rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Cipras mbi reparacionet e Luftës II Botërore

Fjalimi i kryeministrit të Greqisë, Aleksis Cipras, mbi dëmshpërblimet e luftës që Gjermania i detyrohet Greqisë. Fjalimi u mbajt gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërpartiak Parlamentar për Kërkesën e Reparacioneve Gjermane, në 10 mars 2015. Tekstin origjinal në greqisht mund ta gjeni këtu.

Ky fjalim postohet për ata që kanë interes në ndjekjen e situatave në Greqi, por edhe për ata që duan të bëjnë një krahasim me qasjen që shqiptarët kanë ndaj historisë, sidomos duke patur parasysh politikën e harresës që imponohet në Kosovë, politikën e drejtësisë tranzicionale si zëvendësim i drejtësisë, si dhe i shuarjes të së drejtës kombëtare të Luftës Çlirimtare, të gjitha këto “në emër të së ardhmes”.

Po ashtu, për ndjekësit e të majtës, është interesant të vihet re elementi nacionalist çlirimtar, sovranist e progresist, si element i fortë i të majtës, pavarësisht përpjekjes liberale për t’ia lënë çdo lloj nacionalizmi të djathtëve dhe/ose neo-imperializmit nën formatin globalizues.

 

Zonja kryesuese,

Zonja dhe zotërinj deputetë,

E marr fjalën sot, në këtë takim historik jo thjesht për arsye simbolike, por edhe për arsye thelbësore.

Së pari, dhe mbi të gjitha, për të përkujtuar viktimat e Luftës II Botërore. Por edhe për të nderuar luftëtarët dhe luftëtaret nga e gjithë bota, që dhanë jetët për çlirimin e atdheut të tyre, që dhanë jetët për të mposhtur nazizmin i cili mbuloi me mjegullën e tij të helmët popujt e botës.

WWIIE marr fjalën gjithashtu për të nderuar luftëtarët e rezistencës kombëtare greke, të cilët dhanë jetët për ta çliruar vendin prej pushtimit dhe mizorive naziste. Që ne të kemi sot një atdhe të lirë dhe sovran.

Disa njerëz na thonë – pse merreni me të shkuarën, shihni të ardhmen. Por cili vend, cili popull mund të ketë të ardhme nëse nuk nderon historinë dhe betejat e veta? Cili popull mund të ecë përpara duke fshirë kujtesën kolektive, dhe duke i lënë historikisht të pajustifikuara betejat dhe sakrificat e veta?

Në të vërtetë nuk ka kaluar shumë kohë prej atëherë, zonja dhe zotërinj. Brezi që ka përjetuar pushtimin dhe që ka marrë pjesë në Rezistencën Kombëtare ende jeton. Imazhet dhe britmat prej torturave dhe ekzekutimeve në Distomo dhe në Qesariani, në Kalavrita dhe në Viano janë ende të freskëta në kujtesën kolektive të popullit tonë.

Krimet dhe shkatërrimet e shkaktuara prej trupave të Rajhut të Tretë anembanë territorit grek, por edhe anembanë Europës, janë ende të freskëta në kujtesën e popullit tonë. Dhe këto kujtime duhet të ruhen edhe tek brezat e rinj. Ne kemi një detyrë – historike, politike dhe etike – që t’i ruajmë këto kujtime. Jo pse duam të ruajmë dyshimin apo urrejtjen ndërmjet popujve, por për të kujtuar përgjithnjë se çfarë do të thotë fashizëm. Për të kujtuar se ç’ndodh kur solidariteti, miqësia, bashkëpunimi dhe dialogu mes popujve zëvendësohen prej një ndjenjë të superioritetit dhe të predestinimit historik. Për të kujtuar ç’ndodh kur respekti zëvendësohet prej intolerancës – si etnike ashtu dhe shoqërore – e atëherë ajo që vjen është lufta dhe errësira.

Dhe këtë errësirë Europa e njeh mirë. E ka përjetuar dhe e ka urryer. Kjo ka qenë një nga arsyet se pse popujt e Europës vendosën të fillojnë procedurat në 1957, në mënyrë që sirenat e luftës të mos bien më. Dhe nuk duhet të harrojmë se edhe vetë populli gjerman ka vuajtur prej mizorive naziste. Dhe në Gjermani nazizmi erdhi në pushtet pikërisht për shkakun se më parë, populli gjerman u poshtërua.

Kjo, sigurisht, nuk është një justifikim por një shpjegim. Është mësimi që nxjerrim prej të shkurtrit shekull XX – po të na kujtohet edhe Erik Hobsbami (Eric Hobsbaëm). Pas Luftës së Parë Botërore sundoi revanshizmi dhe urrejtja. Sundoi një logjikë dritëshkurtër e poshtërimit të të humburit, për shkak të mëkateve të veta, logjika e poshtërimit dhe mjerimit të një populli të tërë për shkak të humbjes së luftës. Dhe kjo zgjidhje politike më pas u pagua me gjakun e të rinjve të gjithë botës. Duke përfshirë edhe ata të Gjermanisë.

Popujt e Europës dhe udhëheqësit e tyre duhet të përkujtojnë dhe të nxjerrin mësime prej historisë bashkëkohore europiane. Sepse Europa  nuk duhet, nuk i lejohet asaj, që sot të bëjë të njëjtat gabime.

Zonja dhe zotërinj, pas Luftës së Dytë Botërore, mësimet me të vërtetë u nxorën. Gjermania, pavarësisht krimeve të Rajhut të Tretë dhe të hordhive hitleriane që dogjën në gërmadha botën, pavarësisht ligësisë totale të Holokaustit, u ndihmua – dhe me të drejtë – përmes një sërë ndërhyrjesh. Më e rëndësishmja prej këtyre ishte falja e borxhit prej Luftës së Parë Botërore, me Traktatin e Londrës së 1953, dhe sigurisht, shumat e mëdha që u shpenzuan prej Aleatëve për të rindërtuar vendin.

Traktati i Londrës sidoqoftë njohu, në të njëjtën kohë, faktin se detyrimet për Reparacionet Gjermane të Luftës së Dytë Botërore mbeten në fuqi, dhe se do të duhet të zgjidheshin kur të nënshkruhej marrëveshja përfundimtare e paqes – e cila nuk u nënshkrua deri në 1990, për shkak të ndarjes së Gjermanisë.

Ribashkimi i dy Gjermanive krijoi konditat e nevojshme ligjore dhe politike për ta zgjidhur këtë çështje, por qeveritë gjermane që prej asaj kohe e deri sot kanë zgjedhur të heshtin, të përdorin hile ligjore, ta shtyjnë çështjen, dhe të bëjnë taktika penguese. Dhe unë shtroj pyetjen, zonja dhe zotërinj: a është ky qëndrim etik?

Fola për hile ligjore, dhe meqenëse këto janë çështje shumë të rëndësishme, do të doja të shpjegoja qartësisht se për çfarë e kam fjalën, kështu që të mos mbetet asnjë hije (dyshimi). Edhe atëherë kur Gjermania pranon të flasë për çështjet e borxheve që i ka Greqisë, që prej Luftës së Dytë Botërore, sjell në kujtesë Marrëveshjen Bilaterale të 1960.

Ky ishte momenti kur, me iniciativën e saj, pagoi 115 milion marka si reparacione, dhe Mbretëria (e atëhershme) e Greqisë njohu se nuk kishte më pretendime. Por kjo marrëveshje sidoqoftë nuk kishte të bënte me reparacionet që përfshinin dëmtimet që vuajti vendi, por vetëm me reparacionet ndaj viktimave të nazizmit në Greqi. Dhe, sigurisht, në asnjë mënyrë kjo marrëveshje nuk kishte të bënte me Borxhin e Pushtimit, apo qoftë edhe me pretendimet për reparacione duke patur parasysh mizoritë e luftës, shkatërrimin tërësor të infrastrukturës së vendit dhe shkatërrimin e ekonomisë gjatë luftës e gjatë pushtimit.

Të gjitha këto, unë e di mirë, janë çështje sa teknike aq edhe sensitive, dhe ndoshta ky nuk është vendi e as koha për të folur më shumë për to. Sqarimet e nevojshme dhe puna teknike do të bëhen, jo prej meje por prej ekspertëve – studiuesve të ligjit dhe të historisë.

Ajo për të cilën dua të siguroj si popullin grek ashtu edhe atë gjerman është fakti se ne do t’i qasemi kësaj çështje me ndjeshmërinë e nevojshme, me një ndjenjë përgjegjësie dhe ndershmërie, dhe me një ndjenjë komunikimi e dialogu. Por ne presim të njëjtën gjë edhe nga qeveria e Gjermanisë. Për arsye politike, historike dhe simbolike.

Zonja dhe zotërinj, përkundër tonit moralizues që ka mbizotëruar debatin publik të viteve të fundit në Europë, ne nuk do të zgjedhim as rolin e studentit, që ul kokën dhe mbyll sytë ndaj mësimeve morale që merr nga lart, por nuk do të zgjedhim as rolin e mësuesit që moralizon nga katedra, i cili tund gishtin kërcënueshëm ndaj ndonjë mëkatari të supozuar, duke i kërkuar të vuajë për mëkatet e veta.

Përkundrazi, ne do të zgjedhim rrugën e negocimit dhe dialogut, të kuptimit të dyanshëm dhe të drejtësisë. Nuk po bëjmë teodici këtu, por në të njëjtën kohë nuk do të heqim dorë prej pretendimeve tona të pamohueshme. Nuk po japim mësime moraliteti, por po ashtu nuk pranojmë mësime moraliteti. Sepse, siç e dini, shumë shpesh kohët e fundit kur dëgjojmë deklarata provokative që vijnë nga jashtë, më vjen ndërmend vargu i famshëm nga Predikimi në Mal, kur Jezui tha: “Ata shohin halën në syrin e vëllait të tyre, por jo traun në syrin e vet”.

Zonja dhe zotërinj, zonja Kryesuese, për ta mbyllur këtë fjalim të shkurtër, do të dëshiroja t’ju siguroj se qeveria greke do të punojë pa u lodhur, në mënyrë që përmes barazisë, përmes dialogut, në kushtet e një negocimi të ndershëm, të kontribuojë për të gjetur një zgjidhje ndaj problemeve më të komplikuara që has sot Europa. Qeveria do të punojë në mënyrë që t’i përmbushë tërësisht detyrimet e saj. Por në të njëjtën kohë, do të punojë edhe që detyrimet e papërmbushura ndaj Greqisë dhe ndaj popullit grek të përmbushen.

Dhe në të njëjtën mënyrë që ne i përkushtohemi përmbushjes së detyrimeve tona, edhe palët e tjera do të duhet t’i përmbushin ato. Sepse moraliteti nuk mund të porositet sipas menysë së ditës. Nuk mund të ndodhë sipas rastit.

Qeveria e re greke do të mbështesë, me gjithë fuqinë që ka, nismën për të rindërtuar dhe për të rinovuar Komisionin për Pretendimin e Reparacioneve Gjermane nga Greqia. Ne do ta mbështesim atë thelbësisht dhe vërtetësisht, e jo thjesht për arsye komunikative. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë çdo lloj ndihme politike dhe ligjore, në mënyrë që përpjekjet e Komisionit të kurorëzohen.

Dhe të përpiqemi që, brenda këtij mandati të sjellim një rezultat domethënës. Të sjellim një zgjidhje. Të shlyejmë borxhin e papërmbushur etik dhe historik, jo vetëm ndaj popullit grek, por edhe ndaj gjithë popujve të Europës që luftuan, u përgjakën dhe fituan kundër nazizmit. Këtë ia kemi borxh historisë sonë. Këtë ia kemi borxh luftëtarëve të Rezistencës Kombëtare. Këtë ia kemi borxh viktimave të Luftës së Dytë Botërore. Ia kemi borxh Europës dhe popujve të saj, të cilët kanë të drejtën e kujtesës, dhe të drejtën për një të ardhme të pacënuar prej ndonjë lloj totalitarizmi.

Faleminderit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Mars 12, 2015 nga te Politikë dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: