rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Ardhja e dytë e Migjenit

Pavjo Gjini

MigjeniShumësia e mendimeve të mëposhtme janë produkt i një diskutimi kolektiv mbi Migjenin zhvilluar te qendra sociale ‘Logu i Shkëndijës’ më 13 tetor 2014, me rastin e 103 vjetorit të ditëlindjes së tij. Në një kohë kur mendimet rrinë rrëmujë në tru të buta dhe e vetmja melodi që dëgjohet është një melodi e grisun, të kapesh pas ligjëratës së ‘tjetrit’ me ndërtu kangën tënde është e vetmja mundësi që kemi; me shpëtu aq sa mund të shpëtohet nga vetja dhe me kriju pafundësisht me të tjerët! Na duhet të çlirojmë hapësira ku mundemi të mendojmë kolektivisht! Migjeni ndoshta ishte i vetmi gjeni që doli nga vetmia, por ne na ka lanë dhuratë një shumësi kangësh që na japin mundësinë me u mbledh rreth tyre si kitara dhe folku rreth zjarrit! ‘Gjenijtë’ e kohëve tona duhet të dalin në grup! Rroftë Migjeni!

***

Aktori: Migjeni. Ngjarja: ‘Vargjet e lira dhe novelat e qytetit të veriut’. Besnikëria ndaj saj është detyra e çdo projekti politik dhe estetik shqiptar që tenton me kriju një botë të re. Jo më kot Milloshi qëndron i veçuar në histori nga të gjithë shkrimtarët e tjerë; pa asnjë paraardhës, pa asnjë pasardhës. Nuk ka pasur një projekt të tillë të denjë për artin e Migjenit! E kemi tradhtuar vazhdimisht dhe veten e kemi fshehur prapa leximeve të shpejta të poezisë së tij. Dikur e trajtuam si profet, profecia e të cilit u materializua në ‘socializmi real shtetist’ shqiptar të shekullit XX , dhe nuk ia vlente të lexohej më, por veç t’i thurnim lavde. E vdiqëm në lajka! Sot, qasja ka ndryshuar. Për fatin tonë të mirë, të paktën Migjeni nuk mund të bëhet mall; kështu tregu nuk e vdes dot! Kapitali ka të drejtë kur mendon se nuk ia vlen për të investuar në një libërth që lexohet brenda natës dhe e traumatizon konsumatorin. Pastaj, ç‘është një libërth në krahasim me veprën e plotë prej 20 vëllimesh të Ismail Kadaresë nga shtëpia botuese Onufri për vetëm 35 mijë lekë të reja?! Sot tentojmë ta vdesim Migjenin ose me mëshirim, ose me cinizëm. Ose, ose ‘Vargjet e Lira’ i shohim si një projekt të papërfunduar dhe kështu finalizuesit dhe krijuesit e tij bëhemi vetë ne, Migjenianët e shekullit të 21. Kangët e tij të pakëndueme janë në fakt kangët tona që presin me shpërthy në një mijë ngjyra të bukura që nuk vdesin.

Ndërkohë, kangët e ditëve aktuale në perëndim duken cinike, artikulohen si cinike; por s’duhet të mashtrohemi, nuk janë cinike! Strukturat e para represive, me të cilat përballet çdo mund e përpjekje e madhe përmbi vdekje me sjell në jetë diçka të re, janë fjalët harbute të një ciniku të infiltruar brenda radhëve tona; në cepin e shtëpisë, në qendrën e qytetit, para televizorit, në një dhomë rrjeti social, madje edhe brenda trupit tonë. Ritmi i tyre i çakorduar vazhdon, “Kush?! Ju?! Ne? Ku shkojmë me këtë Donkishotizëm?! Shumësia e ideve të mia janë prova absolute e pavlefshmërisë së ideve të tuaja! Gjithçka është relative! Gjithçka është e pamundur! S’bëhet Shqipëria me shqiptarë!” Por sot lipset e kundërta! Me qenë realist! Me kërku të pamundurën!

Për syrin realist të një utopisti kangët e këtyre ditëve në perëndim dalin të qarta! Struktura e mendimit e një ciniku i ngjan më shumë një melodie të grisun sesa një melodie të këputun. Cinizmi total është një pozicion i pamundur thotë filozofi Slavoj Žižek. Mendimi cinik i çakorduar është reagimi i çmendur i çdo bote të vjetër që vihet në dyshim nga një shkëndijë e re që do të lindë. “Dëgjojeni me kujdes se si çirret cinizmi, aty do të gjeni forcën tuaj!” – do të thoshte Migjeni. Cinizmi është një mekanizëm mbrojteje që sot e shesin lirë për konsumatorë që kanë frikë ‘veprimin’. Cinizmi është pesha e vdekur në historinë e njerëzimit dhe ne nuk e kemi luksin ta mbajmë për më gjatë mbi supe. Cinizmi i ditëve tona është rikthimi i skepticizmi tragjik modern, por tashmë si farsë!

E tmerrshme nuk është që ëndrrat tona janë të pamundura; që ëndrrat tona të mos realizohen, kjo është thjeshtë përditshmëria! E tmerrshme është sikur ëndrrat dhe dëshirat që vërtetë kemi të bëhen realitet! Po atëherë ç’do bëjmë?! Kësaj pyetjeje ia ka frikën ciniku. “Ciniku është një vullnet i ndrydhun” – do të thoshte Migjeni. Ky është kontributi i tij si mendimtar për ta rilexuar dhe tejkaluar problemin më të madh të këtij postmodernizmit tonë 20 vjeçar. Cinizmi është krekosja fiktive me mbulu tredhjen reale! Cinizmi na e ka frikën!

Merreni cinikun, vendoseni para kryeministrisë më 21 janar 2011! A do vazhdojë ta trajtojë politikën me përbuzje apo do përmirret?! Apo do zgjohet të nesërmen bir i një shekulli të ri që teton me ngrit një organizim alternativ politik ndaj llumit tonë neoliberal?! Mor mik, mor shok, mor vëlla, cinizmi jot po tenton me i lanë të pakëndueme kangët tona, ty s’po të gënjen aq sa do doje dhe qentë e pangishëm na i la të sillen si derra të kënaqun sapo gabojmë ta barazojmë politikën dhe ekonominë me një xhungël. Metafora e ‘xhunglës’ është po ashtu krijimi banal i një ciniku i cili e ka të pamundur ta qasë shoqërinë edhe pse ndodhet mu në mes të saj. Për të ka vetëm treg dhe agjentë shtazorë që i falen atij botërisht! William Butler Yeats-i do thoshte: “Kudo ceremonia e pafajësisë është mbytur; më të mirët janë pa guxim, ndërsa më të këqijtë janë plot intensitet pasionant.”[1] Mor mik, mor shok, mor vëlla, sokratikët e vujtun jemi ne, derrat e kënaqun janë ata!

E vërteta është se ciniku krekosës as nuk nis ta lexojë seriozisht Migjenin. Në një gjykim të moderuar ‘kritiku suprem’ thotë Kangët e Migjenit janë kangët e një djaloshi të magjepsur pa lidhje me realitetin! ‘I moderuari’ fajëson autorin! E kontekstualizon, e partikularizon, e vret poezinë! Në një ditë me hënë të mirë ndoshta edhe reciton ndonjë strofë jashtë kontekstit nga poezitë e tij, por me pretendimin se vetëm ‘këto’ strofa kanë ndonjë vlerë, pjesa tjetër mbetet përsëri utopia e rrezikshme e një të papjekuri. Recitohen metaforat e vuajtjes, dhimbjes, vetmisë; ato metafora ku Migjeni nuk po flet për zgjime vullnetesh, por për vullnete të ndrydhuna dhe për jetë të fashituna. Madje ngatërrohet ndonjëherë ‘i moderuari’ duke e marrë Migjenin për personazhin e tij ‘Lulin e Vocërr’ dhe kështu duke e patronizuar poetin; duke e trajtuar si fantazinë që një postmodernist hedonist ia mvesh artistit modern: melankolikun e sëmur dhe simpatik. E keni parasysh portretin e imët, por tërheqës të djaloshit njëzeteca vjeçar? Fiks për t’u mëshiruar! Pak a shumë sikur bëjmë me Franc Kafkën. Themi, “sa gjynah, aq i bukur dhe i talentuar i shkreti! Sëmundja ia fashiti jetën para kohë duke ia lënë veprën përgjysmë.”

Flasim a thua se me trupin u varrosën edhe poezitë. Por kjo është vrasje që e bëjmë ne tani, dhe jo historia. Historia është gjithmonë e hapur; për t’u rinterpretuar dhe plotësuar! E mëshirojmë Migjenin se ia kemi frikën. ‘Mshirë! Bijë bastarde e etënve dinak!’ Zgjedhim ne ta vrasim Migjenin ndërkohë që duhet të bëjmë të kundërtën; ta ringjallnim! Zotët jemi ne, lexuesit! Dhe duhet të bëjmë atë që u lutej Nikollai Gogoli lexuesve t’ia bënin me pjesën e parë të veprës së tij, “Frymë Të Vdekura”; t’ia përfundonin me eksperiencat e tyre jetësore nga e gjithë bota[2]. Por vetë Gogoli e dogji pjesën e dytë të së njëjtës vepër. Me poetët, shkrimtarët duhet të sillemi si shokët më të mirë të tyre. T’i tradhtojmë shokët, për t’u qëndruar besnikë veprës së tyre! Siç bëri Maks Brodi kur vendosi t’i ruante dhe publikonte veprat e Franc Kafkës edhe pse vetë Kafka ia kishte kërkuar t’ia digjte. Atë që i thoshte shoku i burgut Visar Zhitit në galeritë e minierave në Spaç, “Nëse vdes ti këtu, poezitë e tua s’mund të vdesin me ty! M’i mëso edhe mua përmendësh se janë edhe të miat!”[3]

‘Autori’ ka vdekur, veprat janë kolektive dhe ato të mëdhatë janë gjithmonë të trashëguara përgjysmë dhe në duart tona për t’i plotësuar! Migjeni nuk kërkon monumente, por lexime. Në shkolla dhe në dhoma konviktesh. Në shtëpi pa energji elektrike fshatrash dhe në banesa punëtorësh të keqpaguar qytetesh. ‘Vargjet e Lira’ kërkojnë të papunin kokëpalar dhe të riun e periferisë. Kërkojnë të gjenden në çanta studentësh militantë e guerrilësh urbanë. Në celular dhe në kompjuter. Vepra e plotë, një libër, ‘Vargje të lira dhe Novela e qytetit të veriut’! Më shumë sesa një grusht i fortë, si një komunikatë molotov poezia e tij shkatërrimtare! Po ta plotësojmë ne, një projekt politik dhe artistik revolucionar! Kjo është ftesa e Migjenit për të birtë e shekullit të njëzetenjëtë! Rroftë Migjeni!

PS: Në një shkrim të dytë do të merremi me një kritikë më ‘letrare’ të Migjenit që i ndjek hap pas hapi poezitë dhe  novelat e tij. Deri atëherë lexim të mbarë!

[1] Nga Poezia e W.B. Yeats-it “Ardhja e Dytë”

[2] Shih Parathënien e Gogolit më 1846 për botimin e dytë të pjesës së parë të ‘Frymë të Vdekura’: “Lexues, kushdo dhe kudo qofsh, nga çfarëdo pozicioni shoqëror—qofsh anëtar i një klase të lartë të shoqërisë ose anëtar i hapave më të thjeshtë të jetës—të lutem ty, nëse Zoti të ka dhënë çfarëdo aftësie në shkrim, dhe nëse libri im të ka rënë në dorë, të më japësh mua ndihmën tënde.”

[3] Citimi është marrë nga libri “Rrugët e Ferrit’ të Visar Zhitit, por nuk është plotësisht si në libër.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 8, 2014 nga te Art, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: