rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Sapere aude!

Shkodran Hoti

Shkodran Hoti

 

Ajo që është quajtur “ngërç institucional”, e që për mua s’është gjë  tjetër, veç fazë kalimtare drejt çlirimit të shtetit nga kapja që i është bërë tash e sa vite, ka shkaktuar daljen e lloj-lloj mendimeve nga kushdo, se si të tejkalohet një situatë e tillë. Pra, kushdo që është çuar në mëngjes, ende pa larë dhëmbët, ka menduar se e ka gjetur rrugën se si zgjidhet “ngërçi”. E nga i tërë ky uragan mendimesh, nga ‘alamet mendimtarët’ tanë, siç edhe mund të pritet në një vend si ky i yni, dominon ideja se e vetmja rrugë për t’u zgjidhur ngërçi është ndërhyrja e ndërkombëtarëve, për të cilët tradicionalisht është besuar se zotërojnë një ‘shkop magjik’ me të cilin nuk lënë gjë pa zgjidhur.

Për mua (jo vetëm në këtë rast), ideja që ne (asnjëherë) s’mundemi pa ndërhyrjen e zotëruesve të ‘shkopit magjik’, përveçse në radhë të parë është e rrezikshme, është edhe tejet foshnjore. Është produkt i papjekurisë. E për ta argumentuar më mirë këtë që them do të na hynte shumë në punë filozofi gjerman, Immanuel Kant. Në orvatjen për t’iu përgjigjur pyetjes se ç’është iluminizmi, Kanti thoshte: “Iluminizmi është dalja (shkëputja) e njeriut nga foshnjëria e tij, për të cilën është vetëfajtor. Foshnjëria është paaftësia e njeriut për ta përdorur mendjen e vet pa drejtimin e një njeriu tjetër. Njeriu është vetëfajor për këtë foshnjëri, kur shkaku i saj nuk është mangësia e mendjes, por përkundrazi është mungesa e vendimit dhe e guximit për ta përdorur mendjen e tij pa drejtimin e një tjetri. Sapere aude! Ki guximin që ta përdorësh mendjen tënde!”. Goxha mirë e qëndisur!

Mund të duket krahasim paksa i çuditshëm, nëse nuk kthehemi pak në historinë jo edhe aq të largët të vendit tonë, për të parë se si lindin, rriten e veprojnë, si dhe vdesin plot e përplot ‘mendimtarë’ që nuk e arrijnë të shkëputen kurrë nga foshnjëria. Thënë si Kanti, të tillë që nuk përdorin kurrë mendjen e tyre pa u drejtuar nga dikush. Në rastin tonë nga ndërkombëtarët. Kjo  pra, s’është hiç dukuri e re. Qysh herët ka pasur të tillë, nga të cilët ca edhe kanë vdekur, ca jetojnë edhe sot (kuptohet ende në foshnjërinë e tyre), e ca janë përkujdesur të na lënë pasardhës,

Kur thuajse po asgjësoheshim nga Serbia, ata që kishin marrë vendim që të përdornin mendjen e tyre dhe për rrjedhojë bënin thirrje për luftë e rezistencë, kundërshtoheshin nga ata që po plakeshin në foshnjërinë e tyre. Nga ata që po thonin se duhet pritur se çfarë do thonë ndërkombëtarët, se më mirë t’i kapim lapsat e të nënshkruajmë “Rambujenë” sesa armët e të shtiemë mbi armikun. Nga ata që thonin se na duhet rezistencë paqësore, se dhunën nuk e duron dot Evropa, ani pse dhuna neve na ishte bërë përditshmëri. Dhe plot broçkulla të tjera, si këto e më të zeza.

Po ata që vazhdonin kalbjen në foshnjërinë e tyre, nga ku s’po mund të dilnin dot, pasi arrihet liria, me mendjet e tyre, të cilat nuk kishin marrë guxim ende  për t’i përdorur vetë (kuptohet), pohonin se duhet harruar gjithçka që ka ndodhur. Bënin thirrje që të harrojmë bash gjithçka. Sot, me atë që dje po na asgjësonte, duhej të uleshim në një tavolinë e të negociojmë mu si do ai. Duhet ndërruar flamur e himn e çkado  sepse s’na duhet gjë historia. E kemi të ardhmen përpara dhe le të shkojë në djall e kaluara.  Kështu pra, sepse prapë  kështu i kishte dhënë drejtim mendjes se tyre dikush tjetër. Dihet se kush!

E që të mos e teprojmë me shembuj, po bëjmë një “hop”, për të dalë te ‘ngërçi’. Kemi punë prapë me sojin e atyre që s’është punë të marrin guxim për ta përdorur (vetë) mendjen e tyre. Sa keq! Ndonëse u jepet kurajo edhe nga vetë drejtuesit e gjertanishëm të mendjes së tyre. Ata s’duan. Janë formuar duke mos e pasur këtë guxim. Më parë se te vendosin për ta përdorur mendjen, janë në gjendje të vendosin për të vdekur pa e përdorur fare mendjen. Sepse duke mos bërë kurrë orvatjen më të vogël për të tejkaluar foshnjërinë, ajo tashmë është shëndrruar në natyrë të tyre. E ç’është më e keqja, ndonëse të tillë si janë, nuk ngurojnë të na thonë se ‘ngërçi’ nuk ka kurues tjetër, veç ndërkombëtarëve. Ama hiç bre!

Është lehtë e vërejtshme që sot gjërat janë shumë të qarta. Për herë të parë shohim aq shumë subjekte politike aq të vendosura që të largojnë një subjekt politik nga pushteti, e të cilin e akuzojnë për kapjen e shtetit, gjë e cila duket qartë. Gjë të cilën shpesh e pranojnë edhe mendje-foshnjorët. Përveçse në parim vendimi i këtyre subjekteve është i drejtë, i qëlluar e i domosdoshëm, është po ashtu fort i bazuar edhe  në rregullat e demokracisë. Nëse demokracia parlamentare identifikohet me atë që quhet “shumicë”, subjektet politike që kundërshtojnë partinë që ka kapur shtetin, me numrat e tyre kanë shumicën. Gjithmonë nëse 63 > 37.

Atëherë, ç’na duhet këtu?! Thjesht, për ata që nuk dinë numrat duhet një mësues matematike dhe mjete si numëratorja etj.,  Për ata që dinë numrat, e që s’kanë guxim  për t’a përdorur mendjen e tyre, bëjnë thirrje për ndërhyrje të ndërkombëtarëve, ani pse këta të fundit vazhdimisht na bëjnë me dije së nuk duan të ndërhyjnë, duhet thënë se ngërçi ekziston pikërisht në ta. Saktësisht në mendjet e tyre foshnjore, aty ku janë lidhur nyje e s’po çlirohen dot.

Nga e gjithë kjo, s’do të frikësohesha që e kam gabim nëse do i bëja thirrje shoqërisë që të ndihmojë të  tillët sepse ngërçi i tyre është më i rrezikshëm sesa ai institucional. Herëdokurdo mund të kemi institucione, kryeparlamentar, kryeministër, zyrar për fotokopje etj., por problemi i mendje-foshnjorëve mbetet. Ata ende do të kenë nevojë që mendja e tyre të drejtohet nga dikush (ndërkombëtarët). E jo se kështu s’bën! Mendjet e tyre e kemi obligim si shoqëri t’i ndriçojmë aq sa mundemi. Sepse ndryshe s’i hynë në punë kujt. Prandaj të iu thërrasim, siç bëhej thirrje në epokën e Iluminizmit  – “Sapere aude!”. Duhet të guxojnë edhe këta të ndriçohen.

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Tetor 7, 2014 nga te Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: