rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Çlirimi prej “dorës së padukshme”

“Këtu nuk ka asgjë për t’u gjykuar. Luigji nuk është i pandehur. Ju nuk jeni gjykatës. Nuk jeni, ju nuk mund të jeni asgjë veç shtetarë dhe përfaqësues të kombit. Ju nuk keni asnjë vendim për të shpallur për apo kundër këtij njeriu, veçse për të zbatuar një masë shpëtimi publik, për të përmbushur një akt tëprovidencës kombëtare. Luigji ishte Mbret, dhe Republika është themeluar: pikëpyetja e famshme që konsideroni ju është e zgjidhur vetëm nga këto fjalë. Luigji është rrëzuar nga krimet e tij; Luigji denoncoi popullin francez si rebel; për ta ndëshkuar atë ai i thirri në armë shokët e tij tiranë; fitorja dhe populli vendosën se i rebeluari ishte vetë ai: andaj Luigji nuk mund të gjykohet; ose ai tashmë është i dënuar, ose Republika nuk është liruar nga detyra e saj. Duke e propozuar vënien e Luigjit në gjyq, në çfarëdo mënyre që do të bëhej kjo, do të ishte zmbrapsje drejt  despotizmit kushtetues e mbretëror; është një ide kundërrevolucionare; kjo do të thotë të vendosim vetë revolucionin në dyshim. Në fakt, nëse Luigji ende mund të dalë në gjyq, atëherë ai edhe mund të lirohet; ai mund të jetë i pafajshëm; çfarë po them unë është se prezumohet i tillë derisa vihet para gjyqit. Por, nëse Luigji  lirohet, nëse ai mund të konsiderohet  i pafajshëm, çfarë mbetet nga revolucioni.”

Kjo lidhje e çuditshme e demokracisë dhe diktaturës është e bazuar në tensionin që përmban  vetë nocioni i demokracisë. Janë dy pikëpamje bazike dhe të pareduktueshme të demokracisë: imponimi brutal barazitar nga ata që janë “zëvendësues të përkohshëm”; dhe nga procedura e rregulluar (deri në njëfarë mase) universale e zgjedhjes së atyre që  do ta ushtrojnë pushtetin. Si lidhen këto dy anë me njëra-tjetrën? Çfarë nëse demokracia në kuptimin e dytë (procedura e rregulluar e marrjes parasysh të “zërit të popullit”) është përfundimisht mbrojtje nga vetja, kundër demokracisë në kuptimin e ndërhyrjes së dhunshme të logjikës barazitare që trazon funksionimin hierarkik të sistemit social, një tentim për ta rifunksionalizuar këtë tejkalim-ekses , ta bëjë këtë pjesë të funksionimit normal të gjërave?

Problemi është pra: si ta rregullojmë/institucionalizojmë vetë impulsin e dhunshëm barazitar demokratik, si ta parandalojmë nga mbytja në demokracinë  në kuptimin e dytë të termit (procedurë e rregulluar)? Nëse nuk ka asnjë mënyrë për ta bërë këtë, atëherë demokracia “autentike” mbetet një shpërthim utopik i momentit që në mëngjesin e nesërm  duhet të normalizohet.

Teza Orwelliane “demokracia është terror” është pra “gjykimi i pafund” i demokracisë, identiteti i saj më i lartë spekulativ. Ky dimension humbet në konceptin e demokracisë së Claud Lefort-it si diçka që përfshin hapësirën boshe të pushtetit, boshllëkun konstituiv ndërmjet vendit të pushtetit dhe agjentëve të rastit, të cilët për një periudhë të caktuar mund ta okupojnë këtë hapësirë. Paradoksalisht, premisa themelore e demokracisë, nuk është pra vetëm se nuk ka një agjent politik që ka të drejtën “natyrore” të pushtetit, por edhe më radikalisht, populli vetë si burim përfundimtar i ushtrimit të pushtetit sovran në demokraci, nuk ekziston si një entitet substancial. Në konceptimin kantian nocioni demokratik i “popullit” është një koncept negativ, një koncept funksioni i të cilit është të përcaktojë një kufi: ai e ndalon cilindo agjent të përcaktuar të sundojë me sovranitet total. Pohimi se populli ekziston është aksioma bazike e “totalitarizmit”, dhe ky gabim është homolog me shpërdorimin (“paralogjizmin”) kantian të arsyes politike: “populli ekziston” përmes një agjenti politik të përcaktuar që vepron sikur ai  trupëzon drejtpërdrejt (jo vetëm  përfaqëson) popullin, vullnetin e tij të vërtetë (partinë totalitare dhe liderin e saj), që është, në terma të kritikës transhendentale, si një trupëzim direkt fenomenal i popullit nomenal… Le ta citojmë edhe një herë formulën e Jacques-Alain Miller-it mbi lidhjen midis këtij nocioni të demokracisë dhe nocionit lakanian të Jacques-Alain Miller-it mbi Tjetrin e Madh (big Other):

“A është “demokracia” një kryeshenjues? Pa kurrfarë dyshimi. Ajo është kryeshenjuesi që tregon se nuk ka kryeshenjues, së paku jo një kryeshenjues që do të qëndronte i vetëm, që secili kryeshenjues duhet ta fusë veten mençurisht midis të tjerëve. Demokracia është S-ja e madhe e A-së së ndaluar lakaniane, që thotë: unë jam shenjuesi i faktit se Tjetri (Big Other) ka një vrimë, apo se ai nuk ekziston”

Sigurisht që Miller-i është i vetëdijshëm se çdo KryeShenjues është  dëshmitar i faktit se nuk ka një Krye-Shenjues, nuk ka Tjetër të Tjetrit, se ka një mungesë në Tjetrin etj. – pikërisht hendeku midis S1 dhe S2 paraqitet për shkak të kësaj mungese (sikur me zotin tek Spinoza, Krye Shenjuesi për nga përkufizimi plotëson hendekun në rendin e shenjuesve të “rëndomtë”). Dallimi është se me demokracinë ky hendek është i brendashkruar drejtpërdrejt në strukturën shoqërore, ai është i institucionalizuar në një sërë procedurash e rregullimesh –s’është për t’u çuditur që Miller në mënyrë aprovuese citon Marcel Gauchet-in për të treguar se si në demokraci e vërteta e ofron veten vetëm në “ndarje e dekompozim” (nuk mund të mos e përmendim ironikisht këtu faktin se si Stalini e Mao bënë të njëjtin pohim, megjithëse me një qasje totalitare: në politikë e vërteta shfaqet veç përmes ndarjes së pamëshirshme të luftës klasore…).

Është e lehtë të nënvizojmë sesi nga brenda horizontit kantian të demokracisë aspekti “terrorist” i demokracisë mund të duket si shtrembërim “totalitar”, me fjalë të tjera, se si përbrenda këtij horizonti vija që e ndan shpërthimin autentik  demokratik të terrorit revolucionar nga “totalitarizmi” i regjimit parti-shtet (apo, ta themi në terma reaksionarë, vija që ndan “sundimin e turmës së të shpronësuarve” nga shtypja brutale e partisë-shtet mbi këtë “turmë”) është fshirë fare.

Duke marrë parasysh këtë sfond mund të formulohet një kritikë ndaj estetikës politike të Jacques Ranciere, të idesë së tij të dimensionit estetik të aktit të vërtetë politik: shpërthimi demokratik rikonfiguron rendin e vendosur hierarkik “policor” të hapësirës shoqërore, ai vë në skenë një spektakël të një rendi tjetër, të një “ndarje” tjetër të hapësirës publike. Peter Hallward ka të drejtë kur thekson se në “shoqërinë e spektaklit” të ditëve tona një rikonfigurim i tillë politik e ka humbur dimensionin e tij subversiv: ai mund të përvetësohet lehtë prej rendit ekzistues. Detyra e vërtetë nuk qëndron në shpërthimet momentale demokratike të cilat e minojnë “rendin e vendosur policor”, por në dimensionin të cilin  Badiou e quan ”besnikëri” ndaj Ngjarjes: duke e përkthyer/e integruar shpërthimin demokratik në rendin “policor” pozitiv, duke e imponuar në realitetin shoqëror një rend të ri të qëndrueshëm. Ky është dimensioni i vërtetë “terrorist” i çdo shpërthimi autentik demokratik: imponimi brutal i rendit të ri. Dhe kjo është arsyeja pse, ndonëse gjithkush i do rebelimet demokratike, shpërthimet spektakolare/karnevaleske të vullnetit popullor, ankthi fillon kur ky vullnet dëshiron të ngulmojë, ta institucionalizojë veten-dhe sa më autentik që është rebelimi, aq më “terrorist” do të jetë ky institucionalizim.

Kundërargumenti standard liberal ndaj atyre që alarmojnë për “dorën e padukshme” të tregut që kontrollon fatet tona është: nëse çmimi i çlirimit nga dora e padukshme e tregut është se do të jemi të kontrolluar nga dora e dukshme e sunduesve të rinj, a jemi prapë gati ta paguajmë këtë çmim? Përgjigja duhet të jetë: po – nëse dora e dukshme është e dukshme dhe e kontrolluar nga “pjesa e të pa pjesëve”

Slavoj Zhizhek – “In Defense of Lost Causes” fq 416-419

Përktheu Zgjim Hyseni

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 30, 2015 nga te Esse, Filozofi, Përkthim dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: