rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Politika e artit: një intervistë me Jacques Ranciere

Libri

Libri “Aisthesis: i Jacques Ranciere-it

Anna Wojcik: Tek libri juaj “Aisthesis” secili kapitull hapet me një rrëfim historik mbi një objekt apo mbi një ngjarje që ka mbërritur të zgjerojë më tej kuptimin e asaj që konsiderohej si art. A ka ky libër për qëllim të jetë një shtojcë empirike ndaj teorisë suaj të regjimit estetik të artit?

Jacques Ranciere: “Aisthesis” mban si nëntitull “Skena prej regjimit estetik të artit”, mirëpo funksioni i një “skene” nuk është ilustrativ. Përkundrazi, unë insistoj që të shuhet dallimi mes ilustrimit dhe teorisë. Koncepti i zbehjes së këtij kufiri është thelbësor për idenë time të regjimit estetik të artit, ide që është polemikisht e kundërta e ideve si ajo e autonomisë së artit, apo ajo e specificitetit të mediumit. Kjo është arsyeja pse kam përzgjedhur shembuj ku një regjim estetik i artit vendos vetveten duke i shkrirë kufinjtë mes artit dhe jo-artit, apo ato mes artit të lartë dhe artit popullor.

Për me tepër, unë e kritikoj edhe kundërshtinë mes artit dhe diskursit mbi artin. Qëllimi im është të vë në pyetje kufirin mes faktit dhe këndvështrimit “nga lart”. Po ashtu është me vlerë të vihet në dukje se një “skenë” është një mënyrë e përgjithshme kuptueshmërie. Tek “Aisthesis” unë i përdor “skenat” për të diskutuar momentet kur kanë ndodhur kthesa në art, por kjo qasje është po aq e nevojshme për të kuptuar edhe momentet kur kanë ndodhur kthesa, le të themi, në emancipimin intelektual të punëtorëve. Metoda, që e kam huazuar nga Jean Jacotot, mendimtar i emancipimit, është të shohësh të tërën në një fragment tepër të vogël. Pra, për të bërë një analizë të detajuar, nuk është parakusht të kesh një pikëvështrim të avantazhuar universal, “prej së lartmi”.

Veprat e përshkruara tek “Aisthesis” i përkasin periudhës prej 1764 deri tek 1941. A do të ishte e mundur të përfshiheshin edhe vepra më bashkëkohore? Hal Foster në kritikën e fortë që i bën librit tuaj në “London Review of Books”, ka deklaruar se arti bashkëkohor e ka humbur aftësinë për të ndikuar atë që ju e quani “shpërndarje të ndjesores”.

Shpesh më pyesin për këtë kritikë, por, për të qenë tërësisht i ndershëm, unë ende nuk kam patur rastin ta lexoj. Një ditë me siguri do ta lexoj. Hal Foster përfaqëson traditën moderniste, kështu që nuk është ndonjë surprizë që atij nuk i pëlqen intepretimi im për të ashtuquajturin modernitet. Disa njerëz me sa duket mendojnë se regjimi estetik i artit është një farë sllogani politik, gjë që sigurisht që nuk është. Është ekzagjerim të thuash, siç bëjnë shpesh, se “Ranciere-i e do artin të jetë politik”.

Arti është një punë në shpërndarjen e ndjesores. Ndonjëherë, por jo shumë shpesh, arti i rikompozon pritshmëritë perceptuale mes asaj që është e shikueshme, e mendueshme, e kuptueshme, dhe asaj që nuk është. Kjo është politika e artit. Shpesh përpiqem të vë në pikëpyetje idetë e ndryshme mainstream mbi këtë subjekt, sidomos ato ide që supozojnë se puna e artistit mund të ketë efekte precize, sipas synimeve të paramenduara. Kur praktikat e artit ndikojnë ndjesoren, kjo nuk është thjesht si rezultat i synimeve të paramenduara të artistëve.

Shkojmë në shfaqjet artistike për të parë evente të cilat mund të jenë themelisht të ndryshme prej asaj që përballemi në përditshmëri, për të parë një shumësi formash. Duhet të pranoj se shumica dërrmuese e tyre dështojnë që ta ndikojnë perceptimin tonë.

Ç’lloj arti do të kishe dëshirë të shihje (të bëhej) më shpesh?

Arti është një terren i perceptimeve të ngjarjeve, hapësirës dhe kohësisë. Unë dua ta kuptoj se si vepron. Çka më intereson më së tepërmi mua sa i përket politikës së artit, është fakti se në të gjithçka bëhet e mundur. Nuk është interesi im të them se si duhet të jetë apo të duket arti i sotëm. Interesi im është të kuptoj atë se në çfarë konsiston ky art sot. Qasja ime është përshkruese, jo parashkruese. Sigurisht, unë i vlerësoj vlerat e disa artistëve më shumë se të disa të tjerëve, por preferencat e mia personale nuk duhet të konsiderohen si guida për artistë apo kuratorë. Përshembull, unë nuk jam ndonjë dashamirës i madh i artit që përpiqet shumë për të qenë provokativ e që i mobilizon papushim gjithë ndjenjat tona. Arti duhet po ashtu të na lejojë të humbasim në mendim, të distancojmë veten, të kemi një çast prehjeje.

Çfarë është provokative në artin e sotëm?

Sigurisht, jo më sulmet ndaj religjionit apo traditës. Sot, arti më provokativ do të ishte ai që sfidon modernitetin në të cilin jetojmë, neoliberalizmin apo cilindo model të kapitalizmit që jemi duke përjetuar aktualisht. Meqë po flasim për provokime, në vitin 2014 Paul McCarthy ngjalli një skandal të madh kur zbuloi skulpturën e tij “L’Arbre” në mes të prestigjiozit shesh Vendome në Paris. Disa njerëz u ofenduan, sepse vepra e artit atyre iu kujtonte një lodër seksi. Eventualisht skulptura u vandalizua dhe u shkatërrua. Ajo që më intereson më shumë në këtë situatë, ishte qëllimi i vendosjes së një vepre arti publik të këtij lloji pikërisht në një vend kaq prestigjioz. Hotelet më luksoze në Paris janë në Place Vendome. Ndër njerëzit që rrinë aty shpesh ka edhe koleksionistë të artit. Ca prej tyre, me shumë gjasë tashmë do kishin blerë ndonjë prej veprave artistike të McCarthy-t. Të tillë connoisseurs, të cilët faktikisht kanë qenë më të ekspozuarit ndaj veprës në fjalë, ndoshta as nuk e kanë konsideruar atë si provokim, ndërsa njerëzit që u ndjenë më të ofenduar ishin pikërisht ata që nuk e kishin rastin ta shihnin veprën – as nuk dëshironin ta shihnin madje – dhe me siguri nuk ishin të interesuar të diskutonin meritat e saj artistike, apo mungesat e tyre. Kjo është një situatë me të vërtetë e çuditshme.

Vepra

Vepra “L’Arbre” e Paul McCarthy-t, në Place Vendome, Paris

Mos ndoshta keqkuptimi i artit bashkëkohor prej publikut të përgjithshëm mund të jetë simptomë e një krize të gjerë të sistemit tonë arsimor? Çfarë mund të ndryshohet, në këtë aspekt?

Edhe një herë, unë nuk kam përgjigje të gatshme. Sigurisht që do të dëshiroja që universitetet të ishin më guximtare në kërkesën e të drejtës që të vendosin ato vetë se ku duan të përqendrohen. Procesi i Bolonjës i ka standardizuar programet dhe diplomat në Evropë. Por nëse të dhënit mësim ka ndonjë kuptim, ai kuptim është se ka njerëz të caktuar prej të cilëve mëson diçka specifike; ka vende të caktuara që kanë potencialin të mbarështojnë të menduarit mbi diçka specifike. Unë jam një mbrojtës i madh i autonomisë së universitetit. Sigurisht, nuk e kam fjalën për kuptimin neoliberal të autonomisë i cili i shtyn fakultetet të përpiqen për të gjetur financimin e vet, por për autonominë në marrjen e vendimeve mbi interesat kërkimore, apo mbi llojin e dijes që duhet ndarë me studentët – pa u interesuar shumë për sistemin e ekuivalencave në Paris, Krakov apo Firence. Sot universitetet nuk janë shumë guximtare. Ka pasur ca protesta jetëshkurtra kundër reformave të Bolonjës në Gjermani, në Francë e në vende të tjera, por përgjithësisht universitetet evropiane janë gjunjëzuar përballë pushteteve të qeverive dhe të tregjeve.

A ka ndonjë vend ku mund të shohësh potencial për të thyer strukturat e ngurtësuara të pushtetit?

S’ka dyshim që interneti mund t’i shërbejë politikës konfliktuale dhe të prodhojë efekte të kontradiktës. Përshembull, mund të gjesh në të çdo mënyrë e formë të mendimit tradicional, si dhe organizimet hierarkike nga lart poshtë. Sidoqoftë interneti është i rëndësishëm në krijimin e formave rishtare të diskutimit, të përballjes dhe të mobilizimit kolektiv, gjë që vë në sfidë metodat tradicionale politike të partive ekzistente. Nuk do shkoja aq larg sa të thosha se interneti është një arritje e demokracisë, po sigurisht që na jep shumë mjete që mund të përdoren për të avancuar demokracinë.

Jacques Ranciere

Jacques Ranciere

Cili është kuptimi i sotëm i demokracisë?

Na duhet gjithnjë të kthehemi tek kuptimi thelbësor i demokracisë si pushtet i popullit. “Populli” nuk duhet kuptuar si klasa e ulët, apo si një ethnos, që është një komunitet i lidhur prej dheut a prej gjakut, por si një kolektiv individësh të cilët nuk janë politikanë profesionistë apo menaxherë shtetëorë. Barazia nënkupton që secili e ka aftësinë për të qeverisur. Sigurisht, kjo është skajshmërisht e vështirë të bëhet në praktikë. Megjithatë unë vazhdoj të sugjeroj se duhet të përpiqemi ta braktisim modelin e qeverisjes prej elitave, dhe të zvogëlojmë hendekun mes atyre që qeverisin dhe atyre që qeverisen. Nëse nuk i çojmë përpara demokracitë tona përfaqësuese që kanë ngecur, do të jemi shumë shpejt dëshmitarë të një aleance edhe më të ngushtë të klasës sunduese dhe të elitës financiare. Unë mbështes idenë e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe besoj se risitë teknologjike i bëjnë këto më të mundshme se kurrë më parë.

Një rritje në pjesëmarrjen e qytetarëve në politikë, një lënie mënjanë e përfaqësimit, si dhe rritje e qasshmërisë në forume të debatit publik, këto janë gjërat që na duhen sot. Fatkeqësisht masmedia i kornizon diskutimet sipas këndvështrimit të atyre që janë tashmë në pushtet. Të tilla organe nuk janë instrumente të informimit të lirë, dhe nuk na mundësojnë një hapësirë të vërtetë për diskutim.

Nëse jo tek media tradicionale, a po ndodh ky diskutim në art?

Veprat më të mira artistike, ato që kanë potencialin për të rikornizuar mënyrat tona të perceptimit, shpesh përfundojnë nëpër koleksionet artistike private të atyre që janë shumë të kamur. Ca prej shembujve më të mirë të kritikës sociale që unë kam parë në vitet e fundit janë në koleksionin privat të Francois Pinault-it. Këto vepra arti janë informuese dhe e shtyjnë shikuesin që të konsiderojë ide të reja, mirëpo ato zakonisht nuk janë të qasshme për publikun.

A duhet shteti të investojë më shumë në promovimin e artit bashkëkohor?

Nuk jam i sigurt. Në Francë qeveria e mbështet artin shumë bujarisht. Ka shumë fondacione. Çështja është se a e lejojnë këto fondacione artistin që të jetë krijues. Unë dyshoj shumë në këtë. Fondacionet i detyrojnë artistët të prodhojnë diçka për një rast të caktuar, në një afat të caktuar. Shumë artistë përfundojnë që përsërisin vetveten, nën një presion të tillë. Qeveria do të duhej t’u mundësonte atyre më shumë mundësi që të jenë krijues, mirëpo fondacionet nuk janë domosdoshmërisht mjetet më të mira për të bërë këtë. Siç e dëshmuam me skulpturën e Paul McCarthy-t në Paris, qeveritë dhe milionerët porosisin të njëjtin art. Ky art reflekton shijet e elitës, e në të njëjtën kohë demonstron se atyre u mungon imagjinata. Më shumë se sa çështje shijesh, një art i tillë është çështje e rutinës.

Përktheu Arbër Zaimi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 12, 2015 nga te Art, Filozofi, Intervistë, Përkthim dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: