rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Nuk mund të mërgosh prej të qenit aktivist

Secili për vete, Zoti kundër të gjithëve

Werner Herzog, “Enigma e Kaspar Hauserit”

Arbër Zaimi

Është tepër e rëndësishme për një qytetar e për një aktivist që të thellohet më shumë në çështjen e mërgimit. Për shkak se kjo çështje e ka një implikim ideologjik, dhe nënshtrati i saj lidhet edhe me terrenin e punës së aktivistit.

Së pari, le t’i ripohojmë të vërtetat e thëna nga pak, po, është e vërtetë se shqiptarët mërgojnë sepse kërkojnë një standard më të lartë, dhe po është e vërtetë se ky standard nuk arrihet dot shpejt. Po ashtu është e vërtetë se ky standard më i lartë përgjithësisht nuk ka të bëjë me luksin, por me bukën e gojës, me shkollimin e fëmijëve apo me vendin e punës, pra me gjëra bazike jetësore.

Por po ashtu është e vërtetë se mërgimi është një fenomen popullor historik dhe gjeografik. Historik në sensin që ne si shqiptarë jo vetëm sot, por vijimësisht në histori kemi qenë një popull, le të themi kështu, i prirur drejt mërgimit – e kjo nuk provohet thjesht përmes analizës së këngëve të shumta të kurbetit. E gjeografik, në sensin që nuk jemi aspak stereotip i popullit mërgimtar. Popuj diasporikë në këtë brez gjeografik ka shumë. Të tillë janë turqit, me një diasporë të gjerë në vende perëndimore, grekët, italianët (sidomos italiano-jugorët), polakët, irlandezët etj. Si dhe një mori popujsh afrikanë e aziatikë me emrat e përveçëm të të cilëve fatkeqësisht nuk më ka pajisur kultura jonë eurocentrike. Pra nuk nisi sot e nuk do të përfundojë nesër, dhe nuk ka të bëjë me ndonjë deformim gjenetik tonin. Më shumë ka të bëjë me rrethanat historike në të cilat kemi kaluar në formësimin tonë si komb, me pozicionimin gjeopolitik të vendit/vendeve tona sa i përket modelit qendër-gjysmëperiferi-periferi, apo modelit veri-jug e perëndim-lindje etj. Kjo prirje për mërgim riprodhon shtetin e dështuar, e shteti i dështuar riprodhon këtë prirje për mërgim. Sigurisht ka të bëjë me performacën e qeveritarëve aktualë, por edhe me ideologjinë sunduese e cila simptomatizohet vetvetiu tek vetëdijet komunitare të shqiptarëve, pra gjendjen e vetëdijes kombëtare, qytetare, krahinore, shtresore etj. Tek këto, pra tek vetëdijet do të ndalem në këtë tekst.

Duhet pohuar se, në shtetin total subjekti ishte një dhe i pandashëm, unitar. Shtetasi perfekt nuk mund as ta mendonte largimin, apo tradhtinë, siç quhej. E përbashkëta ishte absolute, personalja thuajse zero. Ndërsa 180 gradë më tej, shteti neoliberal e ka si shtetas model mërgimtarin. Mërgimtari i cili nuk merr përsipër asnjë lloj përgjegjësie ndaj vendit të vet, qytetit të vet, komunitetit të vet punëtor apo shtresor, por thjesht ikën, që të përmirësojë jetën e vet apo të familjes së vet. E përbashkëta është thuajse zero, ndërsa personalja tashmë është gjithçka. Siç ndodh rëndom në raste pasqyrimesh, mund të vëmë re se qeverisshmëria në të dyja rastet është tepër e fortë, ndërsa rezistenca që mund të bëjë populli, qytetarët, është tepër e dobët. Në të dyja rastet, e domosdoshme për të bërë rezistencën, ka qenë krijimi i çarjes, i plasaritjes së ideologjisë në fjalë. Duke lënë mënjanë të shkuarën, që mund ta trajtojmë tjetërkund, le të merremi me çarjen që duhet bërë sot, ndaj hegjemonisë së individualizmit ekstrem, neoliberalizmit, apo siç e quajnë disa teoricienë “stalinizmit të tregut të lirë”.

Neoliberalizmi përmes reduktimit të personit në individ, shkatërron çdo lloj kolektivi e komuniteti qysh në embrion e në potencialitet. Modelet e kësaj ideologjie janë futbollistët superstarë që luajnë me kombëtare të tjera pa ndjerë asnjë përgjegjësi për sportin në vendin prej nga vijnë, apo artistët me famë që artin e prodhojnë nëpër metropole. Ndërsa viktimat janë qindra mijëra punëtorët që punojnë pa sigurim, në kushte të vështira, të keqpaguar dhe të armiqësuar me punëtorët vendas të cilëve u prishin aktivitetin sindikal. Por neoliberalizmi nuk mund të sfidohet, përveçse përmes themelimit e forcimit të këtyre komuniteteve. Jo rastësisht dy nga subjektet politike që po e kundërshtojnë pa kompromis neoliberalizmin në rajonin tonë, Lëvizja VETËVENDOSJE! në Kosovë dhe SYRIZA në Greqi, kanë si pjesë të programeve të tyre një farë sovranizmi vendor dhe një farë patriotizmi progresiv, në sensin që ky patriotizëm nuk është as përjashtues (ekskluziv), as supremacist, por që synon barazinë ndër popuj e ndër shtete, përmes aktivizimit të subjektit komunitar kombëtar që lufton për këtë barazi (sigurisht, i lidhur ky edhe me subjektin klasor që mbetet transnacional edhe pse jo-global, me gjithë shndërrimet që ka pësuar ky i fundit bashkë me vetë ekonominë).

Aktivisti i sotëm, kur e gjykon çështjen e mërgimit dhe mërgimtarëve, nuk mund të pretendojë si angazhim politik as totalen e djeshme, ku secili mërgimtar do të ishte një farë tradhtari, por nuk mund të pranojë as totalen e sotme, ku egoizmi është mantra e vetme, dhe askush “nuk ka përse” të mbajë përgjegjësi për të tjerët, dhe se komunitetet mund të ndërrohen po aq shpesh dhe po aq vullnetarisht sa të mbathurat.

Ai i bën thirrje shokëve të vet, pa i fajësuar e pa i keqkuptuar vetë mërgimtarët, që të mos e shohin mërgimin si alternativë kryesore për këto arsye:

  1. Ky vend ka nevojë të çlirohet dhe të ndërtohet, ky popull ka nevojë të ngrihet në skenën e popujve të tjerë, e për këtë nevojitet një luftë që duhet ta bëjnë bijtë e bijat e tij. Nëse ata zgjedhin të emigrojnë, këtu gjërat edhe më keq do të shkojnë.
  2. Edhe atje ku do të shkojnë, sërish do të duhet të përfshihen në luftëra të reja, për punë, për të drejta, për barazi. “Rehati” i propaganduar nëpër reklamat e televizioneve italiane tashmë është vërtetuar që nuk ekziston. Pretendimi se “do të mbijetosh po të shohësh hallin tënd”, në shumicën e rasteve është i pasaktë.
  3. Nuk ka liri individuale pa liri kolektive, as mirëqenie individuale pa mirëqenie kolektive. Kjo e fundit bëhet vetëm kur angazhohet kolektivi, kolektivi që të angazhohet duhet të jetë, e që të jetë, lypet angazhimi personal që nënkupton një farë sakrifikimi të individuales.
  4. Nuk mund të mërgosh prej të qenit njeri, prej të qenit pjesë e shoqërisë, prej të paturit përgjegjësi kolektive. As prej të qenit militant nuk mund të mërgosh, në fakt edhe ata që pretendojnë neutralitetin dhe objektivitetin, pikërisht përmes atij neutraliteti militojnë në ruajtjen e statusquo-së.

Protestat e universitarëve kundër reformës për arsimin e lartë, me gjasë janë e vetmja shprehje e mirëfilltë masive, politike dhe e pakorruptuar në Shqipëri, që prej ç’mbaj mend unë. Emancipuese, sepse në thelb kundër-egoiste, kundërpërjashtuese. Ata studentë e qytetarë tashmë duhet të bëhen militantë të çështjes së tyre e të popullit të tyre, pra duhet të organizohen. Në atë organizim tashmë gjenden farat e të resë politike të Shqipërisë, e cila ndërkohë që vazhdon të merret me universitetin, duhet të dalë edhe përtej universitetit, që ta shpëtojë atë vend prej lëtyrës së partive të vjetra dhe stërkalave që dalin prej saj në formë shoqërish civile apo kandidatësh të pavarur. Por njëkohësisht ta shpëtojë qytetarin shqiptar prej reduktimit fatal në një mërgimtar.

Ngjan paradoksale, por ndryshimi do të vijë vetëm kur ata që e përbuzin me gjithë zemër pushtetin do të nisin të punojnë që ta marrin pushtetin prej atyre që e dashurojnë atë. Emancipimi tek ne do të vijë vetëm kur egoizmi të përjashtohet prej politikës.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Maj 17, 2015 nga te Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: