rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

4 vjet pas 21 janarit

Arbër Zaimi

Nëse revolucionin shoqëror e imagjinojmë si një fletore analize, në faqet e saj nuk shënohet gjë tjetër pos mposhtjeve, rasteve të humbura. Në Shqipëri, një nga faqet e asaj fletoreje – për ata që mbajnë të tilla shënime – i dedikohet 21 janarit, ditës kur në shesh u qëllua kundër protestuesve dhe u morën katër jetë.

21 janari sot përkujtohet nga shumëkush, në shtypin me redingotë, në blogjet e hipsterëve, por edhe në ato të kokëpalarëve. Por nga mund të lexohet sot 21 janari:

Nga kampi qeveritar

Nga Rama, rrethi i Ramës dhe rrethi i rrethit të Ramës 21 janari publikisht lexohet si një ngjarje “o sa gjynah”, “çfarë bishe ka qenë Berisha”. Ky pietet e kjo përshpirtje ka brenda cinizëm sa të duash, dhe në fakt përkthehet “sa u desh të hiqte ky popull gjersa të ndryshonte pushtetin, të iknin ata e të vinim ne”. Çështja është se po, aq shumë u desh të hiqte ky popull, sa të harronte edhe faktin se në 21 janar arsyeja kryesore pse me dhjetëra mijëra kishin dalë në rrugë, ishte një video e Ilir Metës. I cili në 21 janar 2015 ka zgjedhur me elegancë të shkojë në Maqedoni e të flasë për hekurudhën Shkup – Durrës. Thonë se ka marrë me vete një litër shampo antizbokth.

Asnjë të dënuar nuk ka për këtë çështje, dhe e vetmja mënyrë se si u “mor” me 21 janarin pushteti i ri i rilindjes, ishte duke i degraduar në viktima ata që fare mirë mund të kishin qenë dëshmorë. Viktimave iu blatua nga një pllakë përkujtimore në bulevard, ndërkohë që rënia e tyre, me gjithë ngjarjen vetë, u reduktuan në një instrument perfid për forcimin e pushtetit. Ky instrument operon kështu:

Sa herë që kërkohet ndëshkim i fajtorëve, përmendet pamundësia që rrjedh prej pavarësisë së gjyqësorit, i cili na qenka i kapur prej palës tjetër. Kështu që pala tjetër, ku nënkuptohet se strehohen disa prej fajtorëve, mbetet e paprekur dhe e papërgjegjshme. Opozita e shenjtë, si lopa e shenjtë në Indi. Moscënimi i askujt, pra papërgjegjshmëria e gjithkujt – edhe mbi 21 janarin – bën të mundur vazhdimin e avazit dyjar 23 vjeçar. Sa herë dikush ngrihet të kritikojë apo t’i kundërvihet mirëfilli politikisht Ramës dhe të tijve, menjëherë ngrihet dordoleci a gogoli i opozitës së vjetër. Kush je ti që kritikon? A dëshiron ti të rikthehet prapë klika që shkaktoi 21 janarin? A dëshiron ti të bëjmë “hapa pas në histori”. Përmes këtij instrumenti perfid Rama e të tijtë mbajnë gjallë gogolin e domosdoshëm për të mbetur në lojë edhe vetë.

Vendosja e drejtësisë mbi 21 janarin, për 21 janarin, nuk do të zgjidhte 99.9% të problemeve në Shqipëri. Por do të hiqte nga skena politike disa prej bastardëve përgjegjës, që kanë mbizotëruar dhe vazhdojnë të mbizotërojnë në skenën politike, duke zënë hapësirën për gjithçka përnjëmend të re. Mirëpo, me sa duket, është e kotë të presim që skena politike të pësojë ndonjë transformim, apo ndonjë katharsis së brendshmi. Jo vetëm që Mubarakët e Berluskonët nuk ndëshkohen, por siç tregon historia, ata rehabilitohen në momentin kur populli tërhiqet prej angazhimit politik të drejtpërdrejtë dhe ia lë këtë punë “çunave të politikës”.

Nga kampi opozitar

Flasim për opozitën zyrtare, atë me kravatë, e cila të vetmin dallim me kundërshtarët e vet e ka se “kush është më i përlyer”, dmth. sasior e jo cilësor.

Kjo opozitë tani është në mes të një operacioni për ndryshimin e faqes së vet, duke lënë në sfond fjalët e ashpra, e duke dalë publikisht me rrobën e profesionistit të ri. Mirëpo fakt mbetet se kjo opozitë nuk mund të bëjë as edhe një kritikë që “ngjit” ndaj pushtetit. Pak për faj të vet, sepse asgjë s’e ka bërë dhe as mendon se duhet bërë esencialisht ndryshe nga ç’bën qeveria Rama, por thjesht “më ndershëm” – e këtë punën e ndershmërisë s’ia merr askush për kapital. Por pak edhe për faj të Ramës, i cili si një blairist i vërtetë, me të ardhur në pushtet i bëri të tijat gjithë temat e të djathtës neoliberale, duke bërë të pamundur debatin politik mes PS e PD, e duke e detyruar diskutimin publik të përqendrohet tek etika, ku e ka shumë më të lehtë ta mposhtë PD-në. E vetmja mundësi për PD-në që të ngjallë debat politik dhe jo thjesht etik mes saj dhe PS-së, është që ta braktisë projektin neoliberal dhe të hidhet në krahët e konservatizmit, pra edhe më djathtas, duke ndjekur shembullin e Cameronit, meqë Ramën e kemi blairist.

Sa i përket 21 janarit, opozita e ka kuptuar interesin që ka Rama në instrumentalizimin e kësaj date, siç e përmendëm më sipër. PD-ja e mban këtë lojë, madje e mirëmban atë. Në leximin e PD-së, 21 janari mbetet një përpjekje për të goditur pushtetin e etabluar kushtetues, një përpjekje për grusht shteti. Vini re se si ky lexim është goxha më respektues ndaj ngjarjes, se sa ai mëshiruesi i PS-së. Sepse vërtet, nëse Berisha ishte e keqja e madhe e këtij vendi, atëherë e vetmja mënyrë për të vënë drejtësi, qe grushti i shtetit. Me zgjedhje e me tranzicion demokratik e provuam, ia “dhamë” një milion shuplaka, por ai mbetet ende aty, i padënuar, i pushtetshëm, “në tavë”, duke pritur që rotacioni pashmangshëm t’i tregojë edhe një herë faqen e shndritshme të pushtetit.

Në një demokraci “anglosaksone” si kjo e jona, PD-ja gjithnjë do të vazhdojë të mbajë anën e “institucionalizmit”, duke denoncuar çdo përpjekje për demokraci të drejtpërdrejtë si atentat ndaj shtetit, ndërsa PS-ja gjithnjë do ta reduktojë çdo ngjarje të tillë në “sa gjynah populli”, që detyrohet t’i bjerë murit me kokë. Kjo është tipike, për sa kohë nuk do të ketë ndonjë “21 janar” të suksesshëm. Psh. meqë po na lidhet diskutimi me Anglinë, aty nuk ka patur ndonjë “21 janar” vërtet të suksesshëm, dhe sipas studimeve, top 1% i shoqërisë ka mbetur i njëjti (i trashëgueshëm) që prej një mijë vjetësh, pra që në kohën e pushtimeve normane. Ndërsa nëse duam të marrim si shembull Francën, vendin ku ka patur disa “21 janarë” me sukses të pakontestueshëm globalisht, situata me historinë shoqërore është tepër ndryshe.

Nga këndvështrimi jashtë kampeve

Jashtë kampeve shumica janë indiferentë. Prej aparateve të riprodhimit, prej medias, prej shkollave, përhapet bindja se “nuk ka zgjidhje” për dilema të tilla, se fundi i fundit jemi të dështuar, se gjithçka përfundon në një apori të cilës nuk i ikim dot, se çdo lloj pushteti korrupton dhe se pushteti absolut korrupton absolutisht, se e vërteta dhe e drejta nuk mund të përkufizohen dot pozitivisht kështu që gjithnjë do të qeverisemi nga sharlatanë etj. Dmth. “21 janarët” janë të padëshirueshëm apo të panevojshëm, pasi rezultati i tyre do të jetë gjithnjë pushteti i dikujt dhe mospushteti i dikujt, gjë që ndodh edhe pa sakrifica të tilla të mëdha. Skepticizmi dhe cinizmi mbizotëron në këtë botëvështrim perenial, ahistorik, statik, që është i lidhur ngushtë me individualizmin si ideologji hegjemonike e kohës.

I gjithë ky botëvështrim që absolutizon relativen është lehtësisht i hedhshëm poshtë, po të përballeshin argumentat siç i përballte dikur Sokrati me bashkëbiseduesit e vet. Por duke qenë se hegjemonia përhapet me tanke mediatike e akademike, ndërsa kundër-hegjemonia shyqyr që ka lirinë e pabarabartë të fjalës, kuptohet se ata që e shohin 21 janarin jashtë melankolisë së përgjithshme, janë pak.

Për ata pak, 21 janari ishte mundësia e papërmbushur e vendosjes së drejtësisë, në kuptimin e përballjes së panegociueshme me padrejtësinë, dhe refuzimit të atypëratyshëm të saj. 21 janari ishte mundësia për çeljen e një horizonti politik e shoqëror, ku turmat mund të bëheshin popull, edhe pse për shkak të mënyrës si rrodhën ngjarjet, turmat mbetën turma. Në 21 janar ata që s’kishin brekë në bythë u çuan të digjnin makinat superluksoze të milionerëve, ata që kishin mbetur pa bukë për vete e për fëmijët, u çuan të kërkonin llogari te njerëzit e kolltukut të ngrohtë, ata që s’kishin strehë u çuan të thyenin xhamat e lounge-ve të ndërtuesve të mëdhenj. U kthyen aty ku ka lindur politika, pra në shesh, aty ku duhet të kthehet cilido që përnjëmend do të bëjë politikë apo demokraci. Dhe e bënë, pa u vetëidealizuar, pa i dhënë vetes asnjë mision moral, pa dashur t’i japin askujt shembull apo mësim, me vetëdijen e vetme politike që është ajo e kokëpalarit. 21 janari, edhe hiçgjë mos qoftë, mbetet guri i provës për Ramën që erdhi në pushtet me atë kartë. 21 janari edhe sot tregon se, ndryshe nga ç’e akuzojnë rëndom, problemi i vërtetë i Ramës nuk është se po vepron si radikal, por se po vepron si tërësisht i kastruar.

Në këtë perspektivë, Rama nuk është aq radikal sa duhet, aq radikal sa lypet, aq radikal sa e kërkon populli i vrarë e i gjallë i 21 janarit. Rama jo vetëm që nuk vuri dot në vend drejtësinë me “d” të vogël për 21 janarin, edhe pse vrasësit kanë emra e mbiemra, por pranoi të qeverisë bashkë me ta. Rama jo vetëm që nuk e zgjidhi problemin e varfërisë ekstreme që i nxori njerëzit në rrugë duke marrë parasysh edhe plumbat, por ka ndërmarrë reforma që rëndojnë edhe më shumë tek të varfërit, ndërkohë që mburret me mungesën e sindikatave dhe me taksat më të ulëta mbi fitimin në rajon, duke aprovuar kështu pabarazinë që është në themel të kësaj varfërie.

Rama në secilin veprim të vetin shfaqet i kastruar. Ai nisi të mbyllë lojërat e fatit, por e la përgjysëm këtë aksion duke hequr “vetëm ato pa leje”, sepse s’është radikal. Lojëra fati sot ke po aq sa më parë, në çdo lagje e fshat të Shqipërisë. Ai nisi të mbyllë universitetet private, por e la përgjysëm, dhe një pjese ua ktheu licencat, sepse s’është radikal e nuk përballet dot me pushtetin e kapitalit. Jo vetëm që vazhdojnë universitetet private, por përmes një reforme arsimore “anglosaksone”, shumë shpejt edhe universiteti publik do të veprojë si privat. Me reformën e tij në rend, Rama e bëri më të ndëshkueshëm krimin e vogël, të varfanjakëve, dhe e bëri thuajse të pamundur të gjesh një qese bar. Por ai nuk është radikal mjaftueshëm sa të godasë bosat e trafiqeve, të cilët i ka dhe deputetë në qarkun e vet. Edhe këtë e ka lënë përgjysëm. Ai nisi të shkatërrojë ndërtimet pa leje e pa plan, por kjo reformë e tij as nuk do të prekë interesat e miliarderëve ndërtues, as nuk do të rezultojë në zgjidhje të problemit të strehimit për dhjetëra mijëra të rinjtë e pastrehë. Sepse nuk është radikal mjaftueshëm. Kostot e jetesës po rriten për më të varfërit, ndërsa të gjesh një punë po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ndërsa për më të pasurit po synohet të ndërtohet një “haven”, që të na vijnë “yjet” e televizionit më të pështirë në botë, atij italian, duke i vjedhur fiskun kështu një populli tjetër.

Për ata që e shohin 21 janarin si një mundësi të papërmbushur, vetë Rama është e kundërta e një programi politik. Gjithçka që Rama ka lënë përgjysëm, ata mund ta shndërrojnë në kredo politike duke kërkuar që të shkohet deri në fund. Përfshi këtu edhe demokracinë e paraqitur prej logjikës PD-PS (dhe bijat e tyre) si shtatzani e pjesshme, e cila demokraci nuk mund të jetë kjo tango polake, kërcyer nga dy persona me maska, të cilët prej 23 vitesh mbeten të përfshirë në një love-hate relationship që na mban të ngulur para televizionit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 21, 2015 nga te Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: