rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Syriza: Një shans historik

 

Intervistë me Aleksis Cipras, nga Haris Golemis

  • Veç tre vjet më parë prania e Syriza-s në peizazhin politik të Greqisë ka qenë shumë e vogël. Sot Syriza parashikohet të dalë e para në zgjedhjet e të dielës, gjë që do t’ju bënte kryeministrin e ardhshëm të Greqisë.

Cilët faktorë besoni se kanë çuar në rritjen meteorike të popullaritetit të Syriza-s, dhe a besoni se rezultate të ngjashme janë të mbërritshme në të ardhmen e afërt edhe në vende të tjera të Europës?

Efektet e krizës në shoqërinë greke kanë qenë vërtet shkatërrimtare. Nuk është për t’u habitur gjithë ky ndryshim i madh që po ndodh në skenën politike. Syriza gjithnjë ka ofruar një analizë të detajuar të krizës dhe të shkaqeve që qëndrojnë nën të.

Ndërkohë që partitë mainstream kanë udhëhequr këtë popull – në mënyrë moskokëçarëse, do të thosha – ne kemi këmbëngulur se masat shtrënguese (austerity measures) do të kishin pasoja të rënda negative dhe do të na shpinin në recesion; ato politika thjesht nuk ishin të qëndrueshme. Ne kemi mbështetur iniciativat grasroots, duke përfshirë edhe demonstrata të mëdha, apo lëvizjen e solidaritetit shoqëror. Së fundi theksin e kemi vënë te bashkimi i së majtës. Kjo ka qenë diçka tepër e rëndësishme, dhe ka gjetur rezonancë me popullin.

Përgjigjja e popullit grek ka qenë e menjëhershme dhe e qartë, gjatë zgjedhjeve të majit 2012 Syriza mori 17 % të votës, dhe gjatë raundit të dytë një muaj më vonë arriti të marrë 27% – thjesht tre përqind më pak se partia e qendrës së djathtë.

Është e rëndësishme të vihet re se ne i arritëm këto rezultate pavarësisht frikës për ne që propagandohej pa pushim prej medias mainstream. Edhe pse ne kemi bërë çmos që t’i adresonim këto taktika frikësuese, nuk kemi qenë në gjendje t’i tejkalojmë ato gjer në pikën e nevojshme për të mbërritur vendin e parë në zgjedhje. Por, pas zgjedhjeve nuk fjetëm në dafina. Vazhduam të punojmë sistematikisht për të zhvilluar një program të detajuar, ku përvijuam mënyrën se si do të dalim prej krizës, program ku përfshihet dhënia fund masave shtrënguese, si dhe rinegocimi i termave të borxhit.

Sot ne kemi një program të plotë e të detajuar sa i përket çështjes së borxhit. Aspekte kyç të këtij programi kanë të bëjnë me rinegocimin e termave me partnerët tanë europianë, bashkë me një plan të detajuar për nxitjen e rritjes ekonomike, për trajtimin e papunësisë, për forcimin e shtetit të mirëqenies, dhe për t’i ofruar ndihmë anëtarëve të shoqërisë që janë goditur më rëndë nga kriza. Është imperative për ne që t’i zbatojmë këto ndryshime që premtojmë; masat shtrënguese dhe zvogëlimet buxhetore nuk janë të qëndrueshme, dhe shërbejnë vetëm që të shkatërrojnë edhe më tej kohezionin shoqëror.

Rritja e Syriza-s nuk ka të bëjë me një “votë proteste” kundër partive mainstream që mbajnë përgjegjësinë për rrënimin e Greqisë gjatë krizës ekonomike. Syriza po fiton votues sepse është e vetmja parti që ofron një zgjidhje alternative racionale.

zgjedhjet e fundit europiane ne dolëm të parët në Greqi, me një përparësi prej katër pikësh; e që prej asaj kohe në sondazhe kemi dalë me përqindje edhe më të larta, shumë përpara partive që ishin në koalicionin qeverisës. Do të shohim shumë shpejt një ndryshim të madh në peizazhin politik, por kjo s’është diçka që na vetëkënaq. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj punës që na pret, si në nivelin politik ashtu edhe në nivelin shoqëror.

Ne nuk ushqejmë asnjë iluzion sa i përket sfidave me të cilat do të përballemi menjëherë sapo të vijmë në pushtet – gjë e cila do të jetë për herë të parë jo vetëm për ne, por edhe për gjithë Europën e pasluftës II. Jemi shumë të vendosur që ta tejkalojmë këtë moment, me mbështetjen e popullit, duke ndërtuar konsensus, por jo duke iu shmangur konflikteve, kur ato dalin përpara. Siç ka thënë Franklin D. Roosevelt “e vetmja gjë së cilës duhet t’i trembemi… është vetë frika”.

Për t’iu përgjigjur pjesës së dytë të pyetjes suaj, do të doja të evidentoja se ndërkohë që kemi qenë dëshmitarë të një ndryshimi të madh politik në Greqi, ndryshime të ngjashme kanë ndodhur edhe në vende të tjera në Europën e jugut. E Majta e Bashkuar dhe Podemos arritën të marrin 18% të votës në Spanjë në zgjedhjet europiane, duke u afruar shumë me socialistët dhe me Partinë Popullore, popullariteti i të cilëve ka ardhur duke rënë.

Këta numra përfaqësojnë një rritje dy herë e gjysmë më të madhe prej zgjedhjeve të fundit kombëtare, që kanë qenë në 2011. Ne shpresojmë që E Majta e Bashkuar dhe Podemos të kenë rezultate edhe më të forta në zgjedhjet e ardhshme, në 2015. Po ashtu, suksesi i Sinn Fein-it në zgjedhjet europiane ka qenë një zhvillim domethënës për Irlandën, një tjetër vend të dhjetuar prej Memorandumeve për shpëtimin e bankave. Italia po tregon shenja të një ngritjeje të së majtës, një trend që po e shohim në shumë vende europiane, duke përfshirë aty dhe Slloveninë.

Në fillim të viteve 1990, socialdemokratët europianë lidhën një aleancë me të djathtën për të promovuar neoliberalizmin tejendanë Europës – gjë për të cilën tani janë duke paguar shtrenjt, që prej kur ia nisi kriza ekonomike. Kjo është arsyeja pse besoj se e majta është e vetmja shpresë e Europës për të dalë nga kriza. Politikat e shtrëngimeve që po zbatohen prej qeverisjeve të konservatorëve dhe të socialdemokratëve e kanë mbushur kupën, ashtu siç e kanë mbushur kupën dhe objektivat fiskalë të vendosur nga Bashkimi Europian (BE), të cilat janë të pambërritshme për secilin prej vendeve të BE-së.

Kjo nuk mund të vazhdojë më. Nëse Europa nuk kthehet nga e Majta – duke kërkuar rritje, punë dinjitoze dhe shtet të mirëqenies – atëherë zgjedhja tjetër që mbetet do të jetë ekstremizmi djathtist dhe euroskepticizmi. Hapat pas do të kenë pasoja të tmerrshme.

Ndryshimet e shpejta politike nëpër Europë, të cilat janë shkaktuar prej krizës, e kanë ndihmuar të Majtën dhe kanë sjellë shanse të reja. Beteja sociale për punë normale dhe për dinjitet është një nga më kritiket – një betejë ndaj së cilës e majta është thellësisht e përkushtuar. Një e majtë më e fortë i rrit shanset për ndryshime të mëdha në Europë, duke e lëvizur balancën në favor të punëtorëve. Syriza aspiron të bëhet katalizator për këto ndryshime, duke krijuar një “efekt domino”.

Është e rëndësishme të vëmë re se puna jonë nuk përfundon me ndalimin e masave shtrënguese. Misioni ynë nuk është thjesht që të mbarojmë punën që la përgjysmë social-demokracia e pasluftës II, por edhe që të mundësojmë një shndërrim radikal të Europës, bazuar në principet e socializmit dhe të demokracisë.

Ky është synimi jonë, ndërkohë që përpiqemi të krijojmë aleanca të reja sociale që do të bashkonin klasat punëtore e ato të mesme, të papunët, dhe anëtarët e shoqërisë që janë më të diskriminuar rreth një beteje të përbashkët: betejës për të çliruar shoqërinë prej efekteve të përfitimit me çdo kusht, si dhe të mëkëmbim drejtësinë shoqërore dhe demokracinë, një ekonomi që do të fokusohet tek nevojat e popullit, dhe një shtet të mirëqenies që do të sigurojë edukim, shëndetësi dhe dinjitet për të gjithë.

Që t’i jepet fund politikave të tregut të lirë që mbajnë përgjegjësi për flakjen e Europës në krizë ekonomike, e majta europiane duhet të ketë një strategji politike realiste dhe të bëshme, si dhe një vizion përbashkues – këto të dyja nuk bëjnë pa njëra-tjetrën.

  • Kundërshtarët tuaj si në të djathtë ashtu edhe në të majtë pretendojnë se pozicioni juaj sa i përket hedhjes poshtë të Memorandumeve dhe ndalimit të masave shtrënguese, si dhe rinegocimi i borxhit do të ketë dy rezultate të mundshme, meqenëse Greqia nuk është ndonjë peshë e madhe politike në BE: pra ose do të tërhiqeni prej këtyre synimeve, duke pranuar se nuk mund t’i realizoni, ose do të shtrëngoheni që të dilni jashtë eurozonës dhe/ose BE-së. Ç’përgjigje keni për pretendime të tilla?

Si fillim, mendoj se duhet të na shqetësojë më tepër se çka mund të ndodhë nëse Greqia nuk ndryshon kurs, dhe vazhdon të mbetet kavje për politikat neoliberale që po implementohen kinse për të trajtuar krizën.

Ka shumë njerëz në këtë vend që aktualisht po kërkojnë nëpër kosha plehrash për të gjetur ushqim, ose që nuk kanë më elektricitet në shtëpitë e tyre. Më të moshuarit përballen me dilemën se a t’i shpenzojnë paratë e pensionit për barna apo për ushqim, se nuk mjaftojnë paratë që marrin për t’i blerë të dyja. Ekonomia reale është gërmadhë, papunësia është ngjitur gjer në qiell. Të rinjtë tanë si opsion të parë konsiderojnë emigracionin. Dhe mundësia që të mbeten në të njëjtat kushte jetese për gjithë të ardhmen e parashikueshme është tepër reale – të bllokuar në ngërçin që prodhojnë masat shtrënguese dhe recesioni, pa paga normale, pa punë, pa dinjitet.

Por ne e kemi edhe një zgjidhje tjetër – një zgjidhje për të cilën mund të ndihemi edhe krenarë. Më vjen në mend motoja e Forumit Social Europian: “Nëse jo ne, atëherë kush? Nëse jo tash, atëherë kur?”. Vetëkuptohet që ne s’kemi për qëllim ta përplasim anijen nëpër shkëmbinj. Jemi kundër masave shtrënguese, por nuk jemi të vetmit që mbajmë këtë pozicion; ka një kundërshtim në rritje ndaj këtyre politikave, jo vetëm në Greqi, por kudo në Europë.

Ne jemi të përgatitur për sfidat me të cilat sigurisht që do të përballemi, dhe jemi duke u bërë gati me shumë kujdes për to; sepse synojmë t’i vëmë në jetë premtimet tona. Me besimin dhe mbështetjen që do të na japë shoqëria do të ndërtojmë një të ardhme në themele të forta. Nuk është aq e thjeshtë që të na nxjerrin me zor nga eurozona – së pari sepse kjo nuk lejohet prej traktateve europiane. Një dalje “vullnetare” është tepër e rrezikshme, me pasoja të rrezikshme për Greqinë dhe për Europën – sidomos po të kemi parasysh natyrën e brishtë të realiteteve aktuale ekonomike, shoqërore dhe gjeopolitike.

Nuk është në interes të asnjë shteti që të rëndojë edhe më tej balancën edhe ashtu të brishtë të kontinentit. Një rrezik i tillë mund të parandalohet nëse qeverisjet dhe institucionet e BE-së do të pranonin që Greqia dhe shtete të tjera të vogla europiane janë partnere të barabarta në BE, dhe të pajtoheshin se edhe ato vende kanë një të drejtë demokratike që të mund të zgjedhin edhe forca majtiste për t’u qeverisur. Duke patur parasysh rrethanat, jam personalisht optimist sa i përket zhvillimeve që mund të priten.

Në mënyrë që të jemi plotësisht transparentë, ne kemi qenë shumë të qartë sa i përket synimeve tona për të rinegociuar kushtet e borxhit. Do të përpiqemi që një pjesë të madhe të borxhit ta fshijmë, dhe që pagesat e mbetura t’i nënshtrohen një klauzole që garanton zhvillimin. Sepse nuk mund ta paguash një borxh nëse nuk të lejohet të punosh – kjo ka qenë saktësisht logjika që është aplikuar edhe ndaj borxheve të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Pa një kompromis të tillë ekonomia greke nuk mund të mbërrijë rritjen ekonomike aq të nevojshme. Po ashtu, ne kemi qenë transparentë për kërkesën tonë që investimet publike të përjashtohen prej Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes, si dhe për kërkesën që bondet kombëtare të mbështeten prej Bankës Qendrore Europiane.

Ne besojmë fort se çështja e borxhit duhet trajtuar në nivel europian. Për më tepër besojmë se nevojitet një “New Deal” europian, që të lejojë investime publike të financuara prej BQE-së. Reparacionet e prapambetura për Greqinë prej Luftës II Botërore janë gjithashtu për t’u diskutuar. Ne i kemi paralajmëruar partnerët tanë europianë se një qeverisje e majtë do të përpiqet që t’i aktivizojë këto fonde, të cilat gjer më tash janë konsideruar si të pambërritshme.

Siç thashë më parë, jam optimist sa i përket zhvillimeve – edhe pse jam i sigurt që ndryshimet nuk do të vijnë aspak lehtë. Këmbëngulja për disiplinë strikte buxhetore prej qeverisë gjermane dhe prej disa aleatëve më të vegjël do të na e vështirësojë padyshim punën; megjithatë ka një mospajtim ndaj këtyre qëndrimeve, që ngadalë po rritet në gjithë Europën – duke përfshirë këtu edhe ata që deri para pak muajve do të qe e pamendueshme që të mos pajtoheshin me qëndrimet e qeverisë aktuale gjermane. Për këtë arsye, besoj se Syriza do të jetë e aftë që të gjenerojë një mbështetje të gjerë për pozicionet e saj politike.

Kështu pra, për t’u kthyer tek argumenti i parë: nëse zgjedhim mosveprimin, mund të mbetemi të sigurt se do ta humbasim një shans historik për ndryshim; ne jemi të përkushtuar që të përdorim të gjitha mjetet që kemi mundësi, dhe të bëjmë çmos që çështja të shkojë drejt zgjidhjes.

  • Ju, së bashku me anëtarë të tjerë të Syriza-s, keni qenë në kontakt me individë dhe organizata, duke përfshirë këtu edhe politikanë konservatorë dhe drejtues ekzekutivë nga sektori privat, të cilët përgjithësisht nuk janë mbështetës të së Majtës.

Jeni takuar me Papën Françesk, me Wolfgang Schaublen, me Mario Draghin, me përfaqësues të FMN-së, madje keni marrë pjesë dhe në Forumin Ambrosetti. Çfarë prisni të përfitoni prej këtyre takimeve, dhe si është pritur mesazhi juaj?

 

Rritja e Syriza-s fillimisht u trajtua si zhvillim i rrezikshëm nga liderët europianë, por edhe nga mainstream-i politik grek. Ata flisnin për “radikalë ekstremistë”, të cilët dëshironin ta nxirrnin Greqinë prej eurozonës dhe që dëshironin të shkaktonin trazira të gjera politike në Europë, madje edhe “teoria e dy ekstremeve” u përdor për ta njësuar Syriza-n me ekstremin e djathtë dhe me partitë euroskeptike.

E gjithë kjo u bë për ta portretizuar Syriza-n si një subjekt të padenjë për të negocuar me partnerët europianë, dhe të paaftë për të qeverisur vendin, duke i sjellë Greqisë një rënie të sigurtë në rast se do të vinte në pushtet. Për fat kjo retorikë nuk ka ngjitur; shumica e njerëzve tashmë janë pajtuar me faktin se sipas gjasave, qeveria e ardhshme greke ka për të qenë qeveri e së Majtës. Dhe unë mendoj se ky është zhvillim pozitiv.

Kontaktet ndërkombëtare që kemi bërë na kanë ndihmuar që ta realizojmë këtë kapërcim. Është e kuptueshme se shumë njerëz sot janë të interesuar që të na takojnë, të dëgjojnë këndvështrimet tona dhe të shkëmbejnë ide me ne, në mënyrë që të kuptojnë sa më mirë se cilat janë qëllimet tona. Dhe ne ndajmë me ta të njëjtin interes, pasi edhe ne duam të mësojmë sa më shumë mbi ata të cilët kemi kontakte.

Ndërkohë që jemi bërë më të njohur, kjo ka ndihmuar që të bien mitet dhe zhurmat sipas të cilave Syriza dëshiron të shkaktojë gjullurdi në Europë; tashmë na shohin si një parti e cila ka për të qenë aleat apo kundërshtar i besueshëm, me një plan strategjik, me pozicione politike dhe me qëndrime të nuancuara. Ne jemi të hapur që të takohemi me cilindo, jemi të hapur që të diskutojmë pozicionet tona politike dhe që të këmbejmë pikëpamje. Por kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se do t’i kemi dikujt borxh ndonjë nder, apo që do të bëjmë lëshime në programin tonë.

Sigurisht, ka patur kritika mbi faktin se një parti e majtë nuk duhet të takojë përfaqësuesit e botës së kapitalit. Por ndërkohë që i kuptoj këto ndjenja, unë besoj se është e rëndësishme që ta kesh mundësinë që të mbrosh pikëpamjet e tua; pavarësisht personit me të cilin je duke folur, ajo që është e rëndësishme është të jesh në gjendje të mbrosh pozicionin tënd, të shprehësh këndvështrimin tënd, e jo të thuash atë që dëshiron të dëgjojë personi tjetër. Qëllimi jonë është që të tregojmë se mund t’i debatojmë këto çështje me besueshmëri, si dhe të ofrojmë një alternativë të arsyeshme ndaj kornizës aktuale politike.

Diskutimet tona, dhe mënyra se si janë pritur këndvështrimet tona, ma kanë bërë edhe më të qartë se takimet me këto kontakte janë absolutisht gjëja e duhur për të bërë – pavarësisht faktit se mund të kemi këndvështrime të kundërta me ta.

Përpjekjet tona ndërkombëtare dhe kontaktet që ka pasur Syriza na kanë mundësuar që të vëmë në dukje kontradiktat dhe konfliktet që ekzistojnë në Europë, na kanë mundësuar që të kemi këndvështrime edhe më të gjera, gjë që për ne ka qenë tepër e dobishme. Përshembull, kur Syriza u ftua të merrte pjesë në Forumin Ambrosetti, kjo nuk u bë shkak fakti se organizatorët e atij forumi befasisht përqafuan bindjet tona, apo për shkak se ata donin të na bindnin ne në ndonjë farë mënyre. Për të thënë të drejtën, ne u ftuam në atë forum në mënyrë që të ndihmonim për t’i përcjellë një mesazh qeverisë gjermane; dhe pozicioni ynë, që Europa duhet t’i japë fund masave shtrënguese, dhe të fokusohet tek rritja, u prit me duartrokitje.

Pavarësisht kësaj, ne jemi tërësisht të vetëdijshëm se ne nuk kemi asnjë pikëpamje të përbashkët me shumicën e pjesëmarrësve aty, kur vjen puna te çështjet e punës dinjitoze dhe te shteti i mirëqenies. Gjithsesi, në ato pika ku mund të biem dakord, ne kemi në plan të marrim maksimumin prej këtyre aleancave; sepse thjesht nuk e kemi luksin që të mos e bëjmë këtë gjë. Unë kam besim të patundur se ky është kursi i drejtë i të vepruarit.

Ne në asnjë mënyrë nuk jemi kundër takimeve me individë me të cilët kemi dallime të forta në opinione, si psh. me Wolfgang Schaublen. Synimi ynë nuk është që të befasojmë ndonjë person, pasi të fitojmë. Ne besojmë tek të qenit transparent. Kështu që, përmes këtyre takimeve, ne përpiqemi që të forcojmë dialogun, i cili në analizë të fundit mund edhe të na ndihmojë në procesin e negociatave të ardhshme.

Të vetmit që nuk përfitojnë prej takimeve tona jashtë vendit, janë anëtarët e qeverisë aktuale në Greqi; sepse kjo ua pamundëson atyre të vazhdojnë me taktikat e njëjta të trembjes, kur përpiqen ta portretizojnë Syriza-n si një partner të padëshiruar në Europë, i cili synon të sjellë rrënim për Greqinë.

Në veçanti dëshiroj të sjell në vëmendje vizitën time tek Papa Françesk, e cila u organizua nga Transform!. Papa ka një agjendë shumë interesante për drejtësinë sociale. Fakti që ky takim ndodhi, është tregues i asaj, se sa kritik konsiderohet pozicioni i Greqisë, simbolikisht apo edhe në mënyrë të fjalpërfjalshme, duke patur parasysh balancën tejet të brishtë sociale në Europë.

Vendi im ka pësuar një katastrofë humanitare e cila është e paprecedent në kohë paqeje, por ne jemi gjithashtu vendi i cili është më pranë përmbysjes së politikave që na kanë sjellë deri në këtë pikë. Kjo do të jetë domethënëse për gjithë Europën, sidomos për popujt dhe shoqëritë tona. Besoj se kjo është ajo që ka ngjallur interesin e Papës, dhe që mundësoi takimin tonë.

Ky takim realisht solli në pah problemet me të cilat ballafaqohemi në Greqi, duke patur parasysh prestigjin global të Papës; dhe na ndihmoi që të ngremë vetëdijësimin mbi situatën për popujt në Europë e përtej. Rritja e solidaritetit ndikon pozitivisht për Greqinë dhe për popullin grek – e po ashtu edhe për Europën. Po të rritet solidariteti rriten edhe shanset për të parë ndryshim, gjithandej nëpër Europë.

  • Në të shkuarën keni vizituar disa vende, të cilat sot nuk ndjekin më politika neoliberale, siç janë psh. Venezuela, Brazili dhe Argjentina. Shumë prej kundërshtarëve tuaj i konsiderojnë këto vizita si pjesë e së shkuarës “radikale” të Syriza-s, dhe tani që ju jeni në prag të marrjes së qeverisjes në Greqi, thonë se ju keni ndryshuar avaz dhe nuk shoqëroheni më me “shoqërinë e keqe”.

Ç’mendoni për këtë?

 

Amerika Latine ka qenë po ashtu subjekt i “programeve rregullatore” të FMN-së – të cilat janë të njëjtat që kemi përjetuar edhe ne në Europë pas 2008, prej FMN-së dhe prej të tjerëve. Këto programe atje në disa raste janë zbatuar përmes përdorimit të forcës ushtarake, duke sjellë rezultate rrënuese për shoqërinë. Sot këto vende kanë hequr dorë prej neoliberalizmit, dhe kanë zhvilluar ekonomitë e tyre ashtu si u është dukur me vend, duke e vendosur theksin tek rritja.

Ata kanë mbështetje të gjerë prej qytetarëve të tyre, pavarësisht sfidave me të cilat përballen, dhe kjo ndodh pasi ndjekin metoda të reja të shpërndarjes së pasurisë dhe të rindërtimit produktiv, zbatojnë parimet e qasjes universale në shërbim shëndetësor, në edukim dhe në sigurime shoqërore, si dhe forcojnë institucionet e tyre demokratike.

Dhe sigurisht që përpjekjet e tyre po japin frute. Kjo është me interes të madh për të majtën nëpër Europë, sepse edhe ne kemi për synim që ta sfidojmë neoliberalizmin në kontinent. Sigurisht që mund të përfitojmë prej bashkëpunimit me Amerikën Latine, duke këmbyer me ta praktikat më të mira mbi çështje kyç, përshëmbull sa i përket këndvështrimeve tona të përbashkëta mbi krizat ekonomike, borxhin, apo marrëveshjet ndërkombëtare të tregtisë. E majta i ka ndjekur zhvillimet e atjeshme për një kohë të gjatë, shumë kohë para se pasojat e krizës të të na sillnin shanset historike që janë tash përpara nesh.

Mbështetësit e neoliberalizmit i kundërshtojnë këto lloj zhvillimesh që nuk janë në të njëjtën linjë me këndvështrimet e tyre, dhe do të dëshironin që të besonim se vetëm ata që mbështesin doktrinat e tyre janë “demokratikë”, pavarësisht nivelit të dhunës apo të korrupsionit që përfshihet në zbatimin e atyre politikave; politikanët apo lëvizjet sociale që nuk e shohin tregun si më të vlefshëm se njerëzit, konsiderohen populistë. Është koha që edhe kundërshtarët tanë të mësohen me faktin se majta po krijon një program alternativ për qeverisje në Europë, si dhe po krijon aleanca të reja.

Një marrëdhënie e ngushtë pune me partnerët tanë europianë nuk na ndalon që të nxjerrim disa shembuj apo që të marrim disa përvoja prej vendeve të Amerikës Latine. Ndërkohë që jemi duke punuar për të formuar strategjitë tona sociale dhe politike, është shumë me rëndësi të monitorojmë edhe mënyrën se si zhvillohen situatat në Amerikën Latine.

  • Shanset e Syriza-s për të qeverisur dhe për të zbatuar politika të reja janë tepër të rëndësishme për të majtën, për sindikatat dhe për lëvizjet sociale anembanë Europës.

Si do të mund t’ju ndihmonin mbështetësit e këtyre subjekteve dhe qytetarët progresistë të Europës në situatën parazgjedhore, por edhe pas fitores suaj të mezipritur?

Kjo është një çështje shumë e rëndësishme, pasi e majta e merr forcën e vet prej shoqërisë. Situata tepër e vështirë në Greqi ka sjellë shansin që Syriza të sjellë ndryshimin. Përpjekjet tona do të nisin të ecin në momentin kur do të formojmë qeverisjen tonë. E kuptojmë se do të ketë shumë sfida, dhe se puna e vërtetë do të fillojë vetëm pasi të fitojmë.

Ne nuk po përpiqemi thjesht për ndryshim në Greqi – beteja jonë është për të sjellë ndryshim gjithandej në Europë, një betejë kundër sistemit aktual që lejon spekullantët dhe botën e kapitalit që t’i mbajë peng popujt. Ne besojmë se politika dhe ekonomia duhet të përqendrohen tek nevojat e njerëzve, tek puna dinjitoze, te lulëzimi i shtetit të mirëqenies, te mbrojtja e ambientit dhe te demokracia.

Suksesi i së majtës në Greqi do të mund të krijonte mundësi të reja në gjithë Europën. E majta qëndron e bashkuar me shumë lëvizje grasroots, dhe me gjithë njerëzit, qofshin ata në veri apo në jug të Europës, të cilët e kuptojnë se e ardhmja jonë e përbashkët varet prej një Europe demokratike dhe sociale. Ne kemi marrë dhe vazhdojmë të marrim shumë mesazhe solidariteti dhe paqeje, prej gjithë globit. Solidariteti nuk është diçka që na sjell thjesht mbështetje emocionale – ai është faktor shumë i rëndësishëm edhe në betejën politike e shoqërore për të ndryshuar gjërat në vendet e tjera.

Për të sjellë një shembull nga zgjedhjet europiane – shokët tanë në Itali zgjodhën ta emërtojnë partinë e tyre “L’Altra Europa con Tsipras” (Europa Tjetër me Ciprasin). Domethënia nuk qëndron tek emri, por te mesazhi që partia dëshironte të përcillte. Ata na shpjeguan se dëshironin që “të ndiheshin grekë” dhe që të krijonin momentumin për ndryshim në Itali, ngjashëm me atë që po ndodh në Greqi.

Dhe kjo gjë i ndihmoi të dyja palët, pasi edhe ata edhe ne i arritëm objektivat elektoralë që i kishim vendosur vetes në dy vendet tona respektive, dhe në të njëjtën kohë dërguam mesazhe uniteti dhe solidariteti.

Me të vërtetë që nuk kam fjalë për të shprehur mënyrën se si jam ndjerë kur kam parë fjalën “Syriza” të vizatuar në muret e sheshit Taksim, gjatë kryengritjes në Stamboll. Ne mbështetemi shumë tek ndihma dhe përkrahja e partive të majta dhe progresive, te lëvizjet sociale – te gjithë ata që janë të përfshirë tek e majta. Në fakt, nëse ne fitojmë zgjedhjet, qeveria jonë do të ketë si objektiv edhe vendosjen e politikave të reja në agjendën europiane. Për të arritur këtë do të na duhet mbështetja publike prej qytetarëve të Bashkimit Europian, në mënyrë që të rritet presioni ndaj qeverisjeve të tyre, duke forcuar lëvizjet që bëjnë thirrje për ndryshime progresiste. Ata do të jenë aleatët tanë më të mëdhenj.

Ne nuk e shohim veten sikur ekzistojmë në një sferë të ndarë – ne jemi pjesë e së majtës europiane, dhe bashkë me gjithë partitë e së majtës ne përballemi me një betejë të përbashkët. Jemi të interesuar që të gjitha këto parti të kenë sukses; sukseset tona të përbashkëta do të jenë e vetmja mënyrë për të arritur rezultatet që ne shpresojmë, qoftë në afatgjatë, qoftë në afatmesëm. Çdo hap i hedhur përpara, çdo fitore e vogël apo e madhe, në Europë apo tjetërkund, është e rëndësishme pasi betejat tona janë të përbashkëta.

Një fitore e Syriza-s dhe krijimi i një qeverie të majtë për Greqinë do të ishin një hap fillestar i madh për të gjithë ne. Ndihma dhe përkrahja nga vendet e tjera do të jetë kritike; do të na sjellë një mesazh shprese për popullin grek, duke forcuar vendosmërinë e këtij populli për të marrë në duar fatin e vet.

Në botën e sotme që është kaq shumë e ndërlidhur, çdo iniciativë, çdo shfaqje e solidaritetit, çdo poster, çdo mesazh përkrahës që vjen në vendin tonë prej vendeve të tjera, na jep energji për të ecur përpara dhe për të punuar drejt arritjes së synimeve tona.

E majta është këtu për të krijuar ndryshimin, për të mëkëmbur aprtneritete të reja sociale, për t’iu kundërvënë “business as usual”-it. Dhe kështu kemi për të bërë, me integritet, me një qasje të re ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare, me koordinim dhe me aksion brenda e jashtë kufirit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 22, 2015 nga te Intervistë, Politikë dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: