rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Klubi i analistëve të revoltuar

RdeqQq7UArbër Zaimi

Aleanca e pushtetarëve të PDK-së dhe LDK-së për të krijuar qeverisjen aktuale të Kosovës ka krijuar si efekt të drejtpërdrejtë edhe një aleancë mes disa analistëve “të pavarur”. Bëhet fjalë për opinionistë objektivë që dikur kanë qenë për vite të tëra këshilltarë të afërt të ish-kryeministrit, apo që dikur kanë qenë deputetë apo kandidatë për deputetë të njërës prej partive qeverisëse, por edhe asi që kurrë nuk kanë qenë të përfshirë në struktura politike, por që e kanë shprehur haptazi adhurimin mitizues për themeluesin legjendaro-historik të njërës parti, e kështu me radhë. Këtij grupi gazmor i është bashkangjitur edhe ndonjë opinionbërës që ka kontratë marketingu me korporata të mëdha të Kosovës, të cilin interesi i klientit të tij e çon më pranë qeverisë. Asnjërit prej tyre nuk është e vështirë t’ia ekspozosh rrënjët e anshmërisë pro-qeveritare, dikush me PDK-në dikur, por pas shumë vitesh “i zhgënjyer” sepse nuk ia paskan dëgjuar këshillat dhe mendimet “ndryshe”, dikush me LDK-në dikur por tash “i zhgënjyer” sepse shokët e partisë ia kanë vjedhur votat, apo se shokët e partisë nuk po ndjekin filozofinë me merita kombëtare e globale të presidentit të përjetshëm. E dikush deklarativisht me asnjërën, por faktikisht me të dyja, për shkak se punon për biznese të lidhura fort me qeverinë.

Kohët e fundit ky grup opinionistësh tepër të paanshëm janë rebeluar kundër opozitës në Kosovë. Ata nuk arrijnë të kuptojnë se si opozita nuk është ashtu si duan ata, pra se si opozita refuzon t’i bindet logjikës së tyre proqeveritare. Klubi i analistëve të revoltuar ndaj opozitës kohët e fundit e ka nxjerrë një tezë sa të vjetër aq edhe të re ndër shqiptarë. Teza e tyre me pak fjalë shkon kështu: për sa kohë opozita është ekstremiste (sic!), atëherë ndërkombëtarët do të preferojnë që në qeveri të mbeten hajnat (sic!). Sipas klubit të analistëve të revoltuar opozita është ekstremiste dhe dëshiron të na prishë me ndërkombëtarët. Me akrobaci të tilla këta tipa “të përkushtuar” për sterilitetin e diskursit politik janë në gjendje të justifikojnë dhe therjen e aktivistëve prej duarve kriminale të politikës, duke nxitur madje ofrimin e asaj “çka këta aktivistë e kanë lypë”. Këta marifetçinj fitojnë kredite në pushtet duke provokuar emocionalisht viktimat e pushtetit në momentet menjëherë pas krimit, e më pas duke u vetëparaqitur si të vetmet viktima të vërteta, për shkak se shokët e familjarët e të therurve reaguan duke sharë ndaj provokimit të tyre “demokratik” që justifikonte therjen.

Para se të fillojmë të merremi me “tezën” e klubit të analistëve të revoltuar, le të shohim se kujt i drejtohet ky diskurs. Sigurisht zotërinjtë e dinë edhe vetë se shkrimet e tyre, sado përndritëse, nuk është se kanë ndonjë jehonë ndërkombëtare dhe nuk luajnë ndonjë rol në agjendat diplomatike. Shkrimet e tyre kryesisht janë një kolazh statusesh dhe komentesh prej profileve të facebookut të atyre vetë dhe thëniesh historike të shqiptuara nga ta në emisionet e përditshme prej nga i flasin në mënyrë paternalizuese popullit të Kosovës, të cilin kur e shohin duke nënshkruar masivisht peticione, e quajnë “të painformuar”. Këto shkrime më pas shpërndahen nëpër portale të kontrolluara nga po ky klub analistësh rebelë, të cilët citojnë vetveten dhe njëri-tjetrin, shkruajnë për vetveten dhe njëri-tjetrin, duke prodhuar një maqineri të admirueshme riprodhimi ideologjik (këtu në kllapa njëri prej analistëve do kishte shënuar “Benjamin”, me dëshirën e tij për t’u shfaqur si kinse serioz në referencat e veta, të cilat rregullisht i shkruan me gabime ortografike).

Pra opinionet e të famshmëve dhe të ndershmëve analistë nuk i drejtohen ndërkombëtarëve dhe nuk përfillen nga ta. Kur këta opinionistë thonë se opozita është ekstremiste dhe dëshiron të na prishë me ndërkombëtarët, ata janë thjesht duke u përpjekur të shpërndajnë sa më shumë këtë “tezë” nëpër popullin e Kosovës, për ta trembur atë e për ta bërë të distancohet prej aksioneve të opozitës. Asnjë ndërkombëtar deri tani nuk ka përmendur ndonjëherë se opozita na qenka ekstremiste, apo se opozita është e papranueshme për ndërkombëtarët. Pra propaganda e klubit të analistëve të revoltuar nuk është gjë tjetër, veçse një megaspekulim (populli do të thoshte se është një rrenë e kulluar, por nuk na i lejon kultura t’i themi gjërat ashtu siç janë, pra le të mbetet në përdorim termi megaspekulim.)

Le të merremi tani me “tezën” e klubit të analistëve të revoltuar. Ata thonë se “opozita është ekstremiste”. Kjo terminologji përpiqet të na kthejë në një kontekst të Luftës së Ftohtë, kohë në të cilën përnjëmend fuqitë perëndimore, pikërisht për shkak të kontekstit të “kampeve” imponuan logjikën e “kordonit sanitar” ndaj partive komuniste në vende si Italia, Greqia, Turqia, Franca, Spanja madje edhe vetë Gjermania, ku këto parti nuk u lejuan të vinin assesi në pushtet. Janë të njohura edhe bashkëpunimet e perëndimit dhe NATO-s me grupe ekstremistësh të djathtë, me neofashistë dhe me klika të mafias pikërisht për të garantuar mbajtjen larg pushtetit të forcave që konsideroheshin “pro-sovjetike”, në periudhën e Luftës së Ftohtë, si psh. përmes operacionit “Glaudio” etj. Analistët tanë po përpiqen t’i bëjnë thirrje ndërkombëtarëve që të veprojnë me opozitën në Kosovë, njëjtë si në Luftën e Ftohtë. Ata gati sa s’luten, sa s’përgjërohen: “Amani o ndërkombëtarë, shpalleni ekstremiste këtë opozitë! Merrni shembull nga ne, që e kemi shpallur njëherazi islamiste e ateiste, komuniste e fashiste, etnonacionaliste e maoiste!”.

Mirëpo, a ka vërtet qasje ekstremiste opozita, a më saktësisht Lëvizja VETËVENDOSJE! e cila vendoset vazhdimisht në syrin e ciklonit prej klubit të analistëve të revoltuar? Nëse po, atëherë ta identifikojmë ku konsiston ky ekstremizëm, dhe pastaj ta shtypim.

Lëvizja VETËVENDOSJE! në aspektin ekonomik nuk synon ndonjë ndryshim sistemi, siç ishte komunizmi. Programi i saj për zhvillimin ekonomik (i cili është i vetmi program përmbajtësor e i detajuar prej partive në Kosovë), e afirmon ekonominë e tregut si sistem ekonomik në të cilën duhet kërkuar dhe duhet mbërritur zhvillimi. Tezat ekonomike të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë teza të mirëpranuara në qendrën e majtë evropiane. Kështu që ekstremizmi në aspektin e sistemit ekonomik (komunizëm, socializëm a maoizëm) nuk qëndron, po t’i referohesh programit, propozimeve, fjalimeve dhe veprimeve të këtij subjekti.

Në aspektin gjeopolitik dhe të aleancave të sigurisë, Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk synon ndryshimin e prirjes tradicionale tashmë për shqiptarët. Në fakt Lëvizja VETËVENDOSJE! e pohon haptazi se aleancat gjeopolitike të shqiptarëve nuk kanë zgjidhje tjetër, dhe nuk duhet të kërkojnë zgjidhje tjetër, përveçse marrëdhënies së ngushtë në aspektet e sigurisë dhe politikave gjeostrategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vende të rëndësishme të Bashkimit Evropian. Lëvizja VETËVENDOSJE! është për integrimin e Kosovës në NATO e në BE dhe kjo është e shkruar në programin e saj. Ndërkohë shumë parti parlamentare në Evropë janë kundër NATO-s dhe kundër BE-së, e megjithatë askush në vendet e tyre, madje as në skenën ndërkombëtare nuk i quan ato ekstremiste, as nuk i ndalon ato së ardhuri në pushtet. Kështu që, në këtë aspekt, VETËVENDOSJE! është tërësisht centriste, pro veriatlantizmit si paradigmë e sigurisë në gjeopolitikë.

Në aspektin fetar, Lëvizja VETËVENDOSJE! është për një shtet i cili i trajton fetë si të barabarta, nuk iu ndërhyn në aspektin brendafetar, por është arbitër përmbi to. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka marrë, dhe as ka për të marrë ndonjëherë pozita pro apo kundër feve dhe ruan marrëdhënie të mira me komunitetet fetare, ndërkohë që si një parti politike ka anëtarë të të gjitha komuniteteve të besimtarëve dhe jobesimtarëve. Kur Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur qëndrim që vajzat me shami të kenë mundësi të frekuentojnë arsimin publik, shumë shpejt ca analistë dolën e thanë se kjo Lëvizje është islamiste (edhe pse një qëndrim të tillë e kanë mbajtur shumë parti të qendrës së majtë nëpër Evropë). Por në një moment të dytë, kur i njëjti subjekt votoi ligjin për kufizimin e frekuencave të tingujve të lëshuara nga objektet fetare, analistë të tjerë të të njëjtit klub, nxituan ta quajnë Lëvizjen ateiste.  Megjithatë asnjëra prej këtyre etiketave nuk i qëndron Lëvizjes. Ajo është një subjekt politik laik, që operon të terrenin shekullar të organizimit shoqëror-politik, pa lejuar diskriminimin e feve dhe pa iu ndërhyrë atyre.

Në aspektin etnik, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka aktivistë nga minoritete të ndryshme në Kosovë (me përjashtim të komunitetit serb, pasi anëtarët e këtij komuniteti duke patur parasysh rrethanat e krijuara përmes orkestrimit nga Beogradi të strukturave paralele dhe të Listës “Srpska”, do të vendoseshin përballë një presioni shumë të fortë në komunitetet e tyre po të anëtarësoheshin në këtë subjekt). Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon zbatimin e të gjitha të drejtave të parashikuara nga konventat ndërkombëtare për minoritetet, ashtu si në shtetet e tjera, madje pse jo, edhe më mirë se në shtetet e tjera. Ajo që nuk pranon Lëvizja VETËVENDOSJE! është krijimi i kornizave për “superminoritete”, të cilat jo vetëm që fuqizojnë prezencën e Serbisë në Kosovë (si në Bosnjë), por nëse pranohen si logjikë dhe nëse fillojnë të kërkohen edhe prej minoriteteve të tjera në Ballkan e gjetiu, do të shkaktonin probleme të mëdha në stabilitetin e shteteve, madje edhe në vetë mirëqenien e komuniteteve. VETËVENDOSJE! nuk është kundër decentralizimit politik-ekonomik dhe vetëqeverisjes lokale, por është kundër marrëveshjeve të paradigmës putin-iane, që synojnë të përsërisin në Kosovë atë që është bërë në Ukrainë, Gjeorgji, Bosnjë, Moldavi etj.

Pra, një Lëvizje si VETËVENDOSJE!, a mund të quhet ekstremiste? Ajo kërkon një kornizë ekonomike të ngjashme me vende të tjera evropiane, kërkon të ruajë, madje të transformojë cilësisht të njëjtat aleanca gjeopolitike me perëndimin, kërkon një shtet shekullar e jodiskriminues, dhe nuk bën diskriminime etnike, përkundrazi, kërkon që minoritetet të trajtohen sipas konventave ndërkombëtare. E vetmja gjë që kërkon VETËVENDOSJE! është që Kosova të jetë një shtet si të tjerët. Jo me sovranitet absolut, por me sovranitetin relativ, si vendet e tjera.  Me sa duket, në sytë e Klubit të Analistëve të Revoltuar, të duash të jesh si vendet e tjera, të duash të ecësh në rrugën e vendeve të tjera, qenka ekstremizëm. Sipas tyre Kosova duhet të mbetet një vend kryeulur e dorështrirë, dhe në momentin e parë që dikush kërkon që Kosova të ngrihet në këmbë, e përshkruajnë si ekstremist.

Këta analistë duan që politika të zhvishet nga dimensioni sovranist, dhe të merret vetëm me tema të vogla. Unë personalisht iu dëshiroj suksese të pandalshme, kur ta krijojnë Partinë e Temave të Vogla. Por në vende si Bosnja e si Ukraina, ku politika e shkatërroi sovranitetin për hir të korrupsionit e ku opozita u kallëzua e verbër, duke u përqendruar te “temat e vogla”, sot është e pamundur që të zgjidhen edhe problemet më minimale. Sigurisht për këto shembuj e analogji nuk pres të kenë menduar anëtarët e Partisë së Temave të Vogla, pasi për ta asnjë krahasim nuk është i vlefshëm, historia duhet harruar, drejtësia nuk vlen si synim politik e kështu me radhë.

Por, në “tezën” e tyre ata e kanë megjithatë një arritje. Për herë të parë po e pranojnë njëzëri që Lëvizja VETËVENDOSJE! është e pastër prej hajnive e prej dëshirimit të pushtetit për hir të pushtetit, siç ndodh në partitë e tjera. E kjo pastërti në kushtet e sotme nuk vlen pak!

Në fund na mbetet vetëm një dilemë. A do të ketë anëtarësime të reja në klubin e analistëve të revoltuar në muajt në vazhdim, muaj në të cilët pritet që Kosova të hedhë një hap substancial drejt demokracisë dhe rrëzimit të klasës së korruptuar që ka drejtuar deri më tash?

2 komente te “Klubi i analistëve të revoltuar

  1. Pingback: Halil Matoshi përplaset ashpër me Arbër Zaimin e VV-së | VECLAJME.com

  2. Pingback: Halil Matoshi përplaset ashpër me Arbër Zaimin e VV-së - Koha Plus

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Tetor 1, 2015 nga te Politikë, Publicistikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: