rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Vorbulla e kolektives, përbindëshi i individuales – lundrimi i Aleksej Germanit

Arbër Zaimi

Për Aleksej Jurijeviç Germanin mësova nga një nekrologji tërheqëse, që më joshi në botën depresive të regjisorit të vdekur në 2013, që konsiderohet nga më të mirët e kinemasë bashkëkohore ruse.

Filmat e tij, duke nisur prej të parit, “Hënës së shtatë” në 1967 e deri tek i parafundit, “Krustaljof, veturën!” në 1998, janë një projekt i gjerë hiperrealist, që zë vend në rropullitë e stalinizmit të cilin e përcjell me gjithë veshtullinë e vet, një kritikë së brendshmi, e fortë por pa shumë pathos, në një stil kinematografik të ngjashëm me atë të Ingmar Bergmanit apo të Bela Tarrit, regjizorë me të cilët me sa duket e lidh edhe parapëlqimi për bardhezinë, për lagështinë e erën.

Skenë nga "Hëna e shtatë", 1967

Skenë nga “Hëna e shtatë”, 1967

Në filmin e tij të parë, të 1967, German rrëfen historinë e një gjenerali carist në periudhën menjëherë pas fitores së Revolucionit. Gjenerali burgoset dhe shpronësohet bashkë me ish-pushtetarë të tjerë, ndërkohë që ata të cilët kishin qenë deri atëherë të pastrehë e të paushqyer, zaptojnë pallatet dhe apartamentet luksoze të ish-pronarëve, jo për të jetuar luksin po sa për të futur kokën diku. Në burgun e improvizuar, fisnikët pushkatohen ose dërgohen për punë të detyruar, të keqtrajtuar prej harbutëve revolucionarë.

Një gjyq popullor e shpall të pafajshëm gjeneralin, për shkak se ai dikur ishte treguar i drejtë me detarët revolucionarë që i kishte patur vartës, dhe nuk i kishte dënuar ata. Por gjenerali nuk ka ku të kthehet. Nuk ka më apartament, asnjë pasuri. Vendos t’i bashkangjitet Ushtrisë së Kuqe, por jo si luftëtar, sepse është plak, nuk beson në bolshevizëm, dhe nuk ka asnjë pasion të përbashkët me ta. Thjesht si ndihmës, sa për të mbijetuar. Por, në luftën civile, zihet rob prej Rusëve të Bardhë (kundërrevolucionarëve), të cilët e ekzekutojnë thjesht për faktin se një fisnik që i shpëton dënimit të bolshevikëve, sipas tyre, do të duhej të ishte doemos tradhtar i klasës së vet.

Skenë nga "Krustaljof, veturën", 1998

Skenë nga “Krustaljof, veturën”, 1998

Pas disa filmave të prodhuar para ’90 por të publikuar vetëm pas ’90, në 1998 German prodhon sërish një film të parë, të parin pas rënies së regjimit. Personazhi është një tjetër gjeneral, kësaj radhe i Ushtrisë së Kuqe. Gjenerali është një hebre, një mjek psikiatër dhe drejtor psikiatrie, njeri i dhunshëm, autoritar dhe abuziv. Jeton në një lloj luksi të dallueshëm prej varfërisë dhe mjerimit që e rrethon në Bashkimin Sovjetik të pasluftës së dytë, por gjithsesi dhe luksi i vet është një luks i lagësht, i mykur, një lloj angushtie. Jeton në paranojën e sistemit që atëbotë zbulonte njërin pas tjetrit komplote. Dhe vjen dita kur kjo paranojë i bëhet realitet jetësor, dhe gjenerali dërgohet në gulagët siberianë si pjesë e “komplotit të doktorëve”. Në trenin mbushur me të dënuar gjithfarësoj gjeneralin e dhunojnë në mënyrat më degjeneruese, ca si rezultat i urrejtjes për këtë njeri që “kishte tradhtuar pushtetin”, ca si rezultat i antisemitizmit, ca si hakmarrje ndaj tij që dikur kishte patur pushtetin në dorë dhe e kishte shfrytëzuar dhunshëm, e ca thjesht për hir të dhunës, si për t’i uruar mirëseardhjen në atë që është bota e përditshme e shtresës më të ulët, e të përjashtuarve.

Pas një farë kohe gjeneralin e thërrasin prapë në Moskë, Stalini ishte sëmurë dhe ai duhet ta kuronte. Gjenerali nuk ia bën Stalinit injeksionin dhe diktatori vdes. Por gjenerali rehabilitohet. Kthehet te familja e vet e rënë nga vakti, dhe i gjen në një situatë dekadente. Pasi i dhunon edhe një herë, si për të ndjerë se është sërish vetvetja, gjenerali e braktis familjen, dhe inskenon një aksident ku të gjithë mendojnë se mbetet i vdekur. Filmi mbaron me skena të gjeneralit të rikthyer në tren, ku tashmë është bërë kapo i një bande kusarësh që mbretërojnë mbi trenin që lidh Moskën me Siberinë.

“Krustaljof, veturën!” në një farë mënyre është antihistoria e “Hënës së shtatë!”. E nëse tek “Hëna e shtatë” rrëfehet historia e pamundësisë së shpëtimit të asaj çka ekzistonte para revolucionit, tek “Krustaljof veturën!” shfaqet distopikisht imazhi i regjizorit mbi atë çka kishte ardhur tashmë, pas rënies së regjimit diktatorial që u poll nga revolucioni. Bota e para 1918 vdiq tërësisht, dhe dukej e pakthyeshme në 1967. Ndërsa në 1998, bota e pas 1990, pra pas vdekjes së stalinizmit, në vend se të ishte një zhvillim demokratik, rezultoi se ishte një konfirmim i dhunës dhe një transformim i pushtetit – prej autoritetit shtetëror tek autoriteti i bandave. Një lloj zhgënjimi është i dallueshëm, tek një regjizor që si duket nuk beson në teleologji apo në teoritë e fazave të domosdoshme historike. Me sa duket Germani, kritik i absurditeteve dhe dhunës staliniste, nuk mbërriti dot ta gëlltiste atë që u zhvillua pas rënies së stalinizmit, një farë rikthimi në feudalizëm (patrimonializëm, oligarki), në luftën për mbijetesë të individit, në dorëzimin ndaj dhunës subjektive e simbolike si mënyrë e vetme për t’u përballur me realitetin.

Skenë nga "Vështirë të jesh Zot", 2014

Skenë nga “Vështirë të jesh Zot”, 2014

Ndoshta për shkak të këtij zhgënjimi (të supozuar nga unë), Aleksej Jurijeviç Germani vendosi që në filmin e tij të gjashtë dhe të fundit të mos merrej më me stalinizmin që kishte qenë temë e gjithë filmave të tij të mëparshëm. Është disi e rrallë që një artist që nuk prodhon shumë, por që i kushton jetën studimit në detajet më të imta të asaj çka bën, t’ia nisë nga e para për herë të tretë në jetën e vet. Bëhet fjalë për një regjizor që punonte 5-6 vjet për një film, paçka se filmat mbeteshin të pashfaqur, prej censurës, për dekada me radhë…

Në 2008 German nisi punën gjashtëvjeçare për realizimin e filmit të tij të fundit pra, të titulluar “Vështirë të jesh Zot”. Filmi është një epikë e vendosur në një kornizë fantastiko-shkencore. Skenar i përpunuar mbi një novelë të vëllezërve Strugackij (nga veprat e të cilëve kishte marrë tema edhe Tarkofskij, mik i hershëm i Germanit): Një grup shkencëtarësh nga Toka vizitojnë një planet të quajtur Arkanar, ku jetojnë qenie identike me njerëzit, por të cilët janë në një fazë qytetërimi më të prapambetur se në Tokë. Ai popull është rreth 800 vjet mbrapa, duke përjetuar mesjetën më të errët. Shkencëtarët kanë urdhrin që në asnjë mënyrë të mos ushtrojnë dhunë, në asnjë mënyrë të mos ndërpresin zhvillimin evolutiv të shoqërisë. Ata duhet të hyjnë në marrëdhënie me vendasit thjesht për t’i njohur e për t’i studiuar ata, por jo për t’i ndryshuar.

Njëri prej shkencëtarëve i vendosur në një qytet, shpallet mbret dhe bir perëndie. Aty ai vëzhgon nga afër dhunën ekstreme, të përditshme, të pakufizuar që ndodh. Jo vetëm në luftra, por thuajse në secilën marrëdhënie ndërnjerëzore, në qytet, në treg, në rrugë, në katund e brenda familjes mbretëron mizoria. Politika zhvillohet mes klanesh që synojnë thjesht dominimin ndaj palëve të tjera, gjë që pjell luftëra e shtypje gjer në pikën e fundit. Ekstremizmi religjioz bën ligjin, ndërsa pushteti mbijeton përmes terrorit policor. Gjendja në këtë epokë të Arkanarit është një përzierje mes fashizmit dhe feudalizmit, ndërkohë që njerëzit e urtë, pak a shumë “intelektualët” e atij vendi, nëse mund t’i quajmë kështu, torturohen, censurohen, përndiqen, digjen në turra drush apo kryqëzohen. Filmi përcjell deri në detaj makthin e regresit, ndërkohë që shkencëtarët e pafuqishëm përpiqen të ruajnë statusin e tyre të vëzhguesit të paanshëm…

Vdekja e Stalinit, "Krustaljof, veturën!"

Vdekja e Stalinit, “Krustaljof, veturën!”

Trajektorja në veprën e Aleksej Germanit është tepër interesante, në këndvështrimin e pjekjes së pikëpamjeve politike të autorit të zhytur në historinë rreth tij. Kemi në katër filmat e tij të parë një paraqitje thuajse-kamyziane të stalinizmit, një lloj denoncimi të falsitetit dhe hipokrizisë të atij sistemi që Trocki e quante socializëm të pervertuar. Kemi po ashtu trajtimin e temave të pamundësisë së komunikimit, pamundësisë së ndërtimit të drejtësisë pozitive, e një sërë aporish etike e metafizike. Dhuna është gjithnjë aty, dhe German bëhet dëshmitar më i sinqertë i saj, ndryshe nga “disidentët” konservatorë që ruanin ëndrrën për rikthimin e bjellogardistëve. Në filmin e tij të parë, gjeneralin carist nuk e vrasin bolshevikët, por bjellogardistët. Dhe këtyre të fundit, kur e marrin në pyetje para se ta vrasin, e kur i thonë se pse u “bëre me bolshevikët”, gjenerali plak duke e ditur mirë se me një konservator është e kotë të shpjegohesh, zë e iu flet për një farë nomeje astronomike, për një farë urdhri që e pat marrë nga “hëna e shtatë”. Dhe Rusët e Bardhë sigurisht që e vrasin plakun fatkeq.

German po ashtu është shumë ndryshe nga “disidentët” liberalë që idealizonin perëndimin e që mezi ç’prisnin të hapej ndonjë McDonalds që t’i ofrohej mundësia e zgjedhjes së lirë edhe muzhikut e kozakut. German është disidenti i vërtetë, ai tregon ç’është shqetësuese – mosmbërritjen e parimeve të proklamuara zëlartë, madje efektin e përkundërt të këtyre proklamimeve. Sigurisht që German, edhe pse s’kam lexuar gjë prej tij, edhe vetëm nga filmat merret me mend se do të ketë dashur me gjithë shpirt që stalinizmi të përfundonte. Dhe jo vetëm e ka dashur këtë gjë, por ka bërë edhe ndërhyrjen e vet politike në sferën e artit, një ndërhyrje që s’besoj se ka lënë indiferent askënd që e ka parë.

Por pikërisht sinqeriteti i Germanit shpjegon nevojën e tij për t’ia rinisur edhe dy herë nga e para. Në 1998 tashmë kishte kaluar mjaftueshëm kohë sa të kuptohej se pushteti autoritar i stalinizmit nuk u rrëzua pas ’90, por thjesht ndryshoi formë. Ajo çka ishte një diktaturë e shformuar e proletariatit, ai shtet tradhtar i idealeve të revolucionit që e themeloi, u rrëzua vetëm si strukturë, pra u thye ena. Pushteti që e mbushte atë enë ishte po aq brutal, në mos edhe më brutal. Çka ishte dikur shtet, sado i dhunshëm, tashmë u shndërrua në banda. Dhe s’qe problemi i këtyre bandave “ideologjik”, dmth. nuk ishte puna se këta nuk e urrenin aq sa duhet stalinizmin prandaj po përsërisnin të njëjtat gabime. Përkundrazi, njerëzit e bandave kishin gjithë arsyet për ta urryer dhe e urrenin në kulm regjimin e shkuar, në dorë të të cilit kishin vuajtur dënime ekstreme. Por kjo nuk i bënte as më të mirë, as më pak të dhunshëm. Banditët u bënë uzurpatorët e rinj, por tashmë nuk uzurponin më në emër të klasës punëtore, në emër të këshillave punëtorë, në emër të socializmit apo të atdheut. Ideologjia e re ishte individualizmi. Secili uzurponte për veten e vet. Kapitalizmi shtetëror stalinist u rrëgjua, e nga hiri i tij lindi kapitalizmi i tajgës, ku tigrat vetmitarë luftonin për territor. Dhuna ekstremisht utilitariste dhe hedoniste ngjan si një huqje e rrugës, që duhet ta ketë shpënë Germanin e 1998 në një shkallë më të thellë të dëshpërimit, për të prodhuar një vepër kaq të errët mbi një novelë të Brodskit. “Krustaljof, veturën!” janë fjalët që Beria shqipton pas vdekjes së Stalinit. Pra fjalët e para pas vdekjes së tiranit nuk i shqiptoi ndonjë tribun i demokracisë apo i drejtësisë së përnjëmendtë, por shefi i sigurimit. Dhe ato fjalë nuk ishin një kumt lirie, por një urdhër ndaj shoferit-gjysmëskllav!

Skllavëri dhe religjion, "Vështirë të jesh Zot"

Skllavëri dhe religjion, “Vështirë të jesh Zot”

Deri këtu e kuptueshme. Kritikë ndaj totalitarizmit dhe absolutizmit, e më pastaj zhgënjim nga ajo çka pasoi, nga padenjësia e atyre që morën përsipër të sillnin lirinë. Megjithatë deri tek filmi i tij i parafundit, që është antiteza e të parit (se edhe historikisht flet për kundërrevolucionin ndërkohë që i pari flet për revolucionin), prapë ka një farë vazhdueshmërie. Ngjarjet zhvillohen në Rusi, dhe vetë dështimi post-komunist duket se i atribuohet një farë kulture lindore, së cilës i mungonte tradita, institucionet, shoqëria e aftë për të parandaluar uzurpimin e bandave oligarke, të cilat ndërkohë që “decentralizuan pushtetin”, përkeqësuan jetën për qindra milionat që gjendeshin tashmë nën thundrën idiosinkratike dhe të paparashikueshme të “miliarderit”, i cili as formalisht nuk rrekej ta fshihte dhunën e vet të pakufishme. Pra deri tek “Krustaljof, veturën!” Aleksej Germani ruan bindjen se në Rusi qe mpleksur një pushtet i pazakontë e brutal, i vluar në enën (superstrukturën) që ishte shteti socialist, e ata që e sulmuan atë regjim nuk i sulmuan përmbajtjen e dhunshme, por vetëm enën. Thyerja e enës i krijoi mundësinë më të shkathtëve, më muskulozëve e më mizorëve të bëheshin ena e re e së njëjtës dhunë, e meqë ena e re qe më e dobët e më pak hermetike, përmbajtja lëshonte rrezatimin e saj toksik shumë më dëmshëm se sa më përpara.

Por në 2008, kur nisi punën me “Vështirë të jesh Zot” (vit kur rastësisht filloi dhe depresioni ekonomik global), duket se bebëzat e syrit të Germanit janë zmadhuar, e vështrimi i tij është bërë më i mprehtë në një terr që vjen e bëhet edhe më i errët. Germani del prej Rusisë dhe sheh në filmin e tij një planet të tërë flakur në kaosin e epokës së errët. Ama Arkanari i tij nuk është thjesht një botë e tetëqind viteve më parë, si Middleearthi i Tolkienit. Mesjeta e Tolkienit është një botë ku dhuna esencializohet si karakter i të huajve, i racave të tjera, i njerëzve “të errësirës”, e lumturia përfaqësohet nga kthimi i pushtetit në duart legjitime të trashëgimtarit të vërtetë të mbretit hyjnor. Le ta konstatojmë dhe një herë atë që botërisht dihet, fantazia e Tolkienit është tipike konservatore. Ndërsa ajo e Germanit është krejt ndryshe. Arkanari nuk është planet përrallash mbinjerëzore, dhuna e atyshme është e tmerrshme pikërisht se s’vjen prej monstrash a prej xhuxhësh a prej shtrigash të këqija. Dhuna është e njeriut mbi njeriun, është universale dhe e globalizuar në një botë ku mbijetesa për askënd nuk është e sigurtë, e ku servilizmi, tradhtia e lapërdhia janë karakteristikat e atij që dëshiron të mbijetojë edhe nëse s’ia lejojnë këllqet të jetë mjaft mizor.

Duket sikur Germanin e ka pushtuar një vizion distopik për botën, që pasi hoqi maskën e “paktit të mirëqenies”, tashmë ka zgjidhur zinxhirët e cerberëve të tërbuar të kapitalit, që fillimisht shkatërrojnë produktin kulturor, pra shkollën, akademinë, artin dhe demokracinë – duke i kthyer ato në mallra e në tregje, e më pastaj dominojnë përmes dhunës masat gjithnjë e më të varfërua shpirtërisht e materialisht. Bota e re e Germanit është bota e favelave, e getove, e banliëve, e kampeve të refugjatëve, e burgosjes së protestuesve, e policive private që rrahin të pafuqishmit, dhe e përmbarimeve private që lënë të pastrehë borxhlinë e mjerë. Është bota ku mbi gërmadhat e kulturës rishfaqet entuziazmi fetar. Është bota ku partitë s’janë pos banda që synojnë pushtetin, dhe njerëzit e angazhuar nëpër këto maqineri nuk kanë asnjë lloj vizioni kolektiv, përkundrazi janë të gjithë banditë potencialë, që mezi ç’presin të ngjyejnë gishtin diku. Është një botë ekstreme, ku kundërshtari i vërtetë nuk është ai që ka partinë e kundërt, por ai që me idenë e vet kërcënon qëndrueshmërinë e bestytnisë, e bash për këtë arsye eleminohet.

Përzgjedhja e novelës së vëllezërve Strugackij për të ndërtuar skenarin e filmit, nuk besoj se është rastësore. Vetë German do ta ketë përjetuar rritjen e bestytnisë dhe rishfaqjen e çuditshme të Zotit në punët politike edhe 100 e ca vjet pasi Niçja e kishte shpallur të vdekur. Feja nuk shfaqet më si besim, por si bindje. Jo vetëm në formën e Revolucionit Iranian në fund të ’70, apo në formën e partnerit strategjik perëndimor tek Arabia Vehabiste Saudite, por edhe tek ringjallja e ortodoksisë në Rusi e në vende të tjera, e lidhur ngushtë me ekstremin e djathtë, apo edhe tek ridalja në skenë e Papës së Romës si autoritet etik, forcimi i konservatorëve në SHBA, edhe përtej “Bible Belt-it”, te teologjia e çlirimit në Amerikën Latine apo te deklarata e fundit e Dalai Lamës se edhe ai qenka marksist (del gjithnjë e më largpamës vetë Marksi kur në mospajtim me një dhëndër të vetin i thoshte “po ishe edhe ti marksist, atëherë unë s’jam i tillë!”). Pra jo vetëm te feja klasike, por sidomos te shpjegimi absurd i shoqërisë njerëzore përmes një mekanizmi si “dora e padukshme e tregut”.

27 shekuj pas shfaqjes së filozofit të parë, i cili ishte njeriu i parë që refuzoi të shpjegonte fenomenet njerëzore përmes bestytnisë, ekspertët e mendimit perëndimor këshillojnë të hiqet dorë prej arsyes, dhe njerëzimi t’i dorëzohet sërish një hyjnie dashamirëse, së cilës i duhen bërë blatimet e duhura, e cila duhet festuar me ritualet e saj, e cila kërkon dhe sakrifica të pashmangshme, por që në fund besojmë se kujtdo i jep atë që meriton… Do t’i ketë përjetuar Germani edhe thirrjet e figurave prominente që e shpallnin të vdekur historinë, filozofinë etj, në emër të mekanistikës së sistemeve racionalo-bestyte? Gjithçka duket si një regres, nga Ajnshtajni tek Njutoni, mos me thënë te Pitagora; nga Sokrati te Homeri, mos me thënë te periudha paraletrare.

Për të mos folur pastaj për dhunën, për fashizmat e shfaqura në Lindjen e Mesme, në Indi e Indokinë, në Afrikë e së fundmi edhe në Rusi e Europë. Burgjet fantazmë, dokumentet e rrjedhura, videot e dhunës, atentatet, një botë e marrë. Pas rënies së luftës së ftohtë s’pushoi kurrë lufta e nxehtë, e cila në ndryshim nga më parë, nuk ka më trupa tokësorë ushtarake, por luhet e tëra si një videogame, me dronë. Ndërsa trupat ushtarake janë zëvendësuar prej atyre policore, lufta e jashtme prej luftës së brendshme, dhe robokopë të stërkoracuar në Brazil, SHBA, Turqi, Egjipt, Shqipëri, Izrael, Rusi, Ukrainë, Kosovë, Francë, Angli a Belgjikë “gazojnë” protestuesit me një gëzim që dhe Hitleri do të mund t’ua kish zili. Por në këtë skenë të pandërprerë përgjakjesh kurrkush nuk mund të sigurojë se ata “atje lart” janë përgjithnjë të sigurtë. Jo, prandaj dhe titulli “Vështirë të jesh Zot”, i cili lidhet gjithashtu me pamundësinë e objektivitetit në politikë (edhe kur flitet për “ekspertë), dhe me përplasjen e vazhdueshme të njeriut me ndërgjegjen e tij.

Intelektuali në mbretërinë e individualizmit, "Vështirë të jesh Zot".

Intelektuali në mbretërinë e individualizmit, “Vështirë të jesh Zot”.

Por këndvështrimi i Germanit nuk e ka fokusin këtu. Fokusi i tij është tek individi që zotëron aftësinë njohëse, nous-in, le ta quajmë për një moment “intelektuali”. Germani e di se në një shoqëri ku kolektivja është e vërteta absolute, individi nuk ekziston, pra as intelektuali nuk mund të ekzistojë. Ai e ka provuar këtë dhunë vetë, në një publik mbytës që i anuloi vite të tëra krijimtarie. Intelektuali në shtetin stalinist s’është veçse përmbysje simetrike e borgjezit në shtetin e kapitalit. I pari grumbullon njohuri për të rritur status-simbolin e vetes, i dyti grumbullon mallra e kapital për të njëjtën arsye. I pari, në pamundësi për të bërë atë çka bën i dyti, komodifikon dijen apo njohurinë, e shndërron në mall, në mobilje, pra në një farë kapitali.

Mirëpo, më vonë Germani kupton edhe tjetrën, në një shoqëri ku individualja është e vërteta absolute, ndodh si në paradoksin e Zenonit nga Elea, dmth. pamundësohet lëvizja. E aty ku pamundësohet lëvizja, pamundësohet edhe intelekti e vetë intelektuali. Kjo është situata “mesjetare” që përshkruan Aleksej Jurijeviç Germani, situata ku “Brunot” digjen në turra drush, ku librat e ndaluar shkatërrohen publikisht.

Dikush mund të thotë se ky vizion kaq i errët nuk është realist – e drejt shoqërisë ku shkojmë, të gjithë e dimë se nuk do të digjen as libra e as autorë, përkundrazi, fjala e vepra do të përjetojnë një liri sublime. Por ç’mund t’i thotë kjo një autori që dikur lëngonte për shkak të mospublikimit, me veprat e kyçura nëpër sirtare burokratësh, e sot ha veten me dhëmbë, si kryerës i një gjesti pa receptor. Censura e re, censura më e fortë ndonjëherë është pikërisht kjo, thuaj ç’të duash se askush nuk ka veshë për të dëgjuar, nuk ka sy për të parë. Cili regjim vallë nuk do ta dëshironte një pozitë të tillë? Ku ideologjia hegjemonike do të shtronte si absolute premisën se nuk ka të vërteta, se e drejta nuk ekziston, se individualja është absolute? Kujt vallë do t’i duhej censura e shkollës së vjetër në një shoqëri të tillë? Ku perëndia e re zbraz zemrat e mendjet të cilat më pastaj i mbush aq me lehtësi perëndia e vjetër.

Në këtë shoqëri neofeudale “dora e padukshme” dikton se dija, njohuria e informacioni duhet të përcillet në mënyrë subtile, përmes shkollave të fokusuara jo tek edukimi po te përfitimi (prapë komodifikimi i dijes), e përmes mediash që nuk kanë synim informimin, por klikimin. Të tilla instrumente janë ato që prodhojnë veshë e sy të njerëzimit të ri. “Priftërinj” e “fisnikë” të veshur me autoritetin e ekspertizës e me tituj të mëdhenj shkencorë, të shuguruar në tempuj universitarë e me shumë diploma, nuk bëjnë më atë që do t’i vinte vetes shkenca si synim, pra një farë parashikimi në bazë të vëzhgimit të ndonjë rregullsie, madje dorëzohen e thonë se krizat janë e paparashikueshme dhe nuk mund ta dimë kur fillojnë e kur mbarojnë. E vetmja gjë që bëjnë këta shkencëtarë është përsëritja hipnotike e doktrinës TINA (There Is No Alternative – vini re, kështu pretendonin edhe stalinistët). E një njerëzimi të indoktrinuar kësisoj, sado t’ia konstatosh të vërtetën, s’i thua asgjë. Censura është absolute, obskurantizmi mbretëron, por tash i veshur me kostumin më dritashumë!

Në fillim të filmit “Vështirë të jesh Zot”, njëri prej protagonistëve që në fëmijëri hyn në një rrugë që mbante mbishkrimin “rrugë e gabuar”, e ç’prej këtij akti nis e shpështjellohet filmi. Duket sikur Germani me veprën e tij dëshiron të na përcjellë se ndërkohë që duhej kundërshtuar me gjithë forcën stalinizmi dhe imobiliteti ekstrem që ai prodhoi, me kolektiven absolute, është po aq e gabuar rruga e zgjedhur përmbas tij. Në vend se të dilte prej honit, njerëzimin e sheh tek rrokulliset më thellë. Kolektivja absolute e zëvendësuar me individualen absolute prodhon po ashtu statizëm dhe imobilitet – kësaj radhe shumë më të vështirë për t’u luftuar. Duket se i është hyrë një rruge të gabuar.

Njeriut të zakonshëm s’i mbetet veç të shpresojë se Germani e ka gabim. E në mendimin tim, njeriut të pazakontë i duhet që medoemos ta sakrifikojë në një masë të caktuar vetveten, pra individualitetin e tij, e të bashkohet me të tjerë për të krijuar një lëvizje. Vetëm lëvizja moderon e relativizon individualen por edhe kolektiven, duke krijuar vazhdimisht të vërteta të reja, më të mira se dështimet e së shkuarës, ama jo një regres në gjenealogjitë më të hershme të dështimit. Ajo krijon hapësirë për intelektualin – por jo intelektualin-gazetar, prodhuar nga histeria mediatiko-tregtare. Intelektuali-gazetar s’është gjë tjetër veçse një turbullues ujërash, një bombë me tym, një shashkë, i cili sapo zbulon një “të vërtetë” ndjen se ka detyrën për ta thënë publikisht, pa kurrfarë strategjie a taktike. Ky intelektual-gazetar, më shpesh është gaztor se sa ndonjë gjë tjetër. E lëvizja e cila lypet kësokohe ka nevojë për intelektualin organik, intelektualin që heq dorë nga fetishi “i pavarësisë”, që mbruhet e mbrun vizionin e kolektivit dhe të individit lëvizës, e që ua krijon shqisat atyre që ende nuk munden ta perceptojnë të ardhmen. Në këtë sens, intelektuali që duhet është promethean.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 8, 2015 nga te Art dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: