rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Grusht shteti në Greqi: katër pyetje të sikletshme nga Franco “Bifo” Berardi

intervju-berrardi-biPo të ndjekësh ditë pas dite veprimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Bankës Qendrore Evropiane dhe të Komisionit Evropian e ke të lehtë ta përshkruash skenarin: sistemi financiar global po organizon një grusht shteti në Greqi. Dhe në mënyrë që t’ia dalë mbanë, po çon në uri dhe po poshtëron miliona njerëz, duke i dërguar drejt një katastrofe humanitare të cilën kurrë nuk kemi pritur se do ta shohim në Evropë.

Kur kam qenë i ri kam lexuar i tmerruar për njerëzit që jetonin në fshatrat polakë apo gjermanë, të cilët bënin sikur nuk e dinin se burrat e gratë që i kishin fqinjëpo vriteshin me Zyklon B. Në fshatrat italianë, francezë e gjermanë sot ne po bëjmë sikur nuk e dimë se një pogrom me përmasa kontinentale po godet popullsinë greke.

Ndërkohë, në vende të tjera, një tjetër pogrom është duke ndodhur, ai kundër njerëzve mërgimtarë që pasi u gjetën në mes të një lufte të ndezur nga luftënxitësit francezë dhe u detyruan të mërgonin, hasin në refuzimin që i flak në detin prej nga erdhën. Lufta që gjëmon në kufijtë e Evropës ka për të shpërthyer në çdo qytet në të ardhmen e afërt.

Nacionalistët agresorë janë duke u bërë shumicë në Itali, Francë e Austri, pa përmendur këtu Holandën dhe Hungarinë. Konditat shoqërore janë duke u gremisur drejt varfërisë masive dhe pasigurisë së përgjithshme.

Në këtë skenar unë kam ca pyetje:

  1. A mund të mbijetojë Bashkimi Evropian?

Jo, Bashkimi nuk mund të mbijetojë për arsyen e thjeshtë se Bashkimi është jo-ekzistent dhe se nuk ka ekzistuar kurrë. Këtë gjë po e kuptojmë me shumë vonesë.

Që prej Mastrihtit Bashkimi ka qenë tërësisht një projekt financiar që flijon pasurinë shoqërore në favor të sistemit bankar, një projekt varfërimi dhe shfuqizimi për punëtorët.

Agresioni financiar dhe poshtërimi ndaj qeverisë greke janë një provë e mos-ekzistencës së Bashkimit. Mungesa e çdo lloj lëvizje për solidaritet me grekët është një provë se populli evropian nuk ekziston: agresioni neoliberal ka shkatërruar çdo përmasë të vetëdijshme të shoqërisë evropiane.

Për më tepër, politikat e pakuptimta të Evropës ndaj mërgimtarëve, dorëzimi i qeverisë franceze ndaj frontit nacionalist, refuzimi i përgjithshëm për të ndarë përgjegjësinë sa i përket mërgimtarëve janë provë për mos-ekzistencën e Bashkimit. Bashkimi Evropian është thjesht një mullar prej krimesh financiare, cinizmi dhe burracakërie injorante.

  1. A mund të reformohet Bashkimi

Jo. Nuk mund të reformohet sepse nacionalizmi dhe racizmi janë forcat hegjemonike në gjithë vendet evropiane me përjashtim të Spanjës dhe Greqisë. Ne – të majtët, intelektualët, universiteti, ata që supozohej se do ta pamundësonin rikthimin e murtajës së zezë – jemi përgjegjës për këtë.

Në referendumin e 2005 për Kushtetutën Evropiane ata që ftuan popullin francez dhe holandez që të votojnë për një kushtetutë të rreme, që ishte pohimi final i dhunës neoliberale, mbajnë përgjegjësi për dorëzimin e hegjemonisë sociale tek e djathta në një mënyrë që tani është gjithnjë e më shumë e pandalshme. Murtaja e zezë është në rritje në çdo fshat të këtij kontinenti që është po aq i bashkuar sot sa ç’ka qenë në vitin 1941.

  1. Si mund të dalim prej këtej?

Mendjet e thjeshta kanë një zgjidhje të thjeshtë: kthehuni tek monedhat kombëtare, a thua se rikthimi te dhrahmia apo te lireta do ta bënte më të mirë situatën. Më në fund! Ashtu do të mundeshim të zhvleftësonim monedhën e t’i shisnim akullore pinguinëve që do kalonin rastësisht. Këto lloj mendjesh të thjeshta nuk e kuptojnë se drama nuk ka të bëjë me import-eksportin.

Më shumë ka të bëjë me alternativën mes një diktature globale financiare dhe një Rilindje të mundshme të bazuar në fundin e Regjimit të Punës së Paguar. Por “logjika e përgjithshme” nuk është e aftë ta shohë mundësinë e një Rilindjeje të këtillë, kështu që nuk ka për të ndodhur.

Dhe askush nuk di si të dalë prej këtij tuneli.

Klasa financiare deshi ta shkatërrojë Evropën, dhe tani Evropa është e shkatërruar.

Por njëkohësisht, nuk ka rrugëdalje prej një Bashkimi jo-ekzistent. Në fund të tij gjendet sekreti që e rifillon atë.

Demokracia evropiane ka qenë veç një fjalë boshe: pushteti financiar ka ndërtuar Bashkimin e vetëm që ka ekzistuar me të vërtetë: një mekanizëm për zhvendosjen e burimeve prej shoqërisë tek bankat, për zvogëlimin e rrogave dhe për paqëndrueshmërinë e punës. Ky është Bashkimi, dhe është e pamundur të dalësh me mjete politike prej një gracke tërësisht financiare.

  1. Si ta transformosh atë?

Përfundimi më realist i kësaj historie është lufta. Dhe lufta civile është qartësisht e dukshme jo vetëm në kufirin jugor, ku kufomat pluskojnë mbi det, a në kufirin lindor ku Putini po nxjerr 40 raketa bërthamore të tipit të fundit, por edhe në kufirin italo-francez, në stacionin hekurudhor në Milano, dhe në qindra qytete evropiane ku urrejtja nacionaliste po organizohet.

Bëhuni gati për luftë: ky është sugjerimi i vetëm. Por këtu vjen edhe pyetja më e sikletshme: si mund ta aktualizojmë thirrjen e vjetër që luftën imperialiste ta kthejmë në luftë civile revolucionare?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Qershor 30, 2015 nga te Përkthim, Politikë dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: