rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Lufta jonë e Spanjës

Dilfirus Vrioni

Pak vite më parë në një premierë të Kalit të Torinos, filmi i fundit i regjisorit hungarez Bela Tarr, pata fatin të dëgjoja edhe një prezantim të autorit mbi filmin. Para se të niste filmi, jashtë kinemasë “Arlequin”, Tarri tymosi cigare me spektatorët që i afroheshin me gjysmë guximi.

Prezantimi ishte i thjeshtë, regjisori është i madh.

(Për ata që nuk e njohin, Bela Tarri është regjisor hungarez. Filmin e tij të fundit e paraqiti në sallat e kinemasë në vitin 2011. Ai tani është 60 vjeç. Është i shquar për stilin e tij origjinal, kinemanë e plotë pa kompromise. Përshkruar si: gjeni mizantrop; fenomeni Bela Tarr me filma të “ekzagjeruar” rreth 300 minuta, profesori i kinemasë në universitetin e Budapestit e përshkruan veten, ndër të tjera si: «nuk jam nacionalist por jam hungarez»). Kujt i intereson të mësojë më tepër mbi regjisorin Béla Tarr, filozofi francez Jacques Ranciere ka shkruar librin Béla Tarr le temps d’après, apo sheh filmin e tij të fundit, Kali i Torinos.

Historia e filmit është shumë e thjeshtë, një babë dhe një vajzë në një cep të humbur të botës presin fundin e botës. Të jepet një ide, tani kur e mendon më vonë, se gjithçka e plotë siç janë fundet dhe fillimit mund të lindë veç prej cepave. Të varfër në masën ku varfëria s’bënte më përshtypje, si të them, si ata njerëzit që mbledhin kutitë e kartonit, apo si ata djemtë dhe vajzat e vogla që shesin ankeplast. Familja, vajza e rritur dhe babai gjysmë sakat kishin një tokë diku larg, që në film s’del asnjëherë qartë as se ç’mbillet aty apo ç’rritet aty. Ata kishin edhe një kalë, kali ishte familja, ishte i treti i familjes. Por kali nuk ishte shtojcë si qentë me fjongo te flokët, as si qentë e luftës që mbajnë shqiptarët me vete. Kali ishte kafsha fatale, si të them, kali ishte si lopa në novelën e Migjenit, ku ngrin fëmija se familja vuri pranë zjarrit lopën. Në një moment kali vendos të mos lëvizë dhe të mos ushqehet më. Aty  filloi tatëpjeta, fjalët rrallohen, nuk ka më fjalë. Nuk janë në stilin e autorit dialogët e gjatë. Ditët përsëritën identike, ritmi ngadalësohet, asgjë nuk ndryshon. Fillon fundi i botës… Derisa midis erës që sa vjen e shtohet humbasin dhe babai dhe vajza në hapësirën e asgjësë.

Arsyet që dha Bela Tarri për heqjen dorë nga prodhimi i filmave ishin se i dukej se kishte dhënë gjithçka nga vetja krijuese dhe nuk donte të binte në përsëritje. Kurse një nga mesazhet më të rëndësishme që i dha të rinjve ishte të besonin te gjërat që nisnin, t’i çonin deri në fund, të ishin të vërtetë dhe të plotë, të ishin radikalë.

Të besonin, të ishin të drejtë, të plotë me të vërtetën, radikalë.

Gjithmonë kam besuar se këto fjalë të thërrasin për t’u bërë partizan. Partizan 17 vjeçar që ka ëndrra, ideale dhe beson se gjërat ndryshojnë. I ri që nuk është më pak i ditur, por që i mungojnë ato që quhen soft skills.  E dini se ç’janë soft skills? “Aftësitë e buta” në shqip, janë kompetenca të lidhura ngushtë me tipare të personalitetit të secilit person. Këto kompetenca nuk fitohen gjatë shkollës. Në ndryshim me anën teorike që e formojmë në shkollë, këto kompetenca janë aftësi që secili i mbledh duke u rritur, hyrë në marrëdhënie me të tjerët dhe punuar.

Por këtu tek ne soft skill është interpretuar pak më ndryshe: pak si – të rrëshqasësh, të ecësh pa lënë gjurmë, të mos ndihesh. Është një lloj mënyre të qeni që ne e përmbledhim në “as trazon, as turbullon”.

Ata që urrejnë disi, përkrahin disi, vishen disi, tallen disi, dashurojnë disi, mësojnë disi, lexojnë disi, braktisin disi, afrohen disi, krijojnë disi, mbledhin disi; nuk janë të rinj. As ata që duan të mbarojnë një disi shkollë, për të hyrë në një disi punë, me një disi pagë, për të pasur një disi shtëpie, me një disi statusi, në një disi rrethi shoqëror.

Nëse nuk rrezikojnë për ndërtimin, për të renë, që s’kanë forcë të shkatërrojnë, që s’dinë të thonë JO!; s’janë të rinj. Për mendimin tim kur llogarisin moshën mesatare të një vendi nuk duhet të pyesin për moshën biologjike, ajo s’ka asnjë rëndësi. Duhet të pyesin sa të plota i do gjërat rrotull teje, sa të vërteta?

Ç’moshë mesatare duhet të ketë Shqipëria?

Prandaj të lutem i ri 14, 15, 16, 17 vjeçar shqiptar kemi një urgjencë që Shqipërinë ta kemi mirë në shekujt që vijnë. Mbaj mend që: ta duash Shqipërinë s’do të thotë që je nacionalist – prapanik. Dil përpara pasqyrës, thuaje disa herë në ditë çdo ditë emrin dhe mbiemrin, vendin nga vjen, gjithë gjërat që di për veten dhe familjen, farefisin, qytetin, vendin. Pyet dhe njih se vetëm kështu mund të ndryshosh për t’u përmirësuar. Krijo, inatosu, përplasu, mëso, ngrije zërin, veç ndihu! Kjo është lufta jonë e Spanjës!

Në këtë përvjetor të Evropës të çliruar nga pushtuesit nazi-fashistë rrezikohemi nga një pushtim i ri që këtë herë mund të na vijë prej vetes. Banaliteti i së keqes, të cilit i referohet Hannah Arendti, mund të na shfaqet në formën e mungesës së mendimit. Kjo qoftë tek të rinjtë, qoftë te shoqëria, në mos dëshirën për njohjen e tjetrit, banaliteti i së keqes mund të shfaqet si indiferencë, a mund të jetë rrjedhojë e këtyre. E keni dëgjuar se si flasin për dëshmorët çlirimtarë “ai është gjallë”. Fotot e facebook-ut që kanë rrëmbyer kohën e shumëkujt janë të rreme. Edhe ata të cilët nxjerrin foto plazhi në dhjetor, djem e vajza pasanikësh që gjithçka e kanë prej mamit dhe babit, profesorë të dështuar në punën e tyre, që e kanë mbyllur me mësimdhënien edhe e mbajnë veten me PiaR.

Sot askush nuk e quan për meritë të njohësh jetën e atyre që kanë dhënë jetën për këtë vend, as ata që ia kanë marrë emrat për t’ia ngjitur ndonjë shkollë private. Dhe ata që ia kushtuan jetën Shqipërisë janë shumë: Luigj Gurakuqi, Petro Marko, Migjeni, Fan S. Noli, Dhimitër Pasko, Qemal Stafa, Dedë Gjo Luli, Bajram Curri, Shtjefën Gjeçovi, Musine Kokalari, Petro Nini Luarasi, Mujo Ulqinaku e shumë të tjerë …

Në prezantimin e qeverisë së Vlorës kur Ismail Qemalin e pyetën se pse Luigj Gurakuqin e kanë caktuar ministër të Arsimit dhe jo ministër Mbrojtje ai u përgjigj : “Luigj Gurakuqi, në krye të gjeneralëve të tij arsimtarë, do të luftojë kundër armikut më të tmerrshëm e më të rrezikshëm të popullit tonë që tash sa shekuj është ulur këmbëkryq në vatrat tona; kundër errësirës dhe padijes. Sepse duhet ta dini se një komb pa
dije e arsim është gjysmë i lirë. Pra, jo ministër po kryeministër të luftës e kemi zgjedhur Gurakuqin.”

Sot, pas 70 vjetësh nga çlirimi i vendit kujtojmë ata që mbetën të rinj. Partizani është i ri, i bukur, njëzetvjeçar. Partizani s’del kurrë nga moda, ai është rruga që duhet ndjekur. Sot luftën më të madhe e kemi me padijen dhe dukjen, të dyja këto shpien në zhdukje në fillim si njeri, pastaj si shoqëri dhe si komb. Të njohim figurat e mëdha të historisë sonë, për ta ndjekur dhe zbukuruar punën e tyre është detyrë e secilit.  Keep calm dhe valëvite krenar flamurin.

“Duke e tallur hidhur, me thumba, pa turp.
Në shpirt asnjë fije të thinjur unë s’kam,
Dhe as ëmbëlsi prej plaku të tharë.
Duke shurdhuar botën me zërin tim këmbanë,
Shkoj udhëve, i bukur,
Njëzetedyvjeçar.” – thoshte Majakovski.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 29, 2014 nga te Publicistikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: