rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Neoliberalizmi si ideologji

Zgjim Hyseni

“Ideologjia riprodhon kushtet e prodhimit”, është ky funksioni që Louis Althusser i përshkruante ideologjisë . Që individi të bëhet subjekt i interpelimit prej ideologjisë, ai duhet ta praktikojë  një sistem diskursiv që e ripërsërit vazhdimisht në formë rituali. Që marrëdhëniet të ecin vaj, natyrshëm madje, ato nuk duhet vënë për asnjë moment në pikëpyetje. Imagjinarja e rreme për marrëdhëniet reale brenda të cilave përfshihet subjekti është kushti themelor që ato të vazhdojnë normalisht punën e tyre. Hapësira e interpelimit ideologjik përbën sfondin komunikues brenda të cilit dy subjektet (tashmë të interpeluar) janë pajtuar për kuptimin që kanë nocionet e përdorura gjuhësore. Ajo është konsensusi mbi interpretimin.

Cilat janë ato parrulla që merren si të mirëqena e ripërsëriten vazhdimisht si të vërteta të pakontestueshme, duke mirëmbajtur regjimin? Do të merremi sot me tre prej tyre:

Shteti s’ka pse merret me ekonomi; ndërhyrja e tij autoritare vetëm  sa e pengon rrjedhjen e lirë të ciklit të biznesit.

Nëse është kështu, atëherë kush udhëheq me procesin e privatizimit veç institucioneve shtetërore? A nuk është ky proces faktori kryesor që ka ndikuar në strukturimin kryesor të ekonomisë?! A është pasojë e këtij procesi de-industrializimi i vendit që e ka reduktuar Kosovën në hapësirë tregtare, ndërkaq popullin në shumësi individësh që konsumojnë? A s’është kjo ndërhyrje në ekonomi? Cili nga qytetarët apo punëtorët e ndërmarrjeve të privatizuara është pyetur për të? Nëse nuk janë pyetur, a nuk është kjo një ndërhyrje autoritare e shtetit?

Pak para se të privatizohej korporata për furnizim dhe shpërndarje të energjisë elektrike (KEDS), ishin investuar rreth 39 milionë euro në të, për ta privatizuar pastaj për vetëm 26 milionë. E njëjta logjikë vlen edhe për subvencionimin afatgjatë të Kompanisë “NewCo Ferronikeli” me energji elektrike nën çmimin e tregut, duke i diskriminuar kështu agjentët e tjerë në treg. A nuk është kjo thyerje e parimit laissez-faire? Përgënjështrimin më të mirë të mosndërhyrjes e gjen tek vetë baballarët e neoliberalizmit. Promovuesja e këtij modeli Margaret Thatcher ka përdorur shtetin, madje e ka vënë në funksion të zbatimit të këtyre politikave krejt aparatin represiv. Një herë duke shtypur lëvizjet sindikaliste që në atë kohë kishin një rol kyç në përcaktimin e politikave ekonomike, e të cilat po i kundërshtonin privatizimet e sektorëve kryesorë të industrisë. Ndërkaq, herën tjetër duke pushtuar ishujt Falkland për të shpikur kështu një armik të jashtëm, frika kundër të cilit na detyron për “unitet kombëtar”.

Në  fakt, neoliberalizmi kur flet për mosndërhyrjen e shtetit nuk e ka fjalën për ndërhyrjen në përgjithësi? Ai është kundër një lloji të ndërhyrjes. Është fjala për ndërhyrjen e shtetit që cënon interesat e kapitalit. Pasi ka arritur ta bëjë të “natyrshëm” njësimin e shtetit me shërbyesin e tij besnik, shërbimi që shteti i bën atij nuk është më ndërhyrje. Ky është rendi normal i gjërave. Ndërhyrjen kundër një pjese të caktuar grabitësish, ideologjia ka arritur ta përshkruajë si veprim kundër interesit të përgjithshëm. Universaliteti i rremë, i prodhuar nga totalizimi i partikulares, është një prej karakteristikave tjera të ideologjisë.

Mungesa e përshtatjes me tregun e punës.

Ndeshemi aq shumë me këtë përgjigje nga funksionarët shtetërorë. Sa herë që populli i lodhur nga varfëria ankohet, e ka aty përgjigjen kujdestare: e keni vetë ju fajin që nuk e gjeni veten në tregun e punës, na përplaset fytyrës fraza e famshme, duke na kthyer ankesën mbrapsht në vetëfajësim. Qenkan aftësitë tona të munguara që na e determinojnë mungesën e suksesit. Papunësia dhe varfëria i bie të jenë thjesht çështje aksidentale. A është e mundur atëherë që 45% e qytetarëve të papunë të jenë të paaftë? Edhe mundet, pesimizmi mbi natyrën njerëzore, e sidomos mbi organizimin kolektiv dhe vetë ekzistencën e shoqërisë, është nga faktorët që konstituojnë neoliberalizmin. Në qoftë kjo e vërtetë, atëherë si shpjegohet që po ky popull, në periudha të ndryshme historike e nën sisteme tjera socio-ekonomike ka punuar si shumicë dërrmuese e popullsisë (sistemi i soc-realizmit jugosllav është një rast).

Kur na thuhet se individët nuk po arrijnë të gjenden në tregun e punës, zakonisht krijohet përshtypja se tregu është një mal me zgjedhje, një hapësirë e lirë ku të gjithë kanë qasje dhe janë të barabartë. Në fakt, vetë ekzistenca e tregut nënkupton shoqërinë e strukturuar që brenda saj ka marrëdhënie shfrytëzimi. Tregu është vendi ku takohen, mpleksen e standardizohen kontradiktat e marrëdhënieve të prodhimit. Në rastin konkret, do të ketë më shumë kërkesë për punëtorë në ato industri ku fitimi është më i madh. Po rastisi që të kërkosh punë në Kosovën e de-industrializuar nga privatizimi neoliberal, vështirë se do gjesh punë. Ka madje një koordinim të dyshimtë midis vendeve të punës dhe orientimit shkollor. Mbipopullimi i Fakultetit Juridik dhe Ekonomik në njëren anë, dhe mungesa e interesimit për Agroekonominë, Biologjinë e Kiminë, tregon për vetë strukturimin e ekonomisë. Edhe vetë nivelet e ndryshme të përgatitjes shkollore e profesionale kanë si shkak mundësitë e pabarabarta për shkollim, për të ripërtëritur kështu shtypjen dhe marrëdhënien e padrejtë. Tregu pra, nuk është as i lirë, as neutral.

 Shteti nuk krijon vendet e punës

Është kjo një tjetër parrullë e propagandës neoliberale që është rrënjosur thellë në vetëdijen e njerëzve, e me të cilën vlen të merremi me kujdes. Kësaj radhe duke shikuar vetë marrëdhënien që shteti ka ndërtuar me qytetarin.

Pasi ka privatizuar resurset strategjike, ka hequr dorë nga publikja, por edhe çdo veprim që orienton ekonominë, vetë raporti i shtetit me qytetarin është kthyer në marrëdhënie biznesi. Klientelizmi është fenomen tipik neoliberal. Ai e ka kthyer vetë shtetin në ndërmarrje private, ndërkaq partite politike në agjentura të punësimit. Ndërkohë që përsërit frazat e tërheqjes së shtetit prej ekonomisë, menyra e vetme për të joshur militantët partiakë është përmes punësimit të tyre po në administratën shtetërore dhe ndërmarrjet publike.

Pas ardhjes në pushtet të PDK – së, numri i të  punësuarve në Postën dhe Telekomunkacionin e Kosovës është  dyfishuar, ndërkohë që privatizimi tashmë ka ndodhur dhe largimet nga puna janë çështje kohe. E njejta gjë ka ndodhur me fryrjen e madhe të administrates publike, ku zbatimi i reformës në administrate pritet të nxjerrë jashtë mijëra të punësuar.

Ky sistem që i ka themelet në kontradikta, patjetër se do ta prodhojë të kundërten e vetes. Por, kjo nuk është asgjë më shumë sesa thjesht një mundësi për ta ndryshuar situatën.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Gusht 21, 2013 nga te Ekonomi, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: