rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Papunësia nuk është problem dytësor

Besnik PulaPapunesia-31

Skamja, demoralizimi, depresioni dhe vetëvrasjet, vdekja e hershme, prirjet drejt ekstremizmave politikë, kriminaliteti dhe dhuna, migrimi – janë disa nga pasojat e njohura shoqërore të papunësisë. Dhe këto pasoja janë të shpërndara në mënyrë variabile përbrenda popullatave, përfshirë fëmijët, të rinjtë, ata në moshë të mesme, dhe të moshuarit, meshkujt dhe femrat, rurale dhe urbane. Skamja dhe demoralizimi janë rreziqe universale. Depresioni dhe vetëvrasjet janë më të shpeshta tek të rinjtë dhe ata në moshë të mesme, dhe sidomos tek meshkujt, të cilët bartin barrën kryesore të sigurimit të mbijetesës së familjes. Migrimi, apo dëshira për migrim, është po ashtu prevalente te kjo popullatë, e cila në ikjen nga vendi drejt një vendi më të pasur sheh mundësinë për të marrë një punë çfarëdo, për të siguruar ekzistencën e familjes (efektet direkte të papunësisë ndihen nga e gjithë amvisëria dhe jo vetëm nga individi).

Shpërndarja relativisht e barabartë e pronësisë së tokës, një trashëgimi pozitive nga socializmi, ka parandaluar disa nga problemet më të rënda të papunësisë dhe skamjes. Prandaj, edhe shohim se më të rrezikuarit nga varfëria janë jo vetëm ata që janë të papunë, por ata që nuk kanë fare pronë. Por, as kjo “levë” që zbut sadopak efektet e varfërisë nuk mund të jetë e qëndrueshme në afat të gjatë, pasi rritja e familjeve dhe formimi i njësive të reja familjare, me kalimin e brezave, në pamundësi ekonomike të krijimit të pronave të reja, gjeneron presione dhe konflikte në ndarjen e pasurive ekzistuese familjare, që me kohë duket se bëhet gjithnjë e më e vogël. Aq më tepër që pasuritë familjare mund të jenë në zona të margjinalizuara rurale, ku banon një pjesë e konsiderueshme e popullatës kosovare, e ku toka ka vlerë të vogël dhe ku as puna bujqësore nuk sjell ndonjë fitim, përveç ndoshta mundësisë për vetë-prodhim dhe ekzistencë minimale. Në situata të tilla, familjet e varfra janë më shumë peng të tokës dhe të pronave që i kanë sesa përfitues nga ato – ndryshe, p.sh., nga pronarët në zona urbane.

Në Kosovë zyrtarisht kemi rreth 145.000 të papunë, por në një popullatë dymilionëshe, kemi mbi 700.000 persona që janë të aftë për punë, po që nuk janë fare të përfshirë në tregun e punës. Pjesëmarrja e popullatës aktive në fuqinë punëtore në Kosovë është më e ulëta në tërë rajonin e Ballkanit dhe më e ulëta në Evropë. Në vitin 2013, kjo shkallë ishte 40%. Sa për krahasim, në Bosnjë kjo shkallë është 44%, në Serbi 60%, në Kroaci 61%, në Maqedoni 64%. Mesatarja për vendet e Bashkimit Evropian, me gjithë krizën që ka kapluar një pjesë të këtyre vendeve, është 72%. Kjo domethënë se shumica e popullatës në Kosovë, edhe pse e aftë për punë, është “joaktive” në kuptimin ekonomik të fjalës. Kjo thjesht i bie se barra ekonomike – prodhimi dhe shërbimet e kryera në vend – bëhen nga një minorancë. Të tjerët, kjo ekonomi i konsideron “parazitë” dhe ekonomikisht të pavlefshëm, të përjashtuar.

Nga pjesëmarrja aktive në tregun e punës janë të përjashtuara në veçanti gratë, të cilave mjedisi ekonomik ua përcakton detyrueshëm punën shtëpiake dhe margjinalizimin shoqëror kundrejt burrave. Mirëpo, gratë janë tepër të kërkuara për punët me pagë të mesme, sikur të shitësve apo nëpunësve në sektorin privat e publik. Këtë e tregon anketa e fuqisë punëtore e ASK-së. Për shembull, gratë dominojnë në shtresën e mesme të punësimit, atë të rangut të të ardhurave midis 200-400 euro në muaj, çka e komplikon imazhin për gratë si të margjinalizuara në punë shtëpiake. Ajo çka duket më e saktë është se gratë janë dyfish të nënshtruara, si në shtëpi, ashtu dhe në tregun e punës, ku preferohen si staf punues i rangut të ulët dhe të mesëm dhe të cilat, mbase, ndihmojnë në përforcimin e hierarkisë dhe disiplinimin brenda organizatave punuese, pasi që hierarkia organizative përkon me hierarkinë gjinore në shtëpi dhe në familje (Në margjinat e tregut të punës, me të ardhura tepër të ulëta, nën 200 euro në muaj, dominojnë burrat.).

Struktura e punësimit gjithashtu nuk lë vend për ndonjë shpresë. Punëdhënësi më i madh në Kosovë është sektori publik, përfshirë dhe ndërmarrjet publike, si PTK dhe KEK. Në kushtet e presioneve të papunësisë, këto organizata janë shndërruar në çerdhe të klientelizmit. Klientelizmi e ka një logjikë të veten ekonomike. Atë nuk e gjeneron vetëm oferta (politikanë që punësojnë “klientë” të tyre, qofshin ata familjarë, militantë partiakë apo thjesht miq, për të shtrirë ndikimin dhe mbështetjen e tyre politike), por edhe kërkesa. Madje kërkesa, mbase, është më e madhe sesa oferta. Ndërkaq, kërkesa është e madhe në një mjedis ekonomik me papunësi të madhe. Në sektorin privat, shumica dërrmuese janë të punësuar në biznese të vogla, kryesisht tregtare dhe shërbime, që nuk ofrojnë ndonjë pagë dhe as siguri në vendin e punës. Kundrejt këtyre, bëhet e qartë pse punësimi në sektorin publik, ku të paktën paga është e rregullt dhe vendi i punës pakëz më i sigurt, është tepër i dëshiruar.

Kategoritë e papunësisë janë të ndryshme dhe për fat të keq deri më tani nuk kemi asnjë studim të detajuar të papunësisë. Atë çfarë e dimë, mbi 90% të të papunëve në Kosovë janë të papunë afatgjatë, çka domethënë se këta persona janë të papunë mbi një vit. E më e keqja është se papunësia, apo ballafaqimi me papunësinë, tashmë është shndërruar në një kulturë të përgjithshme. Kjo është normale, pasi papunësia në Kosovë është normale, si në kuptimin statistikor të fjalës, por edhe është shndërruar dhe trajtohet si diçka normale në pikëpamje kulturore.

Mirëpo, nuk do të duhej të ishte kështu. Papunësia do të duhej të ishte problemi numër një politik, social dhe, natyrisht, ekonomik në Kosovë. Ditën dhe natën, në vend të skandaleve politike, prapaskenave dhe sensacioneve të tjera perverse të politikës, do të duhej të debatohej ditë e natë problemi i papunësisë. Dhe zhvillimi ekonomik nuk do të duhej të kishte asnjë start tjetër përveç zgjidhjes së problemit të papunësisë. Rrjedhimisht, papunësia nuk do të duhej të ishte vetëm një problem lokal kosovar. Papunësia, tashmë po shihet, po shndërrohet në një problem evropian, prandaj dhe korniza e zgjidhjeve ekonomike do të duhej të ishte sa lokale, aq edhe kontinentale, pa harruar specifikat dhe faktin se shkaqet e papunësisë në një vend të pazhvilluar si Kosova dhe ato të rajonit të Ballkanit janë të ndryshme nga ato në shtetet industriale, si Spanja ose Greqia.

Partitë politike sikur e kanë nuhatur këtë dhe gjatë zgjedhjeve të fundit pamë një demagogji të paparë kundrejt problemit të papunësisë. Premtime për dhjetëra e qindra mijëra vende të punës, që këta do t’i krijonin fët e fët. Nuk pamë, e as nuk shohim askund, as elaborimin e një teorie elementare për atë se si do të duhej të zgjidhej problemi i papunësisë, që është problem i zhvillimit ekonomik (ndonëse zgjidhjet për papunësinë nuk janë medoemos “ekonomike” në kuptimin strikt të termit). Politikanët, në fakt, nuk e kanë hetuar së voni problemin e papunësisë, por e kanë hetuar nevojën dhe rastin që ta manipulojnë kulturën e papunësisë dhe simptomën e saj të keqe – klientelizmin. Ata, këtë të keqe duan të transformojnë në paradigmë të politikës ekonomike (apo më saktësisht, të politikës zgjedhore), e ofrojnë klientelizmin në masë, që është një orvatje sa e marrë aq edhe qesharake, në mos edhe destruktive në pikëpamje të vërtetë ekonomike. Tragjedia ndërkaq qëndron në atë se kjo nuk e ndal për as dhe një grimë shkatërrimin dhe degjenerimin e ngadalshëm por të sigurt shoqëror që e krijon papunësia në kushtet e një ekonomie që mbijetesën dhe çdo gjë tjetër e kushtëzon në sigurimin e një page. Është koha që papunësia të mos trajtohet më si një problem dytësor, por të shihet e tillë çfarë është, sfida themelore shoqërore (dhe jo vetëm ekonomike), për një vend si Kosova.

Një koment te “Papunësia nuk është problem dytësor

  1. Pingback: Papunësia nuk është problem dytësor - Blink

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Tetor 27, 2014 nga te Ekonomi, Shoqëri dhe etiketuar me , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: