rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Imazhi i Kosovës

Arbër Zaimi

Para disa ditësh F. Lubonja shkroi një shkrim ku shtronte pikëpyetje mbi politikanin R. Haradinaj, dhe strukturës së pushtetit të njohur e të panjohur që organizohet rreth tij. Artikulli i Lubonjës i dha nisje një  serie të gjatë artikujsh të tjerë, ca që pretendonin të përgjigjeshin, ca që shanin, e ca që pohonin, po asnjëri prej tyre i vlefshëm për t’u përmendur (në fakt as për t’u lexuar). Shqetësimi më i shpërfaqur tek artikujt që merrnin përsipër t’i përgjigjeshin Lubonjës, ishte fakti se me të tillë artikuj Lubonja përlyejnë luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës, për çlirim nga Serbia. Të shqetësuarit i brente fakti se Lubonja po i shkatërronte imazhin kësaj lufte të drejtë, duke ndihmuar kështu në  mënyrë indirekte serbët.

Është e çuditshme se si pikërisht ata që janë “mbrojtësit më të zellshëm” të imazhit si koncept operativ politik, rezultojnë të jenë, në fakt thuajse paradoksalisht, rrënuesit më të mëdhenj të po të njëjtit koncept.

Të besosh se shteti i Kosovës çalon nga imazhi, është të besosh se gomari çalon nga veshët. Kështu, edhe pse “kundërshtarët”  e Lubonjës u duk sikur s’lanë gjë pa thënë në  mbrojtje të imazhit të luftës (që rri në themel të shtetit), harruan të flisnin për faktin e ditur (por të heshtur), që një pjesë  e mirë e “gjeneralëve” apo e “shefave” të  pasluftës, ndër të cilët bën pjesë dhe Haradinaj, kanë  ndërtuar perandori financiare gjysmë të ligjshme, duke i justifikuar veprimet e veta dhe jetën luksoze gjer në pështirosje me legjitimitetin që ua solli lufta e fituar (shpesh të  mbështetur nga të njëjtët apologjetë që kundërshtuan Lubonjën). Pra duke e shndërruar imazhin e luftës për çlirim dhe vetësakrifikimit absolut nga ana e shqiptarëve që deshën t’i shpëtonin shtypjes serbe, në një projekt ku çliruesi rrezikon veten – po jo për të tjerët apo për lirinë – thjesht për t’u pasuruar. Vetë fakti që mund të shtrohet pyetja se “si i bënë gjithë këto pasuri këta djem të  guximshëm të ardhur nga familje të varfra?” lë  të kuptohet që imazhi i luftës është dëmtuar tashmë tepër, dhe jo nga “të jashtmit” si puna e Lubonjës.

Kur përmendet nëpër media imazhi i luftës, ky njësohet vazhdimisht (dhe gabimisht) me Thaçin, me Haradinajn, me Grabovcin, me Lushtakun apo me Veselin e të tjerë si këta. Ndoshta kjo ndodh edhe për shkak se mediat kontrollohen në masë të madhe prej financave e pushtetit që zotërojnë zotërinjtë në fjalë. Ndoshta ndodh për shkak të shkëputjes së medias nga etika e nga profesionalizmi i saj. Ama rrallë ka ndodhur të shfaqet edhe një tjetër imazh i luftës. Ai i ish-luftëtarit të UÇK që i zhytur në varfërinë e në mjerimin e Kosovës së pasluftës, nuk vjedh e nuk dhunon, por nis të mbledhë kanaçe. Ose imazhi i dhjetëra ish-luftëtarëve të UÇK-së që kanë vrarë veten vitet e fundit, të përballur me vështirësitë ekstreme ekonomike që kanë kapluar vendin e qeverisur nga ish-gjeneralët. Që të jemi të qartë, imazhi i luftës, për sa kohë që prodhohet nga mediat, do i bëjë elozhe atyre që kanë frenat në dorë. Por, ai është ruajtur më i dlirë tek masa e madhe e ushtarëve, që ashtu siç dolën me vullnet të lirë të vetësakrifikohen për liri, ashtu po vetësakrifikohen në paqe, pa vullnet kuptohet, por gjithsesi pa guxuar të (keq)përdorin imazhin e luftës për të vjedhur tjetrin apo shtetin.

Sa herë që Lëvizja VETËVENDOSJE! organizon protesta, qofshin ato protesta kundër politikave ekonomike neoliberale që e kanë katandisur Kosovën në  një vend ku 40% e popullsisë është e papunë  dhe 80% është në regjim të përditshëm urie, qofshin kundër imponimit ndërkombëtar dhe negociatave me Serbinë (ish-xhelate), të cilat e kanë prurë shtetin në mosfunksionim dhe demokracinë e kanë shndërruar në farsë, po këta politikanë, Haradinajt, Thaçët e sejmenët e tyre e kanë akuzuar se po prish imazhin e Kosovës. Ata pretendojnë se punojnë  e lodhen fort për imazhin, investojnë miliona euro në “state-branding”  për t’i mbushur mendjen investitorëve të huaj e për t’i mbushur mendjen shteteve të tjera që ta njohin Kosovën.

Por, sipas të njëjtit parim janë po këta kampionë të imazhit që e shkatërrojnë  atë. E shkatërrojnë përshembull imazhin e shtetit funksional dhe të demokracisë, kur përsërisin secilin votim të parlamentit që nuk i plotëson “urdhrat” e tyre. Nëse parlamenti rezulton se voton ndryshe shijeve të tyre, atëherë nuk e kanë për gjë ta përsërisin votimin disa herë. Duke ia humbur çdo vlerë kuvendit dhe asaj pak demokracie përfaqësuese që lejohet në Kosovë.

Para ca javësh, djemtë e shefit të grupit parlamentar të PDK-së, ish-luftëtarit Adem Grabovci rrahën disa policë, meqë i ndaluan për vozitje me shpejtësi. Po të njëjtët, para ca ditësh u kapën nga policia teksa bartnin me vete një arsenal armësh, në bagazh të  veturës. Kuptohet që s’u hyri gjemb në këmbë, se ishin djem të Grabovcit, i cili sipas telefonatave të përgjuara nga prokuroria e EULEX-it dhe të publikuara në youtube, është “shef i shefave”, i përfshirë në kupolën e pushtetit me Thaçin e Veselin. Familja Grabovci është shpërfaqja e vërtetë e atyre që përfituan nga lufta në Kosovë.  Është imazhi i qartë i luftës si aset individual. E këtë  imazh e kanë të qartë të gjithë, edhe vetë  ndërkombëtarët, apo negociatorët serbë, që e dinë mirë  se me kë kanë të bëjnë.

Ndërsa ushtarët që vetëvriten apo që  mbledhin kanaçe, populli i papunë e që rron me më  pak se 30 cent në ditë janë imazhi i protektoratit, i politikave të statukuosë, i privatizimit, i negociatave, i shtypjes, që vijon të jetë aty, pavarësisht çlirimit.

E Lëvizja VETËVENDOSJE! është ftesa politike e patransmetueshme mediatikisht për rezistencë qytetare, për përpjekje të pandalshme për emancipim, jo për një  lider apo një grup elitar, por për një populli që  gjatë sakrificave të veta nuk ka synuar kurrë veç  të ndërrojë thundrën që e shtyp, por ta heqë  tërësisht atë.

Lini një koment

Të dhëna

Ky zë është postuar më 23 Gusht, 2013 nga te Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , , .