rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Fundi i Evropës

 

Kriza në Greqi është pjesë e një disintegrimi të gjerë të projektit evropian

Cédric Durand*

Prej një perspektive evropiane rrënimi financiar i 2008 ishte prolog i një krize totale në gjithë kontinentin. Rënia financiare e gatuar në SHBA nisi një zinxhir të ndërlikuar ngjarjesh të paparashikuara gjithandej në kontinentin e vjetër, duke prekur gjithë sferat e jetës sociale dhe duke rezultuar në një peizazh rrënjësisht të ri, të infektuar prej krizës ekonomike dhe politike.

Siç thotë Ada Colau, kryebashkiakja e re e Barcelonës dhe kryesuesja e një koalicioni të frymëzuar prej indignados-ve: “Askush nuk do të dalë i pandryshuar prej kësaj krize. Çka shfaqet para nesh është një horizont feudal, me një rritje të madhe në pabarazi, me një përqendrim të paprecedent të pasurisë, me forma të reja pasigurish për shumicën e qytetarëve. Ose, një revolucion demokratik, në të cilin mijëra njerëz do të përkushtoheshin për ta ndryshuar fundin e filmit”.

Me shumë gjasa thuajse kemi mbërritur në këtë kryqëzim historik. Fitorja dërrmuese e Jo-së në referendumin e 5 korrikut në Greqi rrëfeu se klasat popullore duan t’i ndalin dekadat e integrimit evropian neoliberal. Kjo rihapje e asaj që Auguste Blanqui e quante “kapitulli i bifurkacioneve” po ndodh në mes të lëvizjeve tektonike që po trondisin një kontinent të rënë në një spirale mllefesh dhe pendimesh të papara që prej mesit të shekullit të shkuar.

Pesëmbëdhjetë vite më parë nisja e suksesshme e një monedhe të përbashkët ndezi një valë evroforie nëpër kontinent. Strategjia e Lisbonës e vitit 2000 premtonte se do ta bënte Bashkimin Evropian vendin “më konkurrues e dinamik dhe ekonominë më ‘knowledge-based’ në botë, të aftë për rritje ekonomike të qëndrueshme, me më shumë vende pune më të mira, e me kohezion shoqëror më të lartë”. Entuziastët e portretizuan bashkimin si “një dromcë drite në një botë të pështjelluar”. Marcel Gauchet dhe Jürgen Habermas argumentonin se si formula e re evropiane – në terma të qeverisjes demokratike dhe të shtetit të mirëqenies – ishte e destinuar t’u shërbente si “model kombeve të botës”.

Pritshmëritë e ditëve evropianiste nuk u materializuan kurrë. Përkundrazi: në retrospektivë e gjithë sekuenca e ngjarjeve ngjan si një histori e pandërprerë dështimesh. Rajoni mbeti pas pothuaj secilit rajon tjetër sa i përket rritjes ekonomike para dhe pas krizës, dhe kthesa kah austeriteti në 2010 prodhoi një shkatërrim gjigand ekonomik. PPB-ja nuk është rritur ende gjer në nivelin e para-krizës, duke e bërë këtë krizë ekonomike një nga më të këqijat në historinë e vonë – e tejkaluar vetëm nga restaurimi katastrofik i kapitalizmit në Rusinë e viteve ’90.

Një rrëfim i drejtpërdrejtë i parëndësisë së menaxhimit ekonomik gjatë kësaj periudhe është pohimi i esëllt i OECD-së i cili shfaqet tek grafiku i mëposhtëm, që tregon se vazhdimësia e pritur e rritjes fillestare, vazhdimisht është vonuar.

Projektimet e OECD-së për rritjen e PPB-së së eurozonës në vitet e fundit.

Projektimet e OECD-së për rritjen e PPB-së së eurozonës në vitet e fundit.

Papunësia në vitin e shkuar kapi majat, me më shumë se 44 milion njerëz të papunë apo të nënpunësuar brenda Bashkimit. Kjo nuk është veç një dramë e dhimbshme personale për punëtorët dhe për familjet e tyre, por edhe një ilustrim spektakular i irracionalitetit shoqëror që ka prodhuar një mbeturinë gjigande ekonomike, sidomos po të kemi parasysh që punëtorët evropianë janë ndër më prodhuesit në botë.

Miti i konvergjencës ndër-evropiane po ashtu na është shpërfaqur. Në pesë vitet e shkuara dukja e konvergjencës mes kombeve ka avulluar, duke rikthyer në fuqi si një lloj hakmarrje hierarkinë ekonomike mes bërthamës evropiane gjermane dhe periferive. E kështu ndërkohë që Italia tash ka mbetur shumë pas niveleve para-euro sa i përket PPB për frymë, vende të tjera si Greqia, Spanja e Portugalia kanë rënë në dëshpërim të plotë shoqëror, me segmente gjithnjë e më të gjera të popullatës që nuk ia dalin t’i përmbushin nevojat e tyre themelore.

Ironia tragjike është se tërë kjo vuajtje shkon kot. Raporti i borxhit me PPB-në vetëm është rritur, pavarësisht marrjes së masave të ashpra austeritare, gjë që i ka kyçur vendet e periferive dhe klasat e tyre punëtore në një qerthull të pafund ku borxhi i bën argatë e robër të tregjeve financiare e kreditorëve sovranë. Në të njëjtën kohë zhbalancimet e tregtisë së brendshme brenda eurozonës vazhdojnë, dhe koordinimi strikt i recetave neoliberale në nivel BE-je nuk ofron mekanizëm për t’u marrë me nënshtratin e problemeve strukturore të zhvillimit të pabarabartë.

Stuhitë kontradiktore të depresionit ekonomik e kanë shndërruar qeverisjen evropiane në një makineri të luftës së klasave. Hopi i madh përpara i integrimit në vitet e fundit ka rezultuar në një kontroll gjithnjë e më të vogël të politikave ekonomike prej parlamenteve kombëtare.

Standardet e dyfishta, mbikëqyrja burokratike nga ana e komisionit dhe e qeverive qendrore, instalimi i trupave të pavarura teknokratike që kontrollojnë politikat fiskale si dhe zgjerimi i kompetencave të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) i ka zvogëluar opsionet e qeverive kombëtare sa i përket fushës së politikave ekonomike deri në pikën e shabllonit të njëjtë për gjithçka, ndërtuar mbi parimet e vjetëruara të Konsensusit të Uashingtonit të viteve ’90: konsolidim, privatizim, liberalizim.

Paketat famëkëqija të austeritetit dhe reformat e tregut të punës kanë hasur mobilizime të mëdha popullore në vendet jugore, të një magnitude të paparë në dekadat e fundit, me shumë greva të përgjithshme dhe me faza thuajse kryengritëse në Spanjë e Greqi. Kur qëndresa e qeverive kombëtare u dobësua qendra evropiane nisi të zbatojë haptazi autoritarizmin: grushte burokratike rrëzuan disa kryeministra, ndërkohë që BQE-ja, e udhëhequr prej ish zv.presidentit të Goldman Sachs, Mario Draghit, shprehimisht shantazhonte liderët hezitues.

Në asnjë rast tjetër ky ballafaqim nuk është shfaqur kaq haptazi sa në Greqi. Në një deklarim në mes të qershorit kryeekonomisti i FMN-së, Olivier Blanchard shkroi pa u fshehur: “Qytetarët grekë, përmes një procesi demokratik, kanë treguar se ka patur disa reforma që ata nuk i duan. Ne besojmë se këto reforma janë të nevojshme”. Duke i kundërvënë shprehimisht zgjedhjet demokratike me kërkesat burokratike neoliberale Blanchardi thjesht po përsëriste mantrën e liderëve evropianë, pra që nuk ka alternativë ndaj statusquo-së.

Diskutimet me Greqinë janë pra një proces thjesht formal, synimi i të cilit është që të mposhtë forcat e majta në Greqi, duke varrosur çdo pritshmëri për ndryshim domethënës politik anembanë kontinentit. Ky është i vetmi shpjegim për mungesën e fleksibilitetit nga ana e kreditorëve, edhe pse Cipras i tejkaloi gjithë vijat e kuqe të SYRIZA-s sa i përket reformave pensionale, politikave të taksave, privatizimeve dhe liberalizimeve të tregjeve. Ky qëndrim ndëshkues u bë tërësisht i qartë nga mbarimi i qershorit, kur BQE-ja qëllimisht nxiti një panik bankar, duke folur për “një krizë të pakontrollueshme”, dhe në mënyrë të papritur kufizoi huatë e emergjencës ndaj sektorit bankar grek, gjë që shpuri në ndërprerje bankare e në kontroll të kapitalit.

Gjithsesi, mungesa e fleksibilitetit ndaj qeverisë greke nuk është shkaktuar vetëm si pasojë e vullnetit të paskrupullt politik neoliberal. Ajo reflekton një problem shumë më të thellë të Evropës, që ka të bëjë me faktin se kjo anije politike është e pamanovrueshme.

Një pjesë thelbësore e problemit është përmasa dhe ndërlikimi ligjor i BE-së. Thënë thjesht, qeverisja e BE-së është një shtresëzim i dhimbshëm i kopromiseve të arritura me shumë vështirësi, gjersa këto bëhen rregulla që janë thuajse të pamundura për t’u zbatuar. Aftësitë vendimmarrëse të politikës evropiane janë shumë të ngushta dhe janë të lidhura me balancat e mëparshme politike të forcave, gjë që e bën çdo ndryshim rrënjësor thuajse të pamundur edhe për t’u shpënë nëpër mend.

Për më tepër, burokracia evropiane është shumë e vogël, me thuajse tridhjet mijë shërbyes publikë dhe me një buxhet më të vogël se 1% të PPB-së së BE-së. E vetmja forcë politike e kësaj burokracie qëndron tek grumbullimi i procedurave dhe i standardeve të dyfishta që elita evropiane dëshiron t’i ruajë, edhe pse kjo ka rezultuar në një menaxhim sistematikisht kaotik të krizës në vitet e fundit.

Në një nivel më të thellë, mungesa e manovrueshmërisë në BE është një rrjedhojë paradoksale e fitoreve dërrmuese të kapitalit transnacional dhe financiar gjatë dekadave të fundit. Këto fitore kanë sjellë si pasojë ndërtimin e institucioneve thuajse shtetërore të BE-së, fokusi i të cilave është kryesisht ruajtja e interesave thelbësorë të kapitalit, – konkurrencës, tregut dhe parasë – ndërkohë që puna dhe çështjet sociale u reduktuan në variabla rregullues sa i përket skenës politike evropiane.

Si pasojë protoshteti evropian mund të jetë i fortë kur promovon interesin e atypëratyshëm të ndonjë blloku të pushtetit kryesisht financiar, por i mungon pjesa konsensuale e hegjemonisë, e cila është e domosdoshme për të mbajtur bashkë shoqëri e shtresa sociale të ndryshme gjatë kohëve të vështira.

Kombinimi i dështimeve ekonomike dhe shoqërore dhe kufizimi i manovrueshmërisë politike ka sjellë si rezultat zvogëlimin e joshjes prej projektit evropian, dhe riaktivizimin e forcave qendërikëse tejendanë kontinentit.

Evropa është një prej peizazheve më të sofistikuar të politikës në botë, dhe përzierja e saj idiosinkratike e trashëgimive të forta e kontradiktore të traditave liberale, fashiste dhe komuniste me qeverisje shtetare të niveleve të ndryshme dhe me legjitimitete demokratike, me lëvizje sociale energjike dhe me lidhje gjeopolitike kundërthënëse mbërrin të prodhojë një vlim të ri.

Në këtë kontekst, pavarësisht asaj që mund të ndodhë më pas, trazira politike në Greqi tashmë është një gur kilometrik në historinë e kontinentit. Vendi që në fillim të viteve ’80 simbolizonte aftësinë e Evropës për t’i ofruar një ankorim solid tek demokracia liberale dhe tek stabiliteti socioekonomik një regjimi post-autoritar, tashmë po bëhet simbol i dështimit dhe i shpërbashkimit.

Përpjekja e SYRIZA-s për t’i ikur kafazit neoliberal është ballafaquar me asgjë më pak se sabotazhi dhe vituperacioni prej qeverive të tjera dhe prej institucioneve evropiane, duke mos i lënë asnjë alternativë përpos kapitullimit apo daljes, e asgjëra prej të dyjave nuk është pozitive, kur jemi duke folur për joshjen e projektit të BE-së.

Forcat centrifugale po rriten edhe si pasojë e zbehjes së joshjes së Brukselit. Britania po kërkon një zhbërje thelbësore të integrimit duke kërcënuar se do të dalë, e duke riforcuar joshjen ndaj SHBA-ve. Nga ana lindore zhgënjimi përfundimtar sa i përket integrimit evropian po lë një fushë të hapur për forcat nacionaliste (edhe pse me ndjenja kontradiktore sa i përket Rusisë që e ka rigjetur fuqinë e saj imponuese). Edhe brenda bërthamës historike të Evropës po rritet një ndjenjë dëshpërimi.

Kjo mundëson rritjen e partive të ekstremit të djathtë, siç është Fronti Nacional në Francë, por edhe diskursin racist në masmedia – siç është dhe rasti i thirrjes së fundit nga Berthold Seewald për të përjashtuar etnikisht grekët nga BE-ja, thirrje që u publikua nga gazeta kryesore konservatore gjermane Die Welt.

Duke sjellë ndër mend kontekstin e luftës greke për pavarësi në vitet 1820 ai shkroi se asokohe “ideja se grekët modernë janë pasardhës të Perikliut dhe të Sokratit dhe jo një përzierje sllavësh, bizantinësh dhe shqiptarësh u ngrit si një besim i përbashkët në Evropë… Kjo është arsyeja se pse i lamë grekët të futeshin në anijen evropiane në 1980. Por pasojat po i shohin të gjithë përditë…”.

Në ndërkohë shenjat e shkurajimit prej liderëve që i përkasin qendrës janë të shpeshta. E thjeshtëzuar në llogari të ndërlikuar dhe e zhveshur prej çdo frymëzimi politik, Evropa po prodhon veç mllef dhe pendim.

Mungesa e solidaritetit doli sërish në sipërfaqje kur kryetarët e qeverive diskutuan krizën e mërgimtarëve. Ndërkohë që mijëra mërgimtarë po vdesin në Mesdhe, përgjigjja e liderëve evropianë ka qenë siç duket e fokusuar tek sulmet ushtarake, dhe kur u diskutua ndarja e azilkërkuesve mes vendeve, egoizmi u bë i dukshëm – gjë që e detyroi Matteo Renzin, yllin në rënie të qendrës së majtë evropiane që të thotë “nëse kjo është ideja juaj e Evropës, atëherë mbajeni për vete.”.

Sondazhet e fundit në Spanjë dhe në MB vërtetojnë se zhgënjimi me Evropën po përkthehet në zvogëlim të votave për “ekstremin e qendrës” në fushën e politikës kombëtare. Qendra e majtë dhe qendra e djathtë, pavarësisht faktit nëse konvergjenca e tyre ideologjike prodhon ose jo aleanca brenda-shtetërore, tashmë është e lidhur ngushtë në një koalicion në shkallë evropiane.

Në këtë proces çmimin më të lartë po e paguajnë partitë e ashtuquajtura social-demokratike; meqenëse pozicionet e tyre sa i përket çështjeve ekonomike u rrëzuan përballë dogmës neoliberale. Ato e braktisën votuesin e tyre, duke mos i lënë më asnjë arsye për të votuar për to, gjë që ka çuar ose në rritje të përqindjes së mosvotuesve, ose në shfaqjen e llojeve të reja të lëvizjeve politike.

Në të majtë, dalja e lëvizjeve të reja politike në vende të ndryshme ka të bëjë si me faktorë strukturorë siç janë intensifikimi i austeritetit, por edhe me çështje më kontingjente që kanë të bëjnë me organizimin e fushës politike. Por pavarësisht fatit të tyre politik afatshkurtër, asnjërës prej tyre nuk po i lejohet të shkaktojë më vonesa në diskutimet për pikat kyç strategjike.

Dy vjet para se të bëhej ministër i financave në Greqi, në shkrimin e tij “Rrëfime të një marksisti të padisiplinuar” Yanis Varoufakis mbështeste misionin e shpëtimit të kapitalizmit evropian prej vetvetes. Por beteja e zhvilluar në Greqi ka treguar se kjo gjë mund të jetë edhe më sfiduese se ç’e kishte parashikuar Varoufakis.

Dinamikat e kombinuara dhe të pabarabarta zhvillimore në periferitë evropiane tregojnë se ekziston nevoja që e majta të lëvizë prej pozicionit mbrojtës të luftës kundër austeritetit, drejt një pozicioni pozitiv të alternativave sistemike. Eksperimenti grek e vërteton se në këtë rrugë nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveçse t’i japësh fund institucioneve evropiane neoliberale, dhe të rifitosh sovranitetin demokratik mbi monedhat vendore.

Kjo është një sfidë tepër e vështirë sidoqoftë, duke konsideruar se shumica e popujve nuk dëshirojnë që të marrin përsipër kostot transnacionale të shpërbërjes, edhe nëse janë të bindur për benefitet afatgjata që rrjedhin prej kësaj thyerje. Formulimi i propozimeve politike që i garanton popujve një rrjet sigurie gjatë këtij tranzicioni ka për të qenë kyç në lehtësimin e fitoreve të reja elektorale, duke filluar që prej zgjedhjeve spanjolle në vjeshtën e këtij viti. Atje Podemos dhe lëvizja e tyre sociale kanë një mundësi reale për të fituar.

Siç u dëshmua në eksperimentin grek, elita evropiane nuk mund të pritet të jetë ndryshe, pos e pamëshirshme. Siç më tha një anëtar i kryesisë së Podemos së fundmi, “më mirë me qenë të përgatitur”.

* Cedric Durand është profesor në Universitetin Paris 13

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Korrik 16, 2015 nga te Ekonomi, Përkthim, Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: