rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Rrencat

Klodi Leka

Rama, Renci dhe një roje nderi.

Rama, Renci dhe një roje nderi

“Nganjëherë mjafton një fjali e vetme që në mendjen e shkruesit të lindin mendime të gjera dhe tentativa për t’i hedhur të skematizuara në prozë këto mendime.” – thotë Ismail Kadareja tek mediton për punën e letrarit në Ftesë në studio. Një fjali mjaftoi që edhe unë të hidhja diçka të shpejtë në letër. Ky tundim, ndryshe nga përsiatja nëpër kohë dhe kujtesë e shkrimtarit të madh, mor’ shkas prej një konstatimi të bërë nga kryeministri ynë gjatë konferencës për shtyp me atë italian Mateo Renci: “Ftojmë biznesmenët italianë të investojnë në vendin tonë pasi nuk kemi sindikata.” Konstatim që u prit me të zgërdhira nga të dy kryeqeveritarët dhe zyrtarët e tjerë të pranishëm, ndër të cilët spikatnin disa ministra dhe atashej.

Kjo batutë, anipse naive në dukje, bart disa domethënie të rëndësishme politike dhe shoqërore. Naive pasi me gjasë kryeministri ynë, si për të mos e humbur kurrë rastin për të shpalosur relatat e mira me të ftuarit, e ngacmoi kolegun në pikën më të dobët të aktualitetit italian: reformimin e ligjit të punës. Gjatë gjithë këtij muaji shteti italian është përfshirë nga dallgë të mëdha grevash dhe demonstratash sindikaliste që kundërshtojnë ndërhyrjet e reja në ligjin e punës që tash e tutje, duke ua zgjeruar pronarëve të mëdhenj lirinë e përzënies se punëtorëve nga puna, po i jep fund ekuilibrave historike të padronatit dhe punëtorisë të vendosura me përpjekje të mëdha historike nga e majta italiane që pas luftës antifashiste. Ky akt ka ngjallur kritika të forta jo vetëm te kundërshtarët e Rencit, por edhe brenda radhëve të tij. Kundëvënia arriti pikun me paralizimin e plotë të jetës industriale në shumë qytete të rëndësishme italiane dhe mu në mjediset e parlamentit, ku disa deputetë të zemëruar hodhën në mënyrë fyese qindarka në drejtim të kryeministrit Renzi.

Për kë nuk ka një peizazh të plotë të politikës ditore italiane,  Renci është Rama i Romës. Ca më i shkurtër, por po njëlloj ish-bashkiak, me ngritje të dyshimtë politike dhe karafil hokatar. Ardhja e tij në krye të së majtës italiane një vit më parë u  propagandua si fitore e lavdishme e orientimit modernizues liberal brenda Partisë Demokratike, partisë më të madhe të së majtës italiane të dobësuar nga burokratët e stazhonuar ish-komunistë e ish-demokristianë dhe revanshi i pandalshëm ideologjik i të djathtës. Pak muaj më vonë bukuroshi ngazëllues i popullit italian Mateo Renci erdh’ në krye të vendit me premtime radikale rimëkëmbëse. Paçka se karrierën si kryeministër e nisi prej një kombinimi koalicioni alla-italiana, shumë shpejt u konfirmua me votë plebishitare në zgjedhjet evropiane, që s’i kish marrë motit as i ngrati i dashur Berlinguer. Por siç ndodh në këto kohë pritshmërish të mëdha dhe veprimesh të vogla, popullariteti i ra me hapa të shpejtë për shkak të reformave “të dhimbshme”. (Përcaktori “i dhimbshëm” rëndom përdoret ideologjikisht për të treguar se dhimbja pritet vetëm nga ata që janë mësuar me dhimbjet, të varfrit. Bjeru gomarëve se janë mësuar, se zotërinjtë kanë frikë edhe nga hidhësia e aspirinës!) Rimëkëmbja sociale nuk duket asgjëkund, kurse politikat e Rencit nuk janë gjë tjetër veçse thellim i mëtejshëm i modelit neoliberal. Si Rama këtu!

Të dy i përkasin të njëjtit drejtim global të politikave qeveritare, megjithëse thuajse dy dekada pas pilafit: rrugës së tretë tonbleriste, ose neoliberalizmit me fytyrë njeriu trendy. Po ashtu të njëjtës “Internacionale Socialiste”, që dikur ndizej nga debatet e Kauckit e Bernshtajnit e sot është katandisur me kryetar Papandreun, partia e të cilit rrezikon të mos futet në parlament prej batakçillëqeve sistemore, e një nga dyzet nënkryetarët e saj Ramën. Ky është brezi i këmishëbardhëve simpatikë të edukuar gjetkë në Perëndim që gjithë ditën teorizojnë vulgarisht rreth praktikave më të mira sociale dhe në praktikë ndjekin teorinë e zhbërjes së shërbimeve sociale, subvencionimit të biznesit dhe shkurtimit të shpenzimeve publike etj. Ata flasin për pajtim klasor duke rrëfyer dhembshuri për punëtorinë, ndërkohë që ua ngopin pa mëshirë me ligje dhe para publike në dobi të pronarëve. Ata janë trupat e rinj të socializmit për pasunarët dhe kapitalizmit për kokëpalarët.

Po si Rama, si Renci anipse i përkasin të njëjtit drejtim ideologjik, nuk janë në pozita të barabarta. Ndryshe nga kryeministri modest i një shteti të dobët ballkanik, Renci është kryeministër i një shteti që – siç e theksoi gjatë konferencës për shtyp – “në zemër të pozitës gjeopolitike ka vendet ballanike dhe disa shtete evropiane”. Pra marrëdhëniet midis dy kryeministrave, përtej sportivitetit humoristik plot ngërdheshje, nuk përcaktohen nga detyrime dashurie internacionaliste, por nga pozitat e interesit dhe varësisë ekonomike. Në kushtet e kapitalizmit të vonë, kur mungon gogoli sovjetik, solidariteti ndërshtetëror është i pamundur. Jo më kot Rama bën thirrje për “investime të sigurta biznesore” në vendin “pa sindikata dhe kushtëzime punëtore”. Se shteti ynë është shtet i fasonëve or lum miku!

Thirrje që nuk kanë rënë në vesh të shurdhër ama! Që nga shpallja e nismës “Shqipëria 1 euro” të qeverisë Berisha me qindra sipërmarrje fasone zbarkuan në vend. Rreth 260 të tilla me 28 mijë punëtorë. Përjashtimi nga taksa për makineritë, subvencionimet fiskale dhe dhënia e godinave shtetërore me një euro për metër katror krijuan kushtet e përshtatshme që kjo industri t’u arratisej kushtëzimeve ligjore, sociale dhe ekonomike të vendeve evropiane drejt Edenit ballkanik të kostove fare të ulëta dhe fitimeve fort të larta. Njëjtë me industrinë fasone, një tjetër sipërmarrje zbarkoi në vend ishin shërbimet call center, që në shumicën e rasteve kanë kapital italian. Ky model industrial u kritikua rëndë nga opozita socialiste e kohës si i falimentuar dhe pa vlerë ekonomike për buxhetin e shtetit.

Por me ardhjen në pushtet, qëndrimet e PS-së ndryshuan. Ministri i Zhvillimit Ekonomik shpalli një paketë të re masash për industrinë fasone, në thelb të së cilës qëndronte thellimi i mëtejshëm i këtij modeli industrial përmes zgjerimit të makinerive të përjashtuara nga taksat, subvencionimeve më të larta me paratë publike dhe sanksionimit institucional të fasonerisë si prioritet i rëndësisë të veçantë. Zulma ngazëlluese e ministrit se kjo paketë ka për të mundësuar ngritjen e shpejtë industriale të vendit u parlamentarizua me 14 akte ligjore, nga të cilat 2 ligje dhe 12 vendime të Këshillit të Ministrave. Detyrimet e këtij biznesi ndaj mijëra e mijëra punëtorëve, kushteve dhe pagave të punës, si zakonisht nuk përmenden asgjëkund. Sakaq përtej llastimeve të sheqerosura qeveritare, rritja e prodhimit industrial vazhdon të mos e kalojë 1-përqindëshin. Nëse na merr koka erë dhe pyesim se pse ky shteti ynë xhymert në vend që të falë para përmes çtaksimit e subvencionimit nuk eksperimenton në ngritjen e ndonjë ndërmarrjeje publike, i kemi të sigurt policët ideologjikë që na ulërijnë se në kapitalizëm shteti s’ka punë me investimet direkte. Ato i bën vetëm biznesi. Edhe në falimentofshin – siç ndodh rëndom – biznesit i falen njëqind dështime, kurse shtetit as edhe një.

Pra modeli ka falimentuar, siç ka falimentuar edhe sfondi në të cilin qëndron.Sot biznesmeni i investimeve të sigurta dhe punëtori i nënshtruar në pasiguri përbëjnë sfondin dhe subjektin e një tregimi të madh që, për shkak të rrencave të vegjël, mbetet i parrëfyer. Por jo i parrëfyeshëm! Orientimi i këtyre sipërmarrjeve drejt vendeve të pazhvilluara është jo vetëm proces historik që bëri të mundur ikjen e shoqërive perëndimore nga kriza e kapitalizmit industrial drejt shoqërisë postindustriale të shërbimeve dhe getove, por edhe premisë e domosdoshme që këto sipërmarrje të sigurojnë vazhdimësinë në treg. Dy nga premisat themelore të kësaj vazhdimësie janë: rritja e qëndrueshme e normës të prodhimit e të fitimit dhe heshtimi i çdo zëri a ligji punëtor që i cenon këto norma.

Në shtetet perëndimore, për shembull në Italinë e Rencit, edhe pse dobësimi i ligjeve punëtore ka nisur prej kohësh, kostoja e prodhimit mbetet e lartë. Në Perëndim sipërmarrësi përballet me rentën e kripur të tokës, taksat për makineritë dhe fitimet, kod pune dhe detyrime komunitare, të kushtëzuara jo vetëm nga kushtetuta, por edhe nga ndërgjegjja dhe mbetjet e organizimit të dikurshëm mbresëlënës punëtor.  Bash për këtë arsye nevojitet Shqipëria e Ramës. Këtu sipërmarrësi do të zbulonte tokën më të begatë për të mbjellë utopinë e tij, d.m.th. distopitë tona. Një shtet, që pasi ka shkatërruar për dekada të gjitha sipërmarrjet publike, ka pastruar terrenin konkurrues dhe ka prodhuar aq shumë të papunë saqë mirëqenia matet me privilegjin për t’u punësuar/robëruar me 20000 mijë lekë në muaj. Një shtet i privatëve, nga privatët dhe për privatët. Një shtet që privon, me rend ligjor dhe sindikal sa për sy e faqe…

Një nga veçoritë më të rëndësishme që bënë të mundur mëkëmbjen e kësaj tendence historike të kapitalizmit është fakti se në vendet e pazhvilluara kapitali nuk has pengesa, por gjen një mik të fuqishëm për të vendosur diktatin e tij: rendin patriarkal përkatës. Në këto rende, çdo domen publik dhe relatë shoqërore dominohet nga pushteti i logjikës parakapitaliste, që s’ka si të mos shtrihet dhe në mjediset e fabrikës. Imagjino ç’tmerr është, ç’regjim  dhune ushtrohet mbi trupin e vajzës a gruas punëtore periferike që për tetë orë me radhë robërohet në këta bunkerë industrialë!  Nëse një ditë vendos të zgjohet dhe të mos heshtë më asaj do t’i kundërvihen të gjithë, bash të gjithë. Që nga kryeministri rojtar i normave të fitimit te supervizori i rreptë vendas; nga inspektori i korruptuar te polici i urdhëruar prej lart; nga sindikalisti i kompromentuar partiak te thyerja kolektive e bashkëpunëtorëve; nga buka e familjes te rripi i bashkëshortit të dehur dhe kolaboracionizmi i familjes së vjetër që drurin e burrit e konsideron shtyllë shtëpie. Ajo nuk banon në lagjen plurale moderne, por në geton e vogël fisnore e krahinore nga ku s’ka rrugëdalje. Ajo jeton si në feudalizëm dhe punon si në kapitalizëm. Përtej s’ka asgjë!

Ose ka! Sado simpatike, buzëqeshjet e Rencit dhe Ramës nuk janë të vetmet kënde shikimi dhe shprese në këto kohë. Të ardhur në pushtet me premtime të zhurmshme, të dy i tradhtuan pritshmëritë popullore. Vizioni i tyre nuk shkon më larg batutave cinike dhe “reformave të dhimbshme” neoliberale. Nuk mbaron me kaq! Këmishët e tyre të bardha nuk do mund ta mbërthejnë zemërimin pothuajse histerik të atyre që durojnë peshën e rëndë të kësaj shpotie: punëtorëve dhe studentëve. Dy javë më parë, bukuroshi Renci rrahu si pa të keq masat e revoltuara popullore që kundërshtonin paketat antikrizë, duke rrëfyer thelbin e vërtetë të politikave të tij rimëkëmbëse. Sakaq bukuroshi ynë Rama, dhunën klasore e ushtron ndryshe, mbase më mizorisht se rrahjet publike të punëtoreve dhe studentëve: duke i asgjësuar si ekzistencë e pavarur shoqërore. Dhuna e hapur duhet aty ku ka rezistencë të organizuar. Për dy dekada me radhë, punëtoret vazhdojnë të mbeten të mallkuarit e zakonshëm, të papërmendurit e çdo fjalorthi politik. Si dhe studentët për të cilët vazhdojnë të bëhen reforma, që i shtyjnë përherë e më shumë në gjirin e proletariatit të papunë a të nënpunësuar.

Siç më është dashur ta shkruaj në një përpjekje të vogël poetike, diku dikur, i zemëruar nga e tashmja që fundoset poshtë e më poshtë pa prekur kurrë fundin: Pragu/ është qielli i të martës mbrëma/ kur ti, tek digjesh në cigaren e fundit/ vështron terratisjen  e një shkëndije  në kupën e zbrazët të botës/ dhe qesh/ qesh i mbërthyer në këmishë të forcës. Pragu është në prag dhe rrencat e buzëqeshjeve të bukura nuk mund ta ndalojnë kurrsesi zemërimin popullor për të ikur nga mbërtheckat e këmishëve të tyre të bardha dhe çmendina e zezë e krizës aktuale. Edhe në mos shpëtofshin nga humnera çmendëse ku po i shtien, me siguri që në theqafje kolektive kanë për të tërhequr me vete edhe rrencat e ç’u sillet vërdallë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: