rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Sporti si politikë dhe politika si sport

Boiken Abazi

Zyrtarë të lartë të shtetit dhe zyrtarë federatash futbolli janë duke ngulur këmbë në qëndrimin se futbolli është i ndarë nga politika dhe se ai ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes kombeve. Ka mbi një shekull që përsëriten deklarata të tilla absurde nga personalitete të ndryshme botërore, edhe pse jo rrallë herë futbolli (dhe jo vetëm ky sport) dështon në këtë “mision” duke degjeneruar në dhunë. Faji shpesh i vishet ndërhyrjeve politike “antisportive”. Mirëpo, një pasqyrim i tillë është realitet i përmbysur kokëposhtë që po të ndiqet deri në fund nuk çon drejt depolitizimi të sportit por të kombit, objektiv ky i marrë përsipër nga shumë politikanë të trevave shqiptare dhe plot analistë që insistojnë se Kryeministri Rama duhet të vizitojë Beogradin – si sportist i mirë.

Mosndërhyra e politikës në futbollin ndërKOMBËTAR është një misioni i pamundur. Kombi është nocion dhe bashkësi politike. Çdo ekip përfaqëson një komb, ndërtohet mbi politikat dhe mundësitë financiare të kombit që përfaqëson, mban të veshura simbolet kombëtare, dhe luan vetëm pasi të jetë luajtur në fushë himni kombëtar. Shumëçka në futbollin ndërkombëtar pasqyron mundësitë dhe aspiratat politike të një kombi në arenën botërore. Këtu nuk flitet për futbollin që luhet nga dashamirët e sportit për të mbajtur trupin në formë, por për faktin se kombëtaret vendosen në garë me njëra-tjetrën për prestigj ndërkombëtar të vendit që përfaqësojnë. Futbollistët janë lojtarët politikë të një prej mekanizmave të diplomacisë kulturore të një kombi, e lidhur pashmangshmërisht me interesat kombëtare. Nëse futbolli ndërkombëtar nuk do të ishte i lidhur me politikën kombëtare atëherë nuk do të kishte asnjë problem të luhej një ndeshje mes ekipit kombëtar të Izraelit dhe atij të Palestinës, por kjo gjë s’ndodh edhe pse skuadra palestineze njihet nga FIFA. Nga ana tjetër, edhe po të luhej kjo ndeshje veç sa do t’i ndezte gjakrat edhe më shumë.

Disa analistë pretendojnë se nuk kishte ç’u duhej lojtarëve tanë mbrojtja e simboleve kombëtare. Argumenti i tyre ndërtohet mbi logjikën e tregut që vendos përfitimin individual në kurriz të së mirës kolektive, duke argumentuar se futbollisti duhet në radhë të parë ta ketë mendjen te karriera personale. Mirëpo harrojnë që logjikën e tregut nuk e kanë shumica e futbollistëve të kombëtares shqiptare që kanë vendosur të luajnë me ekipin tonë pavarësisht se nuk ofron të njëjtat mundësi si ekipe më prestigjioze. Logjikën e tregut e kanë ndjekur ata lojtarë shqiptarë që luajnë sot me ekipe të huaja. Shumica e futbollistëve tanë kanë marrë një vendim politik që në momentin që janë bërë pjesë e kombëtares duke vendosur të kontribuojnë për kombin e tyre. Mbrojtja e simboleve kombëtare në Beograd është vazhdimësi e po të njëjtit vendim politik që sigurisht duket i palogjikshëm për sigurinë e logjikës oportuniste të tregut. Problemi nuk qëndron te fakti që futbolli ndërkombëtar është vazhdim i politikës me mjete të tjera, por tek vetë aspiratat politike të kombit që përfaqëson një skuadër kombëtare.

Historia na tregon se sporti ndërkombëtar ka ditur të jetë një maskë e bukur për mbulimin e së vërtetës raciste të një shteti. Rasti më i keq janë Lojrat Olimpike të mbajtura në vitin 1936 në Gjermaninë naziste, 17 vjet pas Luftës së Parë Botërore që kishte shkaktuar vetë Gjermania. Edhe pse Hitleri ia kishte nisur me spastrimin e hebrenjve dhe me glorifikimin e racës ariane, numri i komb-shteteve që morën pjesë në këto lojra ishte më i madh se kurrë më herët. Lëvizja për bojkotimin e Lojërave Olimpike dështoi përballë frikës së përballjes politike me Gjermaninë naziste të ringritur ushtarakisht. Mediat, tifozeria dhe shteti Gjerman u lejuan ta shprehnin racizmin nazist brenda dhe jashtë stadiumeve, e megjithatë në fund Gjermania u përgëzua nga mediat ndërkombëtare dhe Komiteti Olimpik për nivelin e organizimit dhe cilësinë estetike të këtyre lojërave. Pas Gjermanisë naziste, Komiteti Olimpik mori vendimin “brilant” që lojërat e radhës t’i zhvillonte në Japoninë fashiste. Nazistët në Gjermani shfrytëzuan pozitivitetin e fituar nga propaganda e diplomacisë së tyre kulturore për të pushtuar pak më vonë, pa shumë kundërshtime ndërkombëtare, Austrinë dhe Poloninë. Të shumta qenë marrëveshjet për paqe me fqinjët që Hitleri nënshkroi me shtetet e fuqishme perëndimore para se të sulmonte edhe fqinjët edhe shtetet e fuqishme me të cilat kishte nënshkruar marrëveshje. Të shumta kanë qenë takimet e nazistëve me udhëheqës botëror brenda dhe jashtë Gjermanisë, por prapë kjo nuk i ndali.

Foto nga Lojërat Olimpike të 1936, Gjermani

Foto nga Lojërat Olimpike të 1936, Gjermani

 

Thirrja për ta harruar historinë është një thirrje antipolitike. Populli Gjerman nuk u distancua nga nazizmi duke harruar historinë por duke ia mësuar atë vazhdimisht të gjitha brezave pas Luftës së Dytë Botërore përmes ndryshimit të teksteve të arsimit publik në Gjermani dhe ndryshimit rrënjësor të retorikës publike. Sigurisht që këtij procesi i parapriu dënimi i liderëve kryesorë nazistë, shpallja e nazizmit si të jashtëligjshëm në Gjermani, pagesa e dëmeve të luftës, demilitarizimi, dhe kërkim falja për masakrat që kishte kryer shteti Gjerman ndaj popujve fqinj e më gjerë. Vetëm pas kësaj Gjermania u quajt një shtet normal dhe u fal nga Franca dhe forcat e tjera Aleate. Ta harrosh këtë histori do të thotë të rrezikosh të tashmen dhe të mbetesh edhe pa të ardhme.

Duhet kujtuar se edhe Millosheviçi dhe qeveria e tij u takua plot herë me udhëheqës botëror. Në vitin 1998, kur veç kishte marrë hovë lufta e UÇK-së, Millosheviçi shtrëngoi duart edhe me ish Presidentin Rugova, por prapë kjo nuk i ndali planet e Serbisë për Kosovën. Pas luftës, Serbia ka dënuar disa krerë të politikës së saj genocidiale, por politikanët më të lartë të shtetit serb të rimilitarizuar vazhdojnë sot të jenë trashëgimtarët e drejtpërdrejtë politikë të Millosheviçit dhe të Partisë Radikale ultranacionaliste të Vojisllav Sheshejlit, që gjatë genocidit në Kosovë ishin bashkë në një qeveri koalicioni. Ivica Daçiç, sot Ministër i Jashtëm, në atë kohë ka qenë Zëdhënës i Millosheviçit. Aleksandër Vuçiç, sot Kryeministri i Serbisë, ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i partisë së Sheshelit dhe Ministër për Informacion në qeverinë e Millosheviçit gjatë periudhës 1998-2000. Tomislav Nikoliç, sot Presidenti i Serbisë, ka qenë Nënkryetar i partisë së Sheshelit, dhe zv/Kryeministër i Millosheviçit.

Këta politikanë neofashistë nuk janë tërhequr nga pretendimet mbi Kosovën, nuk kanë paguar dëmet e luftës, nuk kanë kthyer të pagjeturit, vazhdojnë të mbajnë nën okupim të armatosur veriun e Kosovës, nuk kanë kthyer artifaktet kulturore dhe librat kadastralë dhe nuk i kanë kërkuar falje popullit shqiptar për masakrat e Serbisë. Në të njëjtën frymë ata sot refuzojnë të distancohen nga thirrjet neofashiste të tifozerisë serbe dhe të dënojnë shkatërrimin e 8 bizneseve të vogla me pronarë shqiptarë në Serbi, apo rrahjen që i bën huliganët serbë në fund të javës së kaluar dy të rinjve shqiptarë në Bujanoc, thjesht nga që djemtë ishin shqiptarë. Në fund neofashistët serbë vazhdojnë të refuzojnë të dënojnë përdhosjen e vazhdueshme që po i bëhet simboleve kombëtare shqiptare në Serbi. Por është e rëndësishme të kuptohet se urrejtja dhe dhuna racore në Serbi nuk drejtohet vetëm kundër shqiptarëve por edhe kundër boshnjakëve, romëve dhe ndaj plot prej pakicave të tjera kombëtare, dhe në shënjestrën e kësaj dhune janë edhe aktivistët për të drejtat e njeriut dhe gazetarët e pavarur. Për këtë mjafton të ndiqen lajmet për Serbinë gjatë këtyre 15 viteve të fundit.

E dimë që nuk janë të gjithë serbët njëlloj, kjo s’do shumë mend. Ama të gjithë serbët që bërtisnin brenda dhe jashtë stadiumit “vrit e therë shqiptarin që mos të ekzistojë” dhe “Kosova është Serbi” janë njëlloj, dhe janë shumë, dhe janë të mbështetur drejtpërdrejt nga politika shtetërore serbe. Këto thirrje raciste kanë vazhduar pa rreshtur deri më sot dhe buçasin anembanë Serbisë pa i hyrë askujt një gjemb në këmbë. I sheh të shkruara me grafiti thuajse në secilin qytet të Serbisë. Tifozi neofashist në stadium thjesht u përpoq që thirrjen për shfarosje ta realizonte në fushë duke goditur Bekim Balajn me karrige kokës. Qartazi neofashizmi serb është një kopje e shëmtuar e një kombi më të vogël dhe me më pak mundësi ekspansioniste, ekonomike dhe estetike në krahasim me Gjermaninë naziste. Si i tillë, neofashizmi serb e ka të vështirë ta gënjejë kundërshtarin me organizim olimpiadash të bukura, dhe kështu zgjedh më lehtë kërcënimin me brutalitet të hapur.

Të pretendohet se fluturakja me simbolet dhe figurat kombëtare dhe me një hartë që tregon shtrirjen e shqiptarëve në katër ish vilajetet e Perandorisë Osmane është akti që provokoi dhunën e tifozëve neofashistë është qëndrimi më irracional që dikush mund të mbajë. Identifikohet ky si shkak pa marrë parasysh faktet mbi dhunën sistematike raciste të shtetit serb ndaj shqiptarëve që ka vazhduar pandërprerë edhe pas përfundimit të luftës, dhe duke anashkaluar gjithë situatën e krijuar para dhe në fillim ndeshjes. Pas këtij qëndrimi irracional të disa shqiptarëve fshihet frika. Frika se mos BE-ja fillon të mendojë se edhe ne jemi bërë si Serbia – dhe kjo me një fluturake përballë masakrave dhe dhunës që ende s’ka të ndalur. Frika se mos humbasim epërsinë morale në sytë e asaj Evrope që ekziston si e projektuar në mendjen tona nga vetë propaganda evropiane. Në Evropën e zhytur në realpolitikë nuk ekziston kjo lloj epërsie morale e shqiptarëve, por ekzistojnë interesat gjeostrategjike, ashtu siç na e bëri me dije zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-se, Maja Kocijançiç, kur vlerësoi “profesionalizmin” e autoriteteve Serbe gjatë ndeshjes.

Frika ndaj mënyrës se si na sheh Evropa është frika ndaj frikës raciste që e kanë plot zyrtarë evropian ndaj shqiptarëve (dhe jo vetëm). Siç u duk haptazi edhe nga deklarata e Platinisë kur tha “Imagjinoni sikur ajo fluturake të kishte një bombë”. Nuk kemi pse të imagjinojmë bombën e paqenë z. Platini, kur shqiptarët përballen me dhunën brutale të neofashistëve serbë për çdo ditë. Kur shteti serb ende nuk ka kërkuar falje për 13,000 mijë civilë të vrarë dhe 20,000 gra të dhunuara. E njëjta frikë ndaj frikës i shtynë edhe plot të tjerë të mendojnë se Kryeministri Rama duhet ta bëjë vizitën se mos Perëndimi fillon të na shohë edhe ne si të pacivilizuar. Ndërkohë që vetë udhëheqësit perëndimorë refuzojnë për çdo ditë të takohen me drejtues të shteteve që i konsiderojnë si kundërshtare/armike. Sakaq që plot janë kapur në ankthin paralizues të frikës ndaj frikës, harrohet të flitet për drejtësi dhe liri për popullin shqiptar. Të thuhet që kemi të drejtë në kërkesën tonë. Të thuhet, edhe nëse me frikë. Të thuhet, që të mos kemi më frikë. Nacionalizmi shqiptar nuk është patriotizëm për Shqipërinë administrative, nuk është as nacionalizëm pushtues shoven, por është nacionalizëm çlirimtar në vetëmbrojtje që ndërton barazi mes kombeve.

Nëse shqiptarët kozmopolitë në Tiranë nuk e njihnin të vërtetën mbi faktin që Serbia nuk ka ndryshuar, ta kenë të qartë që BE-ja dhe SHBA-ja e kanë ditur dhe e dinë shumë mirë. Po atëherë pse nuk vepron Perëndimi njëjtë siç vepruan me Gjermaninë Naziste pas luftës? Pse na kërkon të normalizojmë marrëdhëniet me një shtet anormal që ende as falje nuk ka kërkuar? Kjo ndodh ngaqë Perëndimi nuk i vlerëson politikat neofashiste serbe si një rrezik të drejtpërdrejtë për të, dhe për Perëndimin më e rëndësishme është shkëputja e Serbisë nga ndikimi ekonomiko-politik i Rusisë, qoftë dhe në kurriz të të drejtave të shqiptarëve. Plani për Kosovën është ndërtimi i një shteti pa sovranitet që kontrollohet nëpërmjet një qeverisjeje të përbashkët mes politikës ekspansioniste të Beogradit dhe Prishtinës zyrtare që drejton një vend pa integritet territorial – pra larg Republikës së Shqipërisë dhe jetësimit të së drejtës për vetëvendosje për popullin shqiptar.

Këtë synim Perëndimit ia ka mundësuar i pari Kryeministri Thaçi me pranimin e kornizës së negociatave pa kushte Thaçi-Daçiç në Bruksel. Marrëveshja e Brukselit ka hedhur themelet për një autoritet politik serb të shtrirë në të gjithë territorin e Kosovës dhe thuajse të pavarur ekonomikisht dhe politikisht nga qeveria në Prishtinë. Negociatat që u trumbetuan si normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë në fakt normalizim i ekspansionist serb brenda Kosovës. Nëse Perëndimi nuk ka ndërmend ta thotë këtë haptazi, i takon popullit shqiptar ta ngrejë zërin lart dhe të veprojë politikisht për ta ndalur këtë ekspansion. Me qeverinë Thaçi në ikje, në Kosovë po krijohet kjo mundësi, por në vend që Kryeministri Rama ta shfrytëzojë këtë rast, ai po nguron të ndalet, të mos shkojë në Serbi e të mos ecë në hapat e paracaktuara për të rrënuar shtetin edhe ashtu të dobët të Kosovës duke kontribuar në normalizimin e neofashizmit Serb. Të ecësh në ato hapa është ta marrësh politikën kombëtare me sportivitet. Bashkë me të mund të shkojë në Serbi e ftuar nga një OJQ edhe Presidentja e Kosovës që si Thaçi thjesht hesht para dhunës dhe racizmit të përditshëm të shtetit serb në veri të Kosovës, apo edhe para shpërfaqjes së fundit të dhunës raciste në ndeshjen me kombëtaren shqiptare. Asnjë deklaratë zyrtare nuk është lëshuar nga Presidenca dhe Kryeministria në Kosovë për ta dënuar këtë ngjarje.

Ekipi ynë kombëtar i dha të gjithë shqiptarëve një mësim sa të vjetër aq edhe aktual: të bashkuar shqiptarët i bëjnë ballë sfidave në mënyrë dinjitoze. Historia dhe e tashmja na dëshmojnë se nuk ndryshon një shtet neofashist duke i kënaqur aspiratat ekspansioniste, por duke e kushtëzuar atë. Bashkimi i politikës së jashtme të dy shteteve shqiptare për ta kushtëzuar Serbinë nuk është dëshirë por domosdoshmëri që sjellë drejtësi, liri dhe zhvillim. Mirëpo si duket plot politikanë shqiptarë s’kanë interes ta ndjekin këtë rrugë. Ata kanë vendosur të jenë sportistë pa kombëtare, lojtarë kozmopolitë të Ballkanit ahistorik, që i shohin të drejtat politike të popullit të tyre me sytë “neutralë” të Brukselit.

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Tetor 23, 2014 nga te Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: