rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Njëmbëdhjetë shënime të frymëzuara prej situatës greke

 

??

??

Alain Badiou

  1. “Jo”-ja masive e popullit grek nuk nënkupton një mohim të Evropës. Nënkupton një mohim të Evropës së bankierëve, të borxhit të pambarimtë dhe të kapitalit të globalizuar.
  2. Një pjesë e opinionit nacionalist, sidomos e djathta ekstreme ka votuar po ashtu “jo” ndaj kërkesave të institucioneve financiare? Ndaj diktatit të qeverisjeve reaksionare evropiane? Epo mirë, ne e dimë se secila votë tërësisht negative është pjesërisht konfuze. E djathta ekstreme, sot si çdo herë, mund të mohojë ca gjëra që i mohon edhe e majta ekstreme. Dallimi bëhet vetëm kur pohohet ajo që dëshirojnë. Gjithkush e di se ajo që dëshiron SYRIZA është e kundërta e asaj që duan nacionalistët dhe fashistët. Vota pra nuk është një votë e errët kundër kërkesave antipopullore të kapitalizmit të globalizuar dhe të shërbëtorëve të tij evropianë. Është po ashtu një votë që, për momentin, i jep mbështetje qeverisë Cipras.
  3. Që kjo po ndodh në Greqi dhe jo, siç do duhej të ishte normale, kudo në Evropë, është tregues që “e majta” evropiane është në gjendje kome prej shumë kohësh. François Hollande? Socialdemokracia gjermane? PSOE-ja spanjolle? PASOK-u grek? Laburistët anglezë? Të gjitha këto parti tanimë në mënyrë të hapur janë thjesht administratorë të kapitalizmit të globalizuar. Nuk ka, nuk ekziston më, “e majta” evropiane. Ka një shpresë të vogël, ende jo shumë të qartë, tek formacionet politike që janë krejt të reja, të lidhura me lëvizjet e masave kundër borxhit dhe kundër austeritetit, siç janë Podemos në Spanjë dhe SYRIZA në Greqi. Të parët, me ç’duket, nuk e pranojnë dallin mes “së majtës” e “së djathtës”. E pra, dhe unë nuk e pranoj këtë dallim. Ky i përkët botës së vjetër të politikës parlamentare, e cila duhet shkatërruar.
  4. Fitorja taktike e qeverisë Cipras është një inkurajim për gjithë propozimet e reja në fushën e politikës. Sistemi parlamentar dhe partitë e tija të qeverisjes janë në një krizë endemike prej dekadash, prej viteve ’80. Fakti që SYRIZA ka sjellë në Greqi ca suksese, qofshin dhe të përkohshme, ka të bëjë në Evropë me atë që unë e kam quajtur “rizgjimi i Historisë”. Kjo nuk mundet veçse ta ndihmojë Podemos-in dhe gjithçka që do të pasojë aty apo gjetiu, mbi gërmadhat e demokracisë parlamentare klasike.
  5. Pavarësisht kësaj situata në Greqi mbetet, sipas meje, tepër e vështirë, tepër e brishtë. Pikërisht tani vijnë vështirësitë e vërteta. Nga këndvështrimi i suksesit taktik të referendumit, i cili i vendos në pozitën e të akuzuarit historik, mundet që Merkel, Hollande dhe të tjerët që mbështesin pushtetin e kapitalit evropian, të modifikojnë kërkesat e tyre. Por duhet vepruar pa i marrë shumë parasysh. Pika kyç tash është të dihet nëse vota për “jo”në do të mund të pasohej nga një lëvizje e fuqushme popullore e cila mbështet dhe/ose ushtron presion të gjallë mbi vetë qeverinë.
  6. Në këtë pikë, si ta gjykojmë sot qeverinë Cipras? Ajo ka vendosur që prej pesë muajsh që të fillojë negociatat. Ka dashur të fitojë kohë. Ka dashur të tregojë se bëri gjithçka për të arritur në një marrëveshje. Unë do të kisha preferuar që të fillonte ndryshe: me një thirrje imediate për një mobilizim popullor masiv, të zgjatur, që do të angazhonte miliona njerëz, me moton qendrore rrëzimin e plotë të borxhit. E po ashtu për një luftë intensive kundër spekulatorëve, korrupsionit, të pasurve që nuk paguajnë taksa, armatuesve, kishës… Por unë nuk jam grek dhe nuk dua të jap leksione. Nuk e di se a ka qenë i mundur një aksion i tillë, kaq i qendërzuar mbi mobilizimin popullor, një aksion i një lloji pak a shumë diktatorial. Për momentin, pas pesë muajsh të qeverisë Cipras kemi këtë referendum fitimtar, dhe situata mbetet tërësisht e hapur. E kjo tashmë është shumë.
  7. Vazhdoj të mendoj se goditja ideologjike më e fortë që do të mund t’i jepnim sistemit evropian aktual përfaqësohet prej motos kyç të fshirjes totale të borxhit grek, borxh spekulativ për të cilin populli grek është tërësisht i pafajshëm. Objektivisht kjo fshirje është e mundur: shumë ekonomistë të cilët nuk janë aspak revolucionarë mendojnë se do të duhej që Evropa ta fshinte borxhin grek. Por politika është subjektive, pra ndryshon prej ekonomisë së kulluar. Qeveritë duan absolutisht që ta pengojnë një fitore të SYRIZA-së në këtë pikë. Pas kësaj fitoreje do të vinte një Podemos, e më vonë ndoshta edhe aksione të tjera të forta popullore në vendet e mëdha të Evropës. Po ashtu qeveritë e kontrolluara prej lobeve financiare dëshirojnë ta ndëshkojnë SYRIZA-n, ta ndëshkojnë popullin grek, më shumë se sa që të zgjidhin problemin e borxhit. Për të ndëshkuar ata që e duan këtë ndëshkim, procedura më e mirë mbetet mospagimi i borxhit, cilatdo që të jenë rreziqet. Argjentina e ka praktikuar këtë gjë para disa vitesh dhe nuk ka vdekur, larg prej asaj.
  8. Kudo po agjitojnë sa i përket Greqisë mbi çështjen e një “daljeje” prej Evropës. Por në të vërtetë këtë çështje e propagandojnë reaksionarët evropianë. Janë ata që e bëjnë rrezik kërcënues “Grexit”-in. Kësisoj ata duan t’i gjunjëzojnë njerëzit. Linja e drejtë, e cila deri më tash është ajo e SYRIZA-s si dhe e Podemos-it është që të thuhet: “Ne do të mbetemi në Evropë. Ne duam vetëm, ashtu siç është dhe e drejta jonë, të ndryshojmë rregullat e kësaj Evrope. Ne duam që ajo të reshtë së qeni një rrip transmisioni mes kapitalizmit liberal të globalizuar dhe vuajtjes së popujve. Ne duam një Evropë vërtet të lirë dhe të popujve”. Ajo e para, pra dalja e Greqisë, le t’u mbetet reaksionarëve për ta thënë. Nëse duan ta përzënë Greqinë, le ta bëjnë! Në këtë pikë, topi është në fushën e tyre.
  9. Në prapavijë ndihen edhe frikërat gjeopolitike. Po sikur Greqia të kthehej kah të tjerët e jo kah nënat e etërit fshikullues evropianë? Atëherë do të thosha këtë: gjithë qeveritë evropiane kanë një politikë të jashtme të pavarur. Ato kultivojnë miqësi krejt cinike, siç është psh. miqësia e Hollande-it për Arabinë Saudite. Përballë presioneve në të cilat po gjendet edhe Greqia mundet e duhet të ketë një politikë po aq të lirë. Meqenëse reaksionarët evropianë kanë dëshirë të ndëshkojnë popullin grek, atëherë ai ka të drejtën që të kërkojë mbështetje të jashtme për të zvogëluar apo për të penguar efektet e këtij ndëshkimi. Greqia mund dhe duhet të kthehet kah Rusia, kah vendet e Ballkanit, kah Kina, kah Brazili, madje edhe kah armiku i moçëm historik, Turqia.
  10. Por cilatdo qofshin këto zhvillime, situata në Greqi do të përvijohet prej vetë grekëve. Parimi i primatit të çështjeve të brendshme gjen vend në këtë situatë. Se rreziqet janë aq të mëdha sa që SYRIZA nuk është në qeverisje përveçse formalisht. Qysh tash ndihet dhe dihet se si forcat e vjetra politike intrigojnë nëpër kulisa. Përveç faktit se pushteti i shtetit i marrë në mënyrë të rregullt dhe jorevolucionare është korruptues shumë i shpejtë, do të mund të shtronim edhe disa pyetje klasike: a e kontrollon tërësisht SYRIZA policinë, ushtrinë, drejtësinë, oligarkinë ekonomike dhe financiare? Qartësisht jo. Armiku i brendshëm vijon të ekzistojë, është thuajse i paprekur, mbetet i fuqishëm dhe në hije ka mbështetjen e armikut të jashtëm ku përfshihet edhe burokracia evropiane, pra organizatat bazë të SYRIZA-së duhet vazhdimisht të mbukqyrin aktet e qeverisë. Edhe një herë, “jo”-ja e referendumit nuk do të jetë forcë e vërtetë përderisa nuk pasohet prej disa manifestimeve të pavarura edhe më të forta.
  11. Një ndihmë ndërkombëtare, popullore, e manifestuar, e mediatizuar dhe e pandalshme do të duhet të mbështesë me të gjithë forcën e saj kryengritjen e mundshme greke. Sot më duhet të kujtoj se si 10% e popullatës së globit zotëron 86% të pasurive që ekzistojnë. Oligarkia kapitaliste glbale është tepër e shtrënguar, tepër e përqendruar, tepër e organizuar. Ballë saj popujt e shpërndarë, pa unitet politik, të mbyllur në kufijtë e tyre kombëtarë, do të mbeteshin të dobët dhe pak a shumë të pafuqishëm. Sot gjithçka luhet në nivel global, Të transformohet çështja greke në një çështje ndërkombëtare me vlerë të fortë simbolike është nevojë, pra detyrë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Korrik 9, 2015 nga te Përkthim, Politikë dhe etiketuar me , , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: