rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Mbi protestat e fundit në Kosovë

Arbër Zaimi

10307209_10152512766947000_5998762207490287422_nProtestat e fundit në Kosovë ishin vërtet të mëdha. Jo vetëm në numra, por edhe në zemër. Vendosmëria e protestuesve për të mos u përulur përballë mizorisë bëri të lindë dhe ndër shqiptarë një shpresë e një vetëbesim që deri dje e kishim parë vetëm nëpër televizione, tek protestuesit e vendeve të tjera, por që kishim nisur të besonim se nuk do të lindte kurrë tek ne. Kishim nisur të besonim se jemi një popull përfundimisht i nënshtruar ndaj pushtetit, i trembur prej padrejtësive, sidomos kur ato janë të uniformuara.

Po të isha njëri prej fajtorëve për situatën në Kosovë, shkëndija e shpresës e lindur në protesta do të më frikësonte. E po të kisha pushtet, do të angazhoja mekanizmat dhe instrumentat e kontrollit të opinionit publik, që ta përbaltja protestën, protestuesin, udhëheqësit e saj. Që ta mbysja që në pelena shpresën e sapolindur.

Dhe, nuk habitem që kështu ndodhi. Disa të pushtetshëm do të jenë ndjerë pikërisht ashtu siç e përshkrova. Dhe vërshuan mediat e portalet me opinione opinionistësh që fillimisht merreshin me dhunën. Si munden vallë protestuesit të gjuajnë me gurë e molotovë? Na shkatërruan pronën private. Na shkatërruan pronën publike. Protesta është e drejtë demokratike, por jo kështu… Sipas këtyre mendjendriturve opinionistë, protestuesi duhet të veshë këmishë e kravatë e të shkojë në protestë si nëpër koktejle të shoqërisë civile. Sipas tyre, protestuesi duhet të gjejë mënyra kreative, se dhuna është e papranueshme. Por nëse është e papranueshme dhuna, atëherë treçereku i ministrave e zëvendësministrave do të duhet të ishin duke kryer vitin e 10 të burgimit. Në këtë derexhe që e kanë prurë Kosovën, dhunës së pushtetarëve mundet t’i rezistohet vetëm kështu, fizikisht. Nuk ka asnjë mënyrë të të bërit “opozitë intelektuale”. Sa herë i kemi ekspozuar krimet e tyre, mediatikisht dhe në parlament, me dokumenta origjinale. Çfarë ka ndodhur? Asgjë! Pra përballë kriminelëve uzurpatorë, çdo lloj pretendimi për “butësi” e për “paqe” është bashkëpunim!

Nga kjo kritikë e parë dhe simpliste kalohet tek diçka pak më e sofistikuar. Opinionistët që janë në gjendje ta kapërcejnë shkallën e habisë, dhe të shkrepin kinse-fotografi sociologjike, të cilët përgjithësisht janë rehatuar si pedagogë në fakultetet tona të pambarimta, ngrenë pikëpyetje mbi protestuesit. Na thonë se pavarësisht çështjeve të artikuluara nga udhëheqësit e protestës, protestuesit e tjerë kanë dalë aty thjesht të manipuluar, pasi ata nuk i kuptojnë ato çështje, pasi janë thjesht adoleshentë, rebelë pa kauzë. Pastaj thonë bashkë me kryeministrin se çështjet e kërkuara nga protestuesit nuk janë problemet më të mëdha të Kosovës, se ka 1001 probleme të tjera më të rëndësishme, duke u përpjekur kështu ta relativizojnë kauzën. Pra, sipas këtij argumentit të dytë të opinionistëve, sheshet u mbushën nga ca James Dean-ë, që thjesht donin të gjuanin me gurë pa e ditur se pse. Pretendohet se 18 vjeçari shqiptar nuk ka pse të ofendohet kur serbi mohon masakrat e luftës. Sepse, në vizionin e ushqyer me fonde të pambarimta, lufta duhet të ishte harruar. Edhe padrejtësia duhet harruar, pra le të vëmë ca filtra “drejtësish tranzicionale”, deri kur të vijë dita që fëmijët tanë të mos e mbajnë mend 1999, dhe të mund të jetojmë paqësisht me fqinjët tanë të dashur, serbët…

Ky argument bazohet mbi bindjen se masat nuk duhet të politizohen, nuk duhet të kenë bindje politike. Kjo lloj kritike e protestës beson se populli duhet të shqetësohet vetëm për bukën e përditshme. Nuk duhet të ndjejë ofendime, nuk duhet të dëshirojë horizonte, nuk duhet të ketë idealizma. Prandaj, këta kritikues bajatë shfaqin habi kur mësojnë se një pjesë e mirë e atyre që mërgojnë nuk janë vetëm të papunët. Sepse mendojnë se të drejtën për të qenë thellësisht të dëshpëruar me Kosovën e tyre, e kanë vetëm ata që janë të varfër gjer në kulm… Ndërkohë që dëshpërimi është shumë më i gjerë se kaq.

Pastaj zënë e thonë se protestuesit nuk janë populli, por veç një pjesë e popullit. Por populli i vetëm që ekziston është ai populli i politizuar, ai që merr pjesë në protestë për të mirën publike. Pjesa tjetër, që këqyr nga ekranet e televizorit dhe që komenton në kafene nuk është popull, është spektator. Le të kujtojmë rastin e famshëm, kur nën regjimin fashist të Vishisë, gjenerali De Gol foli në emër të popullit francez dhe i shpalli luftë pushtuesve gjermanë e bashkëpunëtorëve të tyre, ndonëse studiuesit bien dakord se po të bëheshin zgjedhje asokohe në Francë, me gjasë 90% votonin për Hitlerin. Por populli është ai që i qëndron besnik parimit të vet politik themeltar, jo mbijetesës biologjike të individëve. Psh, në vitet ’90, populli i vetëm politik në Kosovë ishte ai që u bashkua me luftën çlirimtare në front a në prapavijë, me ndihma materiale e financiare, ndërsa pjesa tjetër, spektatorët, sot do të ishin të gjithë në proces asimilimi të përshpejtuar, ose me më shumë gjasa azilantë nëpër botë, sepse s’do të kishin ndenjur dot as në Shqipëri e Maqedoni, pasi dhe aty do të duhet të aktivizoheshin kundër së keqes, herët a vonë. Falë atij populli politik që u bashkua me UÇK-në e kemi sot lirinë. Falë këtij populli që bashkohet sot në protesta do ta kemi nesër demokracinë, drejtësinë dhe sovranitetin. Dhe kjo duhet bërë, pavarësisht cinizmit të atyre që dje thoshin se ushtari i UÇK-së nuk e di për çfarë lufton, e sot thonë se protestuesi i Vetëvendosjes nuk e di për çfarë proteston. Çuditërisht cinikët e skeptikët e djeshëm e të sotëm vijnë nga i njëjti taborr!

Pastaj opinionistët kërcejnë te shkalla e tretë e përbaltjes së protestës. Ata zënë e thonë se protesta po përdoret për pushtet, e jo për qëllime të sinqerta. Këtu ata i bëjnë jehonë valës depolitizuese, të ushqyer nga postmodernizmi hegjemonik, po aq politik sa ajo që mëton të kundërshtojë. Së pari, le të sqarojmë se të gjitha protestat që kanë qenë “thjesht spontane”, dhe që nuk e kanë patur apo nuk e kanë prodhuar një strukturë subjektive politike, kanë dështuar. Psh. nuk mbeti asgjë prej protestave të famshme “Occupy”, pavarësisht se në to u artikuluan qëndrime të drejta dhe shqetësime reale. E vetmja mënyrë që protestat të sjellin një risi në jetën politike të një shteti, është ajo që ndodhi në Greqi në muajin që shkoi, që po ndodh në Spanjë pas disa muajsh. Pra, forcimi i një subjekti politik i cili i mban gjallë protestat edhe në momentet kur euforia bie, e kur dhuna duket se mbizotëroi. Ky subjekt politik gjithnjë duhet të jetë në lëvizje e në transformim të vetvetes dhe të shoqërisë, sepse nuk e ka luksin të jetë statik. Kjo lëvizje duhet të jetë mohim i kolektives absolute, por edhe mohim i individuales absolute. Duhet të jetë tretje e individuales dhe e kolektives te njëra-tjetra e cila prodhon një farë disipline të rezistencës, sepse kjo është e vetmja mënyrë që të mund t’i rezistohet një pushteti të mirëorganizuar ku bashkohen e dukshmja dhe e padukshmja, ligjorja dhe mafiozja, tregtia dhe vjedhja, korrupsioni dhe dhuna.

Ata që i thurin lavde individualizmit, si Narcizi që nuk ia shqiste dot sytë imazhit të vetes, në fakt janë vetë ndihmës të pushtetit. Po të ishin të gjithë si ata, asnjë gjemb s’do t’i hyntë në këmbë abuzuesve të mëdhenj e të vegjël. Këta individualistë, shpesh të shpallur partizanë të ateizmit evangjelist harrojnë se janë faktorë të rëndësishëm në fuqizimin e bindjeve fetare. Siç thotë ai proverbi “secili për vete, zoti për të gjithë”. Pra pikërisht individualizmi i palës së parë, e bën zotin shpresë të vetme të palës së dytë.

Pastaj vjen shkalla e katërt e kritikës, në nivele “akademike”. Aty opinionisti nis e përpëlitet si peshku në tigan për të treguar se si për gjendjen aktuale të Kosovës kanë faj të gjithë njësoj. Kur thuhet se kanë faj të gjithë, ata që kanë vërtet faj ndihen rehat, përfshi edhe opinionistët argumentues. Kështu përmenden si nëpër mjegull fajet e PDK e LDK, fajet e ndërkombëtarëve, medias dhe shoqërisë civile. Ama fajet e tyre përmenden vetëm sa “me la gojën”, se asnjë faj konkret nuk iu numërohet, asnjë person fajtor nuk përmendet. Thjesht faj abstrakt. I vetmi moment konkret vjen kur përmendet Lëvizja Vetëvendosje, e cila sipas tyre është fajtore sepse është “revolucionare” dhe është kundër “kulturës borgjeze” (kulturë po quajnë tallavanë që janë).

Vetëvendosje është fajtore se do pushtetin… Sa më lart në akademi, aq më poshtë në arsyetim. Sipas këtyre argumentuesve që Vetëvendosje të mos ishte fajtore, domethënë të mos protestonte kundër fajtorëve dhe të mos kërkonte t’i zëvendësonte ata që janë në pushtet me njerëz më të moralshëm. Sipas kësaj urtësie “hyjnore”, e vetmja mënyrë që të mos jesh fajtor është të pajtohesh me pushtetin e fajtorit. Vetëvendosje sipas tyre “shpik mite”. Në fakt të vetmit që shpikin mite janë ata që barazojnë atë pushtetarin që vjedh qindra milionë, me atë fshatarin që mund të mos ketë paguar 100 euro drita. Ata që barazojnë protestuesin që thyen xhamat e rehatisë të pushtetit me djalin e pushtetarit që rreh policët thjesht për sport. Ata fatalistë që thonë “po, qeveritarët janë fajtorë, por s’kemi me kë t’i zëvendësojmë, se të gjithë jemi njësoj”.

Po prit pak, kërcejnë opinionistët, mos na i nxirr Vetëvendosjen si të pafajshme, se Vetëvendosja ka negociuar edhe vetë me LDK-në dhe me Srpskan. Kështu përpiqen të përbaltin një proces, i cili ka qenë gjer më tash procesi më transparent dhe më politik në Kosovë. Vetëvendosje, pavarësisht dëshirës së tyre për ta përbaltur, nuk ka qenë kurrë në negociata për ndonjë “copë tortë”, dhe i ka kritikuar marrëveshjet për poste në bllokun opozitar. Negociatat e vetme të Vetëvendosjes kanë qenë mbi dokumenta parimesh. Nëse ato parime sot i merr përsipër t’i zbatojë qeveria Mustafa-Thaçi, Vetëvendosja ka për ta votuar edhe këtë qeveri në nismat e saja. Nuk është çështje pushteti, është çështje e moralit politik dhe e vizionit, pavarësisht se për një opinionist servil është e pakuptueshme qysh një subjekt politik është kaq i painfektuar nga dëshira për pushtet.

Mirë mirë, thotë ndonjë zë nga fundi i “sallës me opinionistë”, po në Vetëvendosje gjithashtu ka njerëz që kanë abuzuar. Sërish faji abstrakt, askush nuk e tregon askënd me gisht. Epo mirë, nëse në Vetëvendosje ka njerëz që kanë abuzuar apo që janë akuzuar, merrini, dënojini meqë pushteti është i juaji! E keni treguar se nuk keni asnjë frikë të rrihni e të arrestoni aktivistët tanë, nëse dikush është fajtor arrestojeni. Madje Baton Haxhiu, në intervistë televizive për ABC News pranoi publikisht se “policia dhe institucionet kanë bindjen se Vetëvendosjen mund ta dhunojnë lirisht, prandaj shkoi ashtu protesta…”. Pra bëhuni të sinqertë si Batoni, por fajin abstrakt mos e lini. Sepse për fajet e zotërinjve në pushtet ne kemi depozituar nëpër media e nëpër institucione, dhjetëra dosje të tëra me fakte reale, e jo me thashetheme, që nga tenderat e autostradës e deri tek mashtrimi me naftën për ngrohje në shkollat e Prishtinës. Ne nuk besojmë në thashethemet përgjithësuese, nuk akuzojmë askënd “në përgjithësi”.

Pastaj vjen argumenti i pestë: Vetëvendosje mund të ketë të drejtë në disa kritika, por e tepron kur kritikon Serbinë dhe ndërkombëtarët, fundi i fundit Kosovës i vjen e keqja nga brenda e jo nga jashtë. Ky argument në dukje është më i sinqertë, gati-gati dashamirës. Mirëpo është thjeshtues në skaj. Harron se pushteti aktual në Kosovë është trepalësh, është një trojka. Ky pushtet është si trinia kristiane, një dhe tre njëkohësisht. Është i përbërë nga ndërkombëtarët, strukturat e Beogradit në Kosovë, dhe nga “our men in Prishtina”. Të tre këta mbajnë njëri-tjetrin në pushtet. Po të kritikosh e kundërshtosh ndërkombëtarët (e korruptuar haptazi tashmë) të vjen menjëherë përgjigjja “nëse këta ikin na pushton menjëherë Serbia”. Po të kritikosh strukturat e Serbisë në Kosovë të vjen menjëherë përgjigjja “këta i kemi me detyrim nga ndërkombëtarët”. Po të kritikosh vendorët të vijnë notat paternaliste “askush nuk i kritikon dot këta për sa kohë nuk është gati të bashkëpunojë me ndërkombëtarët e Serbinë, pra të jetë njësoj si këta”. Duket si rreth i mbyllur që të lë të pashpresë. Por kjo trojkë e pushtetit, edhe pse duket si tre në fakt është një. E duhet kundërshtuar si e tillë në protestë, deri sa të bëhet vërtet tre. Nuk kemi asgjë kundër ndërkombëtarëve apo kundër serbëve të Kosovës, por kemi gjithçka kundër njësimit të tyre në pushtet, bashkë me oligarkët tanë. Ky njësim duhet të kundërshtohet me gjithë forcën e protestave, deri sa të vijë dita fatlume kur ndërkombëtarët të trajtohen si ndërkombëtarë, Serbia si Serbi dhe Kosova si Kosovë. Ajo ditë vetë s’vjen, atë ditë do ta sjellin protestat!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 11, 2015 nga te Polemikë, Politikë dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: