rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Shëmtia nën të bukurën Eifel

Rama në Korçë me pushtetarët lokalë. Në sfond "Ejfeli" i "Parisit të Vogël"

Rama në Korçë me pushtetarët lokalë. Në sfond “Ejfeli” i “Parisit të Vogël”

Klodi Hoxha

Në vigjilje të festave të fundvitit, ku megjithëse dritat dhe zbukurimet stil alla-amerikon kamuflojnë vendin, ka një shtresë që është gjithmonë në errësirë: të papunët, hallexhinjtë ose mund t’i quani si të doni sepse ka dhjetëra sinonime për ta. Por është diçka e paparë në këtë periudhë, diçka që nuk është bredh krishtlindjesh, nuk është as babagjyshi me Coca-Cola-n në dorë, por  është ““Eifeli” modern i “Parisit të Vogël”, një shkallare galeri art + një ballkon 360 gradë mbi Korçën siç nuk e keni parë”. Bukur fort deri këtu, se e duam edhe modernitetin që kur të na vijnë të huajt në Korçë t’ju tregojmë me mburrje investimet e dukshme të kryeministrit tonë majtist. Por problemi nuk është “Eifeli”, se kjo kulla është shumë e bukur në vetvete. Problem janë gjërat e shëmtuara dhe këtu me lind pyetja se ç’quan vallë Rama të shëmtuar në vendin e tij.

Tani ne e dimë të gjithë zoti KM që ke shpirt artisti dhe ke bërë shkollën për këtë punë, por të lutem vlerësoje me një sy dhe mendim kritik situatën në vend dhe mos u mundo të mbulosh diellin me shoshë, sepse nuk e ka bërë kush në histori dhe as ti nuk do t’ia arrish edhe sikur të jetë gjëja e fundit që do të realizosh (por, sigurisht për ta hequr merakun mund ta bësh me një pikturë, diellin me një shoshë sipër dhe ndoshta do e varnim në shtëpitë tona për zbukurim duke të vlerësuar si artist).  Eifeli në Korçë ka kushtuar ca apo jo?!

Në këtë periudhë krize, ku kapitalizmi po i bën njerëzit edhe më të huaj për njëri-tjetrin, ku shumëkush ngrohet veçse me ‘zjarrin e të varfërve poshtë urave si ato të Lanës; e bën gjithë ditën me kokën kazanëve të plehrave për të gjetur ushqim ose në rastin më të mirë të “bursës së plehrave” kanoçe për t’i shitur; rri ulur në mes udhëve duke shtrirë duart në mëshirën e kalimtarëve për ndonjë qindarkë ose që i jep fund dhimbjeve duke mbytur zërin e dhimbjeve. E ndoshta këto raste të duken minorancë popullsie, prandaj po marr ca raste tjera që prekin popullsi më të gjerë. Ç’më thua për bujqit dhe blegtorët në çdo zonë rurale që nuk interesohet kush për ta veç kur vjen rasti për photo of the day?! Si nuk iu iu dha kush shpresë në këto 20 vite që në fshat mund të jetohet shumë më mirë sesa të mësysh Tiranën e mallkuar, se puna e tyre do vlerësohej duke ringjallur tregun e prodhimeve vendase?! Po për të papunët me përvojë pune dhe ata me diploma universitetesh?! Po për kushtet në miniera?! Apo veç fton të huajt për investime në vendin tonë të cilët, në sa e sa raste, veç dëme na kanë sjellë sepse kodrat janë bërë si kulluese makaronash nga kërkimet për minerare, fuqia e punëtorit vendas zhvlerësohet duke bërë diferencë të dukshme në pagë ndaj punëtorëve “miq” për të mos folur për ata që vdesin pa nam e nishan?! Po me shëndetësinë falas ç’u bë?! Apo e mori era se s’ka si ndodh ndryshe me premtimet elektorale, fati i tyre është i përcaktuar, gënjeshtër treditore?! Besoj se arsimi të intereson. Ti i do shumë të rinjtë ekselentë zoti kryeministër, por mos na e pamundëso këtë punë duke na vënë lakun në fyt me tarifa, që rriten edhe më vrullshëm se ekonomia në kohën kur bënim gara me Gjermaninë, dhe me reforma neoliberale. Jo për gjë, por nuk i kanë hije një “majtisti” që dje çirrej duke sharë të djathtët dhe reformat e propozuara prej tyre, që çuditërisht apo rastësisht janë të njëjta me këto që propozoni ju. Këtu po ndalem se as për të mësipërmet s’pres përgjigje.

Tani dua të luaj pak me fantazinë, në pamundësi për të qenë e pranishme ditën që u përurua Eifeli në Korçë, duke sajuar një dialog absurd midis kryeministrit dhe një hallexhiu të çfarëdoshëm.

Kur Rama kundronte me admirim artisti kullën Eifel, papritur dikush e tërhoqi prej mënge: -Zotëri po me ne ç’do bëhet?

Rama: Kush është ky “ne” a  nuk jemi gjithë “ne” këtu që jemi mbledhur për madhështinë e kullës?!

Hallexhiu: Ne që punojmë për të mbijetuar, ne që punojmë për bukën e gojës dhe s’kemi gjë tjetër.

Rama: Me çfarë pune merresh ti zotëri? Apo nuk i paske edhe flokët si ndërtim pa leje?

-(hahahah dëgjohet një e qeshur në turmën servile)

Hallexhiu: Unë mbledh kanoçe, mbajmë kalamajtë, për një kore buke rrojmë.

Rama: Mirë, mirë t’i lëmë këto tani se nuk na ka lezet se jemi edhe te rritur. Ja ku është kulla Eifel këtu, e solla Eifelin në Shqipëri, mund ta shohësh dhe ta admirosh ashtu si unë. Në fund të fundit edhe ju e meritoni një ditë!

Hallexhiu: Ç’kullë zeza more?! Ne po thajmë së ftohti pa një strehë dhe po vdesim për kafshatën e gojës, ç’kullë është kjo? Shtëpi për ne është kjo kulla apo banket ku mund të marrin të varfit një vakt falas?

Duke vështruar drejt kullës, si në tragjedinë e Shekspirit, Rama i përgjigjet: Ai që shkruante dua bukë jo bukuri të mësojë se e bukura shton jetën, energjinë, punën e bukën! S’ka mirëqenie në shëmti.

Hallexhiu, i revoltuar e pa kuptuar asgjë nga ato që tha Rama vazhdon të përsërisë nëpër dhëmbë të njëjtat gjëra: Ne po na mërzitet jeta, ngelëm duke gërmuar nëpër  plehra, po tani as kanoçet nuk i hedh njeri në plehra. Është krizë ekonomike thonë lokalet dhe na duhen kanoçet, po unë s’marr vesh asgjë nga këto, ne vetëm bukë duam!

Rama: Dëgjo këtu more zotëri, do ju sigurojmë edhe bukë. Do sjellim edhe mirëqenie, po mirëqenie në shëmti nuk ka. Kjo të jetë e qartë.

Hallexhiu: Por kur do e sillni, gjatë kohës së fushatës se ne po na sosen ditët në mjerim?

Ore zotëri po ti kalamajtë i ke bërë të gjithë njëherësh apo një nga një – i thotë Rama duke e shkundur nga supet.

(Ndërkohë në turmën servile, por dyshoj të jetë më shumë servile apo e trembur, dëgjohen përsëri të qeshura, por tani me një qeshje haptazi nga halli se kanë të madhin aty).

***

Tani unë nga ky dialog do shkëpus ca gjëra që KM  jonë nga ngazëllimi i përurimit të kullës, si shumë kulla të tjera, ndoshta atë ditë s’i ka vënë re dhe po ia jap si këshilla dhuratë për fundvit. I meriton, jo për gjë!

Kur shkon në popull, cilado qoftë arsyeja e shkuarjes, ku ta gjesh që njerëzit të flasin për problemet e tyre duke t’u drejtuar për zgjidhjen, sepse kjo do të thotë që ata të besojnë. Asnjëherë, ngado qoftë prejardhja e tyre, mos u tall me ta e as mos u shtir, por dëgjoji dhe, pa lajle-lule të tepërta, mundohu të bësh të pamundurën për të mirën e përbashkët. Edhe pse është dëshpëruese në fakt që njerëzit t’i drejtohen një këllufi si ti për problemet e tyre, kur t’i ende s’ke zgjidhur problemet tua. Pastaj t’i përmendësh tjetrit numrin e fëmijëve dhe arsyet pse i ka bërë është e rëndë. Për të varfrit fëmija është e vetmja pasuri që ka dhe e vetmja shpresë që dikur ai ta nxjerrë nga varfëria, duke studiuar dhe duke filluar një punë për së mbari. Po këtyre kohëve kjo është ëndërr e tepruar pasi falë largpamësisë suaj arsimi publik po kthehet në privilegj të atyre që ua mban xhepi dhe aventurierëve që kridhen në lumin e kredisë. Meqë kjo alternativë po dështon, atëherë le të rritet lindshmëria e shtresave të varfra, me shpresën (utopike, por jo të pamundur) që bijtë dhe bijat e klasës së varfër të rriten me mllef ndaj këtij sistemi dhe ta kuptojnë se bashkimi është e vetmja mundësi për daljen nga varfëria, meqë ekonomia ka dështuar tash e sa vite.  T’i flasësh një fshatari ose dikujt që s’ka mbaruar shkollën me një gjuhë prej intelektuali të skalitur kafeneve nga lajkat e karafilave që të rrethojnë, është gomarëri e llojit të veçantë se edhe gomari i zakonshëm e di që sipas vendit pëllitet në kuvend. Po ti i dashur kryeministër duhet të jesh gomar i jashtëzakonshëm e besimtar se je zot gomarësh që mungesën e silogjizmave të thjeshtë e kamuflon me retorikë të kalitur bordurave të Tiranës së viteve 80. Të paktën kështu i heq mallin komshiut tim për kohët e lumtura me biçikletë Ylli, fara stadiumi dhe mbrëmje kanconesh. Zotrote s’do mbetesh ndonjëherë pa punë se Portokalli ka vend edhe për origjinalin. Dhe e fundit për dialogun e mësipërm: nuk është se s’ka mirëqenie në shëmti, por aty ku ka shëmti s’ka mirëqenie!

Do ishte shumë mirë sikur Rama të hipte në këtë Eifelin tonë dhe të shikonte shëmtinë e Shqipërisë në 360 gradë, por ta shikonte thellë në sy dhe jo si peizazh, se si natyrë Shqipëria është e veçantë, mban katër llojet e relieveve dhe ka dalje të gjerë në dy dete. Shumëkush do kishte zili për punën e kryeministrit të një vendi si yni  që ta ndryshonte situatën e rëndë ekonomike, sociale, kulturore etj. Jo medoemos duke sjellë investitorë të huaj pa asnjë kusht e strategji, ashtu siç çon tutori klientët te prostitutat, por duke punësuar vendasit në sektorët përkatës me anë të rishtetëzimit të burimeve natyrore dhe të industrive të mëdha minerare (nxjerrëse e përpunuese) etj, etj. Ku t’i gjesh kapitalet lum miku? S’t’i jep FMN-ja? Po guxo preku pak privilegjet sulltanëve e princërve bashkëkohorë, shpronëso shpronësuesit siç thoshte motit ai me të cilin krahasoje Lubonjën e ngratë!

Gjithsesi ende e kam mendjen tek fobia që ka Rama ndaj fjalës “shëmti”: thua ta ketë nga natyra e tij prej artisti apo e ka ngase e gënjen mendja se vërtet ka punuar aq shumë për vendin saqë s’ka lënë vend për shëmti? Në të dyja rastet është problem serioz. I pari lidhet me karakterin partikular që paska prej piktori (të dobët, sepse artisti çdo gjë synon ta kthejë në art) dhe e dyta lidhet me atë të rrejshëm si politikan bashkë me karvanin qeveritar që i vjen pas.  Mbaj mend se në pranverë të këtij viti u këmbeva me Ramën  sipër kryqëzimit të Vasil Shantos. Ai nuk po ecte në anën e Lanës sepse, me gjasë, në mëngjes brigjeve të Lanës shikon plot të pastrehë që pas një nate mjerimi (bohemizmi do i gënjejë mendja dikujt që të varfrit i njeh vetëm përmes letërsisë romantike) nën qiellin e pafund hapin sytë nga zhurmat e qytetit. Ndoshta Ramës pamje të tilla i ngjallin krupën, pasi në sytë e një artisti borgjez që fati e deshi edhe kryeministër shëmtia nuk pranohet. Jo se bën ndonjë gjë për ta çrrënjosur, por zgjedh të ndërrojë trotuar artistikisht, kushedi edhe të ndërtojë një mur me vizatime që mjerimi të mos kapërcejë drejt syve të huaj. E në ardhshin erë, ka INUK për këtë punë. Tutje mor helaqë që na fëlliqni qytetin tonë prej lodre!

Sidoqoftë këto që lexuat nuk janë shkruar si një kërkesë mëshiruese ndaj kryeministrit për të ndrequr situatën në vend, por për t’i dhënë zë dhimbjes së atyre që sa hapin gojën ju mbyllet me një shaka pa kripë dhe me një cinizëm “shembullor” nga ai që supozohej se do ishte zëri i tyre për sa kohë ngroh vendin e kryeministrit, të paktën kështu premtonte dikur…  Herët ose vonë populli do zgjohet, ose më saktë do ketë guximin të thotë hapur pakënaqësitë e tij, sepse kryeministrat e viteve të fundit, si dhe ata që vijnë vërdallë si dhelpra pas gjahut të luanit duke lakmuar postin e kryeministrit bashkë me shpurat e tyre partiake, janë provë e bërë tashmë dhe besimi është kthyer në zhgënjim. Prisni vetëm sa të kthehet zhgënjimi në zemërim dhe do e shihni “shëmtinë” e bukur të forcës së bashkimit.

Çdo vit që kalon është një vit më afër trazirave dhe prishjes së rehatisë për “të mëdhenjtë”.

Deri atëherë, me migjenianen “kafshatë që s’kapërdihet o vlla asht’ mjerimi”, ju uroj ta gëzoni këtë mot-mot me lista në dyqane, me borxhe në banka dhe farefis, me të afërm emigrantë nga të katër anët, me gjelin e detit të racionuar, me mendimin se ku do t’i gjejmë lekët për tarifat e shkollimit dhe me urimet emocionuese të kryeministrit dhe gjithë politikanëve tanë të dashur!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 1, 2015 nga te Polemikë, Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: