rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Domethënia e vezës

11233493_841366232568029_1932460385863842243_nStavro Çina

Siç ndodh shpesh shoqëria, mediat, analistët e facebook-istët merren me “pula vezën apo veza pulën”, aq me tepër në këtë rast kur veza u doli në shteg. Kam lexuar e dëgjuar komente nga më moralistet deri te më ekstremistet. Kish edhe nga ata që e quajtën një veprim normal ose të nxituar. A thua u godit një kryeministër normal në një shtet normal?! Janë vetëm spekulime të rëndomta mediatike për të fshehur të vërtetën e dhimbshme. Kjo e vërtetë shtë realiteti ynë i përditshëm, ajo që flitet kudo e që askush s’ka forcën ta nxjerrë përtej kafeneve, bisedave shoqërore e familjare. Kurse këta të rinj patën guximin t’ia plasin kryeministrit ne surrat. Është e vërteta e dhimbshme që Lëvizja Për Universitetin ka më shumë se dy vjet që i jep zë brenda mjediseve universitare dhe Organizata Politike mundohet t’i japë zë në shoqëri. Papunësia, keqpunësimi, diskriminimi, vetëvrasjet, vdekjet në miniera, burgosjet për energjinë e për tatimet, rritja e tarifave të shërbimit, ulja e përkrahjes sociale, prishja e barakave të fruta-perimeve, katërfishimi i numrit te familjeve që jetojnë në varfëri ekstreme brenda tre viteve të fundit etj. Përballë tyre pushtetarë e oligarkë që trashin zverkun, xhepat, luksin mbi kurrizin e fakirëve të gjorë.

Jemi të ndërgjegjshëm që ato vezë nuk janë zgjidhja, por mund të jenë çelësi i zgjidhjes. Ato vezë janë paralajmërim për pushtetin që kupa është mbushur, që thika ka vajtur në kockë e po e gërryen atë. Janë paralajmërim që s’mund të tallet me fatet e popullit. Mbi të gjitha janë tregues që nuk jetojmë në një situatë normale, siç mundohen të na e shesin, dhe që këtu ka rezistencë.

“Kush gjuan me vezë?” – ka qenë pyetja që dëgjoja ngado nëpër media dhe rrjete sociale. Përgjigjet kanë qenë nga më ciniket deri te më monstruozet. Jo mor jo nuk qëlluan as studentet e dobët, as marsianët, as PD-istët, as komunistët, as mjaftistët. Nuk ishin as “lavire bulevardi”, siç do i quante Berisha në kohë të vet, por bij “kokëpalarësh”. Ata që qëlluan ishin bij dhe bija punëtorësh, fshatarësh, të papunësh. Studentë periferie që erdhën dhe i dërguan në Tiranë me plot ëndrra, kurse sot nuk ua lejojnë as që të ëndërrojnë. Bij prindërish që rropaten në punë, që heqin bukën e gojës, madje shumë herë marrin dhe borxh për të shkolluar fëmijët si e vetmja shpresë. Shkollim që i nxjerr punëtorë call center-ash, kamerierë ose të papunë. Janë djem dhe vajza që e kanë kuptuar realitetin, por që s’mund ta pranojnë kurrsesi atë. Gjithashtu janë të vetëdijshëm që fakultetin do e përfundojnë me këto tarifa të kripura dhe përsëri luftojnë.

Ndaj Lëvizja Për Universitetin nuk është vetëm studentore, por një lëvizje më e gjerë emancipuese. Nuk gjuajtën ndaj Edi Ramës si kokorosh, por ndaj kryeministrit dhe gjithë klasës politike që e kanë katandisur arsimin dhe publiken në këtë farë feje. Nuk gjuajtën për vete dhe as vetëm për studentët, por gjuajtën për shoqërinë, për të papunët, për të shfrytëzuarit, për të diskriminuarit, për të përjashtuarit, për të harruarit. Me një fjalë gjuajtën për atë që është e të gjithëve, publiken. Nuk gjuajtën as për famë e as për show, madje këto ishin i vetmi peng i tyre, por gjuajtën për drejtësi, gjuajtën nga mllefi, gjuajtën nga dhimbja e nga uria për ushqim e për dije. Ky ishte kushtrimi i radhës i kokëpalarëve. Kush mundohet të argumentojë të kundërtën është thjesht një vegël idiote e pushtetit, dritëshkurtër që nuk shikon më larg se hunda e vet, ose keqbërës që do të mbijetojë mbi varfërinë e mbi gërmadhat e publikes. Studentët patën guximin për t’u bërë shembull, sakrifikuan për të dhënë besim dhe guxim. Na treguan që askush nuk është i paprekshëm. E lëvizja do e vazhdojë edhe më e fort rrugëtimin e saj për “arsim publik falas”. Tash jemi edhe më guximshëm, do i mbajmë premtimet tona: reforma s’ka për të kaluar në universitet, ministrja Nikolla dhe kryeministri do vazhdojnë të jenë persona të padëshiruar në mjediset universitare. Të shkojnë të shërbejnë shampanjë te Çili po deshën. Ne të gjithë bashkë do t’ia dalim.

Ndaj mik, shok, student, i papunë, i përjashtuar merr guximin dhe jep shembullin tënd: Organizohu! Të jemi grushti i bashkimit dhe rezistencës, grushti që do të shkatërrojë privilegjet e politikanëve dhe oligarkëve. Mendjet bashkë, zemrat bashkë, e ardhmja është e të gjithëve!

Një koment te “Domethënia e vezës

  1. shkaba
    Nëntor 7, 2015

    Edhe sikur te heqim gjithe klasen politike e te veme klasen politike me te mire te mundshme, prape do te jete 1/5-ta e popullsise qe s’do te jete dakord me ata. Te shkojne dhe ata te qellojne me veze? Edhe ne shtetet me te mira, ka votues qe urrejne qeverite sepse u japin azil myslimaneve. Te tjere do ta urrenin se pse nuk po i japin azil myslimaneve, e keshtu shkon muhabeti per cdo ceshtje. Eshte e pamundur te bien te gjithe dakord per dicka. Te dalin te gjithe me veze keta? Ta quash vezen si celes zgjidhjeje do te thote te jesh shume mbrapa ne shkallen e evolucionit te mentalitetit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 7, 2015 nga te Shoqëri, Thirrje dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: