakteve të ngjarjes ai vendos të mbyllë sytë ndaj faktit që në kufi deputetët kishin vendosur edhe tabelën konvencionale me stemën e Republikës së Kosovës. Se po ta thoshte këtë, një lexues i arsyeshëm me të drejtë do të ngrente pyetjen: Si ka mundësi që ti nuk qorton aspak autoritetet qeveritare të Kosovës që nuk shkuan ta mbrojnë stemën e shtetit nga dhunimi që i bën autoritetet malazeze brenda territorit të Kosovës? Fundja, a nuk është qeveria ajo që komandon me forcat e rendit në Republikën e Kosovës? Për mbrojtjen e tyre shtetet moderne nuk mbështeten në forcën e personave civilë por në polici e ushtri, apo jo? Për më tepër, për aq sa mund të bëjnë si njerëz civilë, a nuk treguan deputetët në fakt një guxim qytetar për t’u admiruar? Këtu vërejmë edhe një manipulim emocional të tipit populist që Kelmendi, duke njohur mendësinë paramoderne prej kaçakësh të një pjese të publikut shqiptar, përpiqet ta përdorë efektivisht për të paraqitur deputetët e Lëvizjes si të mangët nga ana e virtyteve burrnore. “A e sheh: këta deputetë s’kenkan kurrëfarë burrash; s’paskan koqe me i qëndrue mbrapa veprave të veta, asnji gja puna e tyne”—përpiqet t’i thotë ai lexuesit me mendësi arkaike.

Siç sugjerova edhe në fillim, Adriatik Kelmendi nuk është i vetmi ndër tregtarët e mjegullës që punojnë sot në mediat shqip. Ky është veç një variacion në një trend të gjithëmbarshëm që ka katandisur gazetarinë shqipe si jo më keq. Puna e të këtillëve është përfitimi personal nga shitja e mjegullës duke u fshehur prapa maskës së gazetarit apolitik. Idhujt e tyre janë tipat si Thomas Friedman dhe të tjerë të ngjashëm me të që punojnë për ndërmarrje të mëdha biznesore si puna e gazetës amerikane New York Times. Angazhimi kryesor i të këtillëve është fabrikimi i miratimit pasiv nga opinioni publik të politikave për të cilat elita sunduese veç është përcaktuar paraprakisht. Detyra që shtrohet urgjentisht sot është ngritja e një alternative ndaj medias së korporatizuar që tek lexuesi sheh thjesht dhe vetëm një klient. Shembuj të mirë që do të mund të ndiqeshin nuk është se nuk ekzistojnë (shih për shembull DemocracyNow! të Amy Goodman-it). Më shumë se kurrë ndonjëherë kemi nevojë për gazetarë aktivistë që përkushtimin ndaj interesit publik e kanë pasion jetësor. Gazetarët e tillë duhet t’i ndihmojmë të gjithë ne për të ngritur alternativa institucionale që nuk mbështeten në financim nga marketingu. Ndryshe, nuk kemi asnjë arsye të presim më mirë nga modelet institucionale që dominojnë sot për sot botën e medias shqip.

 

[1] Adriatik Kelmendi, “Dosja e dështimeve H”, Koha Ditore, 2 korrik, 2016; e qasshme në linjë përmes kësaj vegze: http://koha.net/?id=31&o=1326

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Korrik 13, 2016 nga te Polemikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: