rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Shkurt për Charlie-n e radhës

Arbër Zaimi

Rasti i një gazetari të njohur në Tiranë, të vënë në shënjestrën e publikut për shkak të publikimit të disa videove dhe fotove intime, fillimisht ngjalli nëpër media dhe rrjete sociale sulmin, thashethemin, talljen dhe përfoljen e gazetarit në fjalë, e një ditë më vonë ngjalli një dallgë mbrojtjesh të tipit “ç’i duhet botës se ç’bën ai në jetën e vet private, fundi i fundit a nuk i bëjmë të gjithë…”. Si zakonisht, të gjithë mbetën të përqendruar tek simptoma, e as ky rast nuk e hapi mundësinë që të flitet seriozisht për marrëdhënien e medias me vetveten dhe me shoqërinë. Madje mbetën pa u thënë disa të vërteta të rëndësishme mbi to.

Së pari duhet thënë se sulmi i thashethemeve dhe mbrojtja e solidarëve janë të dyja anë të së njëjtës monedhë, asaj të moralizmit fals të stër-ushqyer prej idesë që gjithsecili sot e ka të drejtën të botojë, së paku në rrjete sociale, pra ta dokumentojë e ta lërë të shkruar provën për “moralin” e vet. Nëse sulmi e thashethemi pranohen botërisht se janë moral fals, është momenti të kuptojmë se edhe mbrojtjet e solidarizimi janë po ashtu moral fals. Sikur të ishte moral i vërtetë, do të bëhej e pamundur të botoheshin të tilla lapërdhi. Dikush mund të thotë se botimi është provë e amoralitetit të një mediumi të caktuar. Por jo. Thuajse të gjitha mediat e shkruara, televizive dhe online vazhdimisht publikojnë materiale nga ndodhitë intime dhe jetët private të shumëkujt, ndonjëherë me leje e më shpesh pa leje. Spektakularizimi i ndodhive intime, nxjerrja në dritë e së turpshmes (obscene), prodhon pështirosje, pështirosja prodhon edhe më shumë publik. Moralizuesit i kërkojnë publikut të mos pështiroset, por kështu ata legjitimojnë gjestin e Gazetës Express, e cila justifikohet duke thënë se nuk ka asgjë të keqe në publikimin e intimes (pra shuan arbitrarisht dallimin mes asaj që duhet fshihet dhe asaj që zbulohet). Për sa kohë intimja të perceptohet si e tillë, çdo publikim i saj do të jetë akt provokues. Të bësh aktin provokues pikërisht me qëllim për të provokuar, dhe të këshillosh të provokuarit që të mos provokohen, kjo është loja e preferuar e çmitizuesve sportivë që popullojnë mediat tona. Por, aktin provokues nuk e ka bërë gazetari, ai në këtë rast qe viktima. E pikërisht këtu qëndron pafytyrësia e provokatorit të radhës, që e provokon publikun përmes tjetërkujt.

fear-and-panic

Përpara se të solidarizohemi me Charlie-n e radhës, a mori njeri përsipër të solidarizohet me personat e desubjektivuar që nxirren përditë në mediat tona, që nga vajzat e shndërruara në copa mishi për më shumë klikime, e deri te pjesëmarrësit në emisionet reality, të cilët për të fituar garën detyrohen të bëjnë “atë që do” publiku i cili i voton me telefonata? A është solidarizuar kush me ata të cilëve u komodifikohet halli i tyre dhe nxirren që të bëjnë spektakël nëpër emisione me formate gjyqesh televizive? Apo ata e bëjnë këtë gjë me “vullnet të lirë”? Epo nuk e bëjnë me vullnet të lirë personat të cilëve u përmendet me e pa të keq emri në rubrikat e aktualitetit, kronikës së zezë, të verdhë apo rozë. Sa herë ka ndodhur që media të përzihet në punë të policisë e të gjyqësisë e të japë “verdikte”? Sigurisht që dikush do të jetë solidarizuar dikur, ama jo masivisht. Reagimin masiv e ruajmë për raste prestigjioze, sepse të tilla raste i japin pak prestigj edhe vetë reagimit tonë. Duke mbrojtur Charlien bëhemi nga pak parizienë të gjithë. Ndërsa masakrën në Kenia e shikojmë përgjithësisht si “gjynah dhe këta zezakët, sa botë e padrejtë që nuk reagon për ta”.

Së dyti, përse nuk bëhet një analizë e ngjarjes, për të parë se cili është fajtori. Sepse nëse ka padrejtësi, ka dhe fajtor. Video dhe fotot qarkullonin prej dy ditësh para se të botoheshin, e megjithatë ato nuk u botuan në mediat e Shqipërisë, por vetëm tek një portal në Kosovë, që mban emrin Gazeta Express. Ky portal edhe një herë konfirmohet si zëri më i ulët i medias shqip, publikues i materialeve trash, shantazhues, shpifës, keqinformues dhe keqedukues. Po të kishte qëndrime vërtet morale tek taborri solidar, atëherë do të duhej që ky portal të izolohej, të mos bashkëpunohej më me të, të mos publikoheshin më opinione dhe intervista në të, së paku jo prej mbrojtësve të gazetarit të dëmtuar. Ama jo vetëm këtë portal, por edhe media të tjera që jo rrallë i shkojnë afër në këtë drejtim. Po të ishte qëndrim i vërtetë, tashmë opinionistët që janë renditur pas kolegut të tyre, do të kishin kërkuar një rregullim ligjor të kësaj pune e të këtij profesioni, dhe një ndëshkim të atyre që e përdhosin ditë për ditë atë. Por nuk e bëjnë. Pse? Sepse portali në fjalë është “më i klikuari në Ballkan”, dhe klikimet, apo audienca, janë gjithçka që të nderuarit njerëz të medias janë në gjendje të synojnë. Ata dëshirojnë të bashkëpunojnë me këtë portal, të mësojnë prej tij, të përfitojnë prej tij, ta kopjojnë atë. Në këtë moment opinionistët solidarë preferojnë të mbrojnë gazetarin, por pa treguar e pa ndëshkuar fajtorin. Si shpeshherë.

Së treti, është për t’u shqetësuar fakti se po diskutohet për ta hequr prej pune një gazetar për një bëmë të tillë. Gazetarët, dhe përgjithësisht drejtuesit e medias janë të përfshirë në turlifarë pisllëqesh kriminale në vendin tonë (e më gjerë), e në vend se të dënohen për to, dënohen në momentin kur bien viktima të revenge porn. Gazetarët dhe njerëzit e medias duhet të ndëshkohen kur viktimizojnë dikë, kur mashtrojnë apo kur thonë gjysmë të vërteta, kur (keq) përdorin informacionin për të shantazhuar apo për të keqdrejtuar opinionin, kur vjedhin, kur marrin ryshfet, kur bëhen palë e lojërave politike shpesh në rolin e sekserit. Shumë prej gazetarëve që i di gjithë bota se i kanë bërë këto gjërat më sipër, na u solidarizuan me kolegun e viktimizuar së fundmi. I bukur grup solidar! Njerëzit e medias shpeshherë gëzojnë një pushtet të pakontrolluar e të papërgjegjshëm. Shpesh ata janë të paprekshëm, madje edhe kur dihet botërisht se kanë bërë diçka nga ato të renditurat më sipër, a ndoshta edhe më keq. Por janë përmbi pushtetet, e si pasojë “ia hedhin”. Për këtë arsye jo pak-kush gëzohet kur u ndodhin të tilla gjëra. E shtrohet pyetja, nëse themeli i republikës qëndron tek kontrollimi i përgjegjësisë së pushteteve, të cilat në bashkëkohësi janë legjislativi, ekzekutivi e gjyqësori, a nuk do të duhej të kontrollohej në emër të republikës edhe i vetëproklamuari pushtet i katërt. Jo, klith liberali. Media është sipërmarrje ekonomike private, si e tillë qëndron përmbi republikën…!!!

Përgjegjësia e medias për atë që prodhon duket se është shuar, së bashku me shuarjen e autoritetit të medias tradicionale. Disa rendën të thoshin se jetojmë në perëndim të çdo autoriteti, ah ekstaza e lirisë. Por, për sa kohë shoqëria njerëzore bën qytetërim, detyrimisht bën edhe autoritet. Çështja është gjithnjë të diskutohet se si, i kujt e për kë është autoriteti. Edhe vetë “mediat e lira” e rrjetet sociale të pakontrolluara, njësoj si “tregu i lirë” nuk janë veçse një çizme mbi kokën e të shumtëve, që komodifikon e i shndërron personat në individë, jetët në spektakël etj. E tillë “liri” e uzurpuar, të bën gjithnjë të brohorasësh “rrofshin prangat”.

Rendja e medias drejt “kapjes së audiencës” (apo e personave në rrjete sociale për më shumë “like”) është garë për poshtë e më poshtë. Kështu përfundojmë që të kemi “opinion-bërës” të cilët nuk kanë ndonjë aftësi analitike, as shquhen për logjikë e thellim, as japin informacion, as dinë të shkruajnë a të flasin bukur, por thjesht kanë batuta të gatshme e të zhurmshme, shpesh renditje klishesh idiote – e me këtë meritë lejohen të botojnë, ftohen nëpër emisione, drejtojnë emisione, marrin shumë “share”, dhe “udhëheqin” opinionin. Në rastin në fjalë kemi të bëjmë me një viktimë të medias që si rrallë herë vjen nga vetë ingranazhet e saj. Përndryshe më shpesh, e përditë, viktimat e medias janë jashtë saj.

Por a mund të tolerojë shoqëria, komuniteti, republika, një territor kaq të papërgjegjshëm e kaq të dhunshëm që të “lulëzojë” si të dojë? A nuk është koha të ngremë zërin për themelimin e profesionit të gazetarit si një profesion i rregulluar, me një urdhër profesional? A nuk është momenti të kërkohet rithemelimi i mediave me pretendime serioze për informim dhe kulturim të publikut? Të themelohet një media që është në gjendje të mendojë për veten e për shoqërinë, do të thotë edhe të themelosh një shoqëri që është në gjendje ta mendojë veten edhe median. Pastaj, a nuk duhet themeluar një media ku marrëdhëniet e punës janë të rregulluara e të sindikalizuara, sepse edhe abuzimi me punëtorin e medias është fajtor për barbarizmën që na imponohet përditë në mënyra të ndryshme. Apo jemi tërësisht të pafuqishëm përballë internetit-transformues i cili sillet me informacionin ashtu siç sillet globalizmi me kapitalin, dmth. e shqendërzon, e individualizon, e bën efemer, të parrënjë, dhe bën të mundur moskontrollueshmërinë përfundimtare, pra dhe triumfin e abuzivizmit dhe e mentalitetit të përfitimit?

Të dorëzohesh përballë perversitetit të disa mediave të shfrenuara dhe të dorëzohesh ndaj #rule34 nuk është zgjidhje. Rasti në fjalë do të duhet të prodhonte pasoja për publikuesit, dhe secili rast i ngjashëm do të duhej të ndiqej penalisht. Po ashtu do të duhej të shkurajohej dhe të dënohej në disa raste, përdorimi i biografisë dhe i fakteve private si element për të disiplinuar, gjykuar apo paragjykuar dikë në diskutim publik. Dikush mund të thotë se kjo nuk i mbyll mundësitë e publikimit në anonimitet të këtyre fakteve, e megjithatë impakti i anonimit që publikon në ndonjë faqe-fantazmë të internetit është shumë më pak i dëmshëm se sa rasti i publikimit në një media të regjistruar, me redaktorë e kryeredaktorë.

Po ashtu, do të duhej të vendosej rregull edhe në përdorimin publik të rrjeteve sociale dhe internetit, të cilat nuk janë gjë tjetër përveçse një zgjatim i terreneve të tjera sociale që ne banojmë, siç janë sheshet, rrugët, auditoret, etj. Asnjë prej këtyre terreneve nuk do të mund të funksiononte pa rregulla. E nëse nuk flasim për rregulla, atëherë bëhemi thjesht pjesë e zhurmës moraliste. #JeNeSuisPasÇa

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Prill 22, 2015 nga te Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: