rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Manifesti i militantit

Ose domethënia e të jetuarit politikisht

Klodi Leka

Të jetosh politikisht do të thotë të jetosh në intensitetin më të lartë ekzistencial. Jeta jote shoqërohet vazhdimisht nga dyshimi, tërheqja dhe ofensiva. Flasim me terma lufte pasi për ne nuk ka paqe. Paqja është rrenë zbukuruese për agoninë ku detyrohemi shoqërisht të kyçemi. Ne nuk e durojmë agoninë. Ne kemi arritur te arsyetojmë zemrën.

Të jetosh politikisht do të thotë të bësh publike privaten tënde. Privaten e halleve, nepsit, egos, perversionit dhe thesit të patateve për të kaluar javën. Na duhet të pranojmë se në brendinë tonë bartim të meta të natyralizuara pavetëdijshëm gjatë veprimtarisë tonë ditore. Bartim krenari, inate dhe dëshira që na dëmtojnë mendimin dhe qëndrimin në raport me botën. Ndaj na duhet të pastrohemi. Të arsyetojmë vazhdimisht me frymë kritike veprimet tona dhe të tjerëve.

Të jetosh politikisht do të thotë të ndjekësh me vëmendje lajmet e ditës pa rënë në grackën e zemërimit cinik dhe llogoreve të rrejshme ditore. Do të thotë të mbash vazhdimisht shënime. Të arrish një pasqyrim real dhe kritik të realitetit. Të kërkosh për prononcime të mëhershme të subjekteve të përfshira në ngjarje, të dhëna statistikore për sektorë të rëndësishëm ekonomikë dhe shoqërorë, edhe pse këto të dhëna janë të pakta. Të vëzhgosh me kujdes lëvizjet e kundërshtarëve, përparësitë dhe të metat, kontradiktat e ligjëratës së tyre. Të jetosh politikisht do të thotë që, përveç retorikës, të hetosh edhe metodat e funksionimit të qendrave të pushtetit, raportet dhe logjikat e tyre. Lidhja e gjithë këtyre problemeve në një tërësi të vetme është kusht i domosdoshëm për të fituar një vëzhgim kritik mbi realitetin dhe përcaktimin e Kundërshtarit kundër të cilit do të mobilizohesh. Sepse ne jemi KUNDËRNJËSHI!

Kushti i dytë i të jetuarit politikisht është disiplinimi në të lexuar. LEXONI, LEXONI, LEXONI! Dhe mbani shënime. Pa lexime, subjekti bie në skepticizëm, melankoli dhe cinizëm banal. Për rrjedhojë bie dhe besimi tek Organizata. Rënia e besimit në vetvete, në raport me organizimin apo organizatën, të vë në rolin e Atlasit  që duron barrën e një bote të cilës nuk i beson. Simbolika zë e zbehet si ylli melankolik i netëve tona vonë. Përkundrazi, leximi sistematik sjell fuqi, besim, mendim taktik e politik mbi veten dhe organizatën, kushtet reale të gjendjes dhe mundësisë së ndërhyrjes në situatë. Për rrjedhojë pozicioni ekzistencial dhe politik zë e lëviz nga ngecja metafizike drejt një kuptimi dialektik. Që do të thotë se leximi të shtyn ta rrokësh botën me guxim dhe optimizëm. Ky është hiri fatlum i militantit. Pos leximit, mbajtja e shënimeve ka një rëndësi tejet të veçantë: i shërben rritjes teorike të Organizatës. Prezantimi dhe shpërndarja e shënimeve te të tjerët do të thotë që brenda një kohe të shkurtër të lexohet më shumë më shpejt dhe kolektivisht. Detyra e çdo lexuesi është të rrisë kerkesëllogarinë ndaj vetes dhe të tjerëve, t’i shtyjë dhe ti ndihmojë shokët drejt leximeve.

Që këtej lind kushti i tretë: agjitacioni. Të jetosh politikisht do të thotë të mbash qëndrime kritike në rrjetet sociale, të përgatisësh artikuj preçizë dhe t’i botosh blogjeve të ndryshme, të ndash me të tjerët burimet e informacionit dhe të gjesh rrugë për t’u komunikuar sa më shumë njerëzve. Duhet të përcaktojmë saktë rrethin e atyre të cilëve u drejtohemi, për të mos rënë kështu, në shpresa dhe zemërime abstrakte ndaj forcave imagjinare. Agjitacioni në rrjetet sociale ka një rëndësi që s’duhet ta shpërfillim: tashmë është botë reale. Aty është shoku/shoqja e ballafaqimeve, vajzat/djemtë që të simpatizojnë dhe i simpatizon, figura të rëndomta publike dhe të njohur të afërt e të largët që çmeriten nga qëndrimet e tua, me të cilat bien dakord, por që nuk është koha e përshtatshme për to. Eh, koha! Konfuzioni! Të jetosh politikisht nuk do të thotë të urresh dhe të duash krijesa të boteve të largëta. Ka vetëm një botë, një grusht kundërshtarësh dhe një mijë njerëz me të cilët të lidh diçka e shumëçka. Angazhimi politik fillon tek fqinji. Tek miqtë, rrethet familjare dhe mjediset e punës. Tek përplasja e logjikave dhe këmbëngulja për të ngjallur dyshim tek tjetri, dyshim që çon në mendim e mendim që shpie në veprim. Të përmbysësh tavolinat në shtëpi duke polemizuar autoritetin e pakuptimtë të babait dhe projeksionet naive të nënës, fajin dhe turpin që ngjall morali publik i skllavit. Do të thotë të këmbëngulësh gjer në bindje. Do të thotë të flasësh për atë që rrallëkush flet këtyre anëve: mundësinë e angazhimit ekzistencial në situatë. Politizimin. Bota tjetër dhe e re është më afër nga ç’e kemi menduar.

Kushti i katërt i të jetuarit politikisht dhe pjesa më sprovuese e tij është mobilizimi për veprime në terren. Thirrja, sensibilizimi dhe grumbullimi i sa më shumë njerëzve. Gjer më sot revolta si institucion është zhvleftësuar jashtë mase nga indinjimet thjesht morale të shoqërisë civile dhe “ideja” se numrat nuk kanë rëndësi. Kjo “ide” rrjedh nga fakti se revolta/kritika është monopolizuar nga një grusht njerëzish që paguhen të thonë diçka, pa e marrë seriozisht diçkanë, duke e reduktuar kështu zërin publik në thjesht detyrim rrogëtar a pallmë për të gjobitur pushtetet. Sot, politika dhe sheshi politik është përvetësuar nga disa banorë të Unazës së Re. Përtej saj s’ka asgjë. Realiteti përtejkryeqytetas s’është kompetencë e tyre. Ja pse numrat kanë rëndësi  dhe çështja duhet ndjekur deri në fund.

Në kushtet e një qyteti pa rastësi ku të gjithë njihen nga të gjithë dhe i vetmi institucion ekzistence është korporata qeveritare, numrat e shumtë gjatë një qëndrimi politik sjellin sigurinë dhe fuqinë e kolektivitetit. Sigurinë se qytetari nuk gjendet i vetëm përballë pushtetit të kritikuar dhe rrezikut të përndjekjes nëse polemika përshkallëzohet. Fuqinë se zëri i tij nuk është i dobët, por vendimtar për fatin e çështjeve të kontestuara. Po kujt t’i drejtohemi? Cilat forca e krijojnë këtë kolektivitet?

Gjer më dje, çdo thirrje revolte u është drejtuar një grushti njerëzish që sot reduktohet pothuajse i gjithi nga ngritja e tyre në pozita pushtetore dhe sprovat e gjetjes së një pune. Sot duhet të vështrojmë për rrugë të tjera. Rrugë që janë të shumta dhe lodhëse. Që nga pamfleti i vënë në shtyllat e lagjes tek dorëzimi i tij në duart e studentit, punëtorit dhe qytetarit me një shpjegim të mirëpërgatitur. Në universitet, fabrika dhe stacione autobusësh. Gjithkund ku mund të gjinden 300 spartanë për mbrojtjen e Termopileve. Që perandori Kserks dhe shpura e tij të mos depërtojnë. Sepse  diversiteti është një pallavër tashmë e kushtueshme. Identiteti dhe dallimi asgjë pos iluzioneve ideologjike. Të gjithë ndodhemi në të njëjtën situatë, më të ngjashëm se kurrë, ndërkohë që vlerat e lirisë për të menduar dhe jetuar siç ta do ënda mall i skaduar supermarketi. Të gjithëve na ecën autobusi ngadalë, na rriten tarifat shkollore nga viti në vit dhe s’po gjejmë një fucking punë edhe pse posedojmë dy fucking fuckultete. Të gjithë ndodhemi në rrethin dantesk të çmimit dhe parasë, në ferrin e padurueshëm të inflacionit. Të gjithë duhet të thërrasim:

KOKËPALARË të të gjitha rrethinave BASHKOHUNI!

*Shënime: Këto janë fjalë. Fjalët që mendoj. Fjalët që mendoj për t’i përkthyer në gjuhën e veprimit. Mbase nuk jam aq i fortë sa për tu qëndruar, por rëndësi ka përpjekja. Shpresoj që t’i lexoni dhe t’i mendoni.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 2, 2014 nga te Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: