rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Slavoj Zizek: “Sot të gjithë janë socialistë, përfshirë Bill Gates”

Botuar më 5 qershor 2015, në Libération

Përktheu: Dilfirus Vrioni

Intervista

Ndërkohë që del në qarkullim libri i tij “Më pak se asgjë”, filozofi ekstravagant slloven kritikon të majtën morale, legjitimon shakatë raciste, duke bërë Malcolm X heroin e tij.

Të shkruash një libër prej 960 fletësh që titullohet Më pak se asgjë, ky është lloji i pop-star-it kapricoz të filozofisë, Slavoj Zizek. Menduam t’i bënim një intervistë me rastin e publikimit të librit të tij nga Fayard, por dështuam! Drejtori i Kërkimit Shkencor tek Birkbeck School of Law i bën pyetjet dhe i jep përgjigjet vetë, duke u hedhur nga njëra degë në tjetrën. Ai flet për Marksin dhe mbi të gjitha për Hegelin, për komunizmin dhe për gjëra të tjera. Por, nga pak.

Progresi, Hegeli dhe moderniteti

«Nëse sot duam që të mbetemi të majtë, duhet me çdo kusht që ta flakim tej metaforën e progresit historik. Ndoshta ka një tendencë historike por ajo çon më shumë kah katastrofa. Më pëlqen shumë thënia e Walter Benjamin: “Sot, çështja jonë nuk është të progresojmë në kohën e progresit, me hapat e tij, por më së shumti të tërheqim zilen e alarmit”. Kjo është!

Hegeli thotë që filozofia, as nuk mund ta parashkruajë as nuk mund ta analizojë të ardhmen. Ajo vetëm mund të konceptualizojë të shkuarën. Dhe Hegeli s’ka qënë komplet budalla. Ai formulon një utopi të mundshme të asaj që mund të formohej (ndodhte) pas Revolucionit Francez. Por, më shumë se kaq, ai është në fakt ekstremisht i hapur. Prandaj unë besoj se duhet të kthehemi nga Marksi te Hegeli, ekzaktësisht në perspektivat e sotme të situatës sonë. Hegeli është shumë më materialist në kuptimin e hapjes ndaj mundësive. Problemi i tij është dija, si mund t’i rrish besnik Revolucionit Francez por pa përsëritur Terrorin. Në këtë kuptim është beketian: “Try again, fail again, fail better” (provo sërish, dështo sërish, dështo më mirë). Këtu nuk bëhet fjalë të dish sesi të përgatisësh revolucionin, e kemi provuar dhe ka rezultuar dështim! Problemi ynë është ekzaktësisht ai i Hegelit: se si, pas stalinizmit, t’i rrish besnik projektit për emancipim, si të mos kthehesh në një liberal cinik apo në një konservator.»

Unë, komunist?

«Në mënyrë naive dhe budallaqe mund të themi thjesht: “OK, komunizmi ka mbaruar.” Por unë mbetem komunist, një komunist negativ, shumë modest. Por, do të mbetem marksist në cilën anë? Nuk duhet të harrojmë kurrë që lidhja e Marksit me kapitalizmin ka qënë shumë ambige, sepse kapitalizmi sidoqoftë ushtrohej si një lloj magjepsje mbi të: është sistemi më dinamik, është thuajse një mrekulli! Unë jam tërësisht dakord me këtë dhe kjo më ka krijuar probleme politike. Them me vetëdije që jam komunist dhe jo socialist, sepse gjithë bota mund të jetë socialiste, po ashtu edhe Bill Gates mund të jetë socialist. Socialist, do të thotë: o zot, ka njerëz që vuajnë, duhet t’i ndihmojmë, duhet t’i jemi solidarë, duhet njerzillik, bla bla bla … Por nuk është ky problemi. Problemi është ai i rezistencës kundër kapitalizmit global. Ajo që i jep veçanësinë komunizmit është universaliteti i tij».

E majta dhe “censura e ëndrrave tona”

«Më pëlqen formula e Badiou që thotë se duhet të fillojmë me censurimin e ëndrrave tona.  Është ajo që ndodh kur lëmë botën tonë për të imagjinuar një tjetër ku mbesim të burgosur. Kjo e bën një të majtë të ulërijë, por unë jam për t’i shkuar deri në fund: në rehabilitimin e Shtetit! Unë besoj që për t’i bërë ballë problemeve tona kemi gjithnjë e më shumë nevojë për formacione të mëdha shoqërore. Ne themi që Shteti humb pushtetin, por kjo nuk është e vërtetë. Kapitalizmi i sotëm varet gjithnjë e më shumë nga derregullimet e Shtetit. Kur Hegeli thotë që shteti është ekzistenca e dukshme e Zotit, mund të ketë qenë e vërtetë! Problemi i së majtës është se ajo ëndërron në distancë, në vend që të rizotërojë Shtetin».

Alain Finkielkraut, miku im?

«Jam mik me të se më pëlqejnë konservatorët por jo reaksionarët. Marksi thotë që konservatorët pesimistë janë ndonjëherë më mirë sesa liberalët, sepse të parët i pranojnë antagonizmat. Problemi me Finkielkraut është se ai beson se mund të mbrohemi nën emrin e ndonjë identiteti, ndërsa unë për këtë jam pesimist».

A jam i detyruar ta dua fqinjin tim?

«Ne kemi besuar se kapitalizmi do të na lejonte të shpërbënim identitetet e pjesshme … Për momentin kemi një formë të kapitalizmit apo të globalizimit të tregut që mund të bashkëjetojë në mënyrë ideale me një identitet shumë të fortë etnik, racist … Lacan-i kishte parashikuar që tregu i përbashkët do të na shtynte në forma të reja të racizmit.

Limiti i universalitetit është ajo që ne quajmë mënyrat e jetesës. Ajo që më intereson është racizmi që riprodhohet në gjërat e vogla të së përditshmes. Kam miq që janë të majtë, antiracistë, por sapo dikush me ngjyrë apo aziatik afrohet ndihen në një farë parehatie. Këta lloj njerëzish janë të bezdisur nga detaje si: “nuk më pëlqen kjo lloj kuzhine”, “ajo mënyrë të veshuri” etj. Universalizmi për mua nuk është ideja e një vlerë të universales që mbretëron kudo, tipi i atyre veprave të publikuara nga Unesco-ja: kultura botërore, vizioni i bekuar i një pasurie kulturore universale … gjithë këto i urrej.  Mendoj që universaliteti i vetëm është universaliteti i një lufte sociale dhe politike, fronti i përbashkët që të lejon indentifikimin me të, solidaritetin autentik. Nuk i dua liberalët e majtë, multikulturalistët që thonë: “Duhet ta kuptojmë tjetrin”. Jo, s’dua ta kuptoj tjetrin dhe as më plas për të. Ideali im nuk është që të jetoj në një ndërtesë banimi ku ka një familje vietnameze, një tjetër latine dhe një tjetër zezake. Natyrisht që do të jetoja pa probleme, por siç e ka thënë Peter Sloterdijk-u, do të kishim nevojë për një “kod diskrecioni”. Ky është antiracizmi autentik: “injoranca”, diskrecioni shumë i sjellshëm, respekti. Unë dua të jetoj në një qytet me gjithë kulturat, por mendoj që ato duhet të ruajnë një distancë dhe te kjo s’ka asgjë të keqe».

Lokalja, globalja dhe Malkolm X

«Unë jam një eurocentrist dhe nuk i besoj absolutisht idesë që traditat, kulturat lokale, identitetet vendore mund t’i bëjnë rezistencë kundër, kapitalizmit global. Malkolm X-i është për mua një nga figurat heroike sepse ai bëri diçka gjeniale, me “X”-in ai tregon se s’ka një mbiemër, në këtë çast shkulemi nga identiteti ynë… por gjenia e tij qendron se ai jep mesazhin: nuk është e rëndësishme t’i rizbulojmë rrënjët tona, “X”-i na jep një rast unik për të shpikur një mënyrë jetese më autentiko-universaliste sesa ajo e vetë perëndimit. Kjo është teza themeltare e Marksit».

Ekologjia, biogjenetika, apartheidi … Kontradikta bashkëkohore?

« Disa shembuj nga koha jonë. Ekologjia është nevojë, dhe ne do të jemi të detyruar të shpikim një mënyrë aksioni kolektiv që nuk është i kontrolluar nga aparatura.

Sot, nuk shtrohet më problemi nuklear, por biogjenetika, që është mundësia për kontrollin e trurit me anë të fushave magnetike. Tashmë mund ta lidhim trurin me aparatura. Mund ta kuptojmë që kjo nevojitet për protezat apo karriget me rrota, por po mendojmë të ecim më përpara, dhe aparaturat po na ndihmojnë të ecim përpara. Ajo që më tremb është se nëse mund të avancojmë në këtë drejtim, mund të avancojmë edhe në tjetrin: atë të implementimit të aparaturave në trurin tonë. Tashmë është eksperimentuar me minjtë të cilët kemi arritur t’i telekomandojmë në distancë. Dhe nëse kanë në plan ta bëjne këtë gjë me njerëzit cila do të jetë përshtypja jonë: a do të kemi përshtypjen se na e kanë marrë kontrollin apo do të kemi përshtypjen se jemi ende të lirë?

Po i afrohemi sërish shoqërisë së apartheidit. Muri i Berlinit ra, por ka mure të vegjël gjithandej. Dhe, nuk do të ketë më Luftë të Madhe por do të ketë “luftë civile të ftohtë” implicite. Ka njerëz që janë të përfshirë dhe të tjerë që janë të përjashtuar, jashtë mureve, dhe kjo është bërë edhe më e dhunshme sesa ndarja e klasave të Marksit. Ne idenë e tij, megjithë diferencën midis pronarit dhe proletariat ka sidoqoftë në nivel politik një barazi formale. Unë besoj se kjo është duke u zhdukur tërësisht në kohët e sotme. Tensionet, antagonizmat krijohen në vetvete të një komuniteti politik, përfshirë këtu edhe të pafavorizuarit,“luftë të varfërish”».

Sulmi, cigarja, shakaja

«Më pëlqen shumë kjo shprehje e Gilles Deleuze-it: “Nuk ka vetëm përgjigje të gabuara, po gjithashtu ka edhe pyetje të gabuara”. Duhet të reflektojmë kur flasim për ngacminin, si përdoret për shembull, në Shtetet e Bashkuara. Nga njëra anë ka vjedhje, racizëm, nga ana tjetër në të përditshmen kur tjetri të afrohet dhe të sheh ngultazi në sy … ju thonë se kjo është vjedhje vizuale! Ajo që më trishton është kjo frikë nga afrimi i tjetrit. Kur flasim për ngacmim, sulm, targeti i vërtetë janë gjithnjë të varfërit që në përfundim shihen si, gjithnjë vulgar etj.

Më duket thellësisht problematike gjithë fushata për pirësit pasivë të cigareve. Ne ndodhemi në një krizë financiare, pse të mos luajmë një lojë staliniste të tipit: nëse mund të faktosh që ti pi më se pakti një paketë cigare në ditë, kjo është fantastike, ti e ndihmon në këtë mënyrë shtetin me taksa, mund të ndodhë që nga konsumimi i cigares të vdesësh me herët edhe t’i mbyllësh shpejt hesapet edhe me pensionin.  Me këtë rast mund të të japin edhe një medalje për stabilitet financiar! Kjo është një shaka, po shakaja e Witz-it ka forcë. Në Jugosllavinë e viteve ’80 kohë kur nacionalizmi ishte në ngritje, shakatë raciste funksiononin si instrumenti më i fortë i solidaritetit. Ato s’janë kunja me takt kundër tjetrit por kundër identitetit të vetë atij që e thotë, secili komb është i identifikuar me një tipar racist: sllovenët janë kopracë, për malazezët ata njihen si dembelë… Në vend që t’i kritikojmë, identifikohemi me dëshirë, tregojmë Witz-e dhe kjo funksionon si metodë çliruese. Kur gjërat janë vërtet të tmerrshme tragjedia nuk është më e besueshme sepse ajo presupozon dhe ka si kusht një farë dinjiteti. Për shembull, nëse imagjinojmë një tragjedi në Aushvic, një hebre që konfliktohet në mënyrë heroike me një nazist, i kemi dhënë shumë rëndësi nazistit. Situata ka qënë aq e tmerrshme sa viktima s’mund të imagjinohet se ka patur ndonjë mundësi. Gjithë filmat e mirë për Holokaustin kanë qënë komedi!».

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Qershor 13, 2015 nga te Filozofi, Intervistë, Përkthim dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: