rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Adem Jashari: 7 marsi dhe 28 nëntori

Arbër Zaimi

Sigurisht që është rastësi biologjike që Adem Jashari lindi në datën 28 nëntor. Po ashtu është koincidencë e rrethanave që ai ra në datën 7 mars, pas dy ditëve qëndresë në një betejë epike. Por të dyja datat lidhen ngushtë me kthimin në simbol të këtij personaliteti të luftës çlirimtare. Përmes jetës e vdekjes së tij Adem Jashari u bë Flamur dhe Mësues për kombin shqiptar, duke iu bashkangjitur panteonit të martirëve e të heronjve të rënë anembanë globit, për çlirimin e popujve të tyre.

Jetojmë në periudhë relativizimesh, në periudhën e fetishizimit të opinionit si limit i së vërtetës. Secili ka të drejtë të ketë një opinion, e pikërisht për këtë shkak, asnjë opinion nuk është më i vlefshëm se tjetri, dhe drejtësia bëhet e pamundur. Jetojmë një bashkëkohësi të ngecur në efektin Rashomon, do të thoshte ndonjë opinionist liberal, cinik e prepotent, duke iu referuar filmit eponimik te Akira Kurosawas. A nuk është dhe puna e Adem Jasharit njësoj si historia e filmit, ku aktorë të ndryshëm e tregojnë ndryshe historinë, duke treguar se si subjektiviteti ndikon këndvështrimin dhe përjetimin e gjërave, dhe duke provuar se si secili aktor në analizë të fundit e ka një shpjegim justifikues për veprimet e veta? A nuk e shohin ndryshe serbët e ndryshe shqiptarët, historinë e Adem Jasharit?

Por Kurosawa nuk ishte relativisti postmodern. Në fund të filmit ai e rikthen të vërtetën përtej narrativës, kur njëri prej personazheve ngrihet përmbi rrëfimet egoiste, dhe kujdeset për jetën e një foshnje të sapolindur, të mbetur pa përkujdesjen e askujt pas zhvillimit të ngjarjeve në film. Altruizmi i personazhit që kujdeset për foshnjen – lexo: të ardhmen, tjetrin, të pambështeturin, tregon të vërtetën që nuk mund ta përmbledhë dot opinioni. Efekti Rashomon pra, nuk qenka rrjeta që na mban në aporinë përfundimtare, së cilës nuk i ikim dot. Vetë Kurosawa ka rithirrur në vëmendjen tonë metaforën biblike të gjyqësisë së Solomonit, i cili e zgjidh se cila është nëna e vërtetë e foshnjës, jo duke dëgjuar rrëfimet e tyre por duke vlerësuar se cila është gati të vetësakrifikohet për foshnjën.

Tek Rashomoni i zhvilluar rreth Adem Jasharit shfaqen këto këndvështrime:

  1. Serbët nacionalistë, të cilët nuk janë thjesht millosheviçianë, përkundrazi shumica e tyre sot mendojnë se Millosheviçi ka qenë figura më dëmtuese ndaj nacionalizmit serb, e shohin Adem Jasharin si një terrorist, provokues i dhunës serbe me qëllim shkëputjen e territorit të shenjtë serb të Kosovës e Metohisë nga Serbia. Kjo është narrativa ku pak a shumë nënshkruhet 85% e spektrit politik serb. Ata besojnë se Adem Jashari ka qenë një ultranacionalist shqiptaromadh, analfabet, brutal, ndoshta dhe islamist, i cili gjatë rrethimit në Prekaz mori peng fëmijët e gratë e familjes së tij, disa prej të cilëve edhe i vrau, që të mos dorëzoheshin në policinë serbe. Sipas tyre, policia serbe ishte duke kryer një aksion të drejtë anti-terrorist.
  2. Serbët liberalë, të cilët nuk janë më shumë se 10% e spektrit politik në Serbi mendojnë se Adem Jashari i gëzonte të gjitha vetitë që ia veshin atij serbët nacionalistë, por gjithsesi policia serbe nuk duhet të sulmonte. Sipas tyre shqiptarët janë thjesht pengesë për europianizimin e Serbisë, kështu që më mirë ta lënë Kosovën të shkëputet e të mos shpenzojnë energji me këta subjekte të paqytetëruar. Nënshtrati i liberalizmit serb është kulturalist, ata mendojnë se prapambetja e shqiptarëve në Jugosllavi është si pasojë e kulturës së tyre inferiore. Por ndryshe nga nacionalistët, ata nuk besojnë se serbët duhet të marrin përsipër misionin “qytetërues” ndaj shqiptarëve të prapambetur.
  3. Serbët subversivë, të cilët janë një pjesë e vogël dhe e pamatshme e shoqërisë serbe mendojnë se lufta e shqiptarëve për liri ishte një luftë çlirimtare e dekolonizuese. Ata e zhvillojnë analizën e tyre mbi traditën socialiste të nisur prej D. Tucoviçit në fillim të shek. XX. Prapambetjen kulturore dhe ekonomike të shqiptarëve në Jugosllavi ata e shohin si anën tjetër të medaljes të zhvillimit relativ të Serbisë, që për dekada me radhë zhvilloi një qasje tërësisht esktraktiviste dhe shfrytëzuese ndaj Kosovës, duke ia marrë asaj burimet natyrore e njerëzore, e duke e lënë të pazhvilluar. Në këtë sens, ata e shohin mbështetjen e të drejtës së shqiptarëve për luftë çlirimtare, si të drejtë të tyre për t’u mbrojtur nga dhuna ultranacionaliste, shoviniste e disa herë edhe fashiste e shtetit serb. Adem Jashari sipas tyre është figura që ekspozon pushtetin serb në thelbin e tij.
  4. Për ndërkombëtarët kryesisht liberalë që vizitojnë Kosovën, Adem Jashari ka qenë një terrorist, i cili për shqiptarët është një hero mitik, meqenëse shqiptarët ende kanë nevojë për mite, sepse jetojnë në periudhë paramoderne. Për shumicën e tyre Adem Jashari – mit, është shenjë e inferioritetit kulturor. Ata neveriten prej dhunës, dhe Adem Jashari i trondit si figurë brutale, këndvështrimi i tyre nuk është larg atij të serbëve liberalë.
  5. Për shqiptarët që mbështesin doktrinën zyrtare të qeverisjeve në Kosovën e pasluftës, Adem Jashari është një hero që ka luftuar për çlirimin e Kosovës dhe për Bashkimin Kombëtar, por meqë kjo nuk u arrit, Adem Jashari do të duhet të shihet si legjendë, e jo si shenjues me domethënie reale politike. Prandaj i referohen atij si “komandant legjendar”, edhe pse nuk ka qenë komandant, dhe është shumë pranë në histori për t’u quajtur legjendë.
  6. Për shqiptarët që mbështesnin doktrinën paqësore të autonomisë nën Serbi, dhe që ishin kundër luftës çlirimtare, Adem Jashari është një figurë brutale problematike, e cila duhet kritikuar me kujdes, pasi që për shumicën është hero. Gjatë kohës që Adem Jashari ishte i rrethuar në Prekaz e gjatë kohës që në Kosovë zhvilloheshin luftime e Serbia masakronte popullsinë civile, këta pacifistë mbanin zgjedhje presidenciale demokratike, për t’i treguar botës perëndimore se “gjendja në Kosovë megjithatë nuk ishte edhe aq e keqe”. Asokohe disa prej tyre u angazhuan aktivisht në propagandën kundër UÇK-së, duke synuar të trembnin popullin që të mos e mbështeste ushtrinë çlirimtare. Është interesante të shohësh se si sot po këta përpiqen të bëjnë një “pajtim” të sforcuar me simbolin e dëshmorëve dhe të Adem Jasharit, duke thënë se ndërkohë që luftën e bënë dëshmorët, punën më të madhe për njohjen ndërkombëtare të çështjes kosovare e bënë pacifistët. Kjo nuk rezulton e vërtetë, pasi ndërkombëtarizimi i çështjes së çlirimit të Kosovës filloi menjëherë pas jehonës që shkaktoi masakra që policia serbe shkaktoi në Prekaz. Nëse i qëndrojmë të vërtetës historike, ndërkombëtarizuesi i vërtetë i çështjes së Kosovës, ka qenë Adem Jashari.
  7. Të fundit që do të mund të përmendnim, janë ata shqiptarë që do të “kujdeseshin për foshnjën”. Janë ata që e shohin sakrificën sublime të Adem Jasharit si një themel për sovranitetin e asaj foshnje që është Kosova e lirë, dhe populli i saj. Janë ata që e shohin lirinë si kusht të pakapërcyeshëm për barazinë politike mes popujve, që do të ishte rruga e vetme për stabilizimin e reciprocitetit e për t’i dhënë fund armiqësive. Janë ata të cilët nuk e mashtrojnë veten duke thënë se Adem Jashari u vetësakrifikua për “kombin kosovar”, i cili është projekt i mëvonshëm, që mëton të krijojë një terren më të pranueshëm për Serbinë zyrtare, duke neutralizuar e duke tjetërsuar përpjekjet politike të shqiptarëve dhe historinë e tyre. Ata që kujdesen për “foshnjën”, janë ata që nuk e harrojnë amanetin e brezave që dhanë jetën për lirinë politike e popullore. Sipas tyre epizmi i Adem Jasharit nuk lind prej nevojës të një populli “primitiv” për të pasur heronj, por prej nevojës së një ideologjie egërshane për t’ia marrë frymën çdo përpjekjeje të të shtypurit për t’u bërë subjekt, për të fituar barazinë.

Po si ka mundësi, mund të thotë dikush, që në fund të shekullit XX dhe në shekullin XXI të kthehemi sërish tek e drejta kombëtare. A nuk është e tejkaluar kjo?

Por ky këndvështrim është problematik, sepse i njëanshëm. Që të tejkalohet e drejta kombëtare, duhet të tejkalohet shtypja kombëtare. Nacionalizmi çlirimtar shqiptar, flamur e mësues i të cilit është Adem Jashari, kurrë nuk ka qenë shtypës, agresor apo shovinist ndaj ndonjë kombi tjetër. Kjo nuk do të thotë se nuk ka problemet e veta, as që është imun ndaj racizmit apo ksenofobisë. Por thjesht për arsye historike, shqiptarët nuk kanë mundur të zhvillojnë kurrë një pretendim politik për të ushtruar hegjemoni rajonale, siç kanë zhvilluar popuj të tjerë në Ballkan.

Kosova ishte një territor i banuar nga një shumicë dërrmuese shqiptare, e cila në 1913 u aneksua prej Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Studiues serbë, duke u bazuar në të dhënat demografike të kohës, tregojnë se si kjo mbretëri spastroi etnikisht prej shqiptarëve zona të gjera në veri e në lindje të asaj çka është sot Kosova, të cilat i kishte pushtuar që në shekullin XIX. Dëshira për spastrimin e shqiptarëve vazhdoi edhe në shekullin XX, dhe Luftërat Ballkanike sollën rastin më të mirë për këtë. Raportues të ndryshëm, ndër ta edhe Leon Trocki, kanë dëshmuar për mizoritë që janë bërë ndaj popullsisë shqiptare në atë kohë. Më vonë, pas paqtimit të Ballkanit, spastrimi mori forma të tjera. Dokumente politike të shkruara në formën e programeve apo memorandumeve si ai i Çubrilloviçit, rrëfenin se elementi spastrues ishte përbërës i rëndësishëm i nacionalizmit serb, që përbënte kolonën kryesore ideologjike të Mbretërisë serbo-kroato-sllovene.

Për t’i rënë shkurt një historie të gjatë, mjafton të themi se në Luftën II Botërore, Italia pushtoi Shqipërinë dhe Kosovën, dhe për të shtypur ndjenjën e rezistencës e për të krijuar pajtueshmëri në popullatë, shfrytëzoi sentimentin anti-serb të krijuar gjatë shtypjes dhe dhunës që Serbia kishte ushtruar mbi ta, dhe shpalli një bashkim të Shqipërisë dhe Kosovës. Kuptohet ky bashkim nuk ishte sovran, e as popullor. Si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë rezistenca u organizua rreth partizanëve komunistë, që shpallën luftë nacional-çlirimtare. Në këtë luftë PK e Shqipërisë dhe PK Jugosllave vendosën që çështjen e Kosovës ta zgjidhnin duke i njohur popullit të saj të drejtën për Vetëvendosje. Kjo e drejtë u konfirmua nga përfaqësuesit serbë edhe në Konferencën e Bujanit (1943). Por pas përfundimit të luftës, nën diktatin e armëve, u organizua një tjetër konferencë ku u vendos që Kosova të mbetej nën Serbi, pa e marrë parasysh vullnetin e shumicës së saj. Marrëdhëniet e Jugosllavisë me Shqipërinë shumë shpejt u prishën, ndërkohë që në Kosovë organizimi partizan shqiptar u shndërrua shumë shpejt në një organizim ilegal, i cili duke u transformuar, herë haptazi e më shpesh fshehurazi, vijoi të kundërshtonte për dekada me radhë sundimin serb në Kosovë.

Socializmi jugosllav, edhe pse në parim do të duhej të ishte indiferent ndaj etnisë a përkatësisë kombëtare, shpeshherë u shfaq edhe si një kolonializëm i kuq, në rastin e Kosovës. Kjo mund t’i trondisë jugonostalgjikët, por Kosova në 1945 kishte të ardhura për kokë tre herë më të vogla se sa ato në Serbi. Ndërsa pas 45 vitesh komunizëm, në 1989, të ardhurat për frymë në Kosovë ishin shtatë herë më të ulëta se sa ato në Serbi. Pra pabarazia e trashëguar, veç ishte thelluar. Prapë duke iu referuar intelektualëve serbë progresistë, shqiptarët në Jugosllavi e morën statusin e “zezakut”, qytetarit të dorës së dytë. Ata ishin shumë pak të arsimuar, nuk kishin qasje në punë cilësore, dhe kryesisht bënin punë krahu ose nxiteshin të emigronin në vendet perëndimore. Shqiptarët që organizoheshin politikisht për të kërkuar barazi e të drejta, merrnin damkën e nacionalistit dhe të separatistit. Të vetmit që mund të fitonin avantazhe ishin “zezakët e shtëpisë”, ata që pranonin t’i bindeshin urdhrave, që pranonin të shtypnin kërkesat e popullit të tyre, pra që bëheshin sundimtarë lokalë. Tradita e sundimtarëve lokalë nuk u shpik nga jugosllavët, pasi edhe më parë nën perandorinë Osmane, popullin e varfër e qeverisnin përgjithësisht bejlerët vendas. Tradita vazhdon dhe sot, nën protektoratin e Brukselit e të Uashingtonit.

Edhe nën socializmin jugosllav vazhduan spastrimet, por me emër tjetër. U quajtën këmbim popullsish mes Turqisë dhe Jugosllavisë. Shqiptarët u quajtën turq, pa u marrë atyre asnjë mendim. Me turqit i lidhte veç feja, por jo gjuha, as kultura, as aspirata politike kombëtare. Kështu llogaritet që mbi 250.000 shqiptarë të jenë shpërngulur në vitet ’50 për në Turqi, me qëllim “rregullimin e demografisë”. Kuptohet që shkëmbimi ishte njëkahësh, se nuk kishte “jugosllavë” të vinin nga Turqia në Kosovë. Në Kosovë kryesisht erdhën kolonë, të subvencionuar nga Serbia. Pak a shumë strategji që e shohim në veprim edhe sot në Rripin e Gazës, apo në Bregun Perëndimor.

Por Kosova nuk e fitoi dot simpatinë e së majtës ndërkombëtare, siç e fitoi fjala vjen Palestina a Kurdistani. Kjo jo për shkak se lëvizja për çlirimin e Kosovës ishte e djathtë, pasi nuk ka qenë kështu. Lëvizja çlirimtare rrënjët i ka pasur në lëvizje të traditave të ndryshme të majta, prej marksizëm-leninizmit dhe maoizmit, e deri tek socialdemokracia e demonstratave universitare në Prishtinë. Në shumicën dërrmuese të rasteve, siç provohet edhe nga deklaratat e regjistruara e dokumentet e ndryshme të mbledhura nga studiues të atyre lëvizjeve, deklarohet haptazi se ato nuk kishin karakter anti-serb, por anti-pushtet. Asnjëherë nuk është përpiluar ndonjë platformë për spastrimin e serbëve të Kosovës, as nuk është ndjekur ndonjë synim i tillë. Arsyet kryesore pse Kosova nuk e fitoi simpatinë e së majtës ndërkombëtare janë: në radhë të parë idealizimi i socializmit jugosllav, si një version më “i qytetëruar” dhe më i pranueshëm nga stalinizmi, e në radhë të dytë ideja se Kosova është një projekt amerikan, asgjë më shumë. Të dyja këto janë arsye të parrënjosura në histori, e sidomos të bazuara mbi propagandë. Socializmi jugosllav për Kosovën (por jo vetëm për Kosovën) ishte veçse një kolonializëm me maskë të kuqe, e çështja e Kosovës është e rrënjosur te populli i saj, dekada përpara se të ndërhynte Amerika.

Pas ndërhyrjes së vitit 1999 në Kosovë, një pjesë e vogël e ish-marksist-leninistëve luftëtarë, ndoqën shembullin e kolegëve të tyre në vendet e Europës Lindore, pra kapën pushtetin e u kthyen në oligarkë, politikanë të korruptuar dhe zbatues të agjendës privatizuese që shkatërroi edhe atë pak industri e ekonomi bujqësore që kishte Kosova. Kuptohet as korrupsioni e as doktrina neoliberale e zbatuar prej tyre nuk ishin fenomene endemike, ato u zhvilluan në konkordancë dhe nën këshillimin e vazhdueshëm të zyrtarëve ndërkombëtarë të vendosur në Prishtinë. E kështu mbërritëm në situatën ku gjendemi sot.

Aktualisht në Kosovë pushteti është i përbërë prej tre segmentesh qartësisht të dallueshme, që duket hera-herës sikur kanë konflikt apo mospajtim me njëra-tjetrën, por që në fakt përbëjnë bllok. Këto segmente janë: ndërkombëtarët, oligarkët vendorë dhe strukturat paralele të Beogradit.

Për vetë kushtet historike ku ka kaluar populli dhe spektri politik në Kosovë, nacionalizmi shqiptar i zhvilluar aty është një nacionalizëm progresiv (po të përdorim këtu të njëjtat kritere që përdorte dikur Ernest Mandeli, kur fliste për nacionalizmin flamand në Belgjikë). Ky nacionalizëm në shumicën e vet është informuar vazhdimisht nga marksizëm-leninizmi zyrtar në Shqipëri, por edhe nga ideale socialiste të kampit lindor, e më vonë, në vitet ’80 -’90, është frymëzuar edhe prej autorësh të ndryshëm, duke filluar nga Fanon e gjer te Zizek.

Ndryshe është çështja kur flasim për nacionalizmin kosovar, kimerën e krijuar nga bashkëpunimi tripartit mes ndërkombëtarëve, oligarkëve vendorë dhe serbëve. Nacionalizmi kosovar, nën flamurin e multikulturalizmit ka prodhuar decentralizimin etnik, shformimin e historisë, shkombëtarizimin e shqiptarëve, dhe pezullimin e vendimmarrjes demokratike për një popull i cili ka qenë vazhdimisht i angazhuar në përpjekje çlirimtare për thuajse një shekull. Sot ky nacionalizëm “i ri” përpiqet të neutralizojë edhe figurën historike dhe simbolike të Adem Jasharit. Por, edhe pse është në situatë pushteti sot, edhe pse e ka ulur flamurin kombëtar dhe e ka shkatërruar shkollimin shqip, vështirë e ka të imponohet ndaj një populli i cili kurrë nuk e ka ndalur Lëvizjen, si mënyrë e të bërit politikë, si rrugë e vështirë por shpërblyese drejt emancipimit. Për këtë lloj të politikës, pra për Lëvizjen, Adem Jashari është mësuesi i 7 marsit, është edhe flamuri i 28 nëntorit.

Republika me afër 1.9 milion banorë, ku papunësia është zyrtarisht mbi 45%, ku 35% e popullsisë jetojnë nën nivelin e varfërisë me më pak se 2 dollarë në ditë, është aktualisht vendi me më pak demokraci në gjithë kontinentin, vendi ku referendumet ndalohen me kushtetutë, vendi ku instanca të gjera të pushtetit, si përshembull gjyqësori etj. udhëhiqen pa asnjë llogaridhënie ndaj popullit, prej misionarëve të huaj, vendi ku ambasadorët e huaj shpesh janë një përzierje mes VIP-it televiziv dhe kapobandës, vendi ku oligarkët vendas qeverisin me përkëdheljen dhe mbështetjen e perëndimit, vendi ku mbretëron politika e frikës prej ish-pushtuesit, Serbisë e cila vazhdon të japë sinjale se herët a vonë do të rikthehet në Kosovë. Në këtë sens, është e rëndësishme të kuptohet se “nuk u kry’” dhe se mësimi i Jasharit nuk është legjendar, por aktual, politik, shqetësues i pushteteve që vijojnë të imponojnë nënshtrimin, kokuljen dhe pafuqinë për një popull që edhe pse nuk është rrezikues i askujt, vijon të trajtohet a thua se është Gjermania e pasluftës II botërore.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Mars 6, 2015 nga te Histori, Kosova, Politikë dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: