rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Marrëdhënie katundare apo marrëdhënie ndërkombëtare?

S_pula-photoBesnik Pula

Politika kosovare ka një problem të thellë konceptual dhe, rrjedhimisht, edhe politik. Ndërtimi (sado i brishtë) institucional i shtetit të Kosovës nuk është ndjekur me shndërrimin e vendit në një subjekt të plotë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kosova nuk njihet nga një numër i madh shtetesh në botë, përfshirë vendet evropiane, dhe nuk është anëtare e OKB-së. Mirëpo, përveç mangësivë në anën formale, Kosova nuk është subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare as në anën substanciale.

Në aspektin formal, një shtet bëhet subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare kur gëzon njohje nga shtetet tjera dhe si pasojë gëzon mundësinë e vendosjes së marrëdhënieve bilaterale me këto vende në nivel diplomatik. Mirëpo, në aspektin substancial, një shtet bëhet subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare në një ose më shumë nga këto tre forma. E para, është fuqia ushtarake që ajo posedon dhe mund ta ushtrojë. E dyta, janë fuqia ekonomike dhe financiare që ka. E treta, është fuqi që buron nga rëndësia e saj gjeopolitike, si pasojë e interesave ekonomike e strategjike të shteteve hegjemone të sistemin ndërkombëtar. Kjo e fundit përforcon pozitën negociuese të një shteti, pavarësisht mungesës së kapaciteteve vepruese të veta, si ato ushtarake e ekonomike.

Kuptohet, Kosova nuk e ka të parën (fuqi ushtarake) as të dytën (fuqi ekonomike dhe financiare). Kapaciteti i vetëm i Kosovës në rrafsh të marrëdhënieve ndërkombëtare është rëndësia gjeostrategjike që ajo ka për interesat më të gjera të shteteve hegjemone të sistemit ndërkombëtar. Mund të thuhet madje se kjo rëndësi, ishte edhe aduti që Kosovës ia arriti njohjen (e pjesshme) si territor sovran. Politika e jashtme (ta quajmë kështu kushtimisht) e Kosovës akoma mbështetet mbi këtë parim. Ajo supozon se Kosova është strategjikisht e rëndësishme për partnerët kyç që e kanë njohur atë, dhe si pasojë kjo përforcon pozitën e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

Mirëpo, ky aspekt i politikës së jashtme kosovare mbështetet në një keqkuptim të tmerrshëm. Interesat strategjike të shteteve që e kanë njohur Kosovën nuk janë të njëtrajtshme, por le të themi se mbështeten në parimin e stabilitetit rajonal. Kosova, në këtë kontekst, shihet si copë e një mozaiku më të madh. Kosova si Kosovë ka pak rëndësi, pavarësisht bindjes së disave se presidenti Obama ose kancelarja Merkel nuk bëjnë gjë tjetër veç të kalojnë pjesën më të madhe të ditës duke menduar për Kosovën.

Ky do të ishte një interpretim i pozitës negociatore të Kosovës, p.sh., në raport me dialogun e saj me Serbinë, nga aspekti i marrëdhënieve ndërkombëtare. Pozita negociatore e Kosovës varet nga bashkërenditja e interesave të tjera (të BE-së, SHBA-ve, Gjermanisë etj.), në raport si me Kosovën ashtu dhe me rëndësinë që këto interesa ia japin palës tjetër (Serbisë).

Mirëpo, politika kosovare, jo vetëm në kuptimin popullor (në gjuhën e përgjithshme popullore e mediale), por edhe në aspektin e mendimit strategjik, vepron jo në këtë regjistër të marrëdhënieve ndërkombëtare, por në atë të marrëdhënieve katundare.

Ç’domethënë kjo? Përdorimi i fjalës “katundar” nuk lidhet këtu me ndonjë përdorim pezhorativ të fjalës, por në kuptimin që i jep kolegu dhe miku im i nderuar Prof. Shinasi Rama. Sipas përkufizimit të Prof. Ramës, mund të bëjmë dallimin midis “fshatit”, si njësi gjeografike e ekonomike (vendbanim rural me ekonomi rurale) dhe “katundit” si njësi shoqëroro-politike. Kjo njësi shoqëroro-politike ka një hierarki të brendshme, ka një sistem vlerash të veta dhe ka (kjo është shtesë imja) edhe institucione që rregullojnë ndërveprimin midis njësive bazë të katundit, që janë shtëpitë dhe, në rastin më të gjërë, fiset, dhe individët përfaqësues të tyre. Pra, veçori e katundit nuk është ekonomia rurale (ndonëse kjo është pjesë e saj), por institucionet shoqërore e politike të saj.

Institucioni themelor katundar i ndërveprimit shoqëror bazohet në atë që sociologu Pierre Bourdieu, në studimin e tij të shoqërive katundare të kabilëve të Algjerisë (përndryshe fare të ngjashme me kulturën e katundeve shqiptare), e quan nder. Shkëmbimet katundare mbështeten në nderin personal (zakonisht të shtëpisë ose fisit) dhe institucioneve mbështetëse (fytyrës, namit, emrit) që shprehin një lloj kapitali të veçantë kulturor e social mbi të cilat ndërtohen hierarkitë statusore në jetën shoqërore katundare. Marrëdhëniet katundare, gjithashtu, për shkak se historikisht kanë qenë të larguara nga tregu, janë bazuar në reciprocitet. Marrëdhëniet midis njësive katundare (si shtëpive ose të fiseve), edhe kur janë të karakterit ekonomik, nuk mbështeten kryesisht në shkëmbime monetare, por në reciprocitetin e obligimeve që kanë ndaj njëra-tjetrës. Kjo e bën të pamundur në shoqërinë katundare edhe shkëmbimin tregtar në kuptimin teknik të fjalës, sepse edhe shkëmbimet monetare katundare ndërthuren dhe negociohen krahas konsideratave të ndryshme jo-ekonomike. Ajo që nuk e duron dhe përbuzë shoqëria katundare, është shprehja e hapur e interesit, në kuptimin e ngushtë dhe sidomos material të fjalës. Kjo nuk domethënë (siç e vëren edhe Bourdieu) se në shoqëritë katundare nuk vepron interesi, por strategjitë katundare për ndjekjen e interesit prihen në radhë të parë nga parimi i akumulimit dhe konservimit të nderit. Pra, edhe interesi material ndiqet përmes marrëdhënieve të reciprocitetit dhe me masa që mbrojnë veprimet nga rreziku i korritjes ose humbjes së fytyrës ose ngeljes në hater para palëve të treta në realizimin e tij. Shprehja “biznesi është biznes” (business is business), që ndan hesapet e biznesit mes palëve nga konsideratat tjera, nuk vlen në shoqërinë katundare.

Vizioni i jashtëm strategjik i Kosovës bazohet mbi këtë konceptim të marrëdhënieve ndërkombëtare të ndërtuar mbi baza katundare. Në rrafshin ndërkombëtar, Kosova nuk ka interes, ajo ka imazh. Imazhi është i barazvlefshëm me institucionin katundar të nderit ose fytyrës. Ndjekja e interesit konsiderohet si diçka e turpshme dhe e papranueshme në raport me partnerët ndërkombëtarë. Marrëdhëniet me partnerët (shtetet tjera të sistemit ndërkombëtar), gjithashtu nuk mbështeten në parimin e interesit të ndjekur racionalisht por në subordinimin e interesit ndaj kërkesave të reciprocitetit dhe obligimeve (të natyrës joformale). P.sh., kur Kosova bën kompromis në ndonjë interes vital të vetin (p.sh., mbrojtjen e tërësisë territoriale) shkaku i presioneve të jashtme, kjo interpretohet si obligim që ia kemi ndaj atyre që na çliruan. Në kulturën katundare, marrëdhënia me palët tjera nganjëherë duhet të ruhet edhe në llogari të ndonjë humbjeje ose dëmi për veten, por kjo është e pranueshme sepse parimi i reciprocitetit bazohet në llogarinë që, në të ardhmen, edhe pala tjetër do ta dëmtojë vetën për hir të ruajtjes së marrëdhënieve me mua. Pra, për shkak se aleatët e Kosovës dëmtuan veten (?) për ta shpëtuar Kosovën, Kosova nuk duhet të ngurrojë të “sakrifikojë” për hir të obligimeve që ka ndaj tyre sepse në të ardhmen, po këta aleatë sërish do ta dëmtojnë veten(?) për Kosovën.

Ky mendim mund të mos jetë i dëmshëm përderisa ndërthurja e interesave dhe veprimeve në rrafsh ndërkombëtar e lënë vendin me bilanc net pozitiv politik. Një vend mund të vazhdojë të zbatojë politikë ndërkombëtare me parime katundare përderisa zhvillimet, qoftë nga fati, qoftë nga interesat hegjemone, parandalojnë që interesat e saj jetike të jenë të rrezikuara. Por kjo ndryshon kur, në planin e marrëdhënieve ndërkombëtare, vendi fillon e bëhet më pak i rëndësishëm nga pikëpamja gjeopolitike dhe kur konstelacioni i interesave të aktorëve të mëdhej fillon të veprojë kundër interesave të tij. Atëherë, në raport me ndryshimet objektive ndodh ajo që Bourdieu e quan hysterisis. Kuadri i vjetër interpretues bëhet më pak efektiv në kuptimin e zhvillimeve sepse ai tashmë ka humbur çdo lidhje me realitetin.

Është pikërisht kjo që po i ndodh Kosovës sot. Kosova nuk është më në anën e net fituesit në rrafsh të marrëdhënieve ndërkombëtare. Rëndësia strategjike e vendit për akterët hegjemonë të sistemit ndërkombëtar (SHBA-ve, BE-së, shteteve qëndrore të BE-së si Britania, Gjermania e Franca) është në rënie e sipër. Kjo nuk është vetëm për shkak të vetë Kosovës, por sepse rajoni më i gjërë tashmë është stabilizuar. Nuk ka më rreziqe për luftëra të mëdha. Regjimet politike janë stabile dhe, në masë të madhe, bashkëpunojnë me fuqitë hegjemone. Në këtë përfshihet edhe Serbia, e cila që nga rënia e Millosheviqit, është rehabilituar nga qenia e dikurshme “shtet batakçi” (rogue state) në një partner të respektuar të Perëndimit. Qëllimi themelor i hegjemonëve në rajon, procesin që ato e nisen me intervenimet serike diplomatike, ushtarake, e ekomomike, pak a shumë janë realizuar.  Interesi i hegjemonëve tani është që të ruhen këto të arritura, duke konservuar ekuilibrin aktual.

Në këtë kontekst të ri, Kosova tashmë nuk ka mundësi vetëm të fitojë, por edhe të humbas. Rreziku i humbjes nuk është vetëm në terma relativ (humbje të kompenzueshme), por, për interesat jetike të një shteti, ai rrezikon të humbasë edhe në terma absolutë (humbje të pakompenzueshme, p.sh., në kapacitetet mbrojtëse, në mundësinë për të qenë shtet efektiv dhe funksional në gjithë territorin e vet, të jetë subjekt i plotë formal i marrëdhënieve ndërkombëtare etj.). Këtu, konceptimi katundar i marrëdhënieve ndërkombëtare rrezikon të prodhojë frustrime dhe mllef, sepse dëmet që i përjeton vendi interpretohen (katundarisht) si mosrespektim nga aleatët i parimit të reciprocitetit (“ne bëmë kompromise me Serbinë, e BE-ja/Gjermania/SHBA-të/etj. nuk na dhanë gjë”) ose veprim i qëllimshëm i aleatëve që “na prenë në besë” (“ne i besuam atyre, bëmë çka kërkuan, e ata na prenë në besë”).

Është momenti i duhur që të zhbëhet përfundimisht koncepti katundar i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe vendi të fillojë e ta definojë e artikulojë qartë interesin e saj si shtet, të zbulojë burimet e fuqisë në rrafsh ndërkombëtar, të mos hezitojë të angazhohet në mbrojtjen e interesave të saj, dhe të shfrytëzojë konjukturat dhe gërshetimin e interesave të fuqive hegjemone për të avancuar këtë interes.

Si shtet, është legjitime të kesh interes, është legjitime që të shpallen ato interesa, dhe është sidomos legjitime që të mbrosh me çdo kusht interesat absolute mbi të cilat mbështetet mbijetesa afatgjatë e vetë shtetit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Tetor 14, 2015 nga te Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: