rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Zajednica si përforcim i dallimeve

10f4e2cAlfred Bushi

Nga leximi i marrëveshjeve që qeveria e Kosovës ka bërë me Serbinë, me specifikisht të marrëveshjes që mund t’i  japë formë një entiteti politiko-ekonomik të quajtur Zajednicë si një hapësirë e pavarur nga e tëra,  vihet re se me krijimin e saj mirëqenia ekonomike, drejtësia e barazia nuk mund të kenë më ekzistencë universale të garantuar në kushtetutë si ligji me i lartë dhe përbashkues i shoqërisë. Ligji në universalitetin formal historik që e karakterizon në këtë rast duket nuk e bart më këtë cilësi pasi vetë ky ligj krijon zona përqendrimi të njëanshmërisë, zona singulare, si në drejtësinë, barazinë dhe mirëqenien ekonomike. Sovranit, atij që bën ligjin, i përket për nga natyra përjashtimi, por ai është përjashtim që përfshin, pra që fut në rendin e ligjit atë që është jashtë tij. Diçka e tille nuk ndodh në rastin në fjalë prejse përjashtimi nuk është përfshirje, por shndërrohet në humbje të sovranitetit. Ky është ndër ato pak raste të rralla në histori ku sovrani vetvetiu heq dorë nga sovraniteti. Ndoshta kjo ka ndodhur vetëm në kohën kur, pasi Hitleri u ngjit në pushtet, parlamenti gjerman mori vendimin antiligjor me të cilin kompetencat ligjbërëse ia mohonte vetes për t’ia kaluar Fyhrerit. Nga shtet faktik, i pavarur – siç ka thënë Visar Ymeri –  Kosova mund të kthehet në një shtet opinionesh, ku çdokush mund ta vërë në diskutim sovranitetit e saj. Gjendja është akoma më kontradiktore nëse mendojmë se ashtu siç duket situata i bie që një pjesë e së tërës mund të jetë pjesë e së tërës e njëkohësisht të mos jetë pjesë e së tërës.

Si rrjedhojë e mbështetjes shumëpërmasore që Zajednica do të marrë nga Serbia, brenda shoqërisë do të krijohen hapësira të mbyllura, të ngurta dhe të privilegjuara, ku një pjesë e shoqërisë do jetë shumë më tepër e privilegjuar se pjesa e tjetër, duke bërë të mundur kështu  pasjen e aq shumë pushteti ekonomik dhe financiar sa të arrijë ta bllokojë, gati edhe nënshtrojë, tjetrën. Kjo vetëm sa e shton dhe shumon ndarjen sociale, pra thekson fort përjashtimin dhe pamundësinë e popullsisë e cila për t’ia dalë mbanë do të pranojë me gjasë akoma më tepër skllavërim. Vetëmjaftueshmëria e këtij entiteti politiko-ekonomik behet e mundur nga marrja në kontroll e pasurive më të rëndësishme natyrore të Kosovës, të nëntokës dhe mbitokës. Një pjesë e konsiderueshme e të mirave natyre, me këtë marrëveshje, do t’i përkasë Zajednicës, këtij minishteti brenda shtetit, i cili tani e tutje mund të sillet fare mirë si një palë e pavarur dhe e barabartë kontraktuese jo vetëm me shtetet e tjera, por edhe me Kosovën për shkëmbim të mirash të vetë Kosovës. Rreziku i bosnjëzimit të Kosovës mund të sjellë edhe aneksimin e këtij territori nga Serbia ose bashkimin e saj me të, në vend që  të përdorej në të mire të të gjithë shoqërisë se Kosovës, pavarësisht përkatësisë kombëtare të tyre. Kjo marrëveshje nuk bën gjë tjetër veçse destabilizon Ballkanin duke luajtur me ndjenjën kombëtare të popujve. Përveç kësaj, në një realitet që po shkon drejt globalizmit, në kuptimin që po ecën drejtë bashkësive të mëdha ekonomike, për t’i bërë ballë krizave dhe luftës së ashpër që bëhet në tregjet ndërkombëtare, Kosova bën të kundërtën: e copëzon akoma më tepër fuqinë e saj, forcat e saj të prodhimit dhe territorin.

Kjo marrëveshje nuk bën tjetër veçse e forcon dhe njëkohësisht e bën më të larmishme luftën e klasave brenda shoqërisë kosovare duke krijuar për një pjesë të saj, me ligj, buxhet ekonomik të veçantë , gjykatë  të veçantë, kompetenca  përfaqësuese të veçanta, të drejtën për të nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare etj. Shoqëria kosovare edhe pa këtë marrëveshje i vuan gjithsesi  vështirësitë ekonomike, pabarazinë dhe padrejtësinë. Megjithatë i lihet hapësirë e lirë shovinizmit serb i cili thjesht i forcon ato dhe i bën më të ashpra, e këtë dallim për më tepër e përforcon edhe etnikisht.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Tetor 22, 2015 nga te Politikë dhe etiketuar me , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: