rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Rreth ngjarjeve në Fakultetin e Shkencave Sociale

Nga protestat në FShS, Universiteti i Tiranës

Nga protestat në FShS, Universiteti i Tiranës

Siç mund ta dini, më 20 nëntor studentët e universiteteve publike zaptuan në shenjë proteste hyrjet e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe zhvilluan për disa orë një asamble rreth problemeve universitare. Ditë më pas Këshilli i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe dekani, në kontekstin e një klime gjithnjë e më të agravuar presioni dhe persekutimesh ndaj pedagogëve që deri më tash ka shkaktuar pushimin nga puna të dy prej mbështetësve më të shquar të studentëve si Hysamedin Feraj dhe Sokol Abazi, u kanë kërkuar shpjegime disa pedagogëve për solidarizimin e tyre me kauzën studentore. Më poshtë është përgjigjja e njërit syresh. (Shën. red.)

***

Të nderuar kolegë!

U vura në dijeni gojarisht nga përfaqësuesit e departamentit në këshill rreth shqetësimit tuaj mbi arsyet dhe rolin tim në zaptimin e hyrjes dhe asamblenë e zhvilluar në Fakultetin e Shkencave Sociale që në mbledhjen e departamentit të shkencave politike më 25.11.2014. Tani kam përpara edhe vendimin tuaj dhe shkresën përcjellëse të dekanit.

Megjithëse e kam të vështirë ta kuptoj bazën ligjore dhe normative të kërkesës suaj (bazuar në Ligjin e Arsimit të Lartë ose Rregulloren e Universitetit të Tiranës, të cilat shkëlqejnë me mungesën e tyre), konsiderata për kolegët dhe rëndësia e çështjes më shtyn t’ju përgjigjem.

Pikësëpari nuk e di a jeni ju institucioni të cilit duhet t’i përgjigjem për pjesëmarrje në “grumbullime pa leje”. Me aq sa e njoh ligjin e tubimeve dhe në bazë të përvojës sporadike me komisariatet e policisë për shkak të aktivizmit qytetar, me këtë punë merret policia e shtetit dhe prokuroria. Mirëpo po hamendësoj dashamirësisht se shqetësimi juaj ka të bëjë specifikisht me ndërprerjen e mësimit dhe aktiviteteve të tjera akademike si rezultat i bllokimit të dyerve hyrëse dhe i asamblesë studentore, dhe rreth kësaj çështjeje do të përgjigjem.

Më lejoni ta dalloj bllokimin nga asambleja, dhe t’ju informoj veçan për të dyja. Më datë 20 nëntor, pas orës 8.30, u gjenda në sheshpushimin jashtë dyerve hyrëse të fakultetit. Vura re se studentët ishin mbledhur dhe kishin bllokuar dyert hyrëse. Rolin tim në bllokimin e dyerve hyrëse do ta përkufizoja – duke parafrazuar Kantin – si atë të një spektatori dashamirës. Me ç’di as në Republikën Demokratike të Koresë qytetarëve nuk iu kërkohet llogari për çfarëdolloj spektatorizmi. Gjithsesi, siç ua përmenda më lart, për hir të respektit për kolegët më lejoni t’ju informoj se arsyet e dashamirësisë sime kanë të bëjnë me legjitimitetin emancipues të kauzës studentore, e më specifikisht me përpjekjet e tyre për të ndalur një reformë arsimore që do ta tregtarizonte jetën universitare publike dhe për të shprehur mospajtimin e tyre për praktikat antidemokratike brenda organizimit të universiteteve.

Sidoqoftë, fare pak minuta pasi po e shprehja dashamirësinë time duke ndenjur me duar në xhepa në oborr e diskutuar me kolegë të tjerë të pranishëm, vura re se forca policie po tentonin të kacafyteshin me studentët në njërën prej dyerve hyrëse. Atëbotë qëndrimi im kaloi prej atij të spektatorit dashamirës në atë të aktorit të indinjuar për ndërhyrjen policore. Një ditë më parë, po forcat policore – për turp të tyre dhe të jetës universitare – kishin ndërhyrë brutalisht në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe, duke kapur për flokësh e tërhequr zvarrë, kishin arrestuar pesë studentë të atij fakulteti. I ndjeshëm në maksimum ndaj ndërhyrjeve policore në mjediset universitare – ku përvoja botërore shënon ngjarje fashistoide si ato të Qytetit të Meksikos më 1968 dhe Athinës së 1973 – jam afruar dhe fillimisht i kam kërkuar shpjegime një civili i cili nga agresiviteti i treguar ndaj studentëve më bëri të mendoja se ishte përgjegjësi i policëve. Për habinë time, ai mu prezantua si punonjës i rektoratit. Mendoj se më ka gënjyer pasi nuk e besoj se në Universitetin e Tiranës mund të punojnë njerëz që përdorin agresivisht bërrylat në fytyrat e studentëve për të hapur një derë. Paskëtaj u jam drejtuar policëve me uniformë duke iu kërkuar bazën ligjore të ndërhyrjes së tyre, e cila po bëhej për çdo çast e më e dhunshme. Me njohuritë që kam rreth Ligjit të Arsimit të Lartë, policia mund të ndërhyjë në mjediset universitare vetëm kur kryhet një vepër penale e rëndë ose kur e kërkon me shkrim titullari i institucionit. Madje moralisht, policëve u duhet që edhe për arsye personale të futen në mjediset universitare vetëm të veshur civilë. Historia e brutalitetit policor në jetën universitare botërore e bën praninë e uniformave të tyre në universitete edhe më të rëndë sesa ajo e reklamave të pijeve energjike apo kompanive celulare. Gjithsesi, për shkak të mosmarrëveshjes me policët e pranishëm, iu kërkova të sillnin në mjediset e fakultetit një jurist të drejtorisë së policisë.

Koleget e departamentit më shprehën po ashtu edhe shqetësimin e disa anëtarëve të këshillit mbi mundësinë që unë të isha organizator i ngjarjes në fjalë. Po të pohoja diçka të tillë jo vetëm do të gënjeja, por do të përbënte edhe një mburravecëri të pamerituar nga ana ime. Pavarësisht se në të shkuarën disa syresh mund të kenë gjetur frymëzim në shkrimet e mia, sot lëvizja studentore – me aq sa e njoh – është shembull i vetorganizimit, kthjelltësisë ideore dhe qëndrimeve të papërkulshme emancipuese rreth çështjes së universitetit. Mua më mbetet vetëm të frymëzohem prej tyre dhe t’i mbështes me aq sa më lejojnë mundësitë dhe detyrat si pedagog.

Më vonë studentët më kanë kërkuar të mbaj një fjalë përpara asamblesë së tyre, dhe duke shfrytëzuar të drejtën kushtetuese të shprehjes publike të mendimeve kam dalë sërish për pak minuta nga pozita komode e spektatorit dashamirës. Sidoqoftë, meqenëse gjatë fjalës nuk iu kam shtuar gjë qëndrimeve të mia të kahershme publike lidhur me tregtarizimin e jetës universitare dhe problemet në demokracinë e brendshme, nuk po ju marr kohë në rishtjellimin e saj.

Sikur të jetonim në kohëra tragjike – si ato të viteve 30-40 – dhe autoritetet më të larta shtetërore e universitare të më pyesnin nëse isha unë përgjegjësi për ngjarjen në fjalë, do t’iu isha përgjigjur si Pikasoja oficerit nazist që e pyeti se kush e kishte bërë Guernikën (pikturën e famshme që tregonte mizorinë e bombardimit nazist të atij qyteti): E keni bërë ju! Po kohëra të tilla cinike nuk ta lejojnë heroizmin dhe e shndërrojnë sublimen në groteske, e as ju nuk jeni bash institucioni drejtpërdrejt përgjegjës për mënyrën se si po shkatërrohet karakteri publik i universiteteve nga reforma qeveritare dhe hierarkët më të lartë të universiteteve publike me kolaboracionizmin ose tolerimin e tyre.

Kësisoj më mbetet vetëm t’ju sugjeroj modestisht të thërrisni e të dëgjoni përgjegjësit e vërtetë të kësaj ngjarjeje, përfaqësuesit e lëvizjes studentore. Pasi të keni dëgjuar problemet, qëndrimet dhe vizionin e tyre për një universitet me të vërtetë publik dhe me karakter emancipues në shoqëri, ndoshta do të frymëzoheni prej tyre edhe më shumë se unë dhe do t’i ndihmoni në arritjen e qëllimeve të tyre – që në fakt janë edhe qëllimet tona si banues dhe përjetues të universitetit. Përndryshe në këto kohë obskurantiste – për të përmendur vargjet e Brehtit – “nuk do thonë: Qenë kohë të zymta, por do thonë: Pse heshtnin poetët e tyre?”

Sinqerisht

Arlind Qori

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Dhjetor 5, 2014 nga te Polemikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: