rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

EULEX-i qëndron përmbi çdo dyshim

Arbër Zaimi

Nga një anë mjerimi e varfëria, nga ana tjetër pandëshkueshmëria e derrave të pangopur, Kosova është bërë e pajetueshme. Shumëkënd kjo situatë e vë përballë një dileme të vështirë. Ose të arratiset, të mërgojë, të lypë fatin në dyert e botës. Ose të rrijë e të përballet me nevojën për ta marrë me dhunë bukën e gojës për veten e fëmijët e vet. Në të dyja rastet, derrat kombëtarë dhe ndërkombëtarë e dinë, duhen masa policore. Duhen masa policore për ta mbajtur Kosovën edhe të mbyllur, edhe të nënshtruar.

Dikush do të mund të thoshte se me arrestimet e qindra qytetarëve që po përpiqen të emigrojnë, Kosova po shndërrohet në një rezervat njerëzor, në një muze-kamp ku Europianët do të mund të vinin gjithnjë, e të ndiheshin vazhdimisht të falënderuar, superiorë, përballë një populli të dënuar të mbetet foshnjë. Nëse që prej Marcel Duchampit e këtej e dimë se arti dallon nga jo-arti pikërisht për faktin se mbahet i ekspozuar në muze, galeri e ekspozita, dhe se ruhet nga policë, atëherë Kosova është një vepër e madhe arti, shqiptarët në të s’janë veç objekte, “artistët” na shohin nga lart, ndërsa mbetet e domosdoshme të analizohet roli kyç i policisë në këtë “performancë”.

***

large_5JXU0cntcTIoJvom6547VtVtuxWÇmimin Oskar në kategorinë e filmit më të mirë joamerikan, në vitin 1970, e ka fituar vepra e regjisorit italian Elio Petri, e titulluar “Hetim mbi një qytetar përtej çdo dyshimi”. Filmi është tepër interesant dhe nuk e ka humbur aktualitetin, gërsheton mjeshtërisht tema të ndryshme, që nga raportet skizofrenike të pushtetit me vetveten, e gjer te pamundësia e përmirësimit të drejtësisë shtetërore prej vetë asaj, në një narrativë policeske e psikedelike spërkatur me referenca nga F.Kafka e nga B.Brecht.

Personazhi kryesor i filmit është një shef policie, tash e tutje do e quajmë “shefi”. Aq kryesor është ky personazh, sa që ndërkohë që zakonisht në kinema sfondi rri i palëvizshëm në raport me ekranin e ballë tij lëvizin figurat, në rastin e këtij filmi sfondi lëviz gjithë kohës dhe e vetmja gjë e palëvizshme, gjithnjë në qendër të vëmendjes është pikërisht “shefi”.

Ai ka qenë një drejtues i seksionit të vrasjeve, i cili vlerësohet se ka bërë punë të mirë, dhe promovohet. Vlerësimi, siç dihet duhet të jetë gjithnjë statistikor dhe i matshëm, kështu marrim vesh se “shefi” ka zbuluar 90% të autorëve të krimeve. Si promovim, ai merr detyrën e shefit politik të policisë. Por, ky polic efiçient që ka zbuluar gjithë këta autorë, shfaqet që në fillim të filmit duke kryer një krim tragjik.

Në pjesën e parë të filmit shfaqet neuroza e “shefit”, i cili sa më shumë që pretendon se është trupëzim dhe mishërim i vetë ligjit, shprehjes më të lartë të rendit publik, aq më shumë e kupton se sa i paaftë është, se sa i parëndësishëm, se sa jomeritor për funksionin që pretendon të përfaqësojë. Kjo e shtyn “shefin” që të shpërndajë kudo prova dhe dëshmi për krimin e tij, të lërë gjurmë gjithandej. Në një farë mënyre ai dëshiron t’i provojë vetes (dhe vartësve) se ai është i pahetueshëm, i padyshueshëm.

Dhe në fakt, policët vartës të tij, edhe pse gjejnë tregues që do të mund të çonin tek fajësia e “shefit”, hezitojnë ta bëjnë këtë, madje në çdo moment e shfajësojnë prej çdo pandehme. Gjurmët e gishtave, pjesët e rrobave të gjetura në vendin e krimit, të gjitha këto nuk mjaftojnë. Kështu në pjesën e dytë çarja e personazhit skizofren, “shefit” të luajtur bukur nga Gian Maria Volonte, thellohet. Ai fillon të prodhojë dëshmitarë të krimit të tij që më pas i kërcënon e i fyen, fillon dalëngadalë të tregojë, e më në fund e rrëfen krimin para eprorëve dhe kolegëve të tij. Por çfarë ndodh?

Eprorët dhe kolegët, madje as vartësit, nuk mund ta pranojnë kurrë këtë fajësi. Ata e ofendojnë “shefin”, e shpallin të sëmurë psiqik, e rrahin, por nuk ia pranojnë fajësinë. Pas gjithë atyre poshtërimeve e kërcënimeve, më në fund edhe vetë “shefi” detyrohet të bëjë të kundërtën e asaj që zakonisht ndodh në filmat policorë. Ai detyrohet me dhunë të pranojë pafajësinë, pra mbetet i pafajshëm, dhe vazhdon të ushtrojë detyrën. I vetmi dëshmitar i gjallë për krimin e tij është një student anarkist, i cili pikërisht për shkak të bindjeve të veta vendos të mos e denoncojë fare “shefin”, pasi i duket “perfekte që institucionet e represionit të drejtohen prej kriminelëve”. E kështu mbyllet filmi, me fjalët e F.Kafkës “Cilado qoftë përshtypja që ju lini tek ne, ju jeni një shërbëtor i ligjit, pra i përkisni ligjit dhe jeni përmbi cilindo gjykim njerëzor”.

Filmi hapet me disclaimer-in e njohur “Personazhet dhe ngjarjet e përshkruara nuk kanë asnjë lidhje me jetën reale”. Mirëpo kërcënimet publike e institucionale që pasuan filmin, si dhe arratisja e përkohshme e regjizorit për në Francë dëshmuan për të kundërtën.

(Zaten, sa herë që këmbëngulet se “diçka nuk ka asnjë lidhje me…” dihet që ekziston një lidhje aq e fortë sa detyrohen ta mbulojnë. Është pak a shumë si në rastin e ndeshjes Serbi-Shqipëri, ku komentatori gjatë lojës përsëriste në mënyrë frenetike se si “edhe pse ka shumë tension, kjo është vetëm një ndeshje, e nuk duhet përzier sporti me politikën…”. Ja pra që vetëm ndeshje nuk ish… Njësoj, për analogji, mund të themi edhe për këmbënguljen e stërspikatur të disa ambasadorëve të pushtetshëm në Kosovë (dhe disa komentatorëve quasi-sportivë të tyre), se si nuk paskan mbajtur anë dhe nuk kanë ndërhyrë për të favorizuar krijimin e koalicionit Thaçi – Mustafa. Por pikërisht këmbëngulja për të theksuar mosndërhyrjen në protektoratin që mbajnë herë me dhunë e herë me qejf, tregon sa e vërtetë është e kundërta. Por le ta mbyllim këtë parantezë.)

***

Sigurisht që filmi nuk i referohet personazheve dhe ngjarjeve reale. Kështu që nuk i referohet as EULEX-it. “Shefi” skizofren i policisë, përgjegjësi për rendin në qytet i cili ndonëse është në gjendje të prodhojë statistika për punën e tij kriminalizohet edhe vetë, nuk është një metaforë për EULEX-in. Çarja brenda psikes së tij nuk është analogji me çarjen brenda EULEX-it. Vartësit e “shefit” në film nuk janë pushtetarët, gjyqtarët dhe policët vendorë të Kosovës. Arroganca e “shefit” ndaj këtyre vartësve nuk ka të bëjë me ndonjë realitet të këtushëm. Frika e tyre për ta hetuar “shefin”, as kjo nuk ka të bëjë me EULEX-in. Vetëdenoncimi që lind si pasojë e përplasjeve të brendshme, marrja e çështjes në duar nga “eprorë” edhe më të mëdhenj se “shefi”, e si përfundim konstatimi i pafajësisë, moshetueshmërisë, padyshueshmërisë të “shefit”, të gjitha këto janë vetëm rastësi. Ne e dimë të gjithë që ky film as që ka lidhje me EULEX-in, i cili është një projekt dashamirës, beninj, i ndershëm, ndihmues për Kosovën, rruga jonë e vetme. Pra nuk ka të bëjë fare me EULEX-in, i cili ka ardhur këtu për të vënë ligj e drejtësi, ndërkohë që vetë nuk i nënshtrohet ligjit të Kosovës, është mbi atë ligj, është i pahetueshëm, i pandëshkueshëm, madje edhe i padyshueshëm…

Vetë “shefi” në film, kur përballet me protesta studentësh e punëtorësh thotë: “Përdorimi i lirisë po kërcënon nga të gjitha anët pushtetet tradicionale, autoritetet kushtetuese… Përdorimi i lirisë, i cili përpiqet që ta bëjë gjyqtar secilin qytetar, është ai që na pengon të ushtrojmë lirisht funksionet tona të shenjta. Ne jemi gardianët e ligjit, që e duam ligjin të zbatohet pikë për pikë, i pandryshueshëm, i gdhendur në tempull. Populli është foshnjë, qyteti është i sëmurë. Të tjerë persona kanë detyrën që të merren me shërimin dhe me edukimin e popullit, ne kemi detyrën që të shtypim sjelljet e tij të padëshirueshme. Shtypja është vaksina jonë. Shtypja është qytetërim!”

“Shefi” e di mirë se ky njësim i individit, pra i vetes, me ligjin e shoqërisë në fakt është ngritje e individit përmbi ligjin dhe shoqërinë. Ai e di se përmendja e vazhdueshme e ligjeve të njohura e të panjohura e bën popullin të ndihet paksa fëmijë, dhe e bën vetë “shefin” të ndihet paksa baba, paksa model i paprekshëm. Duke i përmendur gjithnjë popullit ligjshmërinë, institucionalitetin, rregullat, rregulloret, nenet, urdhëresat, shkresat e një mijë e një produktet e burokracisë, “shefi” merr një pozitë si prej perëndie, shndërrohet në një lloj “zëri të ndërgjegjes”, ndërsa populli nis e ndihet në faj, e ndoshta nis të kujtojë ndonjë shkelje të vogël që ka bërë ndonjëherë. Kështu pra, ushtrohet pushteti i “shefit”, ndaj të cilit është e kotë të dyshosh pasi ai s’mund të jetë kurrë i pandehur kur është vetë gjyqtar, vetë polic e vetë ligj. Kuptohet, ky “qytetar përtej çdo dyshimi” nuk është EULEX-i i korruptuar por i domosdoshëm, vartësat e tij të paaftë e të tredhur nuk janë Thaçi e Mustafa, shefat e tij nuk janë në Bruksel, e viktimat e tij… nuk janë populli i Kosovës.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 26, 2014 nga te Art, Ligj, Politikë dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: