rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

28 nëntori dhe 10 shkurti

11356869_1654987511387991_858221413_nValdrin Ahmeti

 

Më 24 korrik 2006 Lëvizja VETËVENDOSJE! së bashku me disa organizata të shoqërisë civile dhe me nënat e të pagjeturve, protestoi kundër takimit të “elefantëve”.  Në Vjenë, atë vit po negociohej për organizimin e brendshëm institucional dhe territorial të Kosovës. Grupi i Unitetit ishte pozitë e opozitë bashkë për ta negociuar Kosovën me Serbinë.

E vetmja opozitë e këtij procesi që do të pasohej me planin e Ahtisaarit ishte Lëvizja VETËVENDOSJE!. Gjatë negociatave në Vjenë, Serbia insistonte që të diskutohej për secilën fushë të jetës në Kosovë, përderisa Grupi i Unitetit i ndante honoraret mes vete. Në verën e vitit 2006 VETËVENDOSJE! botoi broshurën për planet e Serbisë në Kosovë, të cilat Serbia i jetësonte përmes negociatave. Broshura shpjegonte qartazi dëmin që Kosovës do t’ia sillte decentralizimi dhe eksterritorialiteti. Ajo broshurë gjatë gjithë muajve të verës e vjeshtës u bë temë qendrore në qindra tubime anembanë Kosovës. Gjithë ky angazhim i aktivistëve të Lëvizjes rezultoi me demonstratën masive të 28 Nëntorit.

28 Nëntori 2006 u nxi paraprakisht nga pushteti i atëhershëm i IPVQ-ve dhe UNMIK-ut, sepse në njërën anë u hoq nga lista e festave zyrtare, ndërsa nga ana tjetër, edhe një 28 Nëntor, po i gjente shqiptarët e Kosovës pa shtetin për të cilin kishin luftuar. 28 Nëntori 2006 u skuq nga shishet me ngjyrë të demonstruesve nga e gjithë Kosova. Qytetarët e Kosovës më 28 Nëntor 2006 demonstruan Kosovën kuq e zi. Pas demonstratës së 28 Nëntorit 2006 pushteti filloi një sulm të paparë medial ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! në përgjithësi dhe Albin Kurtit në veçanti.

Njerëz të paguar të Serbisë, të çmendur, titista, enverista, e nuk lanë gjë pa thënë për Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Meqë po shihej qartë që dokumenti final i negociatave të Vjenës nuk do të ishte ajo çfarë u ishte premtuar shqiptarëve të Kosovës, Grupi i Unitetit dhe UNMIK-u ndjenin nevojën që të sulmonin gjithnjë e më shumë Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Më 2 shkurt 2007 në Kosovë erdhi M. Ahtisaari, i cili prezantoi planin e tij, plan ky që ishte pazar mes apetiteve të Serbisë dhe gatishmërisë së Grupit të Unitetit që të lëshojë pe vetëm e vetëm që të ruajë pushtetin. Plani i Ahtisaarit nuk kishe rekomandimin e shumëpritur për pavarësinë e Kosovës. Në vend të kësaj ky plan kishte decentralizimin, i cili krijonte 5 komuna të reja me shumicë serbe të cilat kishin të drejta më të mëdha edhe se vetë kryeqyteti, Prishtina.

Këto komuna me gjithë kompetencat e tyre kishin të drejtë të krijonin asociacion dhe të kishin lidhje me Beogradin. Ky ishte lëvrimi i tokës për ‘Zajednicën’  e sotme. ‘ Eksterritorialiteti’ krijonte zona të veçanta rreth kishave dhe manastireve ortodokse. Përveç që në territorin e këtyre zonave eksterritoriale nuk do vlenin ligjet e Kosovës (sikurse në ambasada), me planin e Ahtisaarit kishat dhe manastiret ortodokse do të merrnin mbiemrin serb dhe kështu historia mesjetare do të quhej serbe. Për problemet e sotme të komunës së Deçanit dhe të ndërmarrjeve “Apiko” e “Iliria”, Lëvizja VETËVENDOSJE! kishte paralajmëruar që atëherë. Me planin e Ahtisaarit parashihej shuarja e TMK-së dhe krijimi i një force të specializuar të Kosovës e cila nuk do të ishte ushtri. TMK-ja si pasardhëse e UÇK-së duhej shuar që fryma e UÇK-së të mos ishte e organizuar në formacion ushtarak. Nga TMK me flamur kombëtar e me logo kuq e zi, me planin e Ahtisaarit përfunduam në FSK “sari-mavi”.

Përmes planit të Ahtisaarit, në Kuvendin e Kosovës për votimin e një numri të ligjeve dhe ndërrimin/amandamentimin e tyre do të duhej që të votonin 2/3 e deputetëve të pakicave në Kuvend. Shumica e dyfishtë do ta bllokonte votimin për ligjet me rëndësi jetike në Kuvend. Besoj që kjo pjesë e planit të Ahtisaarit duhet të na kujtohet kur flasim për shndërrimin e FSK-së në FAK, apo për votimin e ligjit për arsimin e lartë. Për të kundërshtuar planin e Ahtisaarit,  paralajmëroi demonstratën e 10 Shkurtit. Përderisa të gjithë aktivistët tanë nëpër gjithë qendrat e Kosovës mundoheshin që t’u shpjegonin qytetarëve dëmet e planit të Ahtisaarit, pushteti përmes shpifjeve dhe linçimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! përgatiste terrenin për sulmin që do t’ia bënin Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Mes 28 Nëntorit 2006 dhe 10 Shkurtit 2007 pushteti përgatiti ‘vrasjen’ e Lëvizjes VETËVENDOSJE! pas 10 Shkurtit. Më 10 Shkurt ndaj demonstruesve paqësorë u shkrepën plumba gome, plumba sferikë e plumba të vërtetë vetëm e vetëm që t’I tregohej vendi atyre që protestonin për vetëvendosjen si të drejtë. Atëbotë u krijua koncensusi politik, publik e shoqëror që të burgosej Albin Kurti dhe të shuhej Lëvizja VETËVENDOSJE!. Por kjo gjë ishte e pamundur. Populli i Kosovës Mon Balajn e Arben Xheladinin, të cilët u vranë më 10 Shkurt, i varrosi si dëshmorë të kombit dhe vazhdon t’i trajtojë si të tillë.

Vetëm 3 javë pas 10 Shkurtit, më 3 mars 2007 qytetarët e shumtë nga e gjithë Kosova iu bashkuan demonstrates së thirrur nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Nëntë vite pas, pushteti po operon me planin e njëjtë. Prapë sulme ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! e opozitës, prapë burgosje e Albin Kurtit. Prapë polici speciale gjithandej. Por situata nuk është e njëjtë assesi. Numri i atyre që kundërshtojnë ‘Zajednicën’ serbe është rritur, përderisa prej 28 Nëntorit deri më sot janë organizuar të paktën 5 tubime protestuese masive nëpër komuna të ndryshme. Për dallim prej asaj kohe, 25 deputetë të Kuvendit janë të gatshëm të burgosen që të mos jetësohet ‘Zajednica’. Pushtetit që i plotëson të gjitha apetitet Serbisë po i vjen fundi, dhe kjo gjë po shihet edhe prej grilave të hekurta.

Përderisa para 9 viteve 28 Nëntorin dhe 10 Shkurtin i ndante pazari i vazhdueshëm me Serbinë dhe sulmi ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE!, tash mes këtyre datave po manifestohet rezistenca popullore. Protesta gjithëpopullore e 9 janarit ishte tregues i masivitetit të kundërshtimit të ‘Zajednicës’. Përtej gurëve e gazit lotsjellës, përtej intervenimeve brutale policore e burgosjes së opozitës. Përtej propogandës së pështirë të pushtetit, protesta do të vazhdojë, edhe më masive se më përpara. Protesto që 28 Nëntori i vitit të ardhshëm të bëhet njëmend festë.

Shkruar nga Burgu i Gjilanit, Krahu A, Dhoma numër 2

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 13, 2016 nga te Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: