rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Sommes-nous Diogene?*

 

(Ose një shkrim me asterisk pak a shumë të gjatë)

Arbër Zaimi

Kultura europiane, është e vërtetë, ka një traditë të gjatë të talljes, apo ta themi ndryshe, satirizimit, të perëndive të saj. Mendohet se themelet e kësaj tradite i ka vënë Sokrati, filozof grek dhe futbollist komunist (ose anasjelltas), fajtor dhe meritor për shumëçka që ka të bëjë me mënyrat e mendjes sonë edhe sot e kësaj dite, paçka se ai shfajësohej duke thënë se s’dinte gjë për këtë.

S’qe e thënë që ky bekim themelues që solli Sokrati të na mbetej i kulluar. Bashkë me të u hodh edhe një themel i një tradite tjetër, e cila shoqëron të lartpërmendurën si bosht dyjar i kulturës europiane. Ky themel ka të bëjë me vrasjen demokratike të Sokratit nga vetë demokracia, për shkak se duke demaskuar cektësitë e besimeve dhe të ligjeve të saj “të shenjta” dhe pushtetin ndaj të cilit ajo nonstop servilosej e qurravitej, se bába i filozofisë na i paskësh “korruptuar mendjet e të rinjve demokratikas”. Se si ia doli Athina të mbante lart bajrakun e themelit të demokracisë perëndimore për njëzetegjashtë shekuj me radhë, edhe pas këtij gjesti kaq “despotiko-lindor” dhe censurues siç ishte helmimi i Sokratit me vendim gjykate, është pyetje më vete. Natyrisht që do jenë dashur shumë akrobacira e kollotumba, shumë lobingje e propagandë gjeopolitike, duke angazhuar edhe filozofët zyrtarë të secilës kohë, pra sofistët, të cilët atëbotë ashtu si edhe sot, mohonin ekzistencën e ndonjë të vërtete absolute dhe pohonin se gjithçka është e mbështetshme logjikisht, nëse dikush ka aq para sa të blejë shërbimet e logjikës së tyre. Gjithsesi ai bajrak demokratik i mbijetoi historisë, ashtu si vetë Athina që i mbijetoi pushtimeve nga persë, maqedonë e më vonë romakë dhe kurrë nuk vdiq nga përballja me pushtuesin, por si demokracitë e vërteta liberale, vdiq vetëm nga pleqëria, e asimiluar dhe e kalbur. 18 shekuj më vonë, kur vajtën ta “rilindin” e gjetën cit me shqiptarë… U deshën shumë investime afatgjata nga Landi i Bavarisë e nga Mbreti i Londrës, në mënyrë që ndërkohë që rripeshin mermerët e Parthenonit, të bindeshin shqiptarët se s’ishin shqiptarë, investime këto të cilat nuk ishin dhurata (the “no free lunch” theory), por fillimi i borxhit të sotëm grek.

Shumë ndryshe nga Sparta mistrece, të cilën Athina demokratiko-sofiste e akuzonte si “të trashë” e “jo-filozofike”, edhe pse nuk mungonte mendjehollësia dhe sofistikimi në të folmen lakonike, e cila prodhoi përgjigjen “Ejani e merrini!” kur persët çuan ambasadorë për të kërkuar armët e Spartës, apo atë tjetrën, kur Filipi II i Maqedonisë iu dërgonte paralajmërim e i thoshte “plotësomini kërkesat, se nëse vij me ushtri te ju, nuk do ketë më Spartë” dhe spartanët ia çuan si përgjigje letrën me një fjalë të vetme “Nëse!”. Gjithsesi nga Sparta s’mbijetoi ndonjë gjë e madhe për ne të mëvonshmit, duke patur parasysh se mediat dhe universitetet kryesore e prestigjioze të kohës qenë në pronësi të Athinës, ose më vonë, të protektorëve e tutorëve të Athinës. Sipas athinasve demokratistë, Sparta pra (jo Persia, Maqedonia a Roma, ah sa e ëmbël Roma, ah sa na duan e sa na respektojnë romakët, ah la dolce vita) ishte diktatoriale, militariste, dhunuese e të drejtave të njeriut etj. Jo rrallë demokratistët athinas e përdornin imazhin e shfytyruar të Spartës (si te filmi “300”) për të trembur njerëzit e tyre, apo për t’ua asgjësuar argumentin. Psh. një nxënësi të Sokratit, filozofit të quajtur Rrapi (greqisht Platon), meqenëse ky vlerësonte aspekte të organizimit të shoqërisë spartane (siç kritikonte shumë aspekte të tjera), ia bënë disa fushata për nxirjen e imazhit, dhe hapën llafin se ishte asocial e i trashë. S’ka dyshim që ky Rrapi më shumë do ketë qenë mundës se sa filozof, tip totalitaristi esencialist, nga ata që vazhdojnë besojnë tek e Vërteta me “V” të madhe.

Athina tregtare s’e pati shumë problem të bënte aleanca me Fuqitë e Mëdha si Shtetet e Bashkuara të Persisë (perandoria e bashkuar medo-perse), e të prishte aleanca me fuqitë e vogla, si Sparta. Aleancat me më të mëdhenjtë e çdo kohe i garantuan Athinës parada të mrekullueshme ushtarake e sportive, ku kanë marrë pjesë yjet e kohës, ndër ta edhe vetë Aleksandri i Madh i Maqedonisë, i cili i magjepsur nga kultura athinase rendi ta përhapë atë në gjithë botën – duke u bërë në një farë mënyre eksportuesi i parë i demokracisë në Irak dhe Afganistan, pararendës i Bushit (jo i Alban W. Bushit që në Athinë ka luajtur vetëm me top, kuptohet). Një ditë, ndërsa englendisej nëpër Athinën që i qe vetëdhuruar pa luftë, në një cep rruge Aleksandri na pa një fuçi të madhe, rrethuar nga qen që lihnin. Thonë se i fiksuar pas rregullit dhe rendit, si mbret i kulturuar dhe i ndriçuar që ishte, menjëherë urdhëroi ta heqin fuçinë dhe t’i çojnë qentë në ndonjë hotel qensh të sponsorizuar nga qeveria dhe nga PETA. Adjutantët shkuan t’ia zbatonin urdhrin atypëraty, por pak çaste më vonë njëri syresh u kthye e i tha mbretit se në fuçi brenda na ishte një njeri, që pretendonte se ishte demek filozof, nxënës i Sokratit, që quhej Diogjen.

Aleksandri, shkurt Sandri, pyeti këshilltarin e vet (Fevzon?) për të marrë vesh se a ishte e mundur kjo. Fevzua, i cili në atë kohë po përgatiste bestseller-in e tij të katërt radhazi, edhe ky kushtuar një njeriu të famshëm të vdekur, që ishte pikërisht Sokrati, iu përgjigj me sigurinë që e karakterizon se “ça s’bën vaki”. Kështu Aleksandri vendosi të shkonte vetë te fuçia, pavarësisht erës kutërbuese të varfërisë që vinte nga njeriu i rrugës, erë e cila në traditën filozofike europiane gjithnjë ka qenë në kontrast të thellë me aromat e ëndshme të mirëqenies dhe pushtetit. “Kush je ti?” e pyeti njeriu i rrugës mbretin. “Unë jam Aleksandri”, tha mbreti, “po ti mund të më thërrasësh Sandri”. “Po ti kush je, dhe a është e vërtetë se ke qenë nxënës i Sokratit?” pyeti mbreti njerinë e rrugës. “Unë jam Gjeni”, iu përgjigj lypsari, “po ti mund të më thërrasësh Diogjen, apo më mirë thirrmë zoti Diogjen!”.diogjeni

Mbretit, që dikur kish qenë student privat i Aristotelit, i pëlqeu përgjigjja dhe kurajoja e mbrujtur në të, dhe nga kjo nxori përfundimin se po, lypsari do kishte qenë vërtet nxënës i Sokratit gjersa zotëronte kaq mirë ironinë, dhe fliste pa iu dridhur qepalla. Si gjysmëperëndi, si zot i mbarë botës, Sandri u afrua te lypësi dhe me bujarinë e zemërbardhësinë që karakterizon gjithnjë shefat e shefave, i tha “Kërko diçka prej meje, dhe do ta plotësoj!”. Lypësi e pa i’ her në dialekt dhe i tha “A ka munci të lush i’çik prej venit, se m’ke zon’Djellin”. Kushedi ç’djersë të ftohta do i kenë rënë Sandrit të Madh, përballur për një çast me vogëlsinë e vet. Rrotulloi një herë sytë se mos e kishte dëgjuar njeri këtë humbje 8 me 0 që sapo kish’ pësuar në Athinën e nënshtruar prej tij, ktheu thembrat nga majat dhe iku duke ia plotësuar menjëherë dëshirën lypësit. Këshilltarit, që spekullojmë sikur e quanin Fevzo, Sandri duhet t’i ketë thënë se Diogjeni s’qe gjë tjetër veçse një qen-bir-qeni, një kynikos. Megjithatë, nuk e ngau as atë dhe as qentë, pak për faktin se nuk ishte thjesht mbret liberal, pro LGBT, pro choice, për individual freedoms etj. por ishte edhe thellësisht qen-dashës (kinefil), por pak edhe për faktin se s’donte të krijohej përshtypja se madhështinë e tij do mundte ta cënonte një lypsar morracak, pseudofilozof pa higjienë personale. Kështu pra, Diogjeni, të cilit i mbeti nofka Diogjeni i qenve, apo Diogjen kynikosi, apo Diogjen ciniku – edhe pse sot fjala cinik përdoret me një kuptim krejt tjetër, thuajse të kundërt me origjinalin – vuri një tjetër gur mbi atë themelin kulturor që nisi nga Sokrati, themelin e fjalës së Vërtetë të lirë.

Është me rëndësi të vëmë re se Diogjeni, po t’ia kish “dhjerë” ashtu jo Aleksandrit të Madh por ndonjë njeriu të pafat si vetë ai, do kishte qenë thjesht një shamataxhi i rastit dhe as që do mbahej më mend sot. Tallja, apo satirizimi që ai i bëri pushtetit, madje edhe personit-zot, ku mishërohej pushteti kulmor i kohës së vet, e futi atë në histori. Kahu nga drejtohet kritika ishte i rëndësishëm sa vetë ajo. Por, dymijë e kusur vjet më vonë, ka persona që mendojnë se kur adjutantët e aleksandërve të sotëm shkojnë e tallen me ata që vuajnë prej varfërisë e shtypjes në trup, mendje a shpirt, kjo qenka liri e fjalës, liri e kritikës dhe liri e satirës, sipas traditës europiane. Harrojnë ata se themeluesi i traditës në fjalë nuk zotëronte asnjë pushtet (as media, asnjë buxhet policor, ushtarak, akademik e aq më pak armë bërthamore). Si pasardhës të vërtetë të sofizmit adjutantët e aleksandërve të sotëm gjithmonë mbështeten tek demokracia, duke thënë se liri e fjalës është të tallesh me të gjithë njësoj paçka se nuk janë të gjithë njësoj, e duke harruar rëndësinë e kahut. Të tregosh gishtin e satirës dhe të kritikës ndaj pushtetit është vërtet fjalë e lirë, që çliron. Të përqeshësh atë që është i varfër a i traumatizuar, në trup a në shpirt, që është më i dobët se ty, që është viktima apo ish-viktima jote, është thjesht bullying.

Imagjinoni sikur Sokrati i shkretë, që shpenzonte orë e ditë të tëra duke diskutuar me turli lloj njerëzish të këndshëm e të pakëndshëm, të zgjidhte që në vend të edukimit që përpiqej t’u jepte bashkëqytetarëve të vet, të zgjidhte metodë tjetër. Psh. sikur Sokrati të mendonte se “humanitetet”, “artet”, “teoria kritike”, “filozofia” e tërci e vërci, janë llukse që mund t’ia lejojnë vetes vetëm fëmijët e ndonjë Babi apo Mami të pasur, se sa për masat e gjera, shkolla të tilla nuk i kërkon tregu dhe nuk i kërkon ekonomia, se nuk janë sustainable, se njerëzit kanë nevojë vetëm të dinë zanate, se universiteti para së gjithash është ndërmarrje ekonomike, dhe se pavarësisht nëse është publike apo private ajo duhet të mbulojë kostot e veta, dhe sa për emancipimin, ai bëhet lehtë edhe përmes metodës së tronditjes apo të shock-ut. Dmth. imagjinoni sikur të hiqte dorë Sokrati nga ideja e shkollës, ideja e shkollimit, dhe të vepronte si aktivistet e sotme të FEMEN që shock-ojnë dynjanë me cica, dmth. imagjinoni sikur Sokrati të hiqte dorë nga pdeagogjia dhe nga didaktika dhe t’i përballte mendjetrashët konservatorë, patriarkalë, iliberalë, tradicionalistë, me “trupin e tij si akt politik”, t’i trondiste mendjet e tyre të sëmura që banonin në trupa të sëmurë, jo duke u dhënë libra (se më vje’ keq po s’kena kohë me lexu gjithçka tani, se jena në demokraci, po të pëlqeva rri po s’të pëlqeva ik ‘ër daj’, se i kena fitu me shumë zor kto të drejta…) po duke u treguar psh. hallatet e veta në mes të sheshit… Sa ndryshe do kishte qenë historia? Mbase nuk do e kish vrarë ligji, po a do ta njihnim edhe sot vallë Sokratin? A do të kishte pasur Platonë, Aristotelë, Diogjenë etj.? Kush do ishte antipodi i derrit të Migjenit? Me çfarë do merrej Mirush Kabashi pas pushtimit të Kinostudios nga privati? Sa mirë që nuk hipotezojnë gjëra të tilla në fanta-letërsitë e tyre njerëz si Uelëbeku, se do detyrohesha t’i lexoja dhe unë, që vargun e librave që presin t’u vijë “ajo ditë”, e kam fatkeqësisht të gjatë…

* Arsyeja pse po ia vë titullin në frëngjisht këtij shkrimi është kjo memorje hantingtoniane: Në kohë të gjimnazit në Tiranë kishte ndodhur dyndja e madhe e katunarëve nga e gjithë Shqipëria, të cilët shpesh vinin nga qytete, nga Durrësi, Fieri, Elbasani etj. por për ne mbeteshin katunarë. Si qytetarë të vërtetë, nuk përtuam të bezdiseshim nga ata, që s’kishin shije në veshje, në krehje, në ndenjje, në të folme, në të bome. Nuk përtuam t’i quanim çeçenë, gjë që ua thoshim si ofendim dhe na i merrnin për ofendim. Çeçenët realë ndërkohë ishin një popull aq me vlera, sa që edhe pse i vogël, nuk trembej të kërkonte lirinë e pavarësinë e vet përballë një superfuqie si Rusia, nga e cila neve si shqiptarë supertrima kemi frikë jo të përballemi direkt, po edhe nga hija e saj gjeopolitike se mos guduliset kur i kërkojmë Serbisë të na kthejë kufomat. Po ky është muhabet tjetër.

I quanim çeçenë, dhe këtë e konsideronim si të drejtë fjale, si të drejtë kritike, si të drejtë liberale tonën për të thënë “ç’të na donte trapi” siç ka thënë shumë kohë më pas Henri Çili në një debat monumental televiziv të vitit 2009. Ishte demokraci, ishim entuziastë, ishte pluralizëm, ishim në gjimnaz. Fundi i fundit, ata ishin fajtorë, se na i kishin bërë vendin “si Kandahar”. Ku jetohej ashtu…? Le pastaj që “kishin mor’ edhe pushtetin”! Kush e zbret dot malokun nga kali?

Dikush mund të ndërhyjë e të thotë se kemi bërë shumë gabim që e kemi bërë këtë, pasi ata ishin produkte të rrethanave diskriminuese e traumatizuese në vendet e tyre të origjinës dhe në qytetin ku kishin ardhur, të cilat rrethana na kishin favorizuar neve që ishim lindur e rritur në Tiranë, ama atij dikujt unë menjëherë i them se është ekstremist, dhe se nuk është e vërtetë që të gjithë nëpër fshatra ishin injorantë apo varfanjakë, dhe se ne si gjimnazistë nuk kishim asnjë detyrim të ishim historianë, sociologë apo psikologë apo çfarëdo “logu” tjetër, s’kishim për detyrë të njihnim gjë rrethanat e askujt, dhe që e drejta e fjalës nuk negociohet. Pikë vizë pikë.

Njëri nga këta çeçenët e filloi keq gjimnazin. Që kur erdhi ditën e parë, e pyeti mësuesja si quhej dhe nga ishte dhe ky tha “Geni nga Sllova”. “Ku i bi Sllova” e pyeti z’jusha, “N’ Slloov’” iu përgjigj Geni. Mbas shumë kohësh, kur më çoi puna me shërbim që të kapërceja qafën e Buallit, mora vesh se Sllova ishte në Dibër, matanë Peshkopisë, po kjo s’ka rëndësi. Aty për aty grupi i tironsave të klasës ia nisën “satirës” me Genin. “Satira” nuk ishte malinje në vetvete, ishin shaka dhe të shajtme që i përdornim edhe me njëri-tjetrin. Po ai dhe ca si ai nuk e duronin, sidomos demitizimin e kultit të perëndisë më të shenjtë sipas tyre, pra të nënës, kult që ne e kishim lënë pas shpine me kohë, si çuna qyteti. Plus, jo rrallë “satira” bëhej fizike, meqë ishim më shumë. Jo ndonjë gjë e madhe, thjesht ndonjë shpullë në qafë, siç bëhet kur del nga berberi. Por, jo domosdoshmërisht e aplikuar nga ne vetëm në raste berber-uruese.

“Satira” vazhdoi gjatë, ushtruar ndaj djemsh e ndaj vajzash, edhe ndaj njëri-tjetrit. Me njëri-tjetrin shpesh qeshnim, ose ziheshim me shkelma, grushta e karrige, por demokratikisht dhe me qytetërim, si tironsa. Ndërsa me ata ishte ndryshe. Ata s’kishin elokuencë. Jo rrallë përfundonin në lot.

Masanej erdhi nothteshtata. “Satira” vazhdonte deri kur një herë Geni na erdhi në shkollë me dy granata dore në çantë. Që atëherë u trajtua me një lloj respekti të kujdesshëm, edhe pse gjesti kuptohet, nuk u vlerësua si elegant. Mund të na kishte marrë në qafë komplet i marri… Por respektin që fitoi Diogjeni nuk e fituan bashkëvuajtësit e tij edhe për shumë kohë. Një a dy vjet më vonë, njëra prej tyre doli duke qarë nga klasa. Të nesërmen, në mes të orës së algjebrës hyri në klasë një zdap i bëshëm, me një revole në dorë. Z’jusha e analizës u alivanos. Nja dy çuna nga fundi i klasës u bënë si meitë. Ishte vëllai i asaj vajzës. Kishte ardhur të diskutonte për lirinë e fjalës. Mirë që e zgjidhi këtë punë thjesht me dy shpulla ndaj atyre çunave të zbehur… Kjo na i vrau disi lirinë e fjalës aq të shenjtë për ne. Pa liri ç’ishte demokracia? Ç’kuptim kishte kapitalizmi ynë i ri dhe bulëzues pa atë liri që ishte thelbi i perëndimit. Pa atë liri që francezët, ky popull kaq i kulturuar, e kishin vënë në krye të vendit, në moton më të famshme në botë pas asaj të Kokakolës…

Dikush mund të ndërhyjë e të thotë se francezët revolucionarë nuk ishin budallenj kur bënë moton tripartite: liri – barazi – vëllazëri, sepse e dinin se që të treja s’mund të rronin dot pa njëra-tjetrën, dhe se nëse nuk ka barazi e vëllazëri, liria është veç iluzion dhe rrenë e madhe, kështu që para se të tregosh me gisht atë që vret iluzionin e lirisë, trego me gisht atë që vrau barazinë e vëllazërinë. Por unë i them këtij dikujt, me indinjatë të madhe, se atë moto e ka pas’ thon i pari Robespjeri dhe zhakobinët, dhe po të besosh tek ajo i bie të jesh bolshevik ose sllavokomunist, sankylot apo kokëpalarë, ndërsa unë jam demokrat i palëkundshëm. Rroftë liria, dhe nuk e kuptoj pse gjithmonë këta dikushët që më ndërhyjnë, qëllojnë kaq enveristë…

E kështu me radhë, po nejse kjo histori m’u kujtua vetëm ngaqë ne në gjimnaz kishim si gjuhë të huaj frëngjishten. Shumë prej katunarëve kishin ardhur nga shkollime të dyshimta, e me shqipen arrinin të negocionin, por me frëngjishten i kishin punët pisk. Në maturë, ndërkohë që të gjithë “ne” e kishim mendjen te revolucioni seksual dhe te liritë e shprehjes, ndërsa bënim sikur mendonim seriozisht përzgjedhjen e shkollave dhe degëve ku do “vazhdonim studimet”, “ata” kishin hallin si të merrnin frëngjishten. Ne frëngjishten e cicërinim me symbyllur. Mbaj mend që Geni psh. për të mos ngelur në frëngjisht, u detyrua që bashkë me dy kolegë të tjerë, të ndihmonte zjushën që të ngrinte një dollap të rëndë, që ajo e quante l’armoire, gjer në kat të pestë të një pallati pa ashensor, ku banonte. Po të kishim dhe ne një Uelëbek në Shqipëri me këto punë do merrej, dhe do shkruante roman se si në vitin 2021 do vijnë në pushtet katunarët dhe do instalojnë kanunin me detyrim në gjithë Shqipërinë. Trembuni!

Disclaimer biopolitik: Ngjarjet dhe personat e përmendur në shkrim, përfshi dhe vetë narratorin, nuk mund të mos jenë fiktivë.

Një koment te “Sommes-nous Diogene?*

  1. Pingback: Sommes-nous Diogene?* | Postbllok

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 10, 2015 nga te Satirë dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: