rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Guximi i të pashpresëve

Shpërndarje e ndihmave ushqimore në Athinë

Shpërndarje e ndihmave ushqimore në Athinë

Slavoj Zizek

Filozofi italian Giorgio Agamben pati thënë në një intervistë se “të menduarit është guximi i të pashpresëve” – një vëzhgim që është sidomos i përshtatshëm për çastin tonë historik, kur edhe diagnoza më pesimiste si rregull përfundon me një farë shenje shpresëdhënëse që kallëzon se kah gjendet ndonjëri prej versioneve të dritës proverbiale në fund të tunelit. Guximi i vërtetë nuk është të imagjinosh ndonjë alternativë, por të pranosh rrjedhojat e faktit se nuk ka asnjë alternativë të dallueshme qartë: ëndërrimi për një alternativë është një shenjë burracakërie teorike, funksionon si fetish i cili na ndalon ta mendojmë gjer në fund qorrsokakun e predikamentit tonë. Shkurt, guximi i vërtetë është të pranosh se drita në fund të tunelit me shumë gjasa është feneri i një treni që po na afrohet përballë. Nuk ka shembull më të mirë për nevojën për një guxim të tillë se sa ai i Greqisë së sotme.

Kthesa 180 gradëshe e dyfishtë që ndodhi në korrik 2015 në krizën greke nuk mund të mos duket përveçse si një hap, jo thjesht prej tragjedisë në komedi por siç e ka vënë re edhe Stathis Kouvelakis në revistën Jacobin, prej tragjedisë së mbushur me kthesa komike drejtpërdrejt në një teatër të absurdit – a ka ndonjë mënyrë tjetër për të karakterizuar shndërrimin e jashtëzakonshëm të një ekstremi në të kundërtin e vet, aq sa të mund të habiste edhe filozofin më spekulativ hegelian? E lodhur prej negocimeve pa fund me burokratët e BE-së, gjatë të cilave poshtërimet ndiqnin njëra-tjetrën, SYRIZA thirri një referendum të dielën në datën 5 korrik, ku pyeti popullin grek se a e mbështesnin apo a e refuzonin propozimin e BE-së për masa të reja shtrënguese. Edhe pse vetë qeveria qartazi shpalli se mbështeste jo-në, rezultati doli surprizë: shumica dërrmuese prej më se 61% votoi jo ndaj shantazhit evropian. Filloi të qarkullonte thashethemi se rezultati – fitore për qeverinë – ishte surprizë e keqe për vetë Alexis Tsipras, i cili fshehurazi shpresonte që qeveria të humbte në referendum, e që kjo mposhtje ta lejonte që të shpëtonte fytyrën e vet kur të dorëzohej ndaj kërkesave të BE-së (“na duhet ta respektojmë zërin e votuesve”). Megjithatë, shi në mëngjesin e nesërm, Tsipras shpalli se Greqia ishte e gatshme të riniste negociatat, dhe ca ditë më vonë u morën vesh për një propozim të BE-së që ishte pak a shumë i njëjti me atë që refuzuan votuesit (në disa detaje madje edhe më i ashpër) – shkurt pra ai veproi sikur qeveria ta kishte humbur referendumin, e jo ta kishte fituar atë. Siç shkroi Kouvelakis:

“Po si është e mundur që një ‘jo’ dërrmuese ndaj politikave austeritare të memorandumit të interpretohet si një dritë e gjelbër për një memorandum të ri? … Ndjenja e absurdit nuk është thjesht një produkt i kësaj kthese të papritur. Ajo rrjedh në radhë të parë prej faktit se gjithë këto gjëra po ndodhin para syve tona a thua se s’pati ngjarë asgjë, a thua se referendumi ishte një lloj halucinacioni kolektiv që befasisht mbaroi, duke na lejuar të vijojmë lirisht çkado që ishim duke bërë para tij. Po meqë nuk jemi bërë të gjithë lotofagë, të paktën le të bëjmë një përmbledhje të shkurtër të atyre gjërave që kanë ndodhur në ditët e shkuara. …Prej mëngjesit të së hënës, madje ende pa u shuar tërësisht brohorimat e fitores nëpër sheshet publike të vendit, ia filloi teatri i absurdit. …

Publiku, ende i kapluar prej galdimit të së dielës, po sheh se si përfaqësuesi i 62% iu nënshtrua 38% menjëherë pas kësaj fitoreje kumbuese për demokracinë dhe për sovranitetin popullor. … Por referendumi ndodhi. Nuk ishte një halucinacion prej së cilit tashmë u shëruan të gjithë. Përkundrazi, halucinacion është përpjekja për ta degraduar referendumin në një ‘valvul për shfryrje të presionit’, para se të rimerret e tatëpjeta drejt një memorandumi të tretë”.

E në këtë drejtim shkuan gjërat. Në 10 korrik parlamenti grek i dha Alexis Tsipras-it autoritetin për të negociuar për një bailout të ri, me 250 vota kundër 32, por 17 deputetë të mazhorancës nuk e mbështetën planin, gjë që do të thotë se mori më shumë mbështetje prej partive të opozitës, se sa prej të vetëve. Ditë më vonë, Sekretariati Politik i SYRIZA-s i dominuar prej krahut të majtë të partisë konkludoi se propozimet e fundit nga BE janë “absurde” dhe “kapërcejnë kufijtë që mund të përballojë shoqëria greke” – ekstremizëm majtist?

Por vetë FMN-ja (për këtë rast një zë i kapitalizmit minimalisht racional) arriti saktësisht në të njëjtin përfundim: një studim i FMN-së i publikuar një ditë para vendimit për memorandumin e ri tregoi se Greqia ka nevojë për shumë më shumë lehtësim të borxhit se sa ç’kanë qenë në gjendje të mendojnë deri më tash qeveritë evropiane. Sipas FMN-së vendet evropiane do të duhej t’i jepnin Greqisë një grace period 30 vjeçare për pagimin e gjithë borxhit që ajo i ka atyre vendeve, përfshi aty edhe borxhet e reja, si dhe një shtrirje dramatike të maturimit…

S’është për t’u habitur që edhe vetë Tsipras publikisht pranoi dyshimet e veta sa i përket planit të bailout-it: “Ne nuk besojmë në masat që na u imponuan”, tha ai gjatë një interviste televizive, duke e bërë të qartë se mbështetjen planit ia dha vetëm si pasojë e dëshpërimit, për të shmangur një kolaps total ekonomik dhe financiar. Eurokratët i përdorin rrëfimet e tilla me një ligësi që të lë pa frymë: tani që qeveria greke i pranoi konditat e ashpra që i vunë, ata vënë në dyshim sinqeritetin dhe seriozitetin e përkushtimit të tyre. Si vallë mundet Tsipras të luftojë me të vërtetë për zbatimin e një programi tek i cili nuk beson? Si mundet qeveria greke të jetë me të vërtetë e përkushtuar ndaj marrëveshjes ndërkohë që kjo bie në kundërshtim me rezultatet e referendumit?

Sidoqoftë konstatime si puna e këtij të FMN-së demonstrojnë se problemi i vërtetë qëndron tjetërkund: a beson vërtet BE-ja në planin e vet për bailout? A beson me të vërtetë se masat e imponuara ashpërsisht do të mund të vënë në lëvizje rritjen ekonomike, pra të mundësojnë pagesën e borxhit? Apo mos vallë motivi përfundimtar për presionin brutal e dhunues mbi Greqinë nuk është tamam ekonomik (meqë është qartazi iracional në terma ekonomikë), por politiko-ideologjik – apo siç e ka shtruar Paul Krugman në New York Times, “dorëzimi thelbësor nuk i mjafton Gjermanisë, e cila dëshiron ndërrim regjimi dhe poshtërim total – si dhe është një faktor thelbësor që thjesht dëshiron ta nxjerrë jashtë Greqinë, dhe që do dëshironte më shumë të kishte një shtet të dështuar, që ta përdorte si kërcënim për të tjerët”. Duhet mbajtur vazhdimisht parasysh se ç’tmerr është SYRIZA për establishmentin evropian – një deputet konservator polak i parlamentit evropian madje bëri thirrje haptazi për ushtrinë greke që të bëjë një grusht shteti për të shpëtuar vendin.

Pse ky tmerr? Grekëve tani po u kërkohet të paguajnë shtrenjt, po jo për ndonjë perspektivë realiste për rritje. Çmimi që u kërkohet të paguajnë është për vazhdimin e fantazisë “shtyje e shtiru”. Atyre u kërkohet që të rrisin vuajtjet e veta në mënyrë që të mbahet në këmbë ëndrra e dikujt tjetër (e eurokratëve). Gilles Deleuze pati thënë dekada më parë: Si vous etez pris dans le reve de l’autre, vous etez foutus. (“në paçi ngecur në ëndrrën e tjetërkujt, e keni ngrënë”), dhe kjo është situata në të cilën e gjen veten tani Greqia. Grekëve nuk po u kërkohet të gëlltisin gjithë këto barna të hidhura për ndonjë plan realist të rimëkëmbjes ekonomike, por po u kërkohet të vazhdojnë të vuajnë në mënyrë që të tjerët të kenë mundësi të vazhdojnë ëndrrën e tyre të pashqetësuar.

Ajo që duhet të zgjohet nuk është Greqia, por Evropa. Gjithkush që nuk ka ngecur në këtë ëndërr e di se çfarë na pret nëse zbatohet plani i bailout-it: edhe 90 miliardë të tjerë do të hidhen në koshin grek duke e rritur borxhin grek deri në 400 miliardë (ndërkohë që shumca e këtyre eurove shumë shpejt do të kthehen mbrapsht në Evropën Perëndimore – sepse bailout-i në të vërtetë është bailout i bankave gjermane e franceze e jo i Greqisë), dhe si përfundim të njëjtën krizë mund ta parashikojmë që do të shpërthejë sërish brenda dy vitesh.

Por a është vërtet dështim një përfundim i tillë? Në një nivel të atypëratyshëm nëse e krahasojmë planin me rezultatin e tij aktual, sigurisht që po. Megjithatë në një nivel më të thellë, nuk mund të shmanget një pandehmë, nëse qëllimi i vërtetë i këtij plani ka qenë jo që t’i japë një shans Greqisë, por që ta shndërrojë këtë vend në një gjysmë-shtet ekonomikisht të kolonizuar, të mbërthyer në varfëri e varësi të përhershme, si kërcënim për të tjerët. Ndërsa në një nivel edhe më të thellë gjejmë sërish një dështim – jo të Greqisë, por kësaj radhe të vetë Evropës, të thelbit emancipues të trashëgimisë evropiane.

Jo-ja e referendumit pa dyshim që ishte një akt madhështor etiko-politik: përkundër një propagande armiqësore të mirë-koordinuar, e cila shpërndante gënjeshtra frikëndjellëse, pa e patur të qartë se ç’i priste më tej, kundër të gjitha parashikimeve pragmatiste dhe “realiste”, populli grek heroikisht e refuzoi presionin brutal të BE-së. Jo-ja greke ishte një gjest autentik lirie dhe autonomie, por pyetja e madhe është, sigurisht, se çka ndodh ditën tjetër, kur na duhet të kthehemi prej mohimit ekstatik në biznesin e ndyrë të së përditshmes – dhe këtu na lindi një tjetër unitet, uniteti mes forcave “pragmatike” (SYRIZA së bashku me partitë e mëdha opozitare) kundër së majtës së SYRIZA-s dhe Agimit të Artë. Por a do të thotë kjo se beteja e gjatë e SYRIZA-s ka qenë e kotë dhe se Jo-ja e referendumit s’ishte gjë tjetër veçse një gjest i zbrazët sentimental, i destinuar thjesht për ta bërë kapitullimin më të prekshëm?

Çka është vërtet katastrofike prej krizës greke është se që në momentin kur zgjidhja u shfaq si zgjidhje mes opsionit Grexit-it dhe opsionit të kapitullimit ndaj Brukselit, beteja tashmë qe e humbur. Të dyja termat e kësaj zgjidhjeje lundrojnë brenda vizionit mbizotërues eurokratik (kujtoni se edhe mbështetësit e rreptë të linjës gjermane anti-greke, si Wolfgang Schauble, edhe ata preferojnë Grexit-in!). Qeveria e SYRIZA-s nuk po luftonte thjesht për një zvogëlim pak më të madh të borxhit apo për më shumë para brenda të njëjtave koordinata, por për të zgjuar Evropën prej mpirjes së saj dogmatike.

Këtu qëndron madhështia autentike e SYRIZA-s: ndërkohë që fytyra e trazirave popullore në Greqi ishin protestat në sheshin e Sintagmës (Kushtetutës), SYRIZA u angazhua në një bëmë herkuliane për ta mundësuar kapërcimin prej sintagmës në paradigmë, në punën e gjatë e durimmadhe për ta përkthyer energjinë e rebelimit në masa konkrete që do të ndryshonin jetën e përditshme të njerëzve. Na duhet të jemi shumë precizë këtu: Jo-ja e referendumit grek nuk ishte një Jo ndaj “austeritetit” në kuptimin e sakrificave të nevojshme e të punëve të vështira, por një JO ndaj ëndrrës së BE-së për të vazhduar me business as usual.

Ish-ministri i financave i atij vendi, Yanis Varoufakis vazhdimisht sqaronte se: nuk nevojitet borxh tjetër, por një ndryshim i përgjithshëm në mënyrë që t’i jepet ekonomisë së Greqisë një shans për t’u ringritur. Hapi i parë në këtë drejtim do të duhej të ishte një rritje e transparencës demokratike të mekanizmave të pushtetit. Aparatet tona shtetërore të zgjedhura demokratikisht janë gjithnjë e më shumë të dubluara prej një rrjete të trashë “marrëveshjesh” dhe trupash të pazgjedhura të ekspertëve, të cilat ushtrojnë pushtetin e vërtetë ekonomik (dhe ushtarak). Kështu e raporton Varoufakis një moment të jashtëzakonshëm gjatë negociatave të tij me negociatorin e BE-së, Jeroen Djisselbloem:

“Qe një moment kur Presidenti i Eurogrupit vendosi të vepronte kundër nesh dhe efektivisht na përjashtoi dhe bëri me dije se Greqia esencialisht qe futur në rrugën për të dalë prej eurozonës. /…/ Ekziston një konventë sipas së cilës të gjitha shpalljet duhet të jenë unanime, dhe Presidenti nuk mundet të thërrasë një mbledhje të eurozonës dhe të përjashtojë një vend anëtar. Dhe ai tha ‘Oh, jam i sigurt se mundem ta bëj këtë’. Kështu që unë kërkova një opinion ligjor mbi këtë çështje. Kjo krijoi goxha pështjellim.

Takimi u ndërpre për rreth 5 – 10 minuta, sekretarët dhe zyrtarët po flisnin me njëri tjetrin me telefona dhe eventualisht një zyrtar, një farë eksperti ligjor m’u drejtua dhe tha këto fjalë: ‘Mirë pra, por Eurogrupi nuk ekziston ligjërisht, dhe nuk ekziston asnjë traktat mbi të cilin është themeluar ky grup’. Pra, ajo me të cilën përballemi është një grup jo-ekzistent i cili ka pushtetin më të madh për të përcaktuar jetët e evropianëve. Ky grup nuk i jep llogari kurrkujt, meqenëse nuk ekziston mbi baza ligjore; nuk mbahen procesverbale; dhe është konfidencial. Kështu që asnjë qytetar nuk e merr vesh kurrë se ç’thuhet në mbledhjet e grupit… Aty merren vendime thuajse për jetë apo vdekje e megjithatë asnjëri prej anëtarëve nuk ka detyrimin t’i japë llogari kurrkujt.”

Tingëllon familjare? Po, për të gjithë ata që e dinë se si funksionon pushteti në Kinë sot, ç’prej kur Deng Xiaoping-u vuri në zbatim një sistem të dyfishtë unik: aparati shtetëror dhe sistemi ligjor janë të dubluara nga institucionet e Partisë, të cilat janë faktikisht ilegale – ose siç e ka thënë në mënyrë lakonike He Weifang-u, një profesor i së drejtës në Pekin: “Si organizatë Partia qëndron jashtë dhe përmbi ligjin. Ajo duhet ta ketë një identitet ligjor, me fjalë të tjera një person të cilin mund ta padisësh, por nuk është e regjistruar fare si organizatë. Partia ekziston krejt jashtë sistemit ligjor.” (Richard McGregor, The Party, London: Allen Lane 2010, p.22) Kjo pra është sikur, thënë me fjalët e McGregor-it, dhuna shtet-themeluese të mbetej e pranishme, e trupëzuar në një organizatë me status të paqartë ligjor:

“Do të dukej e pamundur të fshihet një organizatë aq e madhe sa Partia Komuniste Kineze, por ajo përkujdeset shumë për rolin e saj të prapaskenës. Departamentet e mëdha partiake, që kontrollojnë personelin dhe median, mbajnë një profil publik qëllimisht të ulët. Komitetet partiake (të njohura si “grupthe drejtuese”) të cilat udhëheqin dhe diktojnë politikat ndaj ministrive, të cilat pastaj kanë për detyrë zbatimin e atyre politikave, punojnë jashtë syve të publikut. Përbërja e këtyre komiteteve, e në shumë raste edhe vetë ekzistenca e tyre, rrallë përmendet në median e kontrolluar ga shteti, pa le pastaj diskutimet se si ata arrijnë gjer tek vendimmarrja”.

S’është për t’u habitur pra që saktësisht e njëjta gjë që i ka ndodhur Varoufakis-it i ka ndodhur ca vite më parë një disidenti kinez, i cili paditi në gjykatë Partinë Komuniste Kineze për masakrën e Tienamien-it. Pas nja dy muajsh mori një përgjigje nga ministria e drejtësisë: nuk mund të procedonin me padinë e tij, pasi nuk ka asnjë organizatë të quajtur “Partia Komuniste Kineze” të regjistruar në Kinë.

Dhe është me rëndësi të vëmë në dukje se si ana tjetër e kësaj mos-transparence të pushtetit është humanitarizmi fals: pas mposhtjes së Greqisë sigurisht që ka kohë për çështje humanitare. Jean-Claude Juncker menjëherë doli në një intervistë dhe tha se ndihej krenar që më në fund u arrit marrëveshja e bailout-it, sepse kjo do ta lehtësonte atypëraty vuajtjen e popullit grek për të cilën ai shqetësohej shumë. Skenar klasik: pasi të mposhtin politikisht, fillon ndihma dhe shqetësimet humanitare… madje edhe t’i shtyjnë afatet e borxhit.

Ç’mund të bëhet në një situatë kaq të pashpresë? Sidomos e rëndësishme është t’i rezistohet tundimit për ta parë Grexit-in si një akt madhështor heroik të refuzimit të poshtërimeve të tjera dhe daljes jashtë – po ku? Në cilin rend të ri pozitiv do të shkelim? Opsioni Grexit shfaqet si “realja e pamundshme”, si diçka që do të çonte menjëherë në shpërbërje shoqërore. Krugman shkruan: “Tsipras me sa duket e la veten të bindej, ca kohë më parë, se dalja nga euro ishte tërësisht e pamundur. Duket sikur SYRIZA nuk ka bërë madje as ndonjë plan kontingjence për një monedhë paralele (unë shpresoj që kjo të dalë e pavërtetë). Dhe kjo e la Tsipras-in në një pozicion të pashpresë për të negociuar”.

Krugman-i tregon po ashtu se Grexit-i është edhe një “e pamundur reale” e cila mund të ndodhë me pasoja të paparashikueshme, dhe që, si e tillë, mund edhe të merret përsipër si risk. “Gjithë këto koka të mençura që thonë se Grexit-i është i pamundshëm, se do të çonte në implozion tërësor, nuk e dinë se për çfarë janë duke folur. Kur them kështu, nuk e kam fjalën se ata e kanë doemos gabim – gjë që në fakt e besoj, por e kam fjalën për faktin se kushdo që është i bindur e me besim të fortë për ndonjë gjë në këtë rast, thjesht po gënjen veten. Ajo që dua të them është se nuk ekziston askush që të ketë përvojë të mëparshme me raste si ky të cilin po vëzhgojmë tani”.

Ndërkohë që në parim kjo është e vërtetë, megjithatë ka shumë tregues për faktin se një Grexit i befasishëm do të sillte thellimin e katastrofës ekonomike dhe sociale. Strategjistët ekonomikë të SYRIZA-s janë shumë të vetëdijshëm mbi faktin se një gjest i tillë do të shkaktonte atypëraty një rënie të mëtejshme të standardit të jetesës, dhe do të sillte kërcënime për trazira popullore, madje edhe për ndonjë diktaturë ushtarake. Pra perspektiva e një akti të tillë heroik është një tundim të cilit i duhet rezistuar.

Pastaj, ka nga ata që bëjnë thirrje që SYRIZA të kthehet në rrënjët e saj: SYRIZA nuk duhet të bëhet thjesht një parti parlamentare qeverisëse si gjithë të tjerat, ndryshimi i vërtetë mund të vijë vetëm nga puna në bazë, nga vetë populli, nga vetworganizimi i tyre, jo nga aparatet shtetërore… që është një tjetër rast i krekosjes së zbrazët, meqenëse shmang problemin kryesor, si të përballet presioni ndërkombëtar sa i përket borxhit, apo më përgjithësisht, si të ushtrohet pushteti e si të mbahet shteti. Vetworganizimi në bazë nuk e zëvendëson dot shtetin, dhe pyetja shtrohet se si duhet të riorganizohet aparati shtetëror në mënyrë që të funksionojë ndryshe.

Megjithatë, nuk mjafton të thuhet se SYRIZA luftoi heroikisht, duke provuar gjithçka qe e mundshme – sepse lufta ende vazhdon, në fakt ajo sapo ka filluar. Në vend që të zhytemi në “kontradiktat” e politikës së SYRIZA-s (pas një Jo-je triumfuese ata pranuan pikërisht atë program që u refuzua nga populli), dhe në vend që të ngecim në fajësimet reciproke që synojnë të gjejnë fajtorin (a “tradhtoi” me oportunizëm shumica e SYRIZA-s, apo mos vallë ishte e Majta në SYRIZA e papërgjegjshme kur kërkonte Grexit), duhet të përqendrohemi tek ajo që po bën kundërshtari: “kontradiktat” brenda në SYRIZA janë një pasqyrë e “kontradiktave” të establishmentit të BE-së, i cili gradualisht po i rrënon vetë themelet e Evropës së bashkuar.

Në formën e “kontradiktave” të SYRIZA-s, establishmenti i BE-së thjesht po merr mesazhin e vet në formën e tij të vërtetë. Dhe kjo është ajo çka duhet të bëjë SYRIZA tani. Me një pragmatizëm të pamëshirshëm dhe me përllogaritje të ftohta duhet të shfrytëzojë edhe të çarat më të imëta në mburojën e kundërshtarit. Duhet t’i përdorë të gjithë ata që i rezistojnë politikës dominante në BE, prej konservatorëve britanikë e gjer te UKIP në Mbretërinë e Bashkuar. Duhet të flirtojë paturpësisht me Rusinë dhe Kinën, duhet të luajë me idenë që t’i japë një ishull Rusisë si bazë ushtarake në Mesdhe, thjesht sa për t’i frikësuar strategjistët e NATO-s. Për të parafrazuar Dostojevskin, tani që Zoti i BE-së vdiq, gjithçka është e lejuar.

Kur dëgjon qaravitjet se si administrata e BE-së i paska injoruar brutalisht lutjet e popullit grek dhe ka vazhduar me obsesionin e saj të verbër për të poshtëruar e për të disiplinuar grekët, që edhe vende evropianojugore si Italia apo Spanja nuk treguan asnjë solidaritet me Greqinë, reagimi ynë duhet të jetë: a ka arsye për t’u habitur me këtë? Çfarë prisnin kritikët? Që administrata e BE-së si me magji të kuptonte argumentimet e SYRIZA-s dhe të vepronte në përputhje me to? Administrata e BE-së po bën atë që ka bërë gjithmonë. Pastaj vijnë qortimet për faktin se Greqia po kërkon ndihmë në Rusi e Kinë – a thua se nuk po e shtyn vetë Evropa Greqinë në atë drejtim, me presionin e saj poshtërues.

Pastaj vjen pretendimi se fenomene si SYRIZA vërtetokan se si dikotomia tradicionale e majtë/e djathtë na qenka tejkaluar. SYRIZA në Greqi quhet ekstrem i majtë dhe Marine le Pen në Francë quhet ekstrem i djathtë, por këto dy parti na paskan faktikisht shumë të përbashkëta: ato të dyja luftojnë për sovranitet shtetëror përkundër korporatave shumëkombëshe. Pra është tërësisht logjike që edhe në Greqi SYRIZA ka bërë koalicion me një parti të vogël djathtiste pro-sovranitet. Në 22 prill 2015 François Hollande tha në televizion se sot Marine le Pen tingëllon si George Marchais (një lider komunist francez) në vitet 1970 – e njëjta mbrojtje patriotike e çështjes së popullit të thjeshtë francez që shfrytëzohet nga kapitali ndërkombëtar – dhe nuk është për t’u habitur që Marine le Pen mbështet SYRIZA-n… një pretendim i çuditshëm që s’na mëson asgjë më tepër se sa pohimi i vjetër liberal se si fashizmi është po ashtu një lloj socializmi. Por në momentin që fusim në ekuacion variablin e emigrantëve, i gjithë paralelizmi rrëzohet.

Problemi thelbësor është shumë më i thjeshtë. Historia e vazhdueshme e të majtës bashkëkohore është ajo e liderit të një partie që zgjidhet me entuziazëm universal duke premtuar “një botë të re” (Mandela, Lula) – por pastaj, herët apo vonë, përgjithësisht pas nja dy vjetësh, ballafaqohen me dilemën se a duhet të guxojnë të prekin mekanizmat e kapitalizmit, apo duhet të vendosin të “luajnë lojën”? Nëse dikush i shqetëson mekanizmat e kapitalit atëherë menjëherë “ndëshkohet” prej turbullimeve të tregut, kaosit ekonomik e gjithë të tjerave.

Heroizmi i SYRIZA-s ishte që, pasi fitoi betejën politike demokratike ata rrezikuan edhe një hap më tej për të shqetësuar rrjedhën e paturbulluar të Kapitalit. Mësimi që na jep kriza greke është se Kapitali, edhe pse në analizë të fundit thjesht një fiksion simbolik, është Realja jonë. Me këtë dua të them se protestat dhe revoltat e tashme mbështeten nga kombinime (mbivendosje) në nivele të ndryshme, dhe këto kombinime përbëjnë forcën e tyre: ato luftojnë për demokraci (“normale” parlamentare) përkundër regjimeve autoritare; kundër racizmit dhe seksizmit, sidomos kundër urrejtjes ndaj emigrantëve dhe refugjatëve; për shtet të mirëqenies përkundër neoliberalizmit; kundër korrupsionit në politikë dhe ekonomi (kompanive që ndotin mjedisin etj.); për forma të reja të demokracisë që dalin përtej ritualeve shumëpartiake (pjesëmarrëse etj.); dhe më së fundi, vënë në pyetje sistemin global kapitalist si të tillë dhe përpiqen të mbajnë gjallë idenë e një shoqërie jo-kapitaliste. Këtu ka dy gracka që duhen shmangur: radikalizmi i rremë (“çka është e rëndësishme është rrënimi i kapitalizmit liberal-parlamentar, gjithçka tjetër është e dorës së dytë”), si dhe gradualizmi i rremë (“tani për tani luftojmë kundër diktaturës ushtarake dhe për demokraci të thjeshtë, harrojini ëndrrat socialiste, ato vijnë ndoshta më vonë…).

Kur kemi të bëjmë me një betejë specifike pyetja më e rëndësishme që duhet shtruar është: si do t’i ndikojë angazhimi apo mosangazhimi në këtë betejë betejat e tjera? Rregulla e përgjithshme është se kur fillon një revoltë kundër një regjimi shtypës gjysmë-demokratik, siç ndodhi në Lindjen e Mesme në 2011, është e lehtë të mobilizosh turma të mëdha me slogane që nuk mund t’i karakterizosh ndryshe përveçse si kënaqës turmash – për demokraci, kundër korrupsionit etj. Por më pas, gradualisht ballafaqohesh me zgjidhje më të vështira: kur revolta e arrin synimin e saj të drejtpërdrejtë arrijmë të kuptojmë se ajo që realisht na shqetësonte (mos-liria, poshtërimi, korruptimi shoqëror, mungesa e perspektivës për një jetë më të mirë) vazhdon, por në një formë të re. Në Egjipt protestuesit ia dolën ta heqin qafe regjimin shtypës të Mubarak-ut, por korrupsioni vazhdoi dhe pritshmëritë për një jetë më të mirë vetëm sa u larguan edhe më. Pas rrëzimit të një regjimi autoritar mund të bien edhe format e mbrame të kujdesit patriarkal për të varfrit, e po të ndodhë kjo liria e sapofituar në fakt reduktohet thjesht në një liri për të zgjedhur formën e preferuar të mjerimit – shumica jo vetëm që mbetet e varfër, por, si për t’i shtuar fyerje lëndimit, i thuhet se meqë tani jemi të lirë, varfëria është përgjegjësi e tyre. Gjendur një predikament të tillë duhet pranuar se ka patur një cen qysh në synimin fillestar të revoltës, ky synim nuk ishte mjaftueshëm specifik – se psh. demokracia standarde politike mund të shërbejë edhe si vetë forma e mos-lirisë: liria politike mundet tepër lehtësisht të bëhet kornizë për skllavëri ekonomike, ndërkohë që të paprivilegjuarit “lirisht” shesin veten në robëri. Pra kjo na bën që të kërkojmë më shumë se thjesht demokraci politike – por edhe demokratizim të jetës shoqërore dhe ekonomike. Shkurt, na duhet të pranojmë se ajo që fillimisht na u duk si dështim për të plotësuar tërësisht një parim fisnik (të lirisë demokratike), në fakt është një dështim i brendshëm i vetë këtij parimi – të mësosh të lëvizësh prej shtrembërimit të një nocioni, prej realizimit të tij të paplotë, deri tek shtrembërimi imanent i vetë nocionit, ky është hapi i madh i pedagogjisë politike.

Ideologjia sunduese mobilizon gjithë arsenalin e saj për të mos na lejuar që të arrijmë në këtë konkluzion radikal. Ata ia nisin duke thënë se liria demokratike sjell me vete përgjegjësitë e saj, se ajo gjithnjë e ka një çmim, se jemi të papjekur nëse presim më shumë prej demokracisë. Kësisoj ata na e hedhin neve fajin për dështimin e tyre: në një shoqëri të lirë, kështu na thonë, jemi të gjithë kapitalistë që investojmë në jetët tona, dhe nëse duam t’ia dalim mbanë duhet të vendosim të investojmë më shumë në edukim se sa në qejf, etj. Në një nivel më drejtpërdrejt politik, politika e jashtme e SHBA-ve ka elaboruar një strategji të detajuar mbi atë se si të ushtrohet kontrolli i dëmit duke i ri-kanalizuar kryengritjet popullore e duke i shndërruar ato në lëvizje të pranueshme me kërkesa parlamentare-kapitaliste – siç u mbërrit të veprohej me sukses në Afrikën e Jugut pas rënies së regjimit të apartheidit, në Filipine pas rënies së Marcos-it, në Indonezi pas rënies së Suharto-s, etj. Bash në këtë nyjëtim politika radikale emancipuese ballafaqohet me sfidën e saj më të madhe: si t’i shtyjë gjërat më tej edhe pasi të kalohet faza e parë e entuziazmit, si ta bëjë një hap më tej pa u dorëzuar përballë tundimit të katastrofës “totalitare” – shkurt, si të shkohet edhe më tej prej Mandela-s pa u bërë Mugabe.

Në këtë pikë bëhet i domosdoshëm guximi i të pashpresëve.

20. 07. 2015

Përktheu Arbër Zaimi

Një koment te “Guximi i të pashpresëve

  1. arianpapathimiu
    Gusht 2, 2015

    Reblogged this on arianpapathimiu.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: