rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Përtej keqedukimit neoliberal

Nga protestat kundër reformës neoliberale në arsimin e lartë, Tiranë

Nga protestat kundër reformës neoliberale në arsimin e lartë, Tiranë

Henry Giroux

Ky artikull përmban disa nga idetë e shtjelluara në librin më të ri të Henry Giroux-së “Lufta e neoliberalizmit ndaj arsimit të lartë, i cili analizon kushtet në të cilat ndodhet arsimi i lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndikimin që ka pasur ideologjia neoliberale në transformimin e tij.

***

Në epokën kur universitetet janë kthyer në modele të menaxhimit korporativ (ndërmarrjesh tregtare biznesi), ato tentojnë gjithnjë e më shumë të përdorin dhe shfrytëzojnë punën e lirë të stafit pedagogjik ndërkohë që zgjerojnë radhët e klasës menaxheriale. I modeluar sipas një sistemi të egër vlerash neoliberale ku pasuria dhe pushteti përqendrohen sa më lart në shkallën hierarkike, një kastë menaxherësh të orientuar sipas ligjësive të tregut ka marrë në dorë strukturat qeverisëse të shumicës së institucioneve të arsimit të lartë të Shteteve të Bashkuara. Siç vë në dukje Debra Leigh Scott-i, “administratorët tanimë tejkalojnë në numër punonjësit akademikë në çdo kampus në vend.” (1) Por nuk po luhet veç me numrat. Benjamin Ginsberg-u e sheh këtë zhvendosje në qeverisje si ngritjen e asaj çka ai emërton në mënyrë ndjellakeqe si “universiteti i gjithadministrimit,” duke nënvizuar se ky koncept nuk ka vend në vizionin e arsimit të lartë si sferë publike demokratike. (2)

Një numër në rritje universitetesh ndjekin strategjinë e punësimit të stafit ndihmës dhe të jashtëm të punonjësve akademikë – radhët e të cilëve tanimë numërojnë 1 milion nga 1.5 milionë vetë në total – shumë prej të cilëve mbajnë statusin e shërbëtorëve të kontraktuar (*) të cilët janë të mbingarkuar me punë, nuk u paguhen sigurime, kanë shumë pak ose aspak mbështetje administrative dhe pagat që marrin janë të nivelit që i detyrojnë të përdorin tollona për ushqim. (3) Shumë studentë e gjejnë veten në kushte fort të ngjashme duke ndarë me ta statusin e një nënklase të nënshtruar ndaj politikave dhe vlerave neoliberale, që në masë të madhe trajtohen si konsumatorë për të cilët arsimimi është kthyer në hiç më shumë sesa një shërbim. Shumë prej studentëve ndodhen nën barrën e rëndë të borxheve studentore të cilat janë kthyer në burim fitimprurës për industrinë e mbledhjes së borxheve pasi i lejon këta të fundit të përfitojnë nga fatkeqësitë dhe vështirësitë e një ushtrie studentësh borxhlinj. Nën regjimin e arsimimit neoliberal, mjerimi pjell njëkohësisht një lloj përçmimi ndaj borxhlinjve dhe burime fitimesh për bankat dhe industritë e tjera financiare. Jerry Aston, një prej përfaqësuesve të këtyre industrive, pasi u bë dëshmitar i një proteste studentore që kundërshtonte malin e borxhit në rritje shkroi në një artikull: “Nuk mund ta besoni se ç’pasuri të akumuluar përfaqësojnë ata për industrinë tonë!” (4)

Padyshim që kjo lloj padrejtësie financiare po ndodh në një ekonomi në të cilën plutokratë të pasur, si për shembull antisindikalistët famëkëqij Koch Brothers dëshmuan “rritjen e investimeve të tyre me $6 miliardë në vit, që do të thotë $3 milionë dollarë në orë bazuar në javën 40-orëshe.” (5) Domethënës për lakminë dhe pushtetin e përqendruar në pak duar është fakti se në vitin 2012 Koch Brothers “fitonin mjaftueshëm para në një sekondë sa për të ushqyer një grua të pastrehë për një vit të tërë.” (6) E megjithatë i vetmi institucion – ai i arsimit – që ofron për studentët mundësi që t’i sfidojnë këto tendenca antidemokratike ndodhet nën sulmin e elitës korporatiste dhe fundamentalistëve të tjerë ekonomikë.

Kapitalizmi i kazinove shkon përtej ndërthurjes së vlerave të tregut me çdo aspekt të arsimit të lartë; ai ndërmerr një reprezalje të vërtetë ndaj të mirës publike, sferave publike demokratike, si dhe rolit të arsimit në mbrujtjen e një qytetarie të informuar dhe emancipuar. Kur ish-kandidati për president, senatori Rick Santorum, argumentoi se intelektualët nuk kishin vend në Partinë Republikane, ai thjesht po artikulonte perceptimin e përhapur në një shoqëri të ngërthyer nga vlera të ngushta instrumentaliste, nga injoranca e përdorur si vegël në politikë dhe nga një frikë e rrënjosur thellë ndaj qytetarisë së arsimuar dhe pranimit të gjithëpërfshirjes komunale. Mendimi kritik dhe publiku i arsimuar janë kthyer në rrezik për ata që duan të lartësojnë ortodoksinë mbi dialogun, emocionin mbi arsyen dhe bindjen ideologjike mbi mendimin e thellë. (7) Paralajmërimi i Hannah Arendt-it se “nuk është budallallëku, por një paaftësi befasuese dhe autentike për të menduar” (8) ajo që qëndron në zemrën e çdo regjimi autoritar është kthyer tanimë në praktikën e hapur të politikanëve dhe mbështetësve të krahut të djathtë dhe, gjithnjë e më shumë, është pranuar gjerësisht nga industria e kinematografisë dhe mediat kryesore, të gjithë pjesëtarë të një industrie arsimimi që prodhon konsumatorë, e zhyt vendin në muzgun e zbrazët të kulturës së VIP-ave dhe e dënon demokracinë si armike të fundamentalizmit të tregut të lirë. Si mund të shpjegohet ndryshe vullneti i kaq shumë njerëzve për të hequr dorë nga çdo ndjenjë privatësie për median sociale, qeverinë dhe këdo tjetër që interesohet në grumbullimin e të dhënave personale për qëllimet më të turpshme dhe antidemokratikë të mundshme?! Obsesioni me vetveten kultivon më shumë sesa një kulturë narcizmi; zbraz nga përmbajtja çdo nocion të mundshëm të kolektives, empatisë dhe imagjinatës etike.

Thirrjet e krahut të djathtë për shtrëngime financiare përbëjnë bazën e argumentit për politikat e shkurtimit të buxheteve  dhe fondeve që mundësojnë funksionimin – madje mbijetesën – e programeve sociale dhe edukative të financuara nga shteti. Së bashku me sistemin shëndetësor, transportin publik, programin e tollonave të ushqimit për fëmijë në nevojë, si dhe një sërë mbrojtjesh sociale të ofruara nga shteti, arsimi i lartë po nënfinancohet si pjesë e një skeme më të gjerë për të shpërbërë dhe privatizuar të gjitha shërbimet, të mirat dhe sferat publike. Pasioni për vlerat sociale i ka lënë vendin garës së paskrupullt drejt fitimeve dhe ngritjes së interesit personal sipër të mirës së përbashkët. Synimi arsimor për të zgjeruar aftësinë e të menduarit kritik dhe tejkalimin e kufijve të përtejmë të imagjinatës i kanë lënë vendin shkretëtirës instrumentale të një kulture trushpëlarëse auditimi. Por çështja shkon më thellë sesa marshimi drejt privatizimeve dhe ndjekjes së pafundme të përfitimeve më çdo kusht; ajo ka të bëjë edhe me shpenzimet e kota për makinerinë e luftës, refuzimin për një taksim të drejtë të të pasurve dhe korporatave, shpërdorimin e fondeve të ushtrisë amerikane për prezencën e trupave në Irak e Afganistan, si dhe konsolidimin e vazhdueshëm të pushtetit klasor në duart e njëpërqindëshit.

Argumenti i deficitit buxhetor dhe politikat e shtrëngimit që predikohen në emër të tij përbëjnë një formë lufte klasore të projektuar në radhë të parë në mënyrë që shteti të jetë në gjendje të riorientojë të ardhurat drejt institucioneve drejtuese të kompleksit korporatisto-ushtarako-industrial dhe larg financimit të arsimit të lartë dhe shërbimeve të tjera publike me rëndësi jetike. Shkalla e sulmit drejt reduktimit të buxhetit është e tillë saqë në vitin 2012 “shtetet i reduktuan buxhetet për arsimin me $12.7 miliardë.” (9) Liberalët dhe konservatorët i justifikojnë të tilla masa duke e drejtuar gishtin drejt të ardhurave në rënie të akumuluara nga shteti, por ajo çka i mungon argumentit është se një ndër shkaqet kryesore të kësaj rënieje janë politikat dhe ligjet e implementuara nga krahu i djathtë, të cilat ulin taksimin ndaj të pasurve dhe megakorporatave. Sigurisht që barra e këtyre shkurtimeve bie mbi të varfrit dhe studentët me të ardhura të kufizuara, të cilët nuk do jenë në gjendje të përballojnë rritjen e tarifave që do duhet të kompensojnë  shkurtimet e financimeve shtetërore. Ndërkohë që shteti politik zëvendësohet nga shteti korporatist, tarifat e studimit rriten, radhët e të varfërve zgjerohen, problemet sociale kriminalizohen dhe shteti ndëshkues lulëzon e shtrihet mbi çdo formë mosbindjeje sociale.

Ajo çka është bërë tashmë e qartë në optikën e këtyre sulmeve është se shumë prej universiteteve dhe kolegjeve janë kthyer në bashkëpunëtore të bindura të korporatave, interesave, vlerave dhe pushtetit personal dhe duke ndjekur këtë rrugë, i trajtojnë problemet sociale ose si të parëndësishme, ose i bëjnë ato të padukshme. (10) Transformimi i arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë është i dukshëm në një sërë aspektesh. Ato nënkuptojnë zvogëlimin e mbështetjes për programet e studimit të cilat nuk janë të orientuara nga biznesi; reduktimin e fondeve për kërkime shkencore të cilat nuk rritin fitimin; zëvendësimin e formave të qeverisjes me bazë të gjerë me modele të ngurta të menaxhimit biznesor; zvogëlimin e mbështetjes financiare për fusha akademike që i japin përparësi të menduarit kritik në vend të kulturës së sipërmarrjes; shfrytëzimin e vazhdueshëm të punëtorëve të fakultetit;  dhe përdorimin e fuqisë blerëse si shënjues identiteti, vlere dhe mundësie të studentëve për të hyrë në sistemin arsimit të lartë. (11) Për më tepër, shumë universitete janë zaptuar tashmë nga forca të shumta sigurie, mesazhi kryesor i të cilëve është se mosbindja dhe protesta studentore, sado paqësore qofshin, do të nënshtrohen nëpërmjet dhunës. Armët e ngelura nga fushëbetejat e Irakut dhe Afganistanit janë zhvendosur nëpër kampuset universitare që duket sikur janë kthyer në zona të mundshme luftimesh. Këto armë lartësohen frikshëm, si për t’u kujtuar studentëve se mund të vihen në përdorim kundër të gjithë atyre që vënë në pikëpyetje autoritetin, imagjinojnë një rol më demokratik për universitetin dhe e lidhin studimin me ndryshimin e shoqërisë. Universitetet po kthehen në zona të imagjinatës së vdekur, të menaxhuara nga një klasë e majme burokratësh, të banuara nga një staf pedagogjik që përbën klasën e re të teknicienëve-shërbëtorë dhe nga studentë që poshtërohen si konsumatorë-borxhlinj. Por jo të gjithë universitarët i përshtaten këtij përshkrimi. Disa syresh e ngrenë zërin në protestë, të tjerë gëzojnë privilegjin e të qenit bashkëpunëtorë me pushtetin, ndërsa të tjerë humbasin rrugën nëpër orbitat e interesave të privatizuara ose makinacioneve akademike. Universiteti është një hapësirë përpjekjeje dhe përshkohet nga shumë kontradikta, por unë nuk besoj së është ekzagjerim të them se arsimi i lartë, që prej fundit të viteve ’70, është marrë peng nga një amalgamë forcash fundamentaliste politike e ekonomike që kanë punuar fort për ta zbrazur nga përmbajtja e domethënies së arsimimit të mendjeve të reja për të pasur njohuri, mendim kritik, empati dhe solidaritet me vuajtjet e të tjerëve dhe shoqërisë në tërësi. E mbi të gjitha, arsimi i lartë sot pasqyron një vizion distopik të Amerikës korporatiste dhe të regjimeve autoritare të epokave të shkuara që imponojnë pedagogjinë e ndrydhjes dhe konformizmit të lidhura me shoqëri të cilat kanë humbur çdo ndjenjë përgjegjësie etike dhe respekti për barazinë, vlerat publike dhe drejtësinë. Imagjinata demokratike është transformuar në një bazë të dhënash e cila i shtyn subjektet drejt një bote imagjinare neoliberale konsumatorësh të sterilizuar dhe punëtorie të shfrytëzuar synimi i vetëm i të cilëve është akumulimi i kapitalit dhe shtyrja e stafeve pedagogjike dhe studentëve drejt një situate mbikëqyrjeje/ndëshkimi të ngjashme me Vëllain e Madh oruerllian apo Më të mirat e botëve të Huxley-t.

E përktheu Redi Muçi

Shënime:

(*) shërbëtor i kontraktuar është një term që përdorej për të përshkruar një person të emigruar në Amerikën e shekujve XVII-XIX, i cili kontraktohej për të punuar për një periudhë të caktuar, zakonisht 7-vjeçare, për të shlyer ndaj pronarit kostot e transportit. Këta persona zakonisht ishin ish-të burgosur, viktima të persekutimeve fetare apo politike, persona të rrëmbyer për të kryer këtë funksion, lypsarë etj.

(1) Debra Leigh Scott, “How Higher Education in the US Was Destroyed in 5 Basic Steps,” Alternet,

(October 16, 2012).

(2) Benjamin Ginsberg, The Fall of The Faculty: The Rise of the All-Administrative University and Why

It Matters (New York: Oxford University Press, 2011).

(3) Hart Research Associates, American Academics: Survey of Part Time and Adjunct Higher Education

Faculty (Washington, D.C.: AFT, 2011). Steve Street, Maria Maisto, Esther Merves, and Gary Rhoades,

Who Is Professor “Staff” and How Can This Person Teach So Many Classes? (Los Angeles: Center for

the Future of Higher Education, 2012).

(4) Andrew Martin and Andrew W. Lehren, “A Generation Hobbled by the Soaring Cost of College,” The

New York Times (May 12, 2012), Page A1.

(5) Paul Buchheit, “Five Ugly Extremes of Inequality in America – The Contrasts Will Drop Your Chin

to the Floor,” Alternet, (March 24, 2013).

(6) Paul Buchheit, “4 ways the Koch brothers’ wealth is incomprehensible,” Salon (November 27, 2013).

(7) Për një analizë të shkëlqyer në mbrojtje tv mendimit kritik jo vetëm si aftësi por si baza e cdo shoqërie demokratike, shih Robert Jensen, Arguing for Our Lives (San Francisco, City Lights Books,

2013).

(8) Cited in Richard J. Bernstein, The Abuse of Evil: The Corruption of Politics and Religion since 9/11

(London: Polity Press, 2005), Pages 7-8.

(9) Paul Buchheit, “Now We Know Our ABCs And Charter Schools Get an F,” CommonDreams.org

(September 24, 2012).

(10) Shih, Henry A. Giroux, The University In Chains: Confronting the Military-Industrial-Academic

Complex (Boulder: Paradigm, 2007).

(11) Shih, Robert B. Reich, “Slashed Funding for Public Universities Is Pushing the Middle

Class Toward Extinction,” AlterNet, (March 5, 2012). Për një argument të shkëlqyer lidhur me arsyet politike dhe ekonomike të nënfinancimit dhe sulmit ndaj arsmimit të lartë, shih Christopher Newfield,

Unmaking the Public University: The Forty-Year Assault on the Middle Class (Cambridge,

Massachusetts: Harvard University Press, 2008).

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Prill 20, 2015 nga te Përkthim, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: