rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Shënim mbi Syriza-n: Në borxh JEMI, por faj S’KEMI!

Slavoj Zizek

Përktheu: Edison Jakurti

Picture-VaroufakisPërshtypja që të krijohet nga mediat është se qeveria e Syriza-s në Greqi përbëhet nga një grumbull ekstremistësh populistë që mbështesin metoda populiste që janë “irracionale” dhe “të papërgjegjshme.” Kjo nuk është aspak e vërtetë. Në fakt, është e kundërta – janë politikat e BE-së që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë qartazi irracionale. Që nga viti 2008 Greqia është detyruar të përdorë masa të rrepta të kursimit në mënyrë që ta rregullojë gjendjen financiare; ndërsa sot, pas shtatë vitesh, pasi ka kaluar një periudhë tejet të vështirë, gjendja financiare e Greqisë është edhe më shumë e çrregulluar. Borxhi ka pasur rritje prej pak mbi 100% e GDP-së në rreth 175% të GDP-së, që tashmë kap shifrën e 320 milion eurove. Nëse as kjo nuk është irracionale, atëherë fjala irracionale nuk ka më kurrfarë kuptimi. Por, pse po ia bën Evropa këtë Greqisë?

Siç e dimë të gjithë, politika e BE-së karshi vendeve të zhytura në borxhe siç është Greqia është politikë “zgjate dhe shtiru” – zgjate afatin për kthimin e borxhit, dhe shtiru se i tërë borxhi dikur do të paguhet. Por, pse është ky fiksim për kthimin e borxhit kaq këmbëngulës? Nuk është vetëm se ky fiksim do ta bëjë zgjatjen e afatit për kthimin e borxhit më të pranueshëm për votuesit gjermanë; as sepse shlyerja eventuale e borxhit te Greqisë mund të nxisë kërkesa të tilla për shlyerje borxhi edhe nga Portugalia, Irlanda, dhe Spanja. Arsyeja e vërtetë është se ata që janë në pushtet nuk duan në të vërtetë që borxhi të paguhet komplet. Qëllimi i vërtetë i huazimit të parave nuk është profiti që mund të gjenerohet nga kthimi i borxhit, por në fakt vazhimësia e pakufizuar e borxhit gjë që do ta mbante borxhliun në varësi dhe nënshtrim të përhershëm. Rreth një dekadë më parë, Argjentina kishte vendosur t’ia paguante borxhin para kohës FMN-së (falë ndihmës financiare që kishte marrë nga Venezuela), dhe reagimi i FMN-së ishte befasues: në vend se të gëzohej që iu kthye borxhi, FMN-ja (ose më mirë thënë, përfaqësuesit më të lartë të saj) u shpreh e shqetësuar për faktin se Argjentina do ta përdorte lirinë dhe pavarësinë financiare nga institucionet ndërkomëbtare financiare për t’i braktisur politikat shtrënguese financiare dhe do të mund të bëntë shpenzime të pakujdesshme… Borxhi është një instrument për ta kontrolluar dhe rregulluar borxhliun, dhe si i tillë synon ta zgjerojë riprodhimin e vetvetes.

Presioni i vazhdueshëm i BE-së ndaj Greqisë për të implementuar masa të kursimit i përshtatet në mënyrë të përsosur asaj që psikanaliza e quan superego. Superego nuk është një agjensi etike e sinqertë, por nje agjent sadist, i cili e bombardon subjektin me kërkesa të pamundshme dhe pafytyrësisht kënaqet me dështimet e subjektit për t’i përmbushur ato kërkesa. Paradoksi i superegos është që, siç e ka vërejtur Freud-i, sa më shumë që i bindemi kërkesave të superegos, aq më shumë ndihemi fajtorë. Paramendojeni një mësues të lig që u jep detyra të pamundura nxënësve dhe pastaj në mënyre sadiste tallet me ta kur i sheh në siklet dhe panik. Për këtë arsye kërkesat/komandat e BE-së janë tmerrësisht të gabuara: Greqisë nuk i jepet asnjë shans – dështimi i Greqisë është pjesë e lojës.

Sikur vuajtja e tyre mos t’u mjaftojë, grekët janë edhe viktima të një fushate që i mobilizon instiktet më të ulta të egoizmit. Kur flitet për faljen e një pjese të borxhit, mediat tona e paraqesin këtë mundësi si një masë që do t’i dëmtojë tatimpaguesit e rregullt duke u ankuar për grekët dembelë e të korruptuar karrshi njerëzve të zakonshëm në vende tjera, të cilët janë punëtorë të mëdhenj.  Në Slloveni, në vendin tim, ata që kanë simpati për Syriza-në, në disa raste, janë akuzuar edhe për tradhëti kombëtare… Kur në krizën financiare të 2008-ës bankat e mëdha ishin të paafta të paguanin, ishte krejt në rregull që shteti t’ua mbulonte humbjet duke shpenzuar triliarda (para të tatimpaguesve, natyrisht), por kur një popull gjendet në mizerje, borxhi duhet të paguhet.

Si duhet të dalim nga ky rreth djallëzor i borxhit dhe fajit? Qeveria e Syriza-s ia ka dalë. Huadhënësit dhe mirëmbajtësit e borxhit e akuzojnë qeverinë e Syriza-s se nuk ndihet mjaftueshëm fajtore; e akuzojnë se ndihet e pafajshme. Kjo është ajo që e bën qeverinë e Syriza-s ta trazojë aq shumë establishmentin e BE-së: e pranon borxhin, por pa pasur faj. Syriza e hoqi presionin e superegos. Ministri grek i financave Yanis Varoufakis e personifikon këtë qëndrim në raportet me Brukselin dhe Berlinin: ai e pranon tërësisht peshën e borxhit, dhe argumenton në mënyrë mjaft racionale se, meqenëse politikat e BE-së nuk kanë funksionuar, një opsion tjetër duhet gjetur. Në mënyrë paradoksale, ajo që Varoufakis dhe Tsipras vazhdimisht e theksojnë është se qeveria e Syriza-s është mundësia e vetme që huadhënësve të mund tu kthehet së paku një pjesë të borxhit. Vetë Varoufakis është i habitur me enigmën se pse bankat po derdhnin para në Greqi dhe po bashkëpunonin me një shtet klientelist duke e ditur shumë mirë se si qëndronin punët. Greqia kurrë nuk do të zhytej kaq shumë në borxhe pa bashkëpunimin e heshtur të establishmentit të perëndimit. Qeveria e Syriza-s e di fare mirë që rreziku më i madh që i kanoset nuk vjen nga Brukseli. Por, vjen nga vetë Greqia – një shtet klientelist e i korruptuar, nëse ishte ndonjëherë shtet. Ajo se për çfarë Evropa (burokracia e BE-së) duhet fajësuar është se përderisa e ka kritikuar Greqinë për korrupsion dhe mungesë të efiçencës, në të njejtën kohë e ka mbështetur pikërisht forcën politike (Demokracia e Re) që e ka mishëruar këtë korrupsion dhe mungesë të efiçencës.

Për këtë arsye, detyra kryesore e të gjithë të Majtëve të vërtetë sot është të angazhohen në solidaritetin pan-Evropian me Greqinë, dhe jo vetëm pse fati i Greqisë është në duart e Evropës. Neve nga Evropa Perëndimore na pëlqen ta shikojmë Greqinë si mbikqyrës të pavarur që e përcjellin me keqardhje e dhembshuri gjendjen e vështirë të një kombi të varfëruar. Mirëpo, një pikëpamje kaq e rehatshme mbështetet në një iluzion fatal. Ajo se çfarë po ndodhë në Greqi përgjatë këtyre javëve të fundit na brengos të gjithëve – e ardhmja e Evropës është në pikëpyetje. Kështu që, kur të lexojmë për Greqinë këto ditë, duhet gjithnjë ta kemi parasysh që, siç thotë një fjalë e urtë, e njejta mund të na ndodhë edhe neve.

Të majtit në mbarë Evropën ankohen se si sot askush nuk guxon që vërtetë ta trazojë dogmën neoliberale. Ky është problem i vërtetë, natyrisht: në momentin që dikush e shkel këtë dogmë, ose në momentin që dikush perceptohet si një agjent i mundshëm që mund ta bëjë një trazim të tillë, forca të llahtarshme aktivizohen. Edhepse këto forca paraqiten si faktor objektiv ekonomik, në të vërtetë janë forca të iluzioneve, të ideologjisë. Por, sidoqoftë, fuqia materiale e tyre është tërësisht shkatërruese. Sot jemi në një presion të llahtarshëm të asaj që duhet ta quajmë “propaganda armiqësore.” Me lejoni ta citoj Alain Badiou-në: “Qëllimi i të gjitha propagandave armiqësore nuk është ta asgjësojë një forcë ekzistuese (ky funksion në përgjithësi i lihet forcave policore), por është ta asgjësojë një mundësi të pavërejtur të situatës”. Me fjalë të tjera, propaganda armiqësore tenton ta vrasë shpresën: mesazhi i kësaj propagande është bindja e dorëzuar se bota në të cilën jetojmë, edhe nëse nuk është më e mira prej krejt botëve të mundshme, është e keqja më e vogël, dhe çfarëdo ndryshimi radikal do të mund vetëm ta përkeqësonte atë.

Dikush duhet ta bëjë hapin e parë dhe ta presë nyjën gordiane të dogmës neoliberale. Nuk duhet të harrojmë që ata që e predikojnë këtë dogmë – prej SH.B.A-ve deri në Gjermani – e shkelin atë kurdo që s’ju përshtatet. Lufta e Syriza-s është përtej një lufte të thjeshtë për mirëqenie. Është luftë për një mënyrë të tërë të jetës, rezistencë ndaj një bote të kërcënuar nga globalizimi i shpejt ose ndaj një kulture me ritualet dhe sjelljet ditore, të cilat kërcënohen nga komodifikimi post-historik. A është kjo rezistencë konservatore? Të vetë-deklaruarit konservatorë politikë e kulturorë të rrymës dominuese sot nuk janë vërtet konservatorë. Duke e miratuar komplet vetë-revolucionarizimin e vazhdueshëm të kapitalizmit, ata vetëm duan ta bëjnë atë më efiçent duke ia shtuar edhe ca institucione tradicionale (si feja, etj.) në mënyrë që t’i frenojnë pasojat shkatërruese në jetën shoqërore dhe ta mbajnë kohezionin shoqëror. Një konservator i vërtetë sot është ai që i pranon komplet antagonizmat dhe bllokadat e kapitalizmit global, e kundërshton progresivizmin e thjeshtë, dhe është i kujdesshëm ndaj anës së errët të progresit.

Për këtë arsye unë shpreh një respekt të thellë ndaj luftës së Syriza-s. Vetë fakti se ata insistojnë, na bën të gjithëve të lirë: të gjithë e dimë se përderisa ëkziston Syriza, të gjithë e kemi një mundësi.

Marrë nga: http://potemkinreview.com/note-syriza/

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 21, 2015 nga te Përkthim, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: