rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

A mund të bëhesh edhe një herë e re?

 

10427334_10152535543011651_1247623404971375913_nKosovë, a do të mund të bëhesh edhe një herë e re? A mund ta ngjallësh shpresën? A do të mund të shpëtosh prej thundrës cinike të oligarkëve e mafiozëve, pronarëve të partive klienteliste e klanore, tregtarëve të flamujve, pronarëve të mediave goebelsiane e servilëve të tyre?

Kush mundej vallë ta parashikonte në 1968 se Kosova, ku lindën demonstratat e studentëve që i dhanë tronditjen e parë socializmit hipokrit të ish-Jugosllavisë, 47 vite më vonë do të ishte sërish në pikë të hallit. Ata që kërkuan Republikën, si do të ndiheshin sot kur konceptit emancipues i janë shtuar nga pas bananet? Si ndihen sot ata ish-studentët që derdhën gjak për ta pasur universitetin e tyre, kur shohin të njëjtin universitet të shkelur e të përdhosur edhe në pavarësi, prej një klike ministrash e milionerësh analfabetë ose perversë, që në asnjë mënyrë nuk pranojnë të heqin dorë prej pozitës dhe autoritetit të profesorit?

Kush mundej të parashikonte vallë në fundvitet ’70, se Kosova e sotme edhe pse e pavarur do i kish mbyllur fabrikat, do e kish ndalur prodhimin, dhe do i dërgonte me dhjetëra mijëra të rinjtë e saj në rrugët e një mërgimi jodinjitoz, në krahët e një Evrope në krizë? Dhe të mendosh se në fundvitet ’70, në kohën kur Kosovës iu dha një autonomi sado e cunguar, aq sa për t’ia harruar pak ëndrrën për vetëvendosje e bashkim, fare pak liri pra, dhe populli punëtor i këtij vendi e shfrytëzoi atë liri për të hapur fabrikat e veta, për të prodhuar energji, për të përpunuar lëndën e parë, për të eksportuar. Prodhuan një ekonomi shembullore me aq pak autonomi, e sot në pavarësi nuk po lejohen të prodhojnë asgjë dhe po spastrohen etnikisht në linjën papunësi-emigracion.

Kush mund ta parashikonte vallë në vitet ’80, kur populli i Kosovës u ngrit i gjithi në këmbë për të denoncuar fashizmin dhe hegjemoninë serbe në Jugosllavi, se sot edhe pse formalisht të pavarur janë vetë qeveritarët kosovarë që për të ruajtur kolltuqet e ngrohta e mirëmbajnë, e forcojnë dhe e shtojnë hegjemoninë serbe? Kush mund ta mendonte në vitet ’80 se tre dekada më vonë në Kosovën e pavarur do të qeveriste ish-sekretari krahinor i Rrahman Morinës? Kush mund të përfytyronte asokohe se edhe në Kosovën e lirë qeveritarët do të ishin kukulla të Beogradit, ku sërish qeveris ministri i Millosheviçit?

Kush mund ta përfytyronte në fund të viteve ’80 se lirinë e fjalës, lirinë e shtypit, për të cilën ata luftuan aq fort kundër represionit millosheviçian, do ta mposhtte dhe do ta shkelte 25 vite më vonë, jo çizmja e fashizmit serb dikur nën maskë socialiste, por paraja e të njëjtit fashizëm, sot nën maskë liberale? Kush mund ta mendonte asokohe se tokat e shqiptarëve të shekullit XXI do të mbeteshin djerrë, për shkak të aleancës qeveritare-tregtare të cilët e mbytën prodhimin vendor duke futur mallrat serbe të subvencionuara politikisht për të dominuar tregun e Kosovës nga një vend i cili nuk ia njeh pavarësinë asaj?

Kush do ta parashikonte në ’89 se Trepça ende sot diskutohet për t’u shitur e jo për t’u zhvilluar, se qeveria e Kosovës dhe jo ajo e Serbisë vazhdon të mashtrojë për Trepçën e të falsifikojë ligjet, se nuk dëshiron të vërë në punë pasurinë më të madhe nëntokësore të gjithë kombit shqiptar, por do që ta shesë atë pasuri në emër të parimit themelor të vetë asaj qeverie, që është SHITJA.

Kush mund ta mendonte në vitet ’90, kur krejt bota priste që rënia e Jugosllavisë do të niste nga Kosova, por që në fakt shqiptarët e nisën të fundit dhe veç kur iu shkoi thika në palcë sepse i mbante larg luftës LDK-ja, se edhe në 2015, 16 vite pas çlirimit, prapë do t’iu shkonte thika në palcë? Kush do ta parashikonte në ’99 se disa komandantë, pasi të bëheshin ministra e kryeministra, do të rendnin pas pasurive e pas madhështive, do t’i zgjasnin dorën çetnikëve e do të linin pa punë e pa bukë ushtarët e tyre dhe popullin që i mbështeti?

Kush mund ta parashikonte se në Kosovën e pavarur do bëhej ministër, jo serbi i zakonshëm, se me serbët e zakonshëm s’kemi asgjë, por çetniku racist i cili i quan familjarët e viktimave të luftës dhe nënat e të pagjeturve “egërsira”? Çetniku i cili do të mburrej se anëtarët e partisë të tij kanë luftuar kundër UÇK-së do të bëhej partner me ish-komandant Gjarprin, si ministra të së njëjtës qeveri? Kush do të vinte bast atëherë se ministrat e Kosovës së pavarur do të flisnin në 2015 për Kosovë e Metohi, për djep të shenjtë të Serbisë, për sovranitet të Serbisë mbi Kosovë? Dhe askush nuk ua tërheq vëmendjen, askush nuk i heq dot nga detyra, sepse në fakt ata janë shefa të Mustafës edhe Thaçit, këtyre dy individëve që për pushtet e negociuan dhe vazhdojnë të negociojnë gjer edhe shtetin.

Kush do ta parashikonte dot se në Kosovën e pavarur flamuri shqiptar do të ishte prapë shenjë disidence, i ndaluar zyrtarisht? Kush do ta kishte menduar se, njësoj siç thuhej atëherë, edhe sot thuhet nga qeveritarët “flamurin kombëtar mbajeni në shtëpi e në dasma, për përdorim privat, por jo më shumë”? Kush do ta kishte pritur që himni kombëtar do të këndohej veç në përkujtimet e dëshmorëve e të mësuesve të rënë, e jo në ceremonitë zyrtare pasi zyrtarët sot kanë një frikë të pashpjegueshme nga fjala “tradhtar” që përmendet në himn? Madje kanë bërë një himn të ri, pa fjalë, sepse kanë frikë nga çdo fjalë që qëndron për vite e shekuj, që nuk është fjala kalimtare dhe e pavlerë e karagjozëve propagandistë të portaleve të pushtetit.

Kush do ta kishte parashikuar se, pas një investimi sistematik për rrënimin e idealit shqiptar për pavarësi e për drejtësi, identitetin kombëtar do ta zëvendësonin me identitete fetare, të importuara nga lindja e mesme? Kush do ta mendonte se të rinjtë tanë, të zhgënjyer nga pavarësia ku përdhunuesi u bë shef e ku servili u bë intelektual, nuk do të ngriheshin në betejë për ta rifituar pavarësinë denjësisht këtu, por do të shkonin të vdisnin në luftëra terrori, duke mos e ndjerë më këtë atdhe si atdheun e vet? Kush do ta kishte përfytyruar se në këtë pavarësi të cunguar shkollat do të shkatërroheshin dhe vendin e tyre do ta zinin xhamitë e financuara nga kushedi se kush, vendin e gjykatave do ta zinin portalet e thashethemeve dhe rrjetet sociale, vendin e universiteteve OJQ-të.

Mësuesi i dikurshëm, mësuesi i vlerave, mësuesi i rezistencës, u shndërrua në specie në zhdukje, përballë kushërinjve të pushtetarëve që do merrnin në dorë pozitën e mësuesit thjesht për të marrë një rrogë, e do t’i mësonin fëmijëve atë çka janë vetë, pra asgjë.

Mjeku u shndërrua në sekser, prodhuesi në qiraxhi, minatori në hamall, punëtori në emigrant.

Gazetari sinqerisht i lirë, nën presionin e “gazetarit” të shitur, shantazhues, atentator, kamikaz dhe shpifës.

Kush do ta mendonte se Kosova e pavarur, mbas 100 vitesh rezistencë të pandërprerë dhe angazhimi në lëvizjet ilegale e në luftën e frymëzuar nga flamuri me shqiponjë, pas mijëra martirëve, do ta kishte sot të ndaluar të kërkonte bashkimin me Shqipërinë? Dhe disa mburren me këtë, në emër të lokalizmit, bajraktarizmit, pushtetit të vogël, rehatisë, konformizmit, korrektesës ndaj qendrave ndërkombëtare… Mburren se e quajnë këtë popull shumë idiot për të merituar demokraci, e quajnë fashist kur kërkon thjesht barazi, e quajnë komunist kur kërkon thjesht punë, e quajnë popull të manipuluar kur kërkon thjesht drejtësi. Se ata janë shumë të mirë për këtë popull, ata janë shumë të avancuar sa që as i shohim dot më, e lëre të shpresojmë t’i mbërrijmë.

A thua është dorëzuar sot Kosova, e cila me rezistencën e saj ishte vazhdimisht shembull dhe frymëzim edhe për shqiptarët e shtypur të Shqipërisë së izoluar, që dy gishtat e demokracisë e të lirisë i mësuan pikërisht nga pamjet televizive të Trepçës?

Kosovë, mos e ndal protestën e demonstratën, paqësisht, dinjitetshëm, trego se mund të jesh edhe një herë e re, trego se je dhe do të jesh gjithnjë një kolektiv e një komunitet solidar e energjik, e jo një popullatë statistikore individësh të izoluar, trego se mund të ngrihesh prej lloqit ku të kanë shkelur neoesadistët, siç ke ditur të ngrihesh në çdo periudhë të vështirë! Tregoja vetëm vetes tënde, që amanetet e gjeneratave, djersa e punëtorëve e gjaku i dëshmorëve nuk janë të pavlera, e mos e bëj për askënd tjetër. Dil e jepi fund një herë e mirë dhe këtij dimri.

A.Zaimi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 26, 2015 nga te Politikë, Thirrje dhe etiketuar me , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: