rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Miqtë radikalë të Platonit

Raffaello Sanzio da Urbino - Detaj nga "Shkolla e Athinës", Platoni (majtas) dhe Aristoteli.

Raffaello Sanzio da Urbino – Detaj nga “Shkolla e Athinës”, Platoni (majtas) dhe Aristoteli.

Slavoj Zizek – Fq. 40-42 nga Less than Nothing

… Në fillim të viteve 1920 Lenini propozoi që filozofët marksistë të krijonin një “shoqëri të miqve materialistë të Hegelit” – por ndoshta sot ka ardhur koha që filozofët radikalë të krijojnë një “shoqëri të miqve radikalë të Platonit”. Platoni është më i hershmi prej një sëre filozofësh (Dekarti dhe Hegeli janë dy emrat e tjerë të mëdhenj) të cilët janë lënë mënjanë në shek. XX, sepse iu është vënë faji për të gjitha fatkeqësitë që na kanë ndodhur. Badiou numëron gjashtë forma kryesore (pjesërisht të gërshetuara) të anti-platonizmit të shekullit XX:

  1. Anti-platonizmi vitalist (Nietzche, Bergson, Deleuze): pohimi i së vërtetës së jetës-mbërje përkundër intelektualizmit steril të Formave Platonike – thënë me fjalët e Nietzche-s, “Platon” është emri i një sëmundjeje.
  2. Anti-platonizmi empiricist-analitik: Platoni besonte në ekzistencën e pavarur të Ideve; mirëpo siç e dinte tashmë Aristoteli, Idetë nuk ekzistojnë pavarësisht objekteve ndjesore, formë e të cilave ato janë. Teza kryesore anti-platonike e empiricistëve analitikë është se të vërtetat janë gjithnjë ose analitike ose empirike.
  3. Anti-platonizmi marksist (Lenini nuk është i pafajshëm për këtë): zhvleftësimi i Platonit si Idealisti i parë, duke e vendosur atë përkundër materialistëve para-sokratikë, si edhe përkundër Aristotelit që ishte më “progresist” dhe i orientuar më shumë kah empirikja. Sipas këtij këndvështrimi (i cili në mënyrë vetëjustifikuese harron se, ndryshe nga nocioni i Aristotelit për skllavin si “vegël që flet”, nuk ka vend për skllevër në Republikën e Platonit), Platoni ishte ideologu kryesor i klasës së skllavopronarëve…
  4. Anti-platonizmi ekzistencialist: Platoni e mohon veçantinë unike të ekzistencës singulare, dhe ia nënrendit singularen universales. Ky lloj anti-platonizmi ka një version kristian (Kierkegaard: Sokrati përballë Krishtit) dhe një version ateist (Sartre: ekzistenca i paraprin esencës).
  5. Anti-platonizmi heideggerian: Platoni si figurë themeluese e “metafizikës perëndimore”, momenti kyç në procesin historik të “harresës së Qenies”, momenti nismëtar i procesit që kulmon në nihilizmin e sotëm teknologjik (“from Plato to NATO…”)
  6. Anti-platonizmi demokratik në filozofinë politike prej Popper-it deri tek Arendt: Platoni si origjinë e “shoqërisë së mbyllur”, si mendimtari i parë që elaboroi në detaj projektin e totalitarizmit. (Sipas Arendt-it, në një nivel më të rafinuar, mëkati origjinal i Platonit ishte fakti që ky ia nënrenditi politikën së Vërtetës, dhe nuk e pa se politika është terren i fronesës (phronesis), i gjykimeve dhe i vendimeve që merren në situata unike dhe të paparashikueshme.)

Pozita e Platonit pra është e ngjashme me atë të Dekartit: “Platoni” është pika negative e referencës që bashkon armiq të cilët përndryshe janë të papajtueshëm: marksistët me anti-komunistët liberalë, ekzistencialistët me empiricistët analitikë, heideggerianët me vitalistët…

Pra, pse na duhet një rikthim te Platoni? Pse na nevojitet një përsëritje e gjestit themeltar të Platonit? Tek libri i tij “Logiques du Monde” Badiou na jep një përkufizim të ngjeshur të “materializmit demokratik” dhe të kundërtës së tij, “dialektikës materialiste”: aksioma që e kondenson të parin është “S’ka asgjë tjetër përtej trupave dhe gjuhëve…” së cilës aksiomë dialektika materialiste i shton “me përjashtim të të vërtetave”. Duhet mbajtur në mendje goditja platonike, pastëritisht metafizike, që bën ky dallim: prima facie, nuk mund të mos duket përveçse si një gjest proto-idealist që kërkon të pohojë se realiteti material nuk është gjithçka, që ka dhe një nivel tjetër të vërtetash pa trup. Por Badiou këtu bën gjestin paradoksal filozofik të mbrojtjes si materialist të autonomisë së rendit “jomaterial” të së Vërtetës. Si materialist, dhe për të qenë tërësisht materialist, Badiou fokusohet tek toposi idealist par excellence: si mundet një kafshë njerëzore të harrojë kafshërinë e vet dhe të vendosë jetën e vet në shërbim të një të Vërtete transhendente? Si mundet të ngjasë “transubstancimi” prej jetës së orientuar kah kënaqësitë, që është jeta e individit, tek jeta e subjektit, që është jeta e cila i dedikohet një Kauze? Me fjalë të tjera, si bëhet i mundur akti i lirë? Si mundet të dilet (jashtë) prej rrjetit të lidhjeve rastësore të realitetit pozitiv dhe të ngjizë një akt që fillon prej dhe nga vetja? Sërish Badiou përsërit, brenda kornizës materialiste, gjestin elementar të idealizmit anti-reduksionist: Arsyeja njerëzore nuk mund të thjeshtohet në rezultatin e përshtatshmërisë evolutive; arti nuk është thjesht një procedurë e lartësuar për të prodhuar kënaqësi ndijore por një medium i së Vërtetës; e kështu me radhë.

Kjo pra është zgjedhja (vendimmarrja) bazë filozofiko-politike që bëhet sot: ose të përsërisim në mënyrë materialiste pohimin e Platonit mbi dimensionin metafizik të “Ideve të përjetshme”, ose të vazhdojmë të strehohemi në universin postmodern të relativizmit historicist të “materializmit demokratik”, që mbetet i ngecur në qarkun vicioz të betejës së përjetshme me fondamentalizmat “paramodernë”. Si është i mundur ky gjest, madje si është i mendueshëm? Le të fillojmë me faktin surprizë që Badiou identifikon “kontradiktën parësore”, antagonizmin mbizotërues së situatës së sotme ideologjike jo si një betejë mes idealizmit dhe materializmit, por si një betejë mes dy formave të materializmit (demokratikut dhe dialektikut). Për më tepër, si për t’i shtuar edhe fyerje plagosjes, “materializëm demokratik” ai quan thjeshtimin e gjithçkaje që është në realitetin historik të trupave e të gjuhëve (që janë binjakët e darvinizmit dhe historicimit diskursiv), ndërkohë që “dialektika materialiste” i shton kësaj dimensionin (“idealist”) “platonik” të të Vërtetave “të përjetshme”. Por gjithsesi, për cilindo që e njeh sadopak dialektikën e historisë, këtu nuk ka asnjë surprizë.

Përktheu Arbër Zaimi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 12, 2015 nga te Filozofi, Përkthim dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: