rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Ca nga njëmijenjë arsyet e protestës

Nga protestat kundër reformës në Arsimin e Lartë, Tiranë

Nga protestat kundër reformës në Arsimin e Lartë, Tiranë

Arlind Qori

Pse duhet dalë kundër projektligjit për arsimin e lartë?

1. Nuk ka për të pasur më universitete publike. Publikja do të zhduket si përmbajtje për të mbetur vetëm emër. Po u iku përcaktimi thelbësor publik, universitetet kthehen në diplomore, d.m.th. qendra trajnimi çirakësh me diplomë ngjyra-ngjyra.

2. Duke u tregtarizuar, universitetet do të shtrëngohen t’i nxjerrin gjithnjë e më shumë vetë të ardhurat. Kësisoj rroga e pedagogut do të varet nga tarifat e studentëve. Në vend të bashkëveprimit pedagogë-studentë për t’i bërë presion qeverisë të rrisë financimin e universiteteve publike (çka mund të rriste rrogat dhe ulte tarifat) do të kemi luftën për mbijetesë midis pedagogëve dhe studentëve.

3. Tarifat do të rriten edhe më shpejt nga ç’janë rritur këto vite. Sipas një llogarie me të dhënat e mangëta që na ka dhënë qeveria, rezulton se çdo vit tarifat priten të rriten mesatarisht me mbi 100 euro. Universiteti do të shndërrohet nga instrument për t’u ngjitur në shkallaren shoqërore në shkollë pasanikësh të ngeshëm dhe varfanjakësh të mbytur në borxhe dhe në iluzione për një botë më të mirë.

4. Deri më tash pedagogët kanë pasur lirinë e përpilimit të kurrikulave akademike sipas interesit të tyre studimor dhe rigorozitetit shkencor (së paku në parim). Pas re(sh)formës, për të qenë të marketueshëm do t’i përshtatin kurrikulat me kërkesat e tregut të reklamave dhe shijeve të kohës. Harrojeni Kantin, Hegelin e Marksin. Nesër do studioni libra “Si të bëhesh milioner në një vit?”, “Suksesi në intervistat e punës”, “Pesë metoda marketingu të vetes”, “Si të reklamojmë punën shkencore – edhe pa e ditur ç’është?”, “Pellazgët, qytetërimi i parë në botë”, “Kolombi ishte shqiptar, indianët po ashtu”, “Seksi oral në Kanunin e Lekë Dukagjinit”, “Astrologjia, shkencë mbi shkencat”, “Si të hapësh një universitet privat” etj.

5. Deri më sot kritika e brendshme therëse i shërbente përmirësimit të universiteteve. Tanimë kritika do t’u kushtojë shtrenjtë universiteteve. Sa më shumë ta kritikoni universitetin ku punoni e studioni, aq më të pasigurt do ta keni vendin e punës e më të ulët rrogën dhe edhe më të larta do t’i keni tarifat e studimit. Merrni shembull diplomoret private. Të gjithë kritikojnë publikisht gjithçka përveç universitetit dhe pronarit të tyre.

6. Në vend që të taksojë privilegjet e diplomoreve private për të shëndoshur universitetet publike, qeveria do të taksojë universitetet publike për të shtuar privilegjet e diplomoreve që nesër do kenë ndërruar edhe emër: diplomore publike të pavarura.

7. Si të mos mjaftonte financimi i diplomoreve private, qeveria ka zgjedhur të ndihmojë edhe bankat private. Studentëve u premton kredi me interesa të ulëta, çka nuk do të thotë se bankat do tulin interesat për fytyrat e këndshme të rinisë universitare, por se qeveria do të paguajë diferencën e përqindjes së interesit ose edhe kolateralin në rast mospagese. Lum si bankat të cilave do t’u sigurohet kërkesë në rritje dhe me kthim të sigurt pasi dorëzanëse del qeveria. Ky është kapitalizmi jashtë dokrrave ideologjike: socializëm për të pasurit.

8. Nga të vetmet ishuj me gjurmë vetorganizimi të punonjësve dhe studentëve, universitetet publike do të kthehen në rripa transmisioni të politikave qeveritare, pedagogët në çirakë të shkathët marketingu dhe studentët në klientë të përjashtuar nga çfarëdo dimensioni serioz bashkëkushtetues dhe vendimmarrës në universitete.

9. Nga institucione ku synohet që diferenca midis atyre që dinë më shumë dhe atyre që dinë më pak të vijë duke u zvogëluar dhe dija të bashkëprodhohet sipas pedagogjisë çlirimtare, universitetet do të kthehen në zyra kursesh të dhëna nga ca që s’kanë kohë të dinë cave që s’kanë dëshirë të dinë.

10. Re(sh)forma është sponsorizuar nga një grusht lobistësh pronarë diplomoresh private. Ndalimi i saj do të ndalte ndikimin okult privat dhe do të kthente shpresën se demokracia është pjesëmarrje dhe ndikim masash në dritën publike.

11. Nga mjedise potencialisht frikësuese për oligarkinë politiko-ekonomike, universitetet do të kenë frikë. Nga ristrukturuese të marrëdhënieve shoqërore emancipueshëm, universitetet do ta riprodhojnë në imtësi karakterin më brutal të marrëdhënieve shoqërore aktuale. Nga të sotme të mbarsura me të ardhme do të kthehen në mushka të infektuara me të shkuarën…

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Prill 21, 2015 nga te Shoqëri, Thirrje dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: