rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Liberali anti-racist nuk ekziston

 

Arun Kundnani

Në emisionin e tij “Real Time” në HBO, pak kohë më parë Bill Maher i tha publikut të tij: “Liberalët duhet të ngrihen për parimet liberale” dhe që në “në botën myslimane çka mungon janë këto parime”. Mysafiri i tij, shkrimtari ateist Sam Harris, vijoi duke deklaruar se “Islami është nëna e ideve të këqija” dhe se “gabohemi shumë kur mendojmë se fondamentalistët janë veç një ekstrem”. Aktori Ben Affleck u përgjigj duke i treguar Maherit dhe Harrisit se këndvështrimet e tyre i dukeshin të “ndyra dhe raciste”, gjë që e shndërroi këtë pjesë të debatit në një video virale.

Debati nxiti shumë diskutim mbi çështjen se a janë komentet e Harrisit dhe Maherit përshkrime të sakta e faktike të besimit mysliman, apo thjesht përgjithësime në vija të trasha. Sigurisht se në shumë shtete me shumicë myslimane janë duke ndodhur beteja politike për barazi gjinore, liri të shprehjes, liri të besimit dhe të drejta të LGBT-ve, të cilat do të duhej t’i mbështeste çdo i majtë, apo çdo majtist. Por të tilla beteja nuk ndodhin vetëm në shtete me shumicë myslimane. Maher dhe Harris lënë të kuptohet se problemet me të drejtat e njeriut në atë që ata përmes thjeshtëzimit e quajnë “bota myslimane”, shkaktohen prej Islamit, a thua se ky është një monolit i cili mekanikisht i shtyn njerëzit që besojnë në të drejt akteve barbare.

Por besimet reflektojnë kushtet sociale po aq sa edhe i gdhendin ato. Sondazhet e opinionit publik nëpër glob sugjerojnë se nëse dikush mendon apo jo që dhuna ndaj civilëve është legjitime, kjo ka më shumë të bëjë me kontekstin politik se sa me besimin fetar; dhe një dhunë e tillë konsiderohet më e pranueshme në SHBA dhe Europë, se sa gjetiu nëpër botë.

Në fakt edhe vetë Sam Harris ka shkruar në mbështetje të vrasjes së civilëve për shkak të besimeve që ata mund të kenë. Në librin e tij The End of Faith ai thotë: “Disa predikate janë aq të rrezikshme sa që mund të jetë ndoshta edhe etike që të vriten njerëzit që besojnë në to…. Kjo është ajo çka u përpoq të bëjë SHBA në Afganistan, dhe çka ne dhe forcat e tjera Perëndimore jemi të detyruar të përpiqemi të bëjmë, qoftë kjo edhe me një kosto shumë të madhe ndaj vetë nesh, apo edhe ndaj të pafajshmëve gjetiu, në botën myslimane. Ne do të vazhdojmë të derdhim gjak në atë që është, në fund të fundit, një luftë idesh”. (52-3) Në këtë argumentim besimi fetar shndërrohet në një autorizim për kërcënim të vazhdueshëm, e kësisoj justifikohen luftërat pushtuese. Liberali i vetëshpallur mbron dhunën masive ndaj një popullate të përkufizuar prej fesë së vet, duke shkelur me sa duket edhe vetë ato parimet liberale të cilat pretendon se i mbështet.

Si ta shpjegojmë këtë paradoks? A mos janë Maher dhe Harris liberalë të këqij, të cilët nuk ia dalin mbanë ta aplikojnë liberalizmin në mënyrë konsistente? Shpjegim më i mirë është fakti se ata shprehin disa kontradikta që qëndrojnë në thelb të vetë liberalizmit, dhe se janë tërësisht të përfshirë në një traditë të gjatë të predikimit të dhunës masive ndaj grupeve të racializuara, në emër të mbrojtjes së vlerave liberale – një traditë që shtrihet prej Napoleonit e gjer te Tony Blair. Liberalizmi prej një kohe shumë të gjatë ka patur difektin e të parit vetëm të dhunës së tjetrit racor, duke fshehur dhunën e vet prej shikimit.

Në nivelin abstrakt nuk ka ndonjë arsye se pse parimet liberale  të lirisë individuale të mos aplikohen në mënyrë konsistente. Dhe liberalët parimorë kanë luajtur rol thelbësor në shumë beteja kundër racizmit dhe imperializmit. Por liberalizmi nuk është thjesht një trup idesh; është edhe një forcë sociale. Dhe si i tillë, ka arsye strukturore se përse liberalizmi vazhdon të sabojë idealet e veta.

Te Demokracia në Amerikë Alexis de Tocqueville ka shënuar se te qytetarët e SHBA-ve liberale “secili, meqë rron i veçuar, është si i huaj sa i përket fatit të gjithë të tjerëve”. (358) Vetë individualizmi që e ka bërë liberalizmin forcë të fuqishme të lirisë në disa kontekste, kërkon pikërisht këtë të “rrojturit si të veçuar”. Përtej një përkushtimi minimal të përbashkët ndaj ligjit, lidhjet mes njerëzve në një shoqëri liberale pretendohet se duhet të jenë çështje private, që dalin në pah veçse spontanisht, përmes “free association”, pa qenë të kornizuara në ndonjë lidhje më të thellë politike. Këtu lind koncepti liberal i tolerancës: je i lirë të ndjekësh dallimet e tua kulturore sa kohë që këto nuk përbëjnë ndonjë ndryshim të madh, pra nuk bëhen politike.

Por individualizmi liberal është po ashtu ideologji e një sistemi social – kapitalizmit – i cili e mban vetveten përmes margjinalizimit të grupeve raciale, përmes shfrytëzimit klasor, dhe përmes prirjes për ekspansion imperial; pra kulturat e grupeve të racializuara në mënyrë të pashmangshme bëhen politikisht kryengritëse. Kërkesa liberale për ta depolitizuar kulturën, për të braktisur “idetë e rrezikshme” është pra thellësisht politike dhe i bën liberalët që të konsiderojnë gjithfarë mënyrash të dhunshme për të prodhuar subjektet liberale që ata sipas tyre mungojnë nëpër grupet e shtypura. Liberalizmi kësisoj bëhet një projekt specifik kulturor i cili synon mbizotërimin e një “mënyre të jetesës”, në qoftë e nevojshme edhe përmes asaj që Harrisi e quan “luftë të ideve” – dhe ai nuk e përdor metaforikisht fjalën “luftë”.

Çka nënkupton kjo është se të njëjtat parime liberale që e bëjnë Maherin të kërkojë legalizimin e kanabisit (tolerojeni zgjedhjen time që të tymos çka të dua!) po ashtu e çojnë atë tek islamofobia (s’ka tolerancë për intolerantin!). Është e njëjta logjikë që i bën liberalët të mendojnë se përgjigjja e duhur për vrasjet e zezakëve nga policia në Ferguson është të thuash se lypet të jemi më tolerantë dhe më të mirëedukuar në normat liberale.

Për liberalët nëse sistemi po prodhon konflikt social, problemi qëndron te fakti se ndojnë grup njerëzish nuk është mjaftueshëm liberal. Por në fakt problemi qëndron te sistemi. Maheri duket se mendon që racizmi në Amerikë është problem i Partisë Republikane, apo i shteteve jugore. Ah sikur të ishte kështu.

Politika anti-raciste nuk është kërkesë për tolerancë liberale. Ajo e kupton që të kesh kulturën tënde të toleruar është ndryshe nga të marrit pjesë barazisht në formësimin e të ardhmes së shoqërisë. Martin Luther King kurrë nuk bëri thirrje për tolerancë; ai kërkoi barazi racore, kërkoi t’i jepej fund varfërisë dhe luftës, sepse e kuptoi që të treja këto ishin produkte të gërshetuara të të njëjtit sistem. Liberali anti-racist nuk ekziston.

https://www.opendemocracy.net/arun-kundnani/there%E2%80%99s-no-such-thing-as-liberal-antiracist

Përktheu Arbër Zaimi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 3, 2014 nga te Esse, Përkthim dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: