rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Chelsea Manning-u është e lirë

Me rastin e 27-vjetorit të ditëlindjes së “whistleblower”-ës amerikane Chelsea Manning, që gjendet prej më shumë se katër vitesh në burg, duke vuajtur një dënim prej 35 vitesh për shkak të ekspozimit të materialeve sekrete që tregonin abuzimet e administratës dhe ushtrisë amerikane veçanërisht në Afganistan dhe Irak, figura të njohura publike i kanë dërguar letra solidariteti. Prej tyre kemi përzgjedhur letrën e filozofit slloven Slavoj Žižek. Në modestinë e saj, Organizata Politike u bashkohet zërave globalë që kërkojnë lirimin e menjëhershëm të Chelsea Manning-ut dhe ndërprerjen e çdo politike kërcënuese të qeverisë amerikane ndaj qytetarëve të saj që përpiqen për të vërtetën dhe një botë më të lirë, demokratike dhe të emancipuar. (Shën. red.)

E dashur Chelsea!

Na bie rasti të dëgjojmë shpesh se e majta radikale është e paaftë të propozojë alternativa konkrete. Ajo që ke bërë ti, thjesht fare, përbën alternativën. Nëse citoj Gandin: ti ishe ndryshimi që doje të shihje në botë.

Për këtë rrezikove gjithçka, edhe jetën. Nuk e bëre për përfitime personale si paratë dhe fama. Ajo që bëre nuk ishte as pjesë e ndonjë projekti të madh politik. Ti u gjende në pozicionin e njeriut që di shumë. Dhe, për hir të detyrës, thjesht bëre atë që duhej me ato që more vesh. Nëse diçka e tillë nuk përbën një akt etik në kuptimin e thukët kantian – akt lirie morale të bërjes së detyrës për hir të detyrës -, atëherë ky term nuk ka më kuptim.

Çmimi që po paguan për këtë punë është i llahtarshëm. Vetëm imagjinata mund t’i rrokë përvojat e tua të dhimbshme gjatë muajve të gjatë pas arrestimit, se si u trajtua trupi dhe mendja jote. Edhe nëse e përjashtojmë torturën e drejtpërdrejtë, pati izolim dhe poshtërim në shtrëngimin për të bërë gjëra intime në sytë e të tjerëve. Është mrekulli e njëmendtë që, pas kësaj prove të rëndë, ti nuk u theve, por e ruajte dinjitetin plotësisht, madje edhe aftësinë habitëse për të raportuar me qetësi e arsye se ç’të bënë dhe ç’kalvar hoqe.

Prandaj, kur më pyesin se ç’është liria sot, përgjigjja e parë që më vjen ndër mend është: Manning-u është e lirë, shumë më e lirë se të gjithë ne që jemi “të lirë” për të zgjedhur këtë apo atë akullore a çokollatë, se ku do t’i bëjmë pushimet etj. Ti na vë përballë me lirinë tonë kur hëpërhë do të donim ta injoronim atë. Kësisoj ti je – nëse mund të guxoj ta përdor termin – një prej mjeshtërve[1] të vërtetë. Të këtillët janë shumë të rrallë sot. Një mjeshtër i vërtetë nuk është agjent disipline dhe ndalese; mesazhi i tyre nuk është “Ti nuk mundesh!”, dhe as “Ti duhet…!”. Mesazhi i tyre është një “Ti mundesh!” çlirues.

Kur dëgjojmë një lider politik autentik, zbulojmë atë që duam (më saktë, atë që kemi dashur gjithmonë paraprakisht pa e ditur). Dhe ndërgjegjësohemi se nuk kemi ngecur në një rrugë qorre të pashpresë, se mund të luajmë vendit për atë që duam. Mjeshtri nevojitet për shkak se ne nuk mund ta prekim lirinë tonë drejtpërdrejt; duhet të na shtyjë dikush. Ja tek qëndron dallimi midis një mjeshtri të vërtetë dhe, bie fjala, një udhëheqësi stalinist që pretendon se di (më mirë se vetë populli) çka do populli në të vërtetë (ç’është e mirë për ta) dhe është i gatshëm t’i bëjë zap kundër vullnetit të tyre.

Mirëpo një mjeshtër i vërtetë nuk ka nevojë të bëhet udhëheqës. Prandaj një prej të rrallëve njerëz me të cilët guxoj të të krahasoj është Marek Edelman-i (1919-2009), një aktivist shoqëror dhe politik hebreo-polak i cili ishte udhëheqësi i fundit i mbetur gjallë i kryengritjes së Getos së Varshavës. Përpara Luftës së Dytë Botërore ishte aktiv në Bundin Punëtor Hebraik; gjatë luftë bashkëthemeloi Organizatën Luftarake Hebraike, mori pjesë më 1943 në kryengritjen e Getos së Varshavës si njëri prej udhëheqësve e po ashtu edhe në kryengritjen mbarëqytetare të Varshavës më 1944. Prej 1970-s bashkëpunoi me Komitetin e Mbrojtjes Punëtore; mori pjesë si anëtar i Solidarnostit në bisedimet polake të 1989-s. Ndërsa gjatë gjithë jetës kishte luftuar kundër antisemitizmit, Edelman-i mbronte publikisht rezistencën palestineze duke pretenduar se vetëmbrojtja hebraike për të cilën kishte luftuar po rrezikonte ta kapërcente kufirin dhe të shndërrohej në shtypje. Prandaj Izraeli kurrë nuk e njohu zyrtarisht heroizmin e tij. Edelman-i diti kur të vepronte (kundër gjermanëve), kur të bënte deklarata publike (për palestinezët), kur të angazhohej në veprimtari politike (për Solidarnostin) dhe kur thjesht të qëndronte. Në ag të fushatës antisemitike në rritje më 1968, ai vendosi të qëndronte në Poloni duke e krahasuar veten me gurët e ndërtesave të shkatërruara në kampin e Aushvicit: “Fundja, dikujt i duhet të qëndrojë këtu për t’u bërë shoqëri atyre që u zhdukën këtu.” Kjo i tregon të gjitha: Ajo që vlejti ishte prania e thjeshtë dhe e heshtur në atë vend, jo deklaratat e tij – njerëzit i çliroi vetëdija e pranisë së Edelman-it, fakti i “të qenit atje” të tij.

Ekzatësisht e njëjta gjë vlen edhe për ty. Vetëdijesimi për ty, për veprat dhe fatin tënd, na bën të lirë. Po kjo liri është liri e vështirë – përbën gjithashtu një detyrim për të ecur në gjurmët e tua. Mbase kësisoj mund ta bëjmë ditëlindjen tënde pak më të lumtur.

Përkthyer nga: Arlind Qori

Shënime:

[1] Në kuptimin e psikanalizës së Jacques Lacan-it. (Shën. red.)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Dhjetor 28, 2014 nga te Përkthim, Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: