rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Trupi im, armë drejt çlirimit!

teuta-rrustaTeutë Rrusta

Aty ku kriza është e thellë dhe rezistenca ndaj shtypjes intensifikohet, aty lind edhe shpresa për transformimin e shoqërisë. Ky transformim është së pari ekonomiko-politik por ai nuk mund të lerë pa prekur edhe identitetet tona, edhe trupat tanë. Përmbysja e regjimit të kalbur policor në Kosovë duhet shoqëruar domosdoshmërisht edhe më një përmbysje të roleve gjinore në vendin tonë, një përbysje pa të cilën transformimi i shoqërisë do të ishte i mangët.

Këto ditë është folur shumë për vaginën publikisht. Për të flitet gati çdo ditë, por jo kështu siç është folur së fundmi. Në shoqërinë patriarkale vagina ka dy funksione të ngurta: të kënaqë burrat, dhe të përdoret si mjet riprodhimi. Tronditja ka ndodhur sepse mediat e regjimit kanë shpifur duke thënë se vagina mund të jetë përdorur edhe si mjet rezistence politike – e papranueshme për shoqërinë patriarkale! Lajmi u demaskua shpejt, por tronditja për dikë ende ka mbetur. Synimi i shpifjes është lehtësisht i zbërthyeshëm: të ngjitet etiketa “k***ë” ndaj një deputeteje për të justifikuar dhunën që regjimi ushtroi ndaj saj. Në një shoqëri konservatore, etiketa të tilla ngjiten kollaj kur bëhet fjalë për vaginën, e mbase me po të njëjtin kollajllëk do të ishte justifikuar edhe dhuna policore ndaj njeriut që regjimi u përpoq ta paraqiste si k***ë. Pra, problemi nuk qëndron vetëm të shpifja që ka ndodhur nga mediat, por te fakti që po të kishte qenë e vërtetë plot burra e gra, të zhytur në mentalitetin patriarkal, do të mund edhe ta kishin justifikuar dhunën shtypëse.

Në këtë shoqëri, vagina është mall që nuk i përket gruas. E vetmja detyrë e gruas është të kujdeset për ta mirëmbajtur vaginën e saj në mënyrë që të përdoret për kënaqësinë (e burrave) dhe riprodhimin. Si çdo mall tjetër, vagina vishet me fuqi mistike dhe fetishizohet. Ashtu siç blihet një veturë e bukur, dhe personi që e ka në pronësi mendon se nëpërmjet këtij automjeti të ri personifikohet dhe fiton vlerë të shtuar – duke harruar që jemi ne ata që ia japim vlerën veturës, dhe jo ajo neve – ashtu përjetohet edhe vagina nga shoqëria patriarkale. Një vaginë (më e mirë nëse më e re) që i jep burrit vlerë të shtuar, sepse ajo, si çdo mall tjetër konsumi, vishet me fuqi “mistike”.

Për pasojë, demistifikimi i vaginës është detyrë e çdo feministi të sinqertë. Trupi im e përfshin vaginën. Të gjithë trupin tim, e çdo pjesë të tij, unë nuk kam ndrojë ta përdor si armë drejt çlirimit dhe tranformimit emancipues shoqëror, sepse unë refuzoj t’i bindem funksioneve që shoqëria patriarkale ka paracaktuar për pjesët e trupit tim. Nuk mund të pranoj që pushteti shtypës ekonomik, politik dhe gjinor të më përkufizojë e të më caktojë funksionet e trupit tim. E shpall timen çdo pjesë të trupit tim, dhe i jap funksionin që mendja ime, e ngulitur në përpjekjen kolektive për çlirim, më thotë se duhet t’ia jap. Unë luftoj për një shoqëri të re, ku rikuptimsohet jo vetëm shoqëria por edhe roli im gjinor, e për pasojë edhe çdo pjesë e trupit tim!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 22, 2016 nga te Gjinore, Politikë dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: