rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Për një Qeveri Llokumash, për një të ardhme të ndritur

11728786_1444822862509984_1608211616645994764_oShkodran Hoti

Duke marrë parasysh se Kosova ka hyrë në një epokë të re me themelimin e Gjykatës Speciale, dhe duke ditur se Gjykata Speciale do ta pastrojë vendin nga kriminelët dhe zhvatësit e shtetit që për vite janë shtirur si politikanë, është tejet i domosdoshëm dhe i pashmangshëm ndërrimi i gjithë skenës politike dhe zëvëndësimi i tyre me fytyra të reja, kryesisht ekspertë, analistë e ojq-istë, që botërisht njihen si njerëz të pastër e të aftë për gjithçka.

Ndonëse dikush edhe mund të thotë se kjo elitë e re politke, e përbërë nga një soj i tillë njerëzish, nuk ka ndonjë meritë në fushat, si politika, shkenca, arti apo çdo farë profesioni, mos të harrojmë se ata kanë meritë për gjënë kryesore: ekspertiza e tyre qëndron në bërjen të pranueshme të gjithçkaje që bëhet me Kosovën. Le ta pyesim veten: A nuk është mjaft kjo për një vend ‘sui generis’?!

Ata mund të mos kenë bërë asgjë për Kosovën, por ata mund të bëjnë. Kjo është çështja.

Ndonëse një përgjegjësi e madhe kjo, kam marrë iniciativën të propozoj listën me emrat dhe funksionet politike që do të ushtrojnë këto figura të dashura si në nivelin kombëtar, ashtu edhe nga faktorët ndërkombëtar. Nuk duhet çuditur nga fakti se janë shtuar disa poste, e disa të tjera janë ndryshuar, ngase ishte e nevojshme përshtatja e postit për profilin e gjithsecilit.

Pa dyshim se kjo iniciativë deshi mund të madh, por gjithçka harrohet, kur e di që në këtë të tashme kaq të parëndësishme, e ke në duar të ardhmen e ndritur që vjen veç nga këta njerëz e me këta njerëz. Prandaj, vetëm ta gëzojmë presidenten e re, kryeministrin, ministrat etj., që do të duken si në vijim:

Presidente e Kosovës: Arbana Xharra

Tashmë jemi dëshmitarë se Kosovës i duhet një grua për presidente, e mundësisht një grua që ka besimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe zëvëndësim më të mirë për Atifete Jahjagën nuk ka sesa Arbana Xharra. Dikush mund të thotë se të paktën Atifetja kishte përgatitjen e duhur fizike, por kjo pak rëndësi ka.

Arbana ka fituar çmim në ShBA, ka bërë disa intervista me ambasadoren Jacobson dhe ka një simpati të veçantë për këtë supershtet. Arbana poashtu mban syze, gjë që e ngjason me presidentin e suksesshëm (gjithnjë legjendar), z.Ibrahim Rugova (që të gjithëve na mungon, sidomos në facebook).

Arbana është edhe gazetare, bile edhe kryeredaktore e një gazete, gjë e cila dëshmon se di shkrim e lexim. Poashtu, znj.Xharra është gruaja e Andin Lokajt. Si dhe, është nënë e dy djemve, të cilët i ka bërë synet këtë vit.

Mos të harrojmë se emri i Arbanës fillon me të njëjtën shkronjë sikurse i presidents aktuale. Kjo është përparësi, edhe në qoftë se vendoset që presidentja të mos nxirret nga zarfi, por të zgjidhet sipas rendit alfabetik. Nëse analizohet tutje emri Arbanës, dy shkronjat e para të emrit të saj formojnë fjalën ‘Ar’, që është tregues shtesë për vlerën që ka ajo.

Zv/president i vendit: Seremb Gjergji

Serembi për shumkënd mund të ishte i përshtatshëm për President, por vetë ai disa herë ka thënë se është i gatshëm të heq dorë nga kandidatura kur është në pyetje interesi i vendit. Dhe meqë është padiskutueshëm në interes të vendit që për Presidente ta kemi Xharrën, për shpirtgjerësinë e tij, e shpërblejmë zotin Gjergji me postin e zv/presidentit, duke tejkaluar kushtetutën, meqenëse tashmë kushtetutën e tejkalon cilido që zgjohet nervoz në mëngjes.

E dijmë dhe jemi të vetëdijshëm se Xharra me aftësitë e saja nuk ka nevojë as për këshilltarë, e lëre më për një zëvëndës, por shpikja e këtij posti bëhet që të mos hidhet poshtë gjithë ai pretendim i Gjergjit për t’u bërë President. Ai tashmë është personi me përvojën më të gjatë si kandidat për President të Kosovës.

Kryetar i Kuvendit: Leart Hoxha

Përvoja e gjatë dhe shkëlqimi pa rënie i tij në emisionin ‘Click’, në RTV21, e bën si personin më adekuat për të parin e Kuvendit, drejtuesin e Click-ut dhe gazetarin sportiv, Leart Hoxhën. Me përvojën e krijuar përballë Halil Matoshit, Dukagjin Goranit, Muharrem Nitajt e Driton Selmanajt, Hoxha s’do ta ketë aspak të vështirë të japë/ndalojë fjalën për Bekim Haxhiun, Ismet Beqirin, Sabri Hamitin e Latif Gashin. Dhe pasur parasysh se është gazetar i sportit, Hoxha e ka shumë të lehtë kumtimin e rezultateve nëpër votimet e kuvendit. Hoxha, ndonëse nuk është hoxhë dhe nuk fal namaz, ka mjekër, dhe kështu, bëhet kryeparlamentari i parë i vendit me mjekër.

Kryetar i Gjykatës Kushtetuese: Dastid Pallaska

Emri i tij fillon me ‘D’, siç fillon edhe fjala ‘drejtësi’. Me një emër të veçantë, një ‘look’ të lezetshëm, juristi që s’përton të jetë pjesmarrës në çdo emision televiziv, është personi që mund t’i jep frymë të re kësaj Gjykate. Poashtu, është rast i mirë që në krye të Kushtetueses ta kemi dikë që s’quhet ‘BABA’, por dikë që mund ta quajmë ‘DJALI’. Dastidi është i bindur se drejtësia do ta përfshijë gjithë këtë vend vetëm kur të ekzistojë ‘Kodi i Dastidit’, siç ekzistonte ‘Kodi i Hamurabit’ në Babiloninë e lashtë, me ç’rast permes tij do të ruhej dhe mirëmbahej hierarika e re e elitës së re politike.

Kryetar i KQZ-së: Dukagjin Gorani (Dugi)

Jemi dëshmitar të një angazhimi të gjatë të Dugit për themelimin e një partie politike, mund ky që nuk shkoi kot, sepse i tërë ky mund rezultoi që Dugi të njeh shumë mirë zjedhjet, partitë, ligjet për to, etj., gjëra që  bëjnë adekuatin për ta zëvëndësuar Valdete Dakën. Përveç njohurive të lartshënuara, Dugi njeh edhe Halil Matoshin, Muharrem Nitajn dhe Driton Selmanajn, si në emisionin ‘Click’, ashtu edhe në jetën e zakonshme. Dugi ka pamje të një suedezi, por kjo gjë nuk është as pengesë e as përparësi për të marrë përgjegjësinë si i pari i KQZ-së.

Veç këtyre pozicioneve kyçe, edhe ekzekutivi i vendit do të freskohet me figura të përndritura, por aty-këtu do të zërë vend edhe ndonjë figurë që e ka ‘ngjyer’ pak me pushtetet e mëparshme, por që prapë në sytë mirëvrojtues të parashikuesve shihen si persona ende të paharxhuar dhe të përdorshëm. Qeveria ka këtë pamje:

Kryeministër: Lumir Abdixhiku

Një djalë  i pashëm, neoliberal, i qetë, me frizurën më të mire sesa secili kryeministër i deritashëm. Është edhe drejtor ekzekutiv në Institutin Riinvest, ku ka qenë edhe kryeministri aktual, Isa Mustafa. Është përdorues i rregullt i facebook-ut, ku ‘like’-t nuk i mungojnë aspak. Ka treguar maturi në emisione televizive, ku fjalët e tij humbnin rëndësinë kundruall qëndrimit këmbë mbi këmbë të tij. I përjavshëm në Kohë Ditore, e i ditëpërditshëm e i orëpërorshëm në facebook e twitter. Ku ka më mirë se të kemi nje cool-kryeministër?!

Zv/kryeministër dhe zëdhënës i Qeverisë: Enver Robelli

Marrë parasysh  angazhimin  e tij sidomos për mënjanimin e kësaj klase politike, angazhim ky kryesisht virtual e konkretisht facebookor, bën që zëvëndësi i parë i Abdixhikut të jetë Robelli. Edhe rolin e zëdhënësit të Qeverisë e ka mundësinë ta ushtrojë mrekullueshëm, kur dihet se përveç përdorimit tërëditor të facebook-ut, propagandën mund ta shpërndajë edhe në portalin e tij personal dialogplus.ch. Ka lidhje të forta me Gjermaninë, me Merkelin, me Mark Zuckerbergun, mbase edhe me Mesut Ozilin, e që në këto kohë i duhet më së shumë se çdo gjë këtij vendi. Robelli mund të ushtrojë edhe funksione të tjera, varësisht prej kohës. Ai mund të ndihmojë Qevrinë, por edhe institucione të tjera me këshillimet e tij. Nuk është e çuditshme nëse vetë Robelli arrin që brenda mandatit të pare ta ndajë shapin nga shqeri.

Zv/zv/kryeministrit: Bekim Kupina

Gazetar. I pastër. Shok i Robellit. Me syze. I bën ‘like’ gjitha statuset e Robellit, dhe komenton sa herë ky i fundit ia kërkon. Pse të mos jetë zëvëndës i tij?! Vlen e njëjta gjë si për Seremb Gjergjin: Robelli ka aftësitë që të menagjojë gjitha punët vetë, por ky post shpiket vetëm të ruhet vëllazëria Robelliano-Kupinase, e cila është formuar dhe zhvilluar në një frymë evropiano-përëndimore.

Zv/kryeministër nga minoritetet: Petar Miletic

Përflitej se do të jetë pjesë e partisë së Dukagjin Goranit. Por, meqë Dugi tashmë do të drejtojë KQZ-në, e do ta ketë të pamundur themelimin e partisë, një profil i pastër si Miletic s’bën të mos rehabilitohet.

Ndërsa ministritë do të jenë të ndara si në vijim:

Ministër për Planifikim Hapësinor dhe Familjar: Blerand Stavileci

Edhe pse ka qenë me PDK-në, shihet si një figure e domosdoshme për një Qeveri të re. Marrë parasysh se ka bërë përvojë në Ministri të Bujqësisë dhe atë të Zhvillimit Ekonomik, pse të mos e provojë edhe atë të Planifikimit Hapësinor, kur e dijmë se deklaratat e tij kanë vënë në pah se ky djalosh ka aftësi edhe në çështjet e planifikimt familjar. Me Blerandin në këtë ministri, do të rritet përdorimi i kondomit dukshëm.

Ministër për Gjigavje: Berat Buzhala

Zor të gjesh një person që mohon se Buzhala është më ia  përshtatshëm për këtë ministri. Edhe pse ka qenë në PDK, tash është analist e gazetar prapë, dhe shumë i suksesshëm në aktivitetin e gjigavjes, si në gazetën e tij Express, si permes facebook-ut të tij, si kur del në TV dhe kudo tjetër. Përmes emisionit të tij gjigavës ‘Komiteti’, në televizioni poashtu gjigavës ‘RTK’, Berati na gjigav i ndihmuar edhe nga Shpend Limoni e Leonard Kërçuku, që i rekomandohen si këshilltarë.

Nëse sa ishte në partinë e Thaçit, ky i fundit ia ka tërheq vërejtjen që mos me ia ‘gjigavë’, Lumiri do t’ia lejojë aktivitetin e ‘gjigavjes’ pa asnjë problem, marrë parasysh edhe botëkuptimin e njëjtë ideologjik.

Ministër i Parashkimeve: Milaim Zeka

S’ka nevojë për shpjegime. Kudo pjesëmarrës. Çdo gjë e di. Gjithë jetën ka pasur synim 3 Pyha. I shtohet edhe një ‘P’ për Parashikimet, përveç Punës, Parasë dhe P**hit. Nuk është që edhe z.Zeka nuk do ta meritonte drejtimin e Ministrisë së Gjigavjes, por siç ka thënë edhe Behxhet Pacolli: dy atllarë nuk lidhen në një mullar.

Ministër për Sallonet e Ondulimit: Adriatik Kelmendi

I bukur. I bukur. I bukur. I bukur. I bukur. Shumë i bukur. Jashtëzakonisht i bukur. I lezeçëm

Ministër për Moral dhe Udhëtime  Jashtë Vendit: Imer Mushkolaj

Udhëtimet e fundit në secilin qytet dhe katund të Serbisë bëjnë që ky djalosh të jetë adekuat për Ministrinë e Udhëtimeve Jashtë Vendit. Partizan i përjetshëm i Moralit. Më i përshtatshmi për të riaktualizuar pyetjen filozofike të Mehmet Krajës ‘Ku ishe ti?’ në çdo kohë, edhe në kohën pa kohë të ‘Gjurmëve’. Të tilla pyetje ngreh edhe vetë, por të strukturuara më ndryshe, sikurse: A je ti Albin? A je ti Visar? A jam unë Imer?

Ministër për Kosovën dhe Kombin Kosovar: Halil Matoshi

Kjo është ministri e re që shihet e nevojshme, meqë shihet rreziku i shkrirjes së Kosovës brenda Republikës së Shqipërisë. Kush më mire se Matoshi e drejton këtë ministri?! Ndonëse jemi mësuar që vetëm Serbia të ketë Ministri për Kosovën, duke pretenduar ruajtjen e saj si krahinë të sajën, rreziku që vjen (sidomos tani) nga Shqipëria për shtetin tonë bebe, kërkon me urgjencë këtë Ministri. Kjo shihet më së miri në futboll, ku Shqipëria renditet e 22-ta në botë e ‘Skënderbeu’ i saj po bën kërdi nëpër Evropë veç futbollistëve që ia rrëmbeu shtetit tonë.

Paramendojeni një Kosovë nën Shqipëri, ku çmimet rriten vetëm për ata që flasin gegnisht?!

Matoshizmi si ideologji, por edhe vetë Halil Matoshi, si njeri dhe mbinjeri, i qëndrojnë gjitha kohërave. Ai ka një përvojë të gjatë edhe në të pasurit përvojë. Bile ai ka përvojë edhe si të ketë përvojë për të pasur përvojë.

Ministër për Integrime Evropiano-Amerikane dhe  thithje të donacioneve nga jashtë: Petrit Zogaj

Si shok dhe ish koleg i Dan Ilazit, ta integron Kosovën, ta kënaq. Kurdo dhe kudo. Edhe donacionet t’i thith, aq sa të çudit. Dhe pa dyshim çdo aktivitet i tij udhëhiqet nga kredo ‘Fol Hapur, Thith Mbyllur’.

Ministër për Vlerësimin e Figurave Kombëtare: Shkëlzen Gashi (jo futbollisti)

Lirisht mund të thuash se Azem Bejtën apo Azem Galicën, nuk e njohu as Shote Galica, ashtu siç e njeh Shkelzen Gashi. Nevoja për ndërrimin e librave të historisë e bën të domosdoshëm një ministri të tillë, e automatikisht Xenin në krye të saj. Xeni, si pjesëmarrës i gjitha luftërave virtuale me profile të ndryshme facebook-u, mund ta rishkruajë historinë edhe më mirë se çdo futbollist i kombëtares së Shqipërisë me ose pa të njëjtin emër.

Ministër për Patetizëm: Rron Gjinovci

Rroni futet në Qeveri sepse nuk ta fal dot po nuk qe në mesin e gjithë këtyre mendjendriturve. Si një komunist me kravatë, si një sovran djalë dhe taksapagues i rregullt, pasi e ka dëshmuar me statuset e tij në facebook por edhe sa herë flet, është tipi ideal (më ideal se tipi ideal i Weberit) për të drejtuar Ministrinë e Patetizmit. Viva la Patetizmi!!!
Ministër i Lopëve pa Brirë: (K)Adri Nulleari

Adri, apo (K)Adri apo edhe KA(d)RI, do ta drejtonte edhe Ministrinë e Lopëve me Brirë, por qeveria ‘Abdixhiku’ në mandatin e pare i ka prioritet lopët pa brirë apo siç i quan populli ‘shytat’.

Ministër për familjen Vllahiu dhe Jahjaga:  Arbër Vllahiu

Ministri e domosdoshme e shumë e rëndësishme kur merret parasysh rëndësia e këtyre familjeve dhe figurave që kanë nxjerrë këto familje. Arbëri që bëri edhe të pamundurën për zonjën  Jahjaga, do ta zgjerojë aktivitetin e saj edhe në përkujdesje për familjen e saj. Kuptohet se edhe familjen e tij. Sepse edhe për këtë qeveri vlen një moto, një qëndrim, por jo bashkim: FAMILJA, PRONA, SHTETI.

Ministre e Gazetës ‘Kosova Sot’: Margarita Kadriu 

Padrejtësia e bërë ndaj saj, duke mos iu dhënë asnjë post ministror nga PDK, do të kthehet në drejtësi. Kosova Sot do të shndërrohet në ministri, dhe atë e drejton vetë Margarita. Po që e rëndësishme, merr këshilltar të atin.

Ministër i Punëve të Kota: Fadil Lepaja

Sa rri kot, pse të mos e drejtojë edhe shoku Fadil një ministri? Kot për kot, le ta drejtojë Ministrinë e Punëve të Kota dhe le të marrë për pafundësisht këshilltarë, gjithandej vendit dhe jashtë vendit.

Ministër për Mbrojtjen e Funksionarëve të ish Jugosllavisë: Baton Haxhiu

Pa dyshim se si komunitet i lënë anash dhe i respektuar jo sa duhet për kontributin e dhënë në Federatën Jugosllave, janë komuniteti i funksionarëve dhe shërbyesve të Jugosllavisë. Baton Haxhiu, si një kompletnjeri, pa hezitim që më së miri e kryen këtë punë. Gazetari filozof, dhe njohës i procesit të njohjes, do të përkujdeset që udb-ashët të mos diskriminohen dhe që e kaluara e tyre të kujtohet si periudhë e lavdishme. Haxhiu do të shërbejë çfarëdo që kërkohet, siç ka shërbyer gjithnjë.

Shef i Shërbimit Informativ të Kosovës: Blerim Latifi

Siguria e shtetit është e domosdoshme, sidomos kur kemi të bëjmë me ndërrim elitash politike, dhe kjo siguri thuajse është e pamundur pa një shërbim sekret, të cilin veç e kemi edhe tani, por i duhet dhënë pak frymë filozofike. Për shkak të qënurit afër me ish drejtuesin e këtij shërbimi, Kadri Veselin, profesori i Filozofisë dhe këshilltari i Doktorit të Shkencave, Kadri Veslit, pra Blerim Latifi, merr drejtimin e ShIK-ut.Latifi në vitin e pare të mandatit do të dale edhe më librin filozofiku-informativ ‘Zhizheku, Badiouja dhe ShIK-u’.

Motër e Presidentes dhe Kordinatore me Izrael: Besiana Xharra

Aleatja e Izraelit, Besiana Xharra, do të jetë Kordinatore e Kosovës për përmirësimin e marrëdhënieve deri në shkëlqim me shtetin e Izraelit, pasi që kjo është e domosdoshme në se e duam dhe nëse duam të na dojë ShBA-ja. Pavarësisht detyrës, Besiana Xharra do të vazhdojë të jetë Motër e Arbanës, pra Presidentes.

Skena jonë politike ka kuptim veç kur të jetë e tillë.

2 komente te “Për një Qeveri Llokumash, për një të ardhme të ndritur

  1. Lavdi Zymberi
    20 Gusht, 2015

    Reblogged this on Lavdi Zymberi and commented:
    Ministri për Kosovën dhe Kombin Kosovar më i përshtatshmi 😛

  2. Vedat Xhymshiti
    20 Gusht, 2015

    Reblogged this on THE FRONTLINER and commented:
    Ndonëse dikush edhe mund të thotë se kjo elitë e re politke, e përbërë nga një soj i tillë njerëzish, nuk ka ndonjë meritë në fushat, si politika, shkenca, arti apo çdo farë profesioni, mos të harrojmë se ata kanë meritë për gjënë kryesore: ekspertiza e tyre qëndron në bërjen të pranueshme të gjithçkaje që bëhet me Kosovën. Le ta pyesim veten: A nuk është mjaft kjo për një vend ‘sui generis’?!

Lini një koment

Të dhëna

Ky zë është postuar më 8 Gusht, 2015 nga te Publicistikë, Satirë dhe etiketuar me , , , , .