rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Ndërhyrja klasore e Ramës

Arbër Zaimi

Rastet e personave që kanë humbur jetën duke u përpjekur të lidhin energjinë elektrike pasi që “shteti” ua ka prerë me polici e me vendim gjykate, si dhe rasti i fundit i personit që vrau veten pasi që e kishin futur prej dy muajsh në burg për një problem evazioni të lidhur me dritat (deklarimi i energjisë të përdorur për biznesin e vogël si energji e përdorur për banesë), nuk mund të mos ngjallnin reagime nga mediat, aktorët politikë, po dhe nga masat, në rrjete sociale. Deklaratat marrë si të tilla, sjellin huti më shumë se sa sqarim, për një moment si ky që po kalojmë, i cili sipas meje, është nevralgjik sa i përket zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe politik në Shqipëri.

Në lexim të parë të situatës duket se Rama – i vendosur përballë pamundësive për të prodhuar zhvillim e mirëqenie (kjo për shkaqe të shumëfishta, siç janë historia ekonomike e Shqipërisë, kriza globale dhe ngërçi i prodhuar nga neoliberalizmi i zbatuar), por edhe nën presionin e madh për “të lënë gjurmë” (presion që prodhohet prej karakterit të tij, gërshetuar me hovin e ngadhnjimit vendimtar në zgjedhjet e fundit) – është fokusuar në vendosjen e shtetit ligjor. Pra, meqë nuk mund të përdorë edhe aq dorën e majtë të shtetit (punësimi, siguritë shoqërore, standardet e mirëqenies), ka vendosur t’i “luajë fenë” të djathtës (rendi, kontrolli i territorit, luftimi dhe dënimi i sjelljeve të kundërligjshme, vendosja e standardeve në administratë etj.)

Për këtë “lojë” me një dorë Rama ka gjithë bekimin e aktorëve ndërkombëtarë perëndimorë, siç është FMN, BB, por edhe të BE, SHBA etj. Pasi kanë kaluar fazat e domosdoshme kur është dashur të mbyllet njëri sy, që të ndodhë “akumulimi primitiv i kapitalit” i cili është një fazë mobiliteti të lartë social, në të dyja drejtimet, përmes përvetësimit me e pa ligj i pronës së përbashkët, tashmë janë krijuar (apo forcuar) klasat e epërme, dhe nuk ka nevojë të “tolerohet” më. Në vend të mobilitetit të çasteve të para, tashmë nevojitet ngurtësim. Kapitali që hodhi shtat (aq sa hodhi), tash duhet të forcojë eshtrat (dhe muskujt).

Duhet sqaruar se këto klasa të epërme, në epokën neoliberale, nuk janë industrialistë, dhe nuk punësojnë masa të mëdha njerëzish për të ruajtur legjitimitetin e tyre. Ato legjitimitetin e ruajnë përgjithësisht përmes sistemeve të klientelave apo klaneve, në një format që ka zënë vend mirë në gjithë Evropën Lindore, nga Sazani e gjer në Vladivostok. Politikanët e tillë janë përfaqësues thjesht për aq sa i lejojnë klanet, bastionet apo klientelat e tyre që të kryejnë ndonjë aktivitet joligjor, psh. të mos paguajnë rregullisht dritat, të mbjellin aty-këtu kanabis, të punësojnë anëtarët e klanit në administratat publike dhe private, si dhe të kryejnë ndonjë lloj banditizmi social, psh. duke mos paguar taksat etj. (sipas konceptit të Hobsbamit [Eric Hobsbawm]). Banditizmi social, apo sjellja joligjore e tyre përgjithësisht nuk perceptohet si krim nga masat, por si një lloj e drejte sociale e tyre, gjë që merr kuptim përballë dështimit masiv të politikës për të siguruar punësim edhe mirëqenie. Fakti që politikani apo oligarku i zonës ndërhyn që “të tolerohet” kjo situatë i jep atij legjitimitetin përfaqësues në popull, pra edhe pushtetin.

Formatin shpesh e quajnë kapitalizëm oligarkik, shpesh chrony capitalism, po gjithsesi e shpjeguam shkurt ç’është. Në interesin e aktorëve perëndimorë në këtë moment është pikërisht lufta ndaj oligarkisë në Europën Lindore, luftë që është sponsorizuar, siç janë sponsorizuar edhe lëvizje, persona, OJQ e media që janë rreshtuar në atë front. Arsyeja fillestare për të nisur këtë luftë thuhet se është “nevoja për të vendosur sundimin e ligjit”, por përtej saj shihet se që të mund të konsiderohet e përfunduar etapa e rikrijimit të klasave, është koha të rregullohen e të formalizohen edhe raportet mes tyre.

Në këtë lexim të parë pra, “projekti Rama” është pjesë e “revolucioneve me ngjyra”, lëvizjeve politike në një pjesë të vendeve ish-komuniste, të cilat synuan t’i thonë “mjaft!” oligarkisë (dhe despotizmit lindor, çkado që kjo do të thotë) dhe të bashkohen me perëndimin në rrugën e vetme drejt zhvillimit. Këto revolucione bazën teorike e kanë kryesisht në idetë e biznesmenit multimiliarder Xhorxh Soros (George Soros) dhe politologut Xhin Sharp (Gene Sharp), ide që e kanë gjetur rrugën e përkthimit gjerësisht edhe në shqip dhe janë lehtësisht të konsultueshme. Ndërkohë që gjen mes atyre librave informacion të mirë mbi atë se si të ndërtosh “network”, si të komunikosh me masat në kanale sa më të ndryshme, si të ndërtosh reagim masiv, si të shfrytëzosh metodat e rezistencës paqësore, etj., shumë pak gjen ndonjë analizë ekonomike të shoqërisë, aq më pak klasore. Kjo është e vetëkuptueshme, pasi po të qe ashtu, ajo literaturë nuk do të ishte shpërndarë me të madhe prej misionarëve të hegjemonisë neoliberale, siç janë NDI, UNDP, USAID etj. Kjo gjë njëkohësisht shpjegon pse është vështirë të mbjellësh opozitarizëm ndaj Ramës në qarqet e shoqërisë civile në këtë moment, duke patur parasysh inkubatorët prej nga kanë dalë shumica e OJQ-ve.

Ekuacioni është pak a shumë i qartë, Edi Rama, së bashku me aleatët e vet me ndihmën e të cilëve ia mbërriti të rritej fillimisht në PS e më pas në zonat e ndryshme të Shqipërisë (domosdoshmërisht duke shfrytëzuar sistemin ekzistent të bastioneve dhe të klientelave), së bashku me një grup profesionistësh të rinj kryesisht të shkolluar jashtë, së bashku me rrjetin e mediave e shoqërisë civile që e ka mbështetur, si dhe me përkrahjen e një pjese të rëndësishme të aktorëve ndërkombëtarë, po përpiqet ta përfundojë projektin e tranzicionit në Shqipëri. Meqenëse tranzicioni ekonomik ka përfunduar me kohë, Edi Ramës i bie detyra që të përfundojë tranzicionin social dhe kulturor, që Shqipëria përfundimisht të bëhet një shtet ku vlerat e thurura rreth apo për tregun të zënë vendin e parë, atë të hegjemonisë, karshi të tjerave – dhe sidomos që kjo të duket përgjithnjë e natyrshme, e padiskutueshme, e pakritikueshme, e pandryshueshme dhe e paevitueshme. Ky është qëllimi final i projektit neoliberal, edhe pse sigurisht që kjo betejë ende nuk është fituar tërësisht prej tyre, as në vendet perëndimore.

Sigurisht e gjitha kjo shoqërohet me një mbështjellje që luhatet mes populizmit dhe ekstravagancës, sajë ekipit me eksperiencë dhe talent që menaxhon komunikimin publik të Ramës, por edhe sajë karakterit të vet impulsiv-kolerik. Kjo mbështjellje përfshin një lloj nacionalizmi-fishekzjarr (kujtoni takimin zulmëmadh të qeverive në Prizren që ende s’ka prodhuar ndonjë gjë përndryshe do t’i kishim dëgjuar trumpetat e PiArit; kujtoni deklaratat ndaj Vuçiçit, edhe pse nuk ka ndryshuar ndonjë gjë në raportet mes dy vendeve; apo edhe fushatën për të fituar zemra në Kosovë e Preshevë, edhe pse vijon të mbështesë zyrtarisht e jozyrtarisht proceset e rrezikshme që po i imponohen Kosovës, që nga dialogu i pabarabartë e joreciprok e gjer te gjykata speciale). E një sërë aktivitetesh të tjera që diku kanë një nuancë kozmopolitizmi e diku populizëm të thjeshtë. Të gjitha këto janë “pjesë e punës”, dhe janë të pashmangshme (madje janë punë e bërë mirë). Çështja është të shohësh përtej asaj që komunikohet, madje edhe përtej të komunikueshmes.

Në një lexim të dytë, le të marrim si elementë të interpretimit disa prej reformave më të zëshme që ka bërë Rama deri më tash. Ato kanë të bëjnë me ndaljen e lojrave të fatit pa leje; prishjen e një numri të konsiderueshëm ndërtimesh pa leje; një fushatë kundër kultivimit të bimëve narkotike; ndaljen e lejeve për disa prej universiteteve private që u vlerësua se nuk i përmbushnin kushtet; së fundmi fushata për ndalimin e vjedhjes dhe mospagimit të energjisë; e në të ardhmen pritet miratimi i reformës për arsimin e lartë; reformës në pensione; reformës në drejtësi dhe një fushatë kundër mospagesës së ujit, ngjashëm me këtë të dritave.

Të gjitha fushatat janë shembuj të mirëfilltë të zbatimit të shtetit ligjor, apo të imponimit të sundimit të “drejtësisë” siç do të mund ta quante dikush, e cila dështimet e saj globalisht e lokalisht përpiqet t’i shërojë me “filantropi”. Bëhet fjalë për po atë drejtësi pa barazi, për të cilën Anatol Fransi (Anatole France) thoshte se i pengon njësoj dhe të varfrit edhe të pasurit që të flenë poshtë urave e që të vjedhin për bukën e gojës apo që të pshurren në rrugë. Por fushatat kanë dhe diçka tjetër të përbashkët, pak më “eksplicite” sa i përket atashimit në projektin e sipërpërshkruar neoliberal. Ato janë pjesë e përpjekjes për solidifikimin e klasave. Ato janë të dy llojeve: së pari ato që disiplinojnë radhët e klasës së epërme, duke zvogëluar mobilitetin drejt asaj klase dhe duke hequr iluzionet se “kushdo mund të jetë i tillë”; dhe së dyti ato që disiplinojnë shtresat e poshtme, duke ua hequr mundësinë e mosbindjes ndaj rendit ligjor në emër qoftë dhe të mbijetesës, duke pamundësuar pra kryerjen e “banditizmit social”, duke zvogëluar kostot e punës, duke ndëshkuar çdo pretendim për mirëqenie.

Fillimisht fushatat/reformat e llojit të parë:

Ndalja e lojërave të fatit pa leje nuk ka rezultuar në ndaljen përfundimtare të fenomenit, edhe pse në fushatë janë përshkruar si problem i madh (me të drejtë) për familjen dhe shoqërinë shqiptare. Edhe pse një numër i madh bashkëshortesh e nënash do të kenë votuar për Ramën pikërisht sajë këtij premtimi, del se paska patur nevojë për intepretime të mëtejshme. Lojëra fati vazhdon të gjesh kudo, në çdo lagje.

Qëllimi i qeverisë vijon të jetë edhe mbyllja e lojërave të mbetura, ama jo që të luftohet deri në fund fenomeni, por që të krijohen dy apo tre “qendra nacionale të bixhozit” ku fenomeni do të jetë i përqendruar. Në ato qendra licensat do të kushtojnë shumë shtrenjtë, e prej tregut do të hiqen aktorët e vegjël e të mesëm, e do të mbeten vetëm biznesmenët e mëdhenj. Pra nuk ndalohet “plaga” sociale, por thjesht bëhet më e përcaktuar se cili do të jetë “plagosësi”. Ky do të jetë një biznes i rezervuar për klasën e sipërme (si pronarë, se viktimat do vazhdojnë të jenë nga të gjitha shtresat).

Prishja e ndërtimeve pa leje synon të bëjë të njëjtën gjë me tregun e ndërtimit. Askush të mos gënjejë veten e të mendojë se mund të bëhet “sipërmarrës” në kapitalizëm xhungle. Për të fituar leje tani do të duhet të përmbushen një sërë standardesh. Kjo do të sjellë ndoshta ndërtesa më të mira, ndoshta planifikim urban më të mirë, dhe ndoshta mbajtje në kontroll të territorit e të tregut (gjithnjë me theksin tek “ndoshta”). Në këtë sens është reformë pozitive, por njëkohësisht do të sjellë një zvogëlim të mundësive për të qenë pjesë e këtij biznesi, pasi standardet do të mund t’i kapërcejnë vetëm disa kompani të mëdha, që pjesërisht janë të asociuara me politikën. Nuk mund të jetë kushdo “ndërtues”, apo jo?

Ndalja e kultivimit të bimëve narkotike, përveçse një operacion shumë i mirë për imazhin e Shqipërisë dhe një provë për aftësitë e qeverisë për të kontrolluar territorin, të mos pretendojmë se ka ndalur realisht edhe narkotrafikun. Bosat e narkotrafikut gjenden në parlament, e rreth tij, por edhe me këtë fushatë, thjesht u ndal pretendimi që “çdo rrëmbythje” mund të “bëjë lekë me drogë” në Shqipëri.

Ndalja e lejeve për universitete private po ashtu i ka disa aspekte pozitive, por duhet thënë se edhe kjo fushatë nuk është çuar deri në fund. Njësoj si me kompanitë e bixhozit, edhe universitetet private thjesht do të kufizohen në numër, dhe do t’i jepet mundësia për të qenë në një treg të tillë vetëm atyre që kanë kompanitë më solide dhe lobingun më të fortë, pra që janë më stabilë në shtresën e epërme të shoqërisë. Kufizimi në tërësi i numrit të studentëve që mund të marrin një diplomë ndoshta do të ndikojë në përmirësismin e cilësisë së diplomës, por ky kufizim njëkohësisht i jep fund pretendimit të një sasie të rinjsh që ta gjejnë mobilitetin social përmes shkollimit të lartë. Mesazhi qeveritar për ta është i thjeshtë “atje lart s’ka vend, “atdheut” i duhet krah pune”. Kuptohet që ky mbetet eufemizëm, sa kohë që s’ka as punë.

Pastaj ato të llojit të dytë:

Fushata kundër vjedhjeve të energjisë, e cila ka filluar të shkaktojë ndërkohë viktima, ka të bëjë me prishjen e një “marrëveshjeje” të pashkruar mes klasave politike dhe popullit, gjatë tranzicionit. Ndërkohë që vidhej me të dyja duart nga zengjinët e parë, populli bëhej bashkëfajtor duke ia “falur” edhe atij ca vjedhje të vogla, si ato të ujit e të dritave. Pjesëtarë të të njëjtit popull kanë pasur “mundësinë”, që edhe pse luftonin për punë dhe për kafshatën e gojës, të kishin një Benz të vjedhur në Europë (në raste të rralla, paçka se të kthyer në stereotip), një I-Phone po ashtu të kontrabanduar, rroba “fake-firmato”, apo të merrnin një diplomë shkolle paçka se analfabetë. Këto gjëra janë shqetësim i madh për zengjinët e rinj, të cilët së paku prej një dekade janë stabilizuar dhe nuk ka nevojë të vjedhin më. Është e papranueshme për ta se si ndonjë “barbon” të dalë nëpër bllok me BMW, se si një “kokëpalarë” të pretendojë për master etj. Kështu që, zengjinët e rinj janë mbështetës të Ramës në prishjen e “marrëveshjes” së tranzicionit. Pabuksat t’i lënë “pordhët” dhe të ballafaqohen me detyrimet e tyre, të paguajnë dritat, të paguajnë ujin, të paguajnë taksat e prapambetura. Por kurrë nuk diskutohet me të njëjtën frymë “ligjoriste” për sekuestrimin e mega-pasurive të vjedhura nga njerëz me bllok e pa bllok, në dhe pranë qeverisë së sotme e të djeshme. Po sigurisht që pasuritë e të kamurve janë të justifikuara e të çertifikuara, se zotërinjtë kanë qenë të zotët, të pashëm, të ditur e të aftë… ndryshe nga populli.

Në të njëjtën linjë pritet të shkojë reforma për arsimin e lartë, sipas modelit “anglosakson”, ku dijen kush ka lekë e blen e kush nuk ka t’i mëshojë kazmës (nuk merret si model psh. Gjermania ku arsimi i lartë është tërësisht falas!). Edhe reforma për pensione si synim të vetëm ka çeljen e tregut pensional për kompanitë e sigurimeve private, të cilat gradualisht do të zëvendësojnë ato shtetërore. Modele të tilla janë të stërkritikuara dhe kanë dështuar në disa vende të ngjashme, madje dhe fqinjë, por justifikimi i qeverisë “së majtë” të lë gojëhapur: “secili të marrë pension aq sa kontribuon mo ’lla”. Pra në rini të hershme si edhe në pleqëri të vonë, harbuti e sojsëzi të mos guxojnë të mendojnë se janë të barabartë me aganë. Justifikimi gjithsesi është patetik, kuptohet që këtu kemi të bëjmë vetëm me “hapje tregu” dhe shndërrim të një shërbimi social në shërbim fitimprurës, se përndryshe kush ka dëshirë të ketë më shumë para në pleqëri, mund të hapë konto bankare etj. E sigurimet shoqërore janë shpikur për tjetër arsye, jo për shpërblim sipas “meritave”, por si rezultat nevojës për të paqtuar lëvizjet e forta punëtore në shek. XIX dhe XX.

Rama i mëshon me të djathtën pa u ndalur. Ai psh. e degradoi pagën e trembëdhjetë në një shpërblim për merita. A në fakt paga e trembëdhjetë është instrument i mirëqenies, nuk ka lidhje as me shpërblimin e as me lëmoshën. Ajo jepet në fund të vitit për shkak se kryesisht shpenzohet në festat e konsumit, dhe rrit një cikël ekonomik i cili do të jepte përfitim në vendet ku ka prodhim (aa po prit, ne s’kemi prodhim…!). Nëse zoti Rama donte të jepte shpërblime për merita, le t’i jepte në fund a në fillim të vitit shkollor. Paga e trembëdhjetë edhe më parë është trajtuar si lëmoshë, nga Berisha. Por ta themi hapur, ajo çka bëri Rama është thjesht ulje e kostos së punës, apo e pagës së punonjësve në administratë publike. Ndërkohë që një reformë e majtë do kish qenë detyrimi me ligj edhe i bizneseve private që ta paguanin pagën e trembëdhjetë.

Rama mburret me uljen e kostos së punës, si dhe me favorizimet që i ofron bizneseve (pronarëve të tyre). Në një konferencë për shtyp, bashkë me homologun e vet italian, ai nuk la pa përmendur favorizimet në taksim të fitimit që bizneset do të gjenin në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera. Edhe pse u bë zhurmë e madhe për debatin “taksë progresive” apo “taksë e sheshtë”, duhet thënë se sërish ambienti fiskal në Shqipëri është shumë më pak “social” apo i majtë se sa në shumë vende të Europës, dhe se në realitet progresiviteti i sjellë nga Rama është thuajse i pandjeshëm.

Në këtë lexim të dytë, politika e Ramës shfaqet më shumë si një luftë klasore klasike. Përmes vendosjes së sundimit të ligjit – pa marrë parasysh barazinë apo pabarazinë – Rama në fakt thjesht po ngurtëson imagjinaren sociale mbi mobilitetin. Nëse në kushte xhungle secili ka menduar se mund të bëhet “luan”, Rama po imponon një hierarki sociale më të ngurtë. Ky është efekti kulturor i tij, dhe fundi kulturor i tranzicionit (sepse ekonomikisht tranzicioni ka marrë fund që në kohë të Nanos). Në këtë luftë Rama ka favorin që nuk ka përballë asnjë parti të majtë të organizuar, por veç partiza të djathta të cilat mund të ngrenë zërin veç në mënyrë hipokrite në ndonjë rast vdekje. Ai po ashtu ka mbështetjen (në rrjetet sociale) të opinionit të “profesionistëve të rinj”, të shtresave të mesme të larta dhe të një pjese të emigracionit e cila është stabilizuar në strukturat sociale të vendeve ku ka shkuar, pra nuk është në situatë mbijetese.

Efekti social është përfundimi i një sistemi informal të shpërndarjes së të ardhurave, por jo zëvendësimi i tij me një sistem formal të rishpërndarjes. Dikush mund të thotë, me të drejtë, se nuk është zgjidhje vazhdimi i kapitalizmit kaotik, siç ka ndodhur gjer më tash. Por zgjidhje nuk është as konsolidimi i pabarazisë. Ndërkohë që shkruajmë, domosdoshmëria e gjetjes së një alternative ndaj neoliberalizmit, rishpërndarja e të ardhurave e pabarazia janë temat kryesore të diskutimit politik të së majtës në botë. Shmangia që “socialistët” si Papandreou, Hollande, Renzi e së fundmi Rama ia bëjnë çështjes së pabarazisë, përmban në vetvete farat e dështimit të tyre.

Pasoja të mosvëmendjes ndaj pabarazisë mund të jenë rritja e ndikimit të fesë në shoqëri; rritja e kriminalitetit; rritja e përpjekjeve për emigrim; rritja e injorancës; rritja e dëshpërimit dhe e vetëvrasjeve; por një ndër pasojat mund të jetë edhe konsolidimi i interesave klasorë edhe në shtresat e poshtme, të cilat tashmë do ta kuptojnë se nuk mund të gjejnë përfaqësim te sindikatat partiake të Gëzim Kalasë e Kol Nikollës, apo te OJQ-të e te mediat. Qeveria nuk duket e pavetëdijshme për këtë, në fakt ajo do të shtojë me 1500 numrin e policëve në vitin e ardhshëm, ndërkohë që po kujdeset për mirëmbajtjen e mirëtrajtimin e uniformave blu, ndër të paktët që morën ngritje rroge, në aktualitetin e varfër shqiptar.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: