rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Për-pjekja

10494874_10152522944208698_8624029058581877877_nArlind Manxhuka

Sistemi aktual politik e ekonomik, vlerat të cilat janë krijuar nëpër vite, kryesisht prodhon individualistë dhe lloj-lloj egosh. Madje, fillimisht i promovon vetë disa të tillë, në mënyrë që të krijojë modele referuese. Një lloj individi pra, i cili do ta shikonte vetëm veten dhe ‘punën e tij’. Filozofi i njohur slloven, Slavoj Zizek, kur flet për mënyrën se si funksionon sot politika dominuese, thotë se për dallim nga vitet e hershme, kur njerëzit mendonin se ky sistem politik e social është gabim, – sot – thotë ai, ka shkuar aq larg ky lloj pushteti saqë ekziston një lloj vetëfajësimi, se ajo që ne mendojmë se është gabim dhe se duhet ndalur është më shumë keqkuptim i yni sesa që ne kemi të drejtë në këtë mendim.

Një refleksion të tillë haset edhe tek ne, te shoqëria jonë, e sidomos ndër studentë të Universitetit të Prishtinës.

Teksa po flisja me një student të Shkencave Politike mbi domosdoshmërinë e angazhimit politik për shkak të marrëveshjeve të fundit në Bruksel dhe Vjenë, mora një përgjigje që nuk mund të të mos bëjë përshtypje. Janë disa dilema që kryesisht u shtruan aty dhe shtrohen vazhdimisht në diskutime. Papjekuria politike, nevoja për t’u vetëndërtuar si individ, për shkak se “brenda një organizimi unë jam thjesht njëri nga disa dhe zhdukem si individ”. Poashtu, dilema hap edhe frika nga gabimi, ai mendim që të shtyn të mendosh se “mos kjo që unë po bëj ose do ta bëj më pas, është teorikisht gabim” dhe “mos vallë në të ardhmen do të bindem për të kundërtën”.

Papjekuria politike dhe nevoja për t’u ndërtuar më shumë politikisht, është mendim politik thellësisht i gabuar. Vetëreferenca e papjekurisë politike çon në një papjekuri të vazhdueshme politike. Unë, tash, jam më i pjekur se ç’isha më parë, porse jam i papjekur nga ç’do të duhej të isha. Pra, në raport me veten jam gjithnjë i papjekur. Ka gjithmonë nevojë për t’u pjekur më shumë. Por, a është i vlefshëm ky mendim i shtruar kështu? Nuk mund të mendohet në vakuum politik, të mendosh ti dhe pjekurinë tënde ta presësh duke mos e konsideruar fare kohën dhe hapësirën. Pastaj, pjekuria për hir të vetvetes nuk ka ndonjë vlerë më vete. Për çfarë të nevojitet momenti i pjekjes kur gjithçka rreth teje tashmë është shkrumbuar? Çfarë kuptimi do të ketë kur më vonë të thuash se marrëveshjet politike të Isa Mustafës e Hashim Thaçit ishin të dëmshme politikisht ndërkaq sot për sot i shikon ato si diçka të huaj?

Kjo logjikë sigurisht se çon edhe në mendime të tjera, se ndoshta mendimi i parë fsheh një lloj individualizmi e egoizmi. Ajo çfarë kërkon sot një student indiferento-individualist, e kjo në mënyrë direkte promovohet sot nga ky sistem socio-politik, është një nevoja për t’u vetëndërtuar. Një gjë e tillë është absolutisht e pamundur. Sot ne gjendemi përballë dy thirrjeve, të flesh ose të jesh zgjuar. Të shikosh “punën tënde” ose të shikosh punën tonë. Të ndërtohesh vetë është njëlloj si të thuash unë jam i vetëmjaftueshëm. Nuk mund të mos jesh i ndikuar, e gjithë esenca është të zgjedhesh nga kush dëshiron të ndikohesh. Nëse, dikush i aktivizuar në moshë të re dhe ndonëse jo edhe aq i pjekur politikisht ka vendosur që të ndërtohet brenda një organizimi politik, ti si student indiferento-individualist ke zgjedhur të ndërtohesh nga sistem aktual politik. i cili thërret “Mos u angazho, shiko punën tënde”.

Posa të kalosh nga këto dy mendime të një logjike të njëjtë, shtrohet problemi tjetër. Çka nëse ajo që do të bëj tash e tutje është gabim? Një frikë që si kriter bazë ka veten, që të mos përlyhet vetja, ndërkohë që gjithçka përreth është e zhytur në të keqe. “Frika nga gabimi është më shumë gabim, sesa frikë” thotë Zizeku. Të frikohesh se do të gabosh. Sapo e bëre gabimin e parë. Nuk do të ekzistojë, nuk do të vije asnjëherë “ai momenti” i sigurtë, ai momenti i mosekzistimit të dyshimit. Ky është progresi e historia njerëzore. “Progresi si shumë e numrit të dështimeve”. Çështja është të mos dështosh njëjtë. Por, në fund të fundit, çfarë do të na duhen gjithë këto dilema, gjithë ky debat, kur në kohën që po flasim krahas nesh gjërat dhe të këqijat po ecin e po rriten. Kryeministrat tanë po na shkrumbojnë të ardhmen tash, e ne presim të piqemi politikisht. Ç’do të na duhet pjekja?

Ngadalë, po a nuk na vret aspak veshin kjo fjalë: ‘Përpjekje’? Për t’u pjekur. Pjekuria në përpjekje.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Maj 1, 2016 nga te Publicistikë dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: