rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Kur shtet-ndërtimi dështon, xhudistja të shpëton

Gent Carrabregu

Makineria propagandistike e klasës sunduese kosovare po ballafaqohet me një situatë të vështirë këto ditë. Koalicioni i ri i regjimit të vjetër PDK-LDK, i mbështetur dhe dirigjuar nga ambasada amerikane, ka fundosur çfarëdo shprese dhe vullneti të mirë që arriti të prodhonte marrëveshja në mes të LAN-it dhe Lëvizjes Vetëvendosje, e nënshkruar më 10 shtator të këtij viti. Të dhënat objektive mbi gjendjen ekonomike flasin për papunësi të lartë dhe krizë të thellë buxhetore, ndërkohë që politikisht Beogradi është formalizuar dhe forcuar si hisedar në sundimin tradicional mbi Kosovën përmes koalicionit që dy partitë kosovare nënshkruan me Listën Srpska. Shtoja gjithë kësaj situate edhe aferat shumë të rënda korruptive që po zbulon këto ditë kryetari i komunës së Prishtinës për korrupsionin e qeverisjes së kaluar të kryeqytetit dhe bëhet fare e lehtë të kuptosh se ky farë sikleti duhet të shpërthejë disi.  Këtyre ditëve shpërthimi po merr trajta nga më të ndryshmet. Dihet mirëfilli se sikleti i klasave të privilegjuara sunduese rëndom ka dy kanale kryesore përmes të cilave gjenë çlirimin e vet: a) propagandën mediatike, dhe kur kjo nuk jep rezultate, b) aparatin e dhunës (policinë dhe ushtrinë). Gjatë këtyre ditëve po shohim manifestime të të dyja formave. Propaganda po intensifikon fushatat e veta shpifëse kundër kryetarit Ahmeti, ndërkohë që Ministria e Brendshme po paralajmëron dënime të ashpra për qytetarët hallexhinj që po ia mësyjnë rrugëve të emigrimit ilegal të detyruar nga dështimi i modelit ekonomiko-politik të imponuar pamëshirshëm mbi ta përgjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve të fundit.

Në këtë kontekst, dua të ndalem pak tek përdorimi i propagandës; dhe brenda kësaj problematike, të them disa fjalë për një episod që më tërhoqi vëmendjen rishtazi. Kur propaganda na shfaqet në formën brutale të shpifjes, siç është rasti me portale të tipit gazeta Express, nuk do shumë mend për t’u kuptuar qëllimi i saj. Si e këtillë, ajo është vetë-demaskuese dhe prandaj më pak e rrezikshme, ndonëse në një vend me sistem funksional të drejtësisë gjithsesi e dënueshme. Atëherë kur propaganda bëhet efektive dhe prandaj e rrezikshme është kur ajo arrin të fshihet prapa tregimeve në dukje të pafajshme, në mos disi të lavdërueshme. E pikërisht i tillë ishte rasti me një artikull që u botua para disa ditësh (16 dhjetor, 2014) në faqet e sportit të së përditshmes amerikane New York Times.[1] Me të parë të titullit, “Once Ignored, Kosovo Exits Sports Limbo,”[“Dikur e Injoruar, Kosova Thyen Bllokadën Sportive”] natyrisht se u bëra kurreshtar dhe disi i entuziazmuar fillova të lexoj artikullin e shkruar nga James Montague. Siç mund të nënkuptohej edhe nga titulli, tema bosht e artikullit kishte të bënte me lajmin e ditëve të fundit për pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON). Artikulli fliste për gëzimin që lajmi i pranimit të Kosovës në KON kishte sjellur tek komuniteti sportiv në Kosovë, i cili tani mund të marrë pjesë në lojërat olimpike të Rio-s duke mbrojtur ngjyrat e shtetit të vet. Autori kishte udhëtuar edhe deri në Pejë, për të parë nga afër stërvitjet e xhudistes Majlinda Kelmendi, tek e cila shumica në Kosovë varin shpresat e tyre për një medalje olimpike.

Çfarë ka për t’u shqetësuar deri këtu, apo jo? A nuk duhet të gëzohemi që edhe prestigjiozja e përditshme amerikane po propagandon për sportin tonë? Pse nuk është kjo një fitore e propagandës sonë kombëtare? Këto pyetje, pasi kisha përfunduar së lexuari shkrimin dy-faqësh gjer në fund, nuk kishin më përgjigje aq të thjeshta; përkundrazi, shkrimi vetëm sipërfaqësisht mund të lexohej si pozitiv. Thelbi i artikullit, që një leximi pak më të kujdesshëm nuk kishte sesi t’i ikte, qëndronte tek dy fakte që përbënin gjithë horizontin kuptimdhënës të materialit të prezantuar aty. Së pari, autori i shkrimit kishte qenë shumë i kujdesshëm që gazeta amerikane të ruante asnjanësinë karshi pavarësisë së Kosovës; së këndejmi, përgjatë gjithë shkrimit Kosovës i referohej ose me fjalën “region” (rajon) ose me fjalën “country” (vend), por kurrsesi me fjalën republikë apo shtet i pavarur. Së dyti, fjalët e cituara nga Majlinda Kelmendi dhe zëvendës-ministri për punë të jashtme Petrit Selimi, linin shumë qartë të kuptohej se lajmi i thyerjes së bllokadës nga ana e sportit kosovar duhej të kuptohej në radhë të parë si hap drejt pavarësisë nga Shqipëria, dhe jo nga Serbia. Qëndrimi i xhudistes Kelmendi karshi pjesëmarrjes si përfaqësuese e Shqipërisë në Lojërat Olimpike të vitit 2012 ishte dhënë sa vijon:

Discussing her brief appearance in London, she added: “I was not allowed to have my flag or my anthem. I’m happy it will not happen again. We will be the same as every athlete in the world.”

Në diskutim e sipër të paraqitjes së saj të shkurtër në Londër, ajo shtoi: “Nuk m’u lejua të kisha flamurin ose himnin tim. Jam e lumtur që kjo nuk do të përsëritet më. Ne do të jemi të njëjtë si secili sportist tjetër në botë.”

Pra, himni dhe flamuri ngjyrat e të cilit Majlinda kishte mbrojtur në vitin 2012 në Lojërat Olimpike të Londrës, që ishte ai shqiptar, na paskësh qenë himn dhe flamur i huaj! Si për ta përforcuar kontekstin propagandistik të të gjithë shkrimit, në vijim citohej Petrit Selimi, propagandisti kosovarist par excellence dhe më i pranishëm në shtypin perëndimor, fjalët e të cilit heqin çfarëdo dyshimi që mund të kishim për projektin politik të mbikqyrjes ndërkombëtare dhe parisë së korruptuar politike të Prishtinës:

In Pristina, Kosovo’s deputy foreign minister, Petrit Selimi, hailed the decision. “Kosovars are celebrating probably the most important day since the declaration of independence in 2008,” he said, adding: “Modern nations aren’t just about the E.U., Council of Europe and the U.N. They are also about forging modern identities, and having an Olympic team is as much a marker of national identity and pride.”

Në Prishtinë, zëvendës-ministri i punëve të jashtme, Petrit Selimi, përshëndeti vendimin. “Kosovarët po festojnë mbase ditën më të rëndësishme që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008,” tha ai, për të shtuar tutje: “Kombet moderne nuk kanë të bëjnë vetëm me BE-në, Këshillin e Europës dhe Kombet e Bashkuara. Ato kanë të bëjnë gjithashtu me farkëtimin e identiteteve moderne, dhe të pasurit e një ekipi olimpik është po aq një shenjues identiteti dhe krenarie kombëtare.”

Farkëtimi i një identiteti kombëtar kosovar që distancohet nga të vetëkuptuarit etiko-politik shqiptar i popullit të Kosovës, vetëkuptim ky që qëndron në thelb të luftës së atij populli për liri dhe shkolonizim, është projekti që gjendet edhe në thelb të deklaratës së pavarësisë së 17 shkurtit; as aty nuk zihet në gojë lufta e UÇK-së dhe as të vetëkuptuarit etiko-politik të shumicës së popullsisë në Kosovë. Prandaj, në këtë kuptim, s’ka pse na befason kjo deklaratë e Selimit; ai thjesht po e bën punën për të cilën paguhet, ndonëse zelli me të cilin e bën këtë punë tregon që e ka me shumë qejf këtë zanatin e farkëtimeve identitare.

Dy ditë pas botimit të artikullit në New York Times, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mbajti një fjalim para përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Republikës. Në fund të fjalimit të saj, kushedi e frymëzuar nga ajo që kishte lexuar para dy ditësh në gazetën amerikane, ajo na ftonte që në këtë kohë të krizës së thellë ekonomike dhe politike të shtet-ndërtimit ndërkombëtar në Kosovë, të mos humbasim shpresën pasi kemi Majlindën dhe medaljet e saj:

Në themelin e shtetit tonë e kemi një histori shumë domethënëse të bërjes së shtetit—kemi sakrificën individuale dhe kolektive për jetë më të mirë. Asnjë episod i kësaj shtetbërjeje nuk na lejon as më të voglin dyshim se ne nuk mund t’ia dalim. Mjafton të shikojmë për një çast Majlindën, e cila sot qëndron si një epitomë e pakontestuar e rrugëtimit tonë. Deri dje ajo e kishte të paqartë garën në lojëra olimpike, ndërsa që nga sot në Rio ajo e ka pothuajse të garantuar medaljen e artë.

Kohërat e vështira ekonomike dhe politike karakterizohen nga yshtja drejt bestytnive dhe kultit të personalitetit. Thirrja e Presidentes që të shikojmë nga Majlinda dhe medaljet e saj të arta, ndërkohë që ballafaqohemi me mjerim të thellë ekonomik dhe me një qeveri thellësisht të korruptuar, tregon se për sa të pashpresë na merr paria sunduese kosovare e dirigjuar ndërkombëtarisht. Në vend të zhvillimit të mirëfilltë ekonomik, paria do të farkëtojë identitetin e ri kosovar dhe ta stolisë atë me medalje të arta olimpike, të cilat i kemi “pothuajse të garantuara,” në të ardhmen e afërt! Për varfërinë ekstreme të popullit nuk ka kohë; populli le të ndihet krenar me identitetin e ri kosovar dhe le të presë me padurim medaljet që do ta zbukurojnë atë! Jemi Evropianë të Rinj, apo jo? Fjalimit të Presidentes i mungonte vetëm edhe një “Mirupafshim në Rio!”

[1] http://www.nytimes.com/2014/12/16/sports/kosovo-savors-an-olympic-victory-two-years-before-the-torch-is-lit.html?_r=0#

Lini një koment

Të dhëna

Ky zë është postuar më 20 Dhjetor, 2014 nga te Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , .