rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Bashkëkohësit tanë

Agamben21Alfred Bushi

Më 1809, Gëtja shkruante këto fjalë: “Njerëzit e mëdhenj janë gjithmonë të lidhur me shekullin e tyre nga një dobësi.” Masa e bashkëkohësisë për shkrimtarin gjerman, si përkatësi e kohës, shprehet nga një mangësi, nga një terrnajë që kaplon aktualen. Largësia kritike, çarja e rendit të padallueshmërisë, bëhet detyra e njerëzve të mëdhenj dhe atyre që vetë bashkëkohësia i ka lënë në qoshe të historisë. “Është vërtetë bashkëkohor ai që nuk përkon plotësisht me kohën e tij, as nuk i përshtatet pretendimeve të saj e në këtë mënyrë është joaktual; por, pikërisht me anë të kësaj mbetjeje dhe këtij anakronizmi, ai është në gjendje, më tepër se të tjerët, të perceptojë dhe të rrokë kohën e tij” – thotë G. Agambeni në një libërth të famshëm të titulluar “Che cos’è il contemporaneo?”.

Koha në bashkëkohësinë e saj turret t’i përpijë bijtë e saj, ata që përkojnë tërësisht, në çdo pikë dhe në çdo trajtë, me përmbajtjen e saj. E pikërisht këta nuk janë bashkëkohorë, ngase nuk arrijnë të dallojnë vellon që mbulon të fshehtën përreth dhe e kanë pothuajse të pamundur ta ndjejnë praninë e saj. Për këta duhet kujdesje.

Thuhet se Kronosi, perëndia e kohës, që në gjuhën e përditshme të grekëve i referohej plakut kalama (gr: coron – fëmijë) fatin e kishte të paracaktuar prej Geas dhe Uranit, tokës dhe qiellit. Një ekzistencë e themeluar përgjithnjë prej tensionit mes pafundësisë dhe përkohësisë. Fati i thotë (Kronosit) se do të ishte një nga bijtë e tij që do ta vriste, ashtu siç i ndodhi të atit, të cilin e vret bashkë me të ëmën. Kështu, për të shmangur domosdoshmërinë e fatit, veprimi i Kronosit shndërrohet në shfarues të çdo gjëje kërcënuese të ekzistencës së tij si vazhdimësi.

Ndaj duket sikur koha, si rrjedhësi krijuese në përplotësimin e një fati të paracaktuar, çon medoemos në shkatërrimin e të krijuarës sapo kjo e fundit është bërë akt. I tillë është edhe koncepti që latinët kishin për kohën si moment (momentum), diçka që është dhe nuk është, e që në rrënjën e saj mbart lëvizjen, termin “movimento”. Themeli i saj (kohës), në këtë mënyrë, gjendet te lëvizja si bërje, e cila shkatërron çdo shenjë të asaj që përpiqet ta ngërthejë, e me anë të kësaj boshatisjeje duket se ia shpengon vetes rrjedhjen. Tensioni mes të pafundmes dhe të fundmes jepet në sheshimin e dallimit mes mendimit dhe çastit krijues, mes hapësirës së mundësive dhe të resë që thirret si përcaktim dhe rend.

Koha pra, në themel të saj, në domosdonë e saj duhet të nënshtrojë çdo të krijuar, e mbase vetëm një dredhi apo një gënjeshtër e përkohshme mundet ta shmangë, po aq përkohshëm, vazhdimësinë e saj si prodhimtare e diçkaje që është dhe nuk është, pra si momentum. Çdo e sendërtuar bëhet “e vjetër” duke ia lëshuar vendin një të reje, ndryshimit të përhershëm.

Kështu, koha vishet me idenë e fillimit, me momentumin e asaj që është dhe nuk është; tiran që përpin gjithçka që lind prej saj. Bashkëkohësia në këtë perspektivë nuk është përkim, por anakronizëm, një plan që gjithnjë duhet të arrihet dhe të krijohet, e mbase në vend të fjalës “bashkëkohësi” do të duhej të thoshim (bash)kohësi.

Bijtë e kohës sonë e shfaqin më tepër se kurrë joaktualitetin e tyre me përkatësinë në rrjedhën normale të realitetit shtrembak, të përgjumur nga rehatia dhe pretendimet e rendit mbizotërues. Zaptuesit e këtij banaliteti nuk e kapin dot dobësinë e kohës se tyre. Ata nuk e vënë re homogjenitetin dhe padallueshmërinë në të cilën janë pjesë, e kështu në pakohësinë e tyre bëhen palë në shkatërrimin e çdo mundësie të re, e çdo shkëndije jetësore. Me qenë bashkëkohës do të thotë të vësh re dobësitë e kohës, cungimet e saj, paqartësitë që e kaplojnë herë pas here. Me qenë bashkëkohës do të thotë ta ndjesh lëvizjen dhe çarjen në pjesëzën më elementare të ndryshimit dhe jo të qëndrosh në perandorinë e abstragimit dhe transhendencës me shpresën se një ditë do mbizotërojë botën.

Është e madhe largësia mes atyre që nuk u shkon përshtat koha ashtu siç paraqitet, në një formë të caktuar dhe atij që tanimë është bërë një me të, madje dhe atij që pa pushim thërret gjithëpërfshirjen tek ideja. Detyra e bashkëkohësve të vërtetë, atyre që i qëndrojnë besnik kohës si rrjedhje e të resë, është të ndjejnë çdo çarje në rend dhe të shkundin rehatinë a atyre që janë bërë një me bashkëkohësinë e  gënjeshtrës së madhe. Kjo arrihet nëse Kronosi i pamëshirshëm gllabëron bijtë e tij të përhumbur, të tëhuajësuarit nga natyra e tyre; kur bashkëkohësit ta kenë rrokur mbi shpatulla dobësinë e kohës dhe të kenë shkallmuar çfarëdo i del në ballë lëvizjes, momentumit të asaj që është dhe nuk është, të resë që vazhdimisht lind dhe lindet gërmadhave.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Maj 18, 2015 nga te Esse, Filozofi dhe etiketuar me , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: