rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Letër pa firmëtarë për universitetin

Redi Muçi

“Në vazhdën e zhvillimeve të fundit që panë zaptimin e Universitetit Politeknik të Tiranës nga studentë që kundërshtonin Vendimin e Këshillit të Ministrave për rritjen e tarifave të studimit dhe mënyrën arbitrare me fuqi prapavepruese të vendosjes së kriterit të mesatares për regjistrimin në ciklin e dytë të studimeve, një grup pedagogësh nga Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave ndërmorën nismën e hartimit të një letre të hapur drejtuar kryeministrit Rama. Në të evidentohen problemet kronike të fakultetit dhe pamjaftueshmëria e reformës së propozuar për zgjidhjen e tyre. Fatkeqësisht kjo letër nuk gjeti mbështetjen e shumicës së pedagogëve të FGJM, të cilët e pritën këtë përpjekje me proverba që vinin në dukje donkishotizmin e saj, çka solli edhe tkurrjen e numrit fillestar të firmëtarëve në vetëm një. Vendosa gjithsesi ta publikoj këtë letër, duke kujtuar shprehjen e filozofit gjerman Fridrih Shelling se ‘njeriu ka lindur jo vetëm për të spekuluar, por edhe për të vepruar’, i bindur se donkishotizmi do t’i sjellë kauzës studentore më shumë sesa proverbializmi.”

***

Duke ndjekur me vëmendje debatin mbi reformën e propozuar për arsimin e lartë kemi arritur në përfundimin se qeveria që ju drejtoni, ashtu si paraardhësja, nuk ka përparësi zgjidhjen e problemeve themelore dhe akute të universiteteve publike, e aq më pak mbështetjen financiare të tyre. Që këndej kuptojmë se e ka zanafillën edhe shprehja e përdorur shpesh nga qeveria juaj, si për reformat në shëndetësi, financë e energjetikë, se edhe në arsim reforma ka për të qenë “e dhimbshme.” Por ne pyesim: E dhimbshme për kë? Për ne si staf akademik? Për studentët tanë? Për familjet e tyre? Me termin “reformë” z. kryeministër, ne kuptojmë zgjidhjen e shumë e shumë problemeve me të cilat universitarët (studentë e pedagogë) përballen përditë. Prandaj dhe hasim në kundërthënie kur na sugjerohet se zgjidhja e këtyre problemeve do jetë e dhimbshme. Dhimbja që propozoni nuk është ajo e mjekut ndaj të sëmurit, por e helmit që jepet si melhem.

Ne përditë vërejmë rrënimin e ngadaltë të infrastrukturës së fakultetit tonë. Punojmë në një godinë e cila është harruar edhe nga koha prej shumë kohësh. Ecim nëpër korridore të errëta, të akullt në dimër e asfiksues nga vapa në verë. Në ato pak hapësira që na janë akorduar për të zhvilluar procesin e mësimdhënies, përballemi me dyndjen nga fluksi i madh i studentëve krejt të çorientuar dhe të pavetëdijshëm për arsyen  se pse ndodhen atje.

Studentët shihen vetëm si burim të ardhurash për arkat e fakultetit. Për pasojë çdo vit pranohen një numër shumë më i madh syresh nga ç’lejon kapaciteti i ambienteve të mësimdhënies dhe të gjithë studentët që hyjnë në dyert e fakultetit dalin prej tyre me të paktën një diplomë Bachelor, pasi kriteri i “përzgjedhjes në bazë të punës” nuk aplikohet.

Ka mungesë totale mekanizmash të kontrollit të cilësisë së punës së pedagogut. Herë pas here ka pretendime nën zë nga studentë për nepotizëm, vlerësim të njëanshëm, hakmarrje e deri mitmarrje nga pedagogët. Këto pretendime të tilla mbesin, pa zë.

Tarifat e studimit rriten vit pas viti, pa ndonjë arsye të vlefshme. Kushtet dhe cilësia përkeqësohen po vit pas viti. Rasti më i fundit është dyfishimi i tarifës së shlyerjes së provimeve për studentët përsëritës. Rrogat e pedagogëve janë të pakrahasueshme me kolegët tanë të rajonit.

Përballemi me studentë të tjetërsuar, të përçudnuar karakterialisht në qenie inferiore të cilat na luten t’u vendosim notë kaluese për shkak të vështirësive ekonomike në familje. Studentë të cilët eksperiencën e viteve në universitet e përjetojnë si vuajtje e sakrificë ekonomike, që detyrohen të punojnë nga 8 orë në call-centre që të paguajnë studimet. Çfarë pretendimi për cilësi mund të kemi vallë ne si pedagogë nga këta të mjerë?!

Prandaj zgjidhja e gjithë këtyre problemeve traumatike, me pasoja për gjenerata, nuk ka sesi të jetë e dhimbshme. Propozimet tuaja, megjithatë, në reformën që na serviret nuk i prekin thuajse fare këto probleme. Përkundrazi, shpikin probleme të paqena për të thënë se po japin zgjidhje. Ne si pedagogë, e aq më pak studentët tanë, nuk ndjehemi aspak të përfaqësuar nga komisioni i hartimit të reformës. Qëndrimi i kolegëve të pranishëm në komisionin e reformës, të ardhur nga fakultetet e universiteteve publike, nuk është i yni; natyrshëm, pasi mendimi ynë nuk u kërkua dhe konsultua për asnjë moment, nëse nuk konsiderojmë të tilla mbledhjet ku na u kërkua t’i ndërrojmë ndonjë presje draftit të hartuar. Qëndrimet tona janë shpesh herë krejt të kundërta me ato që shprehen në reformë. Nga ana tjetër mendojmë se pjesëmarrja e pedagogëve nga universitetet private fitimprurëse në komisionin e reformës përbën shkelje të hapur të interesit të universiteteve publike si bartëse të interesit më të gjerë publik. Këto janë disa nga parimet të cilat shkelen nga reforma që ju (apo komisioni) propozoni:

Financimi i universiteteve kurrsesi nuk duhet të jetë barrë e studentëve. Ajo duhet të jetë barrë e shoqërisë, e taksapaguesve – pra e shtetit. Shteti duhet të rrisë buxhetin për arsimin e lartë dhe gjithashtu kontrollin e menaxhimit të tij. Në një shoqëri që kërkon të ndjekë vlerat më emancipuese evropiane, s’ka sesi të mos përbëjë përparësi arsimimi i subjekteve të saj dhe as nuk mund të shitet si argument për këtë arka e zbrazët e shtetit. Edhe sikur shteti të shpallte falimentin, bastioni i fundit të cilit duhej t’i pritej financimi është sektori i arsimit.

Universitetet duhet të jenë vatra të zhvillimit të arsyes, aftësive profesionale dhe mendimit kritik. Prandaj në themel të tyre nuk mundet në asnjë mënyrë të qëndrojë konkurrenca mes studentësh, pedagogësh, departamentesh etj., por bashkëpunimi, ndihma reciproke, vendimmarrja demokratike me bazë të gjerë, kontrolli profesional dhe transparent i cilësisë.

Zëri i studentit duhet të jetë faktor kushtetimor për mbarëvajtjen e proceseve brenda fakultetit dhe roli i tyre në vendimmarrje është e vetmja mënyrë për të siguruar transparencën dhe shmangien e abuzimeve si në marrëdhënie me pedagogët, ashtu edhe në strukturat drejtuese të universitetit. Nevojitet rikonceptim rrënjësor i Këshillave Studentore dhe shtrirje më e gjerë e tyre në jetën universitare, në nxitjen e iniciativave dhe aktiviteteve kulturore e edukative brenda fakulteteve.

Universiteti nuk ka për detyrë parësore të zgjidhë problemet e tregut, kjo është detyra e shtetit. Nuk i përket universitetit roli i pararojës në zgjidhjen e problemit të papunësisë duke u kthyer në fabrikë prodhimi për tregun kaotik që ekziston në Shqipëri. Ndryshe nga ç’propozon reforma, nuk është  universiteti ai që duhet të orientohet sipas kërkesave të tregut, i cili siç duket kudo në botë i nënshtrohet kapriçove të bursave. Universitetit i takon të rimendojë kritikisht bazat e organizimit politiko-shoqëror e në bazë të tyre të sugjerojë politika zhvillimore të reja, të cilat vetëm në një moment të dytë mund të kenë efekte në sferën e punësimit. Është shteti ai i cili duhet t’u hapë dyert profesionistëve të rinj që dalin nga sallat e universitetit duke kushtëzuar punësimin e studentëve të shkëlqyer në kompanitë e huaja investitore apo koncesionare, pasi aktualisht këto kompani shfrytëzojnë thuajse të gjitha burimet energjetike e minerare të vendit.

Këto parime ne i vlerësojmë si shtyllat mbi të cilat duhet të mbështetet reforma e domosdoshme në arsimin e lartë. Një reformë gjithëpërfshirëse e ideuar dhe konceptuar mbi vullnetin e lirë të subjekteve që e përbëjnë universitetin – studentëve dhe pedagogëve. Reformë e cila do të ridimensionojë radikalisht strukturat dhe dinamikat brenda universitetit drejt cilësisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, bazuar mbi parimin e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe meritokracisë. Por kjo kurrsesi nuk mund të ndodhë me braktisjen dhe heqjen dorë nga përgjegjësia nga ana e shtetit, duke ia lënë në dorë mbijetesën financiare të universiteteve publike tendencave të tregut. Kjo nuk mund të ndodhë as me  buxhetin aktual që shteti i akordon universiteteve publike, e aq më pak me ndarjen e këtij buxheti me universitetet private (të kthyera formalisht në jofitimprurëse). Padyshim se ne e quajmë hap të domosdoshëm akreditimin dhe rankimin e fakulteteve, por kur ju (reforma) thoni se nga kjo do varen financimet që do vijnë nga shteti dhe se kjo procedurë do bazohet mbi kushtet aktuale të ambienteve universitare – të lëna pas dore prej dekadash – atëherë gara duket e pandershme që në nisje. Për më tepër, në vend se të nxitet ndjekja e ciklit të dytë të studimeve (Master) duhet të rishikohet në mënyrë kritike vlera e diplomës Bachelor në tregun e punës si dhe aplikueshmëria e sistemit të Bolonjës.

Meqenëse reforma e propozuar mban mbi krye aureolën e termit “anglosaksone”, na lejoni t’ju kujtojmë se edhe Skocia është vend anglosakson i cili ofron arsim publik falas për të gjithë skocezët. Këtë gjë e bën edhe Gjermania, Finlanda, Norvegjia etj. Në kushtet alarmante të analfabetizmit funksional në të cilat ndodhet vendi ynë, besojmë se arsimi i lartë duhet të jetë e drejtë e të gjithëve, jo vetëm e atyre që kanë mundësi ta blejnë dijen. Nëse universiteti i nënshtrohet tregut, atëherë dija kthehet në mall. Shqiptarët nuk e kanë luksin të kthehen në konsumatorë të dijes.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 11, 2014 nga te Polemikë, Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: