rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Vendi i parë në autobus

Arbër Zaimi

  1. Simptoma

Ka qenë një anekdotë që tregonte se si banorët e një fshati të thellë të malësisë së Labërisë, Kuçit, kur u ballafaquan për herë të parë me autobusin si mjet modern udhëtimi kërkuan diçka të çuditshme. Pyetën se a mund të udhëtonte për së gjeri (horizontalisht) autobusi, në mënyrë që të ishin të gjithë në vend të parë. Banorët e njohur për kryelartësinë e tyre primitive nuk mund ta pranonin dot që vetëm njëri prej tyre të zgjidhej për të qenë në vend të parë. Secili donte të ishte i përfaqësuar!

Këtë dëshirë të pashpjegueshme të shqiptarëve për përfaqësim formal e kanë vënë re edhe antropologë të ndryshëm që vizitonin vendin, sidomos gjer në periudhën paramoderne që për shqiptarët ka vazhduar deri afër viteve ’30 të shek. XX (ndonëse për krahina të ndryshme, si Kuçi i Vlorës e malësi të tjera në jug e në veri, paramodernja vazhdoi të jetojë në kurbë rënëse gjer në vitet ’70 kur nisi alfabetizimi masiv i popullsisë shqiptare në Shqipëri e në ish-Jugosllavi).

Dëshira për përfaqësim thjesht formal është në një aspekt e barabartë me krekosjen individuale, me të qenit “atje” ose me të qenit pasardhës i dikujt që ka qenë “atje”. Si e këtillë ajo gjendet edhe në popuj të tjerë dhe është deri diku e normalizuar. Psh. krenimi se një paraardhës ka marrë pjesë në ngjarje historike, fj.vj. në Kongresin e Manastirit, në Shpalljen e Pavarësisë, ka qenë partizan, ka qenë në UÇK etj. Në raste më të rralla kjo krekosje gjen vlerë edhe te ajo që për shumicën shihet si antivlerë. Psh. para ca muajsh kam takuar një shqiptar Kosove që mburrej se stërgjyshin e ka patur ushtar të krajlit, dhe si i tillë e ka varrin në varrezat e dëshmorëve në Beograd. Po ashtu ka njerëz që mburren me paraardhësit e tyre që kanë bashkëpunuar me nazistët në Luftën e Dytë. Është njësoj sikur pas ca kohësh të mburret dikush pse e ka patur të atin hetues apo agjent të policisë sekrete në regjimin e Shqipërisë a Jugosllavisë; sikur dikush të mburret sot se në 21 janar ka qenë i përzgjedhur nga elitat që të bënte pjesë mbi policinë që shtinte mbi qytetarët e Tiranës; apo sikur të mburret ndonjë shqiptar se është pjesë e reparteve speciale policore të Maqedonisë, mjet direkt i dhunës dhe i diskriminimit ndaj shqiptarëve në atë vend… Por çfarë s’bën vaki!

Krekosja mund të jetë edhe kolektive. Si e tillë ajo mund të bazohet mbi mite, por edhe mbi të vërteta. Psh. përmes mitit: ne jemi populli më i vjetër, me gjuhën më të vjetër, dhe shumë gjuhë gjetiu shpjegohen prej sonës. Apo përmes së vërtetës historike: ne jemi i vetmi popull në Ballkan që u çliruam vetë prej fashistëve e nazistëve, madje ndihmuam edhe në çlirimin e të tjerëve.

Krekosje të tilla dolën në sipërfaqje edhe pas mbledhjes së fundit të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, të thirrur aty nga znj. Merkel. Media të ndryshme nuk vonuan të vënë në dukje se si Frau Bundeskanzlerin u magjeps prej Ramës, se si ajo i ka përzgjedhur shqiptarët si partnerë strategjikë në rajon e se si shqiptarët gjithnjë e më shumë po afirmohen si faktorë kyç për Ballkanin, duke sfiduar pozicionin e hegjemonit rajonal, që gjer dje e ka pretenduar ekskluzivisht Serbia.

Këto krekosje bazoheshin qoftë në fotot e përzemërta të Ramës pranë Merkel-it, qoftë në pozicionimin qëndror të kryeministrit shqiptar në tryeza e në konferenca. U ndjemë të tërë “të përfaqësuar” dinjitetshëm, madje pak më shumë krenarë se ç’u ndjemë kur Shkodran Mustafi bënte fotografi me kupën e botës dhe me kryeministren e vendit të tij. Menjëherë nisën racionalizimet e këtij “nderi”.

Gjeopolitikisht u vu re se si përmes forcimit të lidhjes me shqiptarët Gjermania rrit presionin ndaj Rusisë e ndaj protegé-së së saj ballkanike, Serbisë, në kuadër të krizës dhe konfliktit që u nxit së fundmi prej ngjarjeve në Ukrainë.

Pastaj u vu re gjeokonspirativisht se si historikisht gjermanët, të vendosur përballë presionit pansllav i kanë ndihmuar gjithnjë shqiptarët, u kujtuan misionet e dikurshme të austro-hungarezëve, madje dikush, pa e bërë shumë të madhe, do ketë pëshpëritur në ndonjë tryezë kafeneje se edhe Hitler-i vetë i ka pasë dashur shqiptarët, sepse shihte te ata një racë të pastër ariane ndryshe nga untermensch-at sllavë. Jo mor jo nuk është ashtu – do i jetë kundërpërgjigjur tjetri në po atë tavolinë – Hitler-i pa tek shqiptarët një aleat të natyrshëm, meqë historikisht shqiptarët kanë patur konflikt me sllavët. Raca ishte thjesht justifikim, se edhe Hitler-i bënte realpolitikë. Ai edhe me myslimanët arabë bashkëveproi në Lindjen e Mesme, meqë i shihte si aleatë të natyrshëm në konfliktin me hebrejtë…

Në tryezat e mirëinformuara të “elitave” në Tiranë e në Prishtinë qarkullon thashethemi se Rama na qenka bërë darling-u i perëndimorëve në gjithë Ballkanin. Dashuria e perëndimorëve për Ramën do të rezultojë vallë në ndonjë të mirë reale edhe për ne shqiptarët, apo do të jetë thjesht një biletë për vend të parë në një autobus që do të ecë për së gjeri?

  1. Diagnoza

Shumëkush mendon se pasioni i atyre që zhyten në riprodhim e mbarështim të miteve fëminore (si psh. pellazgologjisë, apo paraqitjes së shqiptarëve si popull i përzgjedhur/special) është i rrezikshëm dhe duhet luftuar. Kësisoj mediat e përditshme, televizionet, gazetat e portalet që edhe ashtu janë banale në masë të madhe, shndërrohen në mejdan për një betejë qesharake. Nga një anë kemi pseudoetimologë, pseudohistorianë, pseudoarkeologë, pseudofilologë e pseudofolkloristë. Nga ana tjetër kemi, si të kundërtën e tyre simetrike që në thelb bart të njëjtin shenjim, pseudomitologët, pseudodekonstruktivistët, shkencistët, pop-empiricistët, materialistët vulgarë etj. Ky debat, po të përdorim terminologjinë e Jacques Lacan-it[1], është një debat mes idiotëve dhe imbecilëve.

Fjalën idiot Lacan-i e përdor sipas greqishtes, idiotes, qytetar ngushtësisht privat, që nuk e zotëron dijen publike mbi një çështje të caktuar, që e injoron informacionin e përbashkët, që i intereson vetëm vetjakja (nga rrënja idios – që dmth. vetjake, ngushtësisht private). Këtu idiotët janë partizanët e mitit, ata që i marrin mitet themeluese të popullit të vet (vetjak) si me qenë të vërteta objektive, dhe mbindërtojnë mbi ato themele pa u shqetësuar për dijen publike, që e shpallin si të huaj, pra të kotë.

Ndërsa përdorimi i fjalës imbecil nga psikanalisti francez shpjegohet nga studiuesit e tij[2] (përmes një etimologjie jo tërësisht të pranuar) prej latinishtes im (parashtesa mohuese) plus baculum, shkop a bastun ku njeriu mbështetet për ta ndihmuar veten të ecë. Imbecilët janë ata që, me të njëjtin pasion irracional të idiotëve kundërshtarë, i kundërvihen miteve për t’i rrëzuar ato e jo për t’i kuptuar, si njësi funksionale për individin edhe kolektivin. Mitet jo rrallë janë një baculum për individin por edhe për komunitetin. Të pretendosh të ecësh gjithnjë pa to do të thotë të mos kesh parasysh gjendjen e këmbëve. Në rast të këmbëve të paformuara mirë, të ecësh pa bastun do të thotë edhe të rrëzohesh, të ecësh ngadalë, të mbetesh në vend. Pra imbecilët shpesh nuk ndihmojnë, ata analizojnë por nuk shpjegojnë. (Në raste specifike mitet mund të shërbejnë edhe si mjete për t’iu afruar më shumë ca të vërtetave të paaksesueshme drejtpërdrejt, siç shërbejnë edhe ndërmjetës të tjerë, fjala vjen intuita për të zgjidhur ushtrimet matematike, stimulantët për të rritur performancën fizike, apo teleskopi për të rritur atë optike. Timothy Leary madje këtu do të shtonte për analogji edhe intoksikimin, si mjet për të rritur aftësinë introspektive, si teleskop për së brendshmi[3].)

Diagnostifikimi i simptomës mund e duhet të bëhet në shinat e asaj që ka shprehur dikur Frantz Fanon[4]-i, duke folur për mitet e reja të afrikanëve të kolonizuar. Ai me të drejtë vuri re se popujt e kolonive, të përballur me logjikën supremaciste të evropianëve që rrekej t’u brendësonte afrikanëve bindjen se ishin inferiorë, nisën vetvetiu të propagojnë mite të rezistencës mbi gjoja mbretëri e perandori të mëdha afrikane që paskan ekzistuar në të shkuarën, mbi faktin se qytetërimi i Greqisë së Lashtë (themeli i Evropës) në fakt na kishte qenë një qytetërim i zi afrikan (ky mit ende vijon të qarkullojë), mbi perandorët afrikanë të Romës etj. Po ashtu, nisën edhe legjendat urbane mbi dijet e sofistikuara që zotëronin dikur paraardhësit e tyre të lashtë, por që ishin vjedhur, ishin bjerrur ose ishin zhdukur prej pushtuesve.

Fanon-i e kuptoi se këto mite janë thjesht një baculum që përdorej për të qëndruar pa u rrëzuar tërësisht dhe përfundimisht përballë agresionit kulturor të kolonizatorit, edhe ai i armatosur me bastunet e veta, në mos po me armë më të rënda. Teoricieni i dekolonizimit nuk i kushtoi aspak kohë rrënimit të këtyre miteve, përkundrazi ai shtroi tezën se e vetmja mënyrë që këto mite të tejkalohen është që të kuptohet realisht origjina dhe funksioni i tyre. Pasi i lokalizon si përpjekje për t’u paraqitur formalisht dhe kulturalisht si i barabartë me pushtuesin që impononte inferioritetin, Fanon sugjeron se mitet do të tejkalohen vetëm kur rrekja formale/abstrakte për barazi me e për pavarësi prej pushtuesit të shndërrohet në rrekje substanciale/materiale. Pra vetëm kur shoqëria e ish-kolonisë të kushtetohet materialisht dhe kulturalisht si e barabartë me atë të ish-kolonizatorit, vetëm kur të instituohet mes tyre një marrëdhënie e drejtë që nuk do të linte vend për kompleksime superioriteti/inferioriteti, do të zhdukej arsyeja për mite të tilla.

Kjo është e ngjashme me atë rastin kur një fëmijë i një familjeje të varfër e të diskriminuar ballafaqohet në shkollë me një fëmijë të një familjeje të pasur. Fëmija i pasur tregon (me ose pa dashje) pasuritë e veta e të prindërve. Fëmija i varfër, i vënë në pozitë inferioriteti, nis të gënjejë dhe tregon se si babai i tij është shumë i fortë, e mundet ta vrasë arushën veç me grushta. Imbecili këtu thotë drejtpërdrejt se fëmija nuk duhet të gënjejë por ta durojë inferioritetin e tij pa reaguar. Ndërsa Fanon-i me diagnozën e vet do të thoshte – duhet punuar për zvogëlimin e hendekut social dhe zbutjen e pabarazisë mes fëmijëve e asisoj ai i varfri nuk do të ketë më arsye të shpikë të tilla rrena. (Duhet vënë në dukje se krijimi i “miteve të rezistencës”, që ndihmon në mosnënshtrimin total ndaj agresivitetit të kolonizuesit është thelbësisht dhe funksionalisht i ndryshëm nga “miti si valium”, që shërben për të krijuar vetëkënaqësi të kota e pasivitet, si ushqim me lugë bosh. I pari funksionon nga poshtë-lart, si mjet i çlirimit, i dyti nga lart-poshtë, si mjet i riprodhimit të shtypjes.)

Sa më i madh inferioriteti substancial, aq më e madhe dëshira për të qenë së paku formalisht të përfaqësuar barazisht, përmes miteve. Sa më e thellë e më e prapambetur malësia, aq më e madhe dëshira – jo për zhvillim e përparim të komunitetit – por për t’u ulur në autobus të gjithë në vend të parë.

  1. Mbledhja e Berlinit

Blendi Kajsiu në shkrimin e tij “Çeku i bardhë gjerman” analizonte me të drejtë se “mitet” dhe “legjendat” e lindura pas mbledhjes në Berlin krijojnë thjesht iluzionin se kësaj radhe një tjetër “mik i madh” u kujtua për ne e do të na ndihmojë, në emër të ndonjë dashurie mundësisht shekullore[5]. Këto përralla janë të rrezikshme për tri arsye.

Së pari, ndihmojnë të heqin vëmendjen nga situata e brendshme (duke garantuar kështu edhe një lloj papërgjegjësie të vazhdueshme e të paprekshme nga ana e pushtetarëve lokalë), nga nevoja për një zhvillim gjenuin e të mirëfilltë me burim prej ekonomisë vendore dhe krijojnë mentalitetin e lypësit. Dikush do të shtrijë dorën e do të na ndihmojë.

Së dyti, e jashtëzojnë politikën e brendshme dhe krijohet ideja e pafuqisë. Ne këtu do bëjmë ç’të na thonë, jemi shumë të vegjël të marrim vendime. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të përpiqemi, si ai nxënësi i vogël në fillore, që të bëjmë sa më mirë detyrat e shtëpisë në mënyrë që mësuesja të na marrë përzemër e të na nxjerrë në bankë të parë.

Së treti rigjenerohet besimi tek Ëndrra Evropiane, e cila me kalimin e kohës po ekspozohej si një ëndërr e zbrazët jo vetëm për vendet që ende nuk janë anëtarësuar (e që nuk do të anëtarësohen në pesë vitet e ardhshme), por edhe për anëtarët e hershëm (shih Greqinë, Irlandën, Portugalinë etj.).

Ideja se shqiptarët më në fund janë përzgjedhur prej gjermanëve të jenë partnerët e tyre strategjikë në Ballkan demaskohet si përrallë foshnjore po të shohësh raportin e investimeve të kompanive gjermane (apo investimeve të kompanive të BE-së) në Serbi me investimet e tyre në Shqipëri e në Kosovë. Përralla bëhet edhe më e dukshme kur sheh se sa shumë prej ekskluziviteteve tregtare rajonale i mban Beogradi, që prej markave të globalizuara të ushqimeve e gjer te markat e teknologjisë së avancuar elektronike. Praktikisht nëse Beogradi është hallka e tretë e tregtimit për një seri të gjatë produktesh perëndimore, tregjet shqiptare janë hallka e katërt apo e pestë. Kjo tregon se cili është partneri i vërtetë, deri tani. Le të mos flasim pastaj për bashkëpunimet për zhvillimin e industrive të lehta e të rënda, lidhjeve infrastrukturore, investimeve ushtarake etj.

Ndoshta në situatën tonë “inferiore” kemi qenë vazhdimisht të detyruar të “kënaqemi” me përfaqësimin dinjitoz-përrallor që të mos ndihemi keq. Kështu, themi se i kemi dhënë perandorë e gjeneralë Romës e Bizantit, i kemi dhënë kryevezirë, valinj e pashallarë Otomanisë, i kemi dhënë ushtarakë të fortë Napoleonit e Venedikut, kemi nxjerrë e nxjerrim nga gjiri ynë shenjtorë e dijetarë, artistë e sportistë (për vendet e tjera). Pra jemi të përfaqësuar në përralla, e edhe nëse autobusi nuk është “për së gjeri” hera herës “e kemi dërguar” dikë në vend të parë. Sepse kaq të varfër e të prapambetur sa jemi (krahasuar me rajonin), nëse s’na japin herë pas here vendin e parë në autobus atëherë “kot që rrojmë”. Ama, nëse nuk punohet seriozisht (nga ne vetë) që pabarazia mes kolektivitetit tonë dhe atyre fqinje të zvogëlohet, duke rritur shtatin e ekonomisë sonë reale, shtatin tonë prodhues, trupën tonë demografike e territoriale (sa i përket tregut, por edhe sa i përket sigurisë), akademinë tonë, kulturën, shkencën artin edhe sportin – atëherë s’dihet ç’rrezikojmë më shumë: që përrallat të mbeten mes nesh përjetë, apo që ne të mbetemi përjetë ndër përralla.

[1] Mbi idiotët dhe imbecilët shih Jacques Lacan, Ecrits, The First Complete Edition in English, përkthyer nga Bruce Fink, W.W.Norton, New York, 1999, fq 289 – 291.

[2] Mbi etimologjinë e imbecilit shih Slavoj Zizek, Less Than Nothing. Verso, London 2012, fq.2-4

[3] Mbi eksperiencën psikedelike si inkursion hulumtues shih Timothy Leary, Ralph Metzner, The Psychedelic Experience. Penguin Books, London, 2008, fq.2

[4] Mbi “shpikjen e së shkuarës kombëtare” shih Frantz Fanon, The Wretched of the Earth, përkthyer nga Constance Farrington. Groove, New York, 1963, fq.178-188

[5] Gazeta Panorama, 2 shtator 2014

Botuar në revistën Shenja.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Tetor 6, 2014 nga te Esse, Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: