rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Paulo Freire: Pedagogjia e të shtypurve

artigo_jose maria e silva.qxdPaulo Freire është arsimtar dhe filozof edukimi brazilian i shekullit XX shumë pak i njohur në vendin tonë. I lindur në një familje të deklasuar të shtresës së mesme, përjetues dhe dëshmitar i varfërisë dhe margjinalizimit të të varfëve të panumërt të Brazilit, Freire ka hulumtuar teorikisht dhe eksperimentuar praktikisht në përvijimin e metodave kritike të arsimimit të të varfërve. I burgosur për idetë dhe veprimtarinë e tij emancipuese nga junta ushtarake braziliane më 1964, libri me të cilin bëri bujë, nga i cili është shkëputur pjesa e mëposhtme, ishte “Pedagogjia e të shtypurve” e botuar në fund të viteve 60’. Përmes konceptimit të arsimimit si proces bashkëmësimi midis pedagogut dhe studentit të ndërmjetësuar nga bota, pedagogjia kritike e Freire-s përbën një ngacmim të rëndësishëm teorik në kritikën e pedagogjisë autoritariste dhe tregtarizuese në Shqipëri.

***

Një analizë e kujdesshme e raportit pedagog-student në çdo nivel, brenda dhe jashtë shkollës, dëfton karakterin e saj themelisht tregimtar. Ky raport përfshin një subjekt tregimtar (pedagogun) dhe objekte të dëgjueshme dhe të duruara (studentët). Përmbajtjet, qofshin vlera ose dimensione empirike të realitetit, gjatë procesit të tregimit priren të bëhen të pajeta dhe të ngurta. Arsimimi po vuan nga sëmundja e tregimtarisë.

Pedagogu flet rreth realitetit si të ishte i palëvizshëm, statik, i copëzuar dhe i parashikueshëm. Përndryshe, ai parashtron një çështje tërësisht të huaj për përvojën ekzistenciale të studentëve. Detyra e tij është t’i “mbushë” studentët me përmbajtjet e tregimit të tij – përmbajtjet janë të shkëputura nga realiteti, të shkëputura nga totaliteti që i prodhon dhe që mund t’u japë domethënie. Fjalët janë zbrazur nga konkretësia e tyre dhe bëhen llafazanëri e cekët, e tëhuajtur dhe tëhuajësuese.

Karakteristikë e spikatur e këtij arsimimi tregimtar është, kësisoj, tingullësia e fjalëve dhe jo fuqia e tyre transformuese. “Katër herë katër baras gjashtëmbëdhjetë, Parisi është kryeqyteti i Francës.” Studenti regjistron, memorizon dhe i përsërit këto fraza pa perceptuar se ç’do të thotë katër herë katër apo pa kuptuar domethënien e vërtetë të fjalës “kryeqytet” në pohimin “Parisi është kryeqyteti i Francës,” domethënë se çfarë do të thotë Parisi për Francën.

Tregimtaria (me pedagogun si tregimtar) i shtyn studentët kah memorizimi mekanik i përmbajtjes së treguar. Edhe më keq, i shndërron ata në “kontenierë” për t’u “mbushur” nga pedagogu. Sa më shumë i mbush kontenierët, aq më i mirë është si pedagog. Sa më lehtë të lejojnë të mbushen si kontenierë, aq më të mirë janë si studentë.

Arsimimi bëhet kësisoj akt depozitimi në të cilin studentët janë të depozituarit dhe pedagogu depozitori. Në vend që të komunikojë, pedagogu lëshon komunikata dhe prodhon depozita të cilat studentët i marrin, memorizojnë dhe përsërisin me durim. Ky është koncepti i arsimimit bankor (që i ul nxënësit në banka si simbol i pasivitetit të tyre – shën. përkth.) në të cilin fusha e veprimit që u lejohet studentëve shtrihet deri te marrja, vënia në dosje dhe magazinimi në depozitë. Afërmendsh që ata kanë mundësi të bëhen mbledhës dhe katalogues të gjërave që magazinojnë. Mirëpo në analizë të fundit, janë vetë njerëzit ata që mbushen përmes mangësisë së krijimtarisë, transformimit dhe dijes në këtë sistem të keqorientuar. Përtej hulumtimit, përtej praksisit, individët nuk mund të jenë qenie të vërteta njerëzore. Dija lind vetëm përmes shpikjes dhe rishpikjes, përmes hulumtimit të pandalshëm, të paduruar, të vazhdueshëm dhe shpresëplotë që njerëzit kryejnë në botë, me botën dhe me njëri-tjetrin.

Sipas konceptit bankor të arsimimit, dija është dhuratë që blatohet nga ata që e konsiderojnë veten të ditur atyre që merren se nuk dinë asgjë. Projektimi i injorancës absolute të tjerëve, karakteristikë e ideologjisë së shtypjes, e mohon arsimimin dhe dijen si proces hulumtimi. Pedagogu e paraqet veten përpara studentëve si e kundërta e domosdoshme e tyre; duke e konsideruar injorancën e tyre absolute, ai justifikon ekzistencën e vet. Studentët, të tëhuajtur si skllavi i dialektikës hegeliane, e pranojnë injorancën e tyre si justifikuese të ekzistencës së pedagogut – por, ndryshe nga skllavi, ata nuk e zbulojnë kurrë idenë se edhe ata e arsimojnë pedagogun.

Raison d’être-ja e arsimimit çlirimtar, nga ana tjetër, gjendet në shtysën e saj drejt pajtimit. Arsimimi duhet të nisë me zgjidhjen e kontradiktës pedagog-student, duke i pajtuar polet e kontradiktës asisoj që të dy të jenë njëkohësisht edhe pedagogë, edhe studentë.

Kjo zgjidhje nuk gjendet (as mund të gjendet) në konceptin bankor. Përkundrazi, arsimimi bankor e mban dhe, madje, e simulon kontradiktën përmes sjelljeve dhe praktikave që vijojnë, të cilat pasqyrojnë shoqërinë shtypëse në tërësinë  e saj:

(a) Pedagogu jep mësim, kurse studentët marrin mësim;

(b) pedagogu di gjithçka, kurse studentët nuk dinë asgjë;

(c) pedagogu mendon, kurse rreth studentëve mendohet;

(d) pedagogu flet, kurse studentët dëgjojnë – duke ndenjur urtë;

(e) pedagogu disiplinon, kurse studentët disiplinohen;

(f) pedagogu zgjedh dhe e bën të detyrueshme zgjedhjen e tij, kurse studentët binden;

(g) pedagogu vepron, kurse studentët kanë iluzionin e të vepruarit përmes veprimit të mësuesit;

(h) pedagogu zgjedh përmbajtjen e programit, kurse studentët (të pakonsultuar) i përshtaten atij;

(i) pedagogu e ngatërron autoritetin e dijes me autoritetin e tij ose të saj profesional, të cilin e vendos në kundërshti me lirinë e studentëve;

(j) pedagogu është subjekti i procesit mësimor, kurse studentët veç objekte.

Nuk bën habi fakti se koncepti bankor i arsimimit i konsideron njerëzit si qenie të përshtatshme dhe të menaxhueshme. Sa më shumë punojnë studentët në depozitimin dhe magazinimin e dijes, aq më pak të zhvilluar e kanë ndërgjegjen kritike që do të lindte nga ndërhyrja e tyre në botë si transformues të botës. Sa më tërësisht e pranojnë rolin pasiv që u imponohet, aq më tepër priren thjesht t’i përshtaten botës ashtu siç është dhe këndvështrimit të fragmentuar të realitetit që u jepet.

Kapaciteti i arsimimit bankor për të minimizuar ose anuluar fuqinë krijuese të studentëve dhe për të simuluar lehtëbesimin e tyre u shërben interesave të shtypësve, të cilët as që e çajnë kokën fare që bota të dalë në pah apo të transformohet. Shtypësit e përdorim “humanitarizmin” e tyre për të ruajtur një situatë fitimprurëse. Kësisoj ata reagojnë pothuajse instinktivisht kundër çdo eksperimenti më arsimim që simulon aftësitë kritike dhe nuk kënaqet me një këndvështrim të pjesshëm të realitetit, por gjithnjë kërkon të zbulojë lidhet midis një pike dhe një tjetre, një problemi dhe një tjetri.

Në të vërtetë, interesat e shtypësve kanë të bëjnë me “ndryshimin e ndërgjegjes së të shtypurve, dhe jo me ndryshimin e situatës që i shtyp ata”; pasi sa më shumë të shtyhen të shtypurit t’i përshtaten asaj situate, aq më lehtë mund të sundohen. Për këtë qëllim shtypësit përdorin konceptin bankor të arsimimit të shoqëruar me një aparat veprimi shoqëror paternalist, brenda të cilit të shtypurit fitojnë titullin eufemistik të “përfituesve të shërbimeve sociale”. Ata trajtohen si raste individuale, si persona të margjinalizuar që devijojnë nga konfigurimi i përgjithshëm i një shoqërie “të mirë, të organizuar dhe të drejtë”. Të shtypurit konsiderohen patologji e shoqërisë së shëndoshë, e cila duhet t’i ndreqë këta njerëz “jokompetentë dhe dembelë” sipas modeleve të saj duke u ndërruar mentalitetin. Këta të margjinalizuar duhen “integruar”, trupëzuar brenda shoqërisë së shëndoshë që e kanë “braktisur”.

Sidoqoftë, e vërteta është se të shtypurit nuk janë “margjinalë, nuk janë njerëz që jetojnë “jashtë” shoqërisë. Ata kanë qenë ngaherë “brenda” – brenda strukturës që i ka bërë “qenie për të tjerët”. Zgjidhja nuk është “integrimi” i tyren strukturat e shtypjes, por transformimi i strukturës në mënyrë që të bëhen “qenie për veten”. Ky transformim, afërmendsh, do t’i minonte qëllimet e shtypësve…

Ata që përdorin qasjen bankore, me vetëdije ose jo, nuk arrijnë ta perceptojnë faktin se vetë të depozituarit përmbajnë kontradikta rreth realitetit. Këto kontradikta, herët a vonë, mund t’i shtyjnë studentët dikur pasivë t’i kundërvihen nënshtrimit të tyre dhe tentativës për të nënshtruar realitetin. Ata mund të zbulojnë përmes përvojës ekzistenciale se mënyra aktuale e jetesës së tyre është e papajtueshme me vokacionin për t’u bërë qenie të plota njerëzore. Ata mund të perceptojnë përmes marrëdhënieve të tyre me realitetin se realiteti në të vërtetë është proces në transformim konstant. Nëse burrat dhe gratë janë kërkues dhe vokacioni i tyre ontologjik është humanizimi, herët a vonë mund ta perceptojnë kontradiktën në të cilën arsimimi bankor orvatet t’i mbajë dhe, paskëtaj, të angazhohen në luftën për çlirimin e tyre.

Mirëpo arsimtari humanist dhe revolucionar nuk mund të presë që kjo mundësi të materializohet. Që në krye të herës, përpjekjet e tij mund të përkojnë me ato të studentëve të angazhuar në mendim kritik dhe në kërkimin e humanizimit reciprok. Përpjekjet e tij duhet të mbushen me besim të thellë te njerëzit dhe te fuqia e tyre krijuese. Për ta arritur këtë, ata duhet të jenë partnerë me studentët.

Koncepti bankor nuk e pranon të tillë partneritet. Zgjidhja e kontradiktës pedagog-student, ndërrimi i rolit depozitor, parashkruar dhe “zbutës” me rolin e studentit në mes të studentëve do ta minonte pushtetin e shtypjes dhe do t’i shërbente kauzës së çlirimit.

Brenda konceptit bankor gjendet hamendësimi i dihotomisë midis qenieve njerëzore dhe botës: një person është thjesht në botë, jo bashkë me botën dhe me të tjerët; individi është spektator, jo rikrijues. Sipas këtij këndvështrimi, personi nuk është qenie e ndërgjegjshme; ai ose ajo është zotërues i një ndërgjegjeje: një “mendje” e zbrazët që është e hapur në mënyrë pasive ndaj marrjes së depozitave të realitetit nga bota jashtë… Ky këndvështrim nuk bën dallim midis qenieve të aksesueshme nga ndërgjegjja dhe që hyjnë në ndërgjegje. Dallimi është thelbësor: objektet që më rrethojnë janë thjesht të aksesueshme nga ndërgjegjja ime, dhe jo të lokalizuara brenda saj. Jam i ndërgjegjshëm për to, por nuk qëndrojnë ndanë meje.

Si rrjedhim logjik i nocionit bankor të ndërgjegjes, del se roli i arsimtarit është të rregullojë mënyrën se si bota “hyn brenda” studentëve. Detyra e pedagogut është organizimi i një procesi që ndodh spontanisht, “mbushja” e studentëve duke prodhuar depozita informacioni që ai ose ajo i merr për dijen e vërtetë. Meqenëse njerëzit e “marrin” botën si entitete pasive, arsimimi do t’i bëjë edhe më pasivë dhe do t’i përshtatë me botën. Individi i arsimuar është person i përshtatur sepse ai ose ajo i “shkon për shtat” më mirë botës. Po ta përkthejmë në praktikë, ky koncept i përshtatet më së miri qëllimeve të shtypësve, qetësia e të cilëve varet nga mënyra se sa mirë i përshtaten njerëzit botës që kanë krijuar shtypësit dhe se sa pak e vënë në pikëpyetje atë.

Sa më tërësisht i përshtatet shumica qëllimeve që i imponon pakica sunduese (duke i zhveshur kësisoj nga e drejta për të vendosur qëllimet e tyre), aq më lehtësisht mund të vazhdojë pakica të parashkruajë dhe sundojë. Teoria dhe praktika e arsimimit bankor i shërben këtij qëllimi në mënyrë eficente. Leksionet verbaliste, kërkesat për lexim, metodat e vlerësimit të “dijes”, distanca midis mësuesit dhe të mësuarve, kriteret për promovim: gjithçka në këtë qasje shabllone i shërben ndalimit të të menduarit…

Përgatiti dhe përktheu: Arlind Qori

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Prill 23, 2015 nga te Filozofi, Përkthim, Shoqëri dhe etiketuar me , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: